Pse I.zraeli nuk mund të jetë arkitekti i Lindjes së Mesme të Re
Nga Greg Pence “Middle East Monitor”
Në një botë që po përjeton transformime të mëdha gjeopolitike, edhe Lindja e Mesme po ndryshon me shpejtësi, por jo në mënyrën që kishin pritur zyrtarët izraelitë dhe amerikanë. Edhe nëse do të rezistojë armëpushimi i brishtë në Gaza, aleanca aktuale midis Uashingtonit dhe Tel Avivit ka pak shanse të zgjasë.
Izraeli mendon se ndodhet në kulmin e fuqisë rajonale. Por një vëzhgim më i thelluar tregon të kundërtën: ai nuk disponon as mjetet për të ndërtuar një Lindje të Mesme të Re dhe as forcën për të imponuar një rend të ri të krijuar nga vetë ai.
Izraeli përballet sot me një krizë të dyfishtë ekzistence dhe legjitimiteti, e cila shtrihet përtej sfidave të jashtme. Përçarjet e brendshme, protestat masive kundër kryeministrit Netanjahu, rënia e besimit publik dhe kaosi politik pas luftës në Gaza kanë zbuluar dobësitë e themeleve demokratike dhe sociale të vendit.
Këto ndarje ia kanë mohuar Izraelit mundësinë të jetë “arkitekt” i një rendi të ri rajonal. Shkatërrimi që ka shkaktuar në Gaza ka dëmtuar rëndë pozitën ndërkombëtare të Izraelit.
Një valë e re solidariteti global me kauzën palestineze - nga Afrika Veriore deri në Gjirin Persik - e ka izoluar Izraelin më shumë se kurrë më parë. Besimi se legjitimiteti mund të zëvendësohet me forcën ushtarake është një iluzion.
Nuk mund të ekzistojë një rend i qëndrueshëm rajonal i bazuar tek imponimi dhe dhuna. Në epokën e mediave globale, rrjeteve sociale dhe lëvizjeve qytetare, Izraeli nuk mund të krijojë një “rend të qëndrueshëm” duke bombarduar apo pushtuar.
Për partnerët arabë potencialë në Gjirin Persik, Izraeli ka humbur jo vetëm aurën e fuqisë, por edhe besueshmërinë dhe aftësinë për të ofruar garanci reale sigurie - elementë këta të domosdoshëm për çdo sistem rajonal të qëndrueshëm.
Megjithëse përpiqet të tregojë pavarësi strategjike, çdo lojtar kryesor rajonal - nga Teherani deri në Riadi - e di se Izraeli është thellësisht i varur nga Shtetet e Bashkuara. Kapacitetet e tij më të rëndësishme ushtarake, ekonomike dhe politike varen nga mbështetja amerikane.
Lufta në Gaza ka bërë edhe më të dukshme këtë varësi. Mungesa e raketave të interceptimit të sistemit “Iron Dome” para përfundimit të konfliktit tregoi sa shumë është i varur Izraeli nga furnizimet dhe logjistika amerikane.
Kërkesat e përsëritura për armë dhe municione gjatë dy viteve të fundit dëshmojnë se Izraeli nuk mund të mbajë operacione të zgjatura ushtarake në mënyrë autonome.
E përditshmja amerikane “The Wall Street Journal” thekson se lidhjet e Izraelit me shtetet e Gjirit janë duke u dobësuar për shkak të kësaj varësie dhe trazirave të brendshme. Vëzhguesit arabë - sidomos nga Emiratet, Arabia Saudite dhe Katari - po dyshojnë në mundësinë që Izraeli të jetë një shtyllë e qëndrueshme e sigurisë rajonale dhe aq më pak të jetë udhëheqës në procesin e krijimit të një rendi të ri.
Që nga themelimi, Izraeli ka ndjekur logjikën e mbijetesës, ku fuqia ushtarake konsiderohet zgjidhja përfundimtare. Doktrina e tij mbështetet në “mbizotërim të plotë” dhe “parandalim përmes sulmit”. Por përvoja e fundit - nga Gaza në Liban e Bregu Perëndimor - tregon se kjo doktrinë nuk funksionon.
Dështimi në zgjidhjen e çështjes palestineze është struktural dhe jo thjesht taktik. Përparimi politik drejt fundamentalizmit fetar dhe etnonacionalizmit e ka bllokuar Izraelin në një konflikt të përhershëm. Bashkëpunimet me fraksionet fetare ekstremiste e kanë bërë të pamundur çdo nismë për paqe.
