Lidhje


Pse nuk po bihet dakord mbi rindërtimin e Gazës, nga planet realiste tek ato futuriste

Nga Paul Adams “BBC”

 

Në mesin e një armëpushimi ende të pasigurt, banorët e Gazës po hedhin hapat e parë të kujdesshëm në rrugën e gjatë drejt rimëkëmbjes. Buldozerët po pastrojnë rrugët dhe po ngarkojnë në kamionë rrënojat që shkaktoi lufta. Male rrënojash dhe metali të deformuar mbulojnë sot lagjet që dikur ishin plot jetë. Pjesë të qytetit të Gazës janë shkatërruar aq shumë sa nuk mund të njihen. “Kjo ishte shtëpia ime. Ishte këtu. Por tani nuk ekziston më...” - thotë Abu Iyad Hamdouna, duke më treguar një grumbull betoni dhe çeliku të përvëluar në Sheikh Radwan, në një nga lagjet më të dendura të qytetit.

 

Abu Iyadi është 63 vjeç dhe nuk pret të jetojë për të parë ringjalljen e Gazës. “Me këtë ritëm, do të duhen rreth 10 vjet” - shprehet ai. Ai duket i lodhur dhe dorëzuar: “Ne do të vdesim... pa e parë rindërtimin”.

 

Afër tij, Nihad al-Madhoun, 43 vjeç, dhe i nipi Said, rrëmojnë midis rrënojave të asaj që dikur ishte shtëpia e tyre. Ndërtesa mund të shembet në çdo çast, por kjo nuk i ndalon. Dy burrat mbledhin pllaka betoni të vjetra dhe pastrojnë pluhurin nga një divan i kuq. “Vetëm heqja e mbeturinave mund të zgjasë mbi 5 vjet. Por ne do të presim. Nuk kemi zgjidhje tjetër...”- thonë ata.

 

Sfidat janë shumë të mëdha. OKB-ja e vlerëson dëmin në rreth 70 miliardë dollarë. Sipas qendrës së saj satelitore, Unosat, rreth 300.000 shtëpi dhe apartamente janë dëmtuar ose shkatërruar. Tani Gaza është mbuluar me 60 milionë tonë rrënoja, të përziera me bomba të pashpërthyera dhe trupa të viktimave.

Më shumë se 68.000 vetë kanë humbur jetën në Gaza në dy vitet e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamas, shifra që pranohen edhe nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare.

 

Në këtë rrëmujë, është e vështirë të dihet nga ku do të nisë rindërtimi. Idetë nuk mungojnë, përfshirë edhe projektet e shkruara nga struktura të fuqishme në kryeqytete të largëta. Presidenti amerikan Donald Trump ka shpalosur gjithashtu propozimet e tij, por banorët e Gazës janë skeptikë ndaj ideve të jashtme dhe kanë vizionin e tyre.

 

Yahya al-Sarraj, kryetari i Bashkisë së Gazës, i emëruar nga Hamas, ecën në rrugë me një jelek fosforeshent, duke inspektuar dëmet. Ai tregon se dyqanet dhe restorantet kanë nisur të rihapen. “Sigurisht, këto zhvillime janë shumë modeste. Por banorët e Gazës duan të jetojnë dhe e meritojnë këtë” - shton ai.

 

Gaza nuk është e panjohur me shkatërrimet, duke kujtuar konfliktet para shpërthimit të luftës pas sulmit shkatërrues të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. “Kemi dëgjuar për shumë plane, ndërkombëtare, lokale dhe rajonale. Por ne kemi planin tonë: Feniksin e Gazës”- shton ai.

 

Ky është plani i parë palestinez i lindur gjatë luftës përmes një videoje kompjuterike. Videoja e tij duket sikur transformon me magji komunitetet e shkatërruara në lagje moderne.

 

“Ne donim të mbushnim boshllëkun”- shpjegon Yara Salem, specialiste e infrastrukturës, dikur eksperte e Bankës Botërore dhe me përvojë në zona lufte si në Irakun e pasluftës. “Nuk mund të ketë rindërtim të imponuar nga jashtë pa vizion për vendin tënd”- thekson ajo.

 

Publikimi i Planit Feniks në shkurt u pasua nga 13 muaj punë nga një koalicion prej rreth 700 ekspertësh palestinezë të rindërtimit, përfshirë arkitektë dhe inxhinierë nga Gaza dhe studentë të Universitetit Birzeit në Bregun Perëndimor.

 

Hamas, që kontrollon politikisht komunat, nuk ishte pjesë e tij. Sot, ata e dinë që fati i planit nuk varet prej tyre, pasi interesat e ndryshme rajonale dhe globale konkurruese po përpiqen të formësojnë të ardhmen e Gazës.

 

Ky vizion, është në kontrast me propozimin e quajtur “Riviera e Gazës” të presidentit Trump, i përshkruar për herë të parë në shkurt 2025 gjatë takimit me kryeministrin izraelit Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.

 

Trump shpërndau në rrjetet sociale një video të krijuar nga AI, ku ai, Netanyahu dhe miliarderi Elon Musk shfaqeshin duke iu gëzuar luksit në brigjet e Gazës në stilin Dubai, me një statujë të madhe të Trumpit dhe kërcimtarë meshkuj në plazh.