Një shtet i përcaktuar nga ekskluziviteti fetar dhe etnik, nuk mund të ndërtojë një rend të ri rajonal. Në një rajon kaq shumë të larmishëm nga ana shoqërore dhe demografike si Lindja e Mesme, kjo qasje sjell vetëm paqëndrueshmëri, dhunë dhe paralizë politike.
Shtetësia e Izraelit, mbështetet tek ideologjia sioniste që thekson superioritetin hebraik dhe që mënjanon arabët dhe palestinezët. Që në themelet e saj, kjo ideologji ka paraqitur Izraelin si një “alien” në rajon.
Si mund të udhëheqë një rend rajonal një shtet i bazuar tek ekskluziviteti fetar dhe pushtimi ushtarak, ndërsa shumica e popullsisë rajonale janë shoqëri arabe dhe myslimane? Është e pamundur të krijohet një rend i qëndrueshëm rreth një shteti që miliona arabë e shohin si simbol pushtimi, apartheidi dhe diskriminimi sistematik.
Mungesa e besimit tek Tel Avivi është shtuar më tej pas luftës në Gaza. Qeveritë arabe, të ndërgjegjësuara mbi opinionin e qytetarëve të tyre, frikësohen se një afrimitet i hapur me Izraelin mund të dëmtojë legjitimitetin e tyre.
Impulsi i “normalizimit” sipas të ashtuquajturave Marrëveshjeve të Abrahamit është ndalur dhe po i nënshtrohet një rivlerësimi të kujdesshëm.
Një nga ambiciet e Izraelit pas Marrëveshjeve të Abrahamit ishte krijimi i një blloku sigurie arabo-izraelit. Kjo ëndërr tani është zbehur. Pas sulmeve ajrore izraelite pranë Dohës, mediat rajonale raportuan se Katari po rishikon marrëdhëniet në fushën e sigurisë me Tel Avivin. Kuvajti ka bërë paralajmërime zyrtare të ngjashme; Omani e konsideron Izraelin një burim paqëndrueshmërie. Madje edhe Emiratet po i rivlerësojnë heshturazi marrëdhëniet.
Udhëheqësit në Gjirin Persik kanë pranuar realitetin e hidhur: Izraeli nuk mund të garantojë sigurinë e tyre, as të frenojë dhe as të ndërtojë një ombrellë sigurie të besueshme dhe të qëndrueshme. Projekti izraelit për një Lindje të Mesme të Re - një rend rajonal i përqendruar tek SHBA dhe Izraeli - po shkon drejt një rënieje të pandalshme.
Mendësia strategjike izraelite, po përsërit një gabim historik, të njëjtën arrogancë që i parapriu Luftës së Yom Kipur-it në vitin 1973, kur supozonte se asnjë shtet arab nuk do të guxonte të sulmonte sërish.
Sot, ajo supozon që mungesa e një ndëshkimi të fortë për shkatërrimin e Gazës do të thotë se nuk do të ketë kosto reale. Ky është një iluzion i rrezikshëm. Lufta në Gaza, ka nxjerrë në pah kufijtë e Izraelit:
Ekonomia e tij dobësohet nga konfliktet e zgjatura,
Ushtria e tij varet nga furnizimet e jashtme,
Legjitimiteti ndërkombëtar po konsumohet gjithnjë e më shumë,
Uniteti i brendshëm kërcënohet nga përçarjet.
Në këto kushte, Izraeli është i paaftë për të ndërtuar një Lindje të Mesme të Re. Në vend të kësaj, ai është kthyer në një nga pengesat kryesore për krijimin e një rendi rajonal të qëndrueshëm. Vizionet e tij për një Mesme e Re janë thjesht një mit politik. Qeveritë rajonale mund të tregojnë respekt diplomatik ndaj Tel Avivit, por asnjë vend nuk e sheh atë si arkitektin legjitim të së ardhmes së rajonit. Nëse Izraeli vazhdon të ecë në rrugën e militarizmit, pushtimit, varësisë nga Uashingtoni dhe mosrespektimit të legjitimitetit, do të humbasë jo vetëm pretendimin për lidership rajonal, por edhe pozitën e tij ndërkombëtare dhe do të dobësohet edhe më shumë.
Rruga që ka përpara është e qartë: ose Izraeli do të pranojë një rend bazuar tek legjitimiteti, drejtësia dhe paqja e vërtetë - ose do të përballet me izolim, paqëndrueshmëri dhe një krizë të pallogaritshme.
Pra, Lindja e Mesme e Re që përfytyroi Izraeli, ishte një projekt i destinuar të dështojë, i rrëzuar nga kontradiktat brenda vetë shtetit izraelit.