 

Por “Riviera e Gazës” nuk është vetëm vizioni i vetëm futurist. Një dokument i rrjedhur në gusht nga Washington Post, përshkruan një Gaza me teknologji të lartë nën administrimin e SHBA-së për 10 vjet. I quajtur Gaza Reconstitution, Economic Acceleration and Transformation Trust - “GREAT”, ky plan ishte hartuar nga konsulentë izraelitë dhe amerikanë me kontribute nga Instituti Tony Blair për Ndryshimet Globale.

 

Plani parashikon krijimin e “qyteteve moderne, të planifikuara dhe inteligjente me ndihmën e Inteligjencës Artificiale”, duke theksuar se dizajnimi i keq urban është shkaku kryesor i rebelimeve të vazhdueshme në Gaza.

 

Por ky plan përmend gjithashtu “zhvendosjen vullnetare” të çerekut të popullsisë së Gazës në këmbim të një shume prej 5.000 dollarë secili dhe qiranë e subvencionuar.

 

Ai bie në kontrast me Planin Feniks të vetë palestinezëve, që ruan infrastrukturën ekzistuese dhe tenton të rikthejë strukturën shoqërore dhe gjeografike të zonës.

 

Raja Khalidi, drejtor i Institutit për Politikën Ekonomike në Palestinë, paralajmëron mbi rrezikun e një sere katastrofash nga planet haluçinante të të huajve. Edhe Shelly Culbertson nga RAND Corporation, bashkëautore e një studimi për rindërtimin e Gazës, vë në dukje se Gaza nuk është një terren i shkretë ku mund të ndërtohet nga e para një “Dubai i ri”.

 

Sipas saj, në Gaza ka një trashëgimi historike dhe qytete mijëra vjeçare, që duhet të ruhen dhe zhvillohen me kujdes. Por dy planet e mësipërme nuk janë të vetmet. Një tjetër plan, i hartuar nga Egjipti dhe miratuar nga Liga Arabe në mars, parashikon rindërtimin e Gazës brenda 5 vjetësh.

 

Ai fokusohet tek përfshirja e banorëve për të mbajtur ndjenjën e pronësisë dhe për plotësimin e nevojave lokale. Vetë Autoriteti Palestinez (AP), me kreun e tij Mahmoud Abbas, ka propozimet e veta për rindërtimin dhe bashkimin e ardhshëm të Gazës me Bregun Perëndimor.

 

Estephan Salameh, Ministër i Planifikimit i AP-së, thotë se vetëm disa gjëra mund të ndryshojnë në të ardhmen e Gazës, ndërsa disa të tjera duhet të ruajnë identitetin.

 

“Mos harroni që 70 për qind e popullsisë së Gazës janë refugjatë palestinezë, ndaj gjatë rindërtimit duhet të ruajmë identitetin dhe shpirtin e Gazës” - thekson ai.

 

Kjo nënkupton rikrijimin e kampeve të refugjatëve para-luftës, ku jetojnë ende brezat pasardhës të palestinezëve që u larguan në vitet 1948-1949. Këto kampe janë shndërruar nga tendat dhe barakat e viteve 1950, në komunitete me dendësinë më të lartë në botë.

 

AP synon rikthimin e komuniteteve dhe jo krijimin e getove. “Ne duam që Jabalia të rindërtohet aty ku ishte” - thotë Salameh, duke iu referuar kampit më të madh.

 

Por aktualisht, AP kontrollon vetëm Bregun Perëndimor, jo Gazën, ndërsa plani i armëpushimit të Trump, thotë se Bordi i Paqes do të menaxhojë rindërtimin derisa Autoriteti Palestinez të reformohet plotësisht.

 

Rindërtimi do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, paralajmëron Shelly Culbertson: “Disa zona janë aq shumë të shkatërruara dhe të rrezikshme, saqë do të duhet të rrafshohen dhe rindërtohen nga e para. Dhe kjo nuk bëhet në 5 vite, por kërkon dekada”.

 

Ministri i Planifikimit i AP-së parashikon një afat më të shkurtër, por asgjë nuk do të fillojë pa një konsensus politik, hapjen e kufijve për hyrjen e materialeve të ndërtimit dhe pa siguri financiare.

 

Megjithatë, procesi është i komplikuar, sepse donatorët ndërkombëtarë kërkojnë garanci që investimet e tyre nuk do të shkojnë dëm në një konflikt të ri. Egjipti po planifikon një samit mbi rindërtimin e Gazës, por nuk ka ende një datë zyrtare.

 

Financuesit kryesorë, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kërkojnë siguri për stabilitetin politik. Qeveria aktuale izraelite kundërshton krijimin e shtetit palestinez, një çështje që Arabia Saudite mbështet, gjë që e ndërlikon më tej situatën.

 

Ndërkohë në rrënojat e lagjes Sheikh Radwan, Abu Iyad Hamdouna ka shqetësime më urgjente. “Rindërtimi? Po uji?” - pyet ai. Pasi është zhvendosur 5 herë gjatë luftës, Abu Iyad dëshiron vetëm të qëndrojë aty ku është, në çdo strehë që mund të gjejë ose ndërtojë. Ai nuk pret as Feniksin as Rivierën.

 

“Ne jemi duke krijuar çadra pranë shtëpisë ku ende nuk mund të jetojmë” - thotë banori i Gazës.

 

 

XS
SM
MD
LG