Lidhje


Shkatërrimi i qytetit mijëvjeçar të Gazës i privon banorët nga peizazhi i kujtesës

Arkitektët, planifikuesit urbanë dhe historianët, flasin për shkatërrime që shkojnë përtej zhdukjes fizike të infrastrukturës, për të minuar identitetin e popullit palestinez. Përveç shtëpive ku kanë jetuar shumë breza, ushtria izraelite nuk ka kursyer as varrezat, duke i bombarduar nga ajri dhe duke i rrafshuar më pas me buldozerë…

 

Nga Trinidad Deiros Bronte, “El País”

 

Rrënojat e Qytetit të Gazës, nuk përbëhen vetëm nga gurë dhe mure. “Këto rrënoja tani janë dëshmitare të dhimbjes sonë”, thotë 38-vjeçarja Doaa Ulyan, në një mesazh audio të dërguar nga tokat palestineze, ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e saj. Pavarësisht të gjitha vështirësive të sjella nga pushtimi dhe bllokada izraelite, në fuqi që nga viti 2007, Ulyan kishte ndërtuar “një jetë të lumtur”. Ajo e donte punën e saj në një program zhvillimi të financuar nga Banka Botërore.

 

Ajo kishte një shtëpi plot dritë, nga e cila mund të shihte Detin Mesdhe dhe ku jetonte me dy fëmijët e saj, Rezeq-in, 14-vjeçar, dhe Abdulin, 10-vjeçar, të cilët shkonin në shkollë dhe luanin futboll. Të gjithë ia kishin dalë t’i mbijetonin këtyre dy viteve sulmeve ushtarake izraelite.

 

Por nga jeta që kishin më parë, pëshpërit Ulyan, ka mbetur vetëm “hiri”. Sulmet i kanë shkatërruar peizazhin që ajo dikur e njihte. Lagjja e tyre, Al Rimal, perla e kryeqytetit të Gazës për shkak të dinamizmit kulturor, shkollave dhe rrokaqiejve, është shndërruar në rrënoja.

 

Më 5 shtator, ushtria izraelite i vendosi eksplozivin Kullës Mushtaha, ndërtesës më të lartë të Gazës, e cila ndodhej në të njëjtën rrugë me shtëpinë e Ulyan, përpara se edhe ajo të shkatërrohej në një sulm ajror. Tani, më shumë se 53 milion ton rrënoja mbulojnë një zonë ku gjithçka është gri.

 

“Nëse e shkatërron qytetin, shkatërron edhe kushtet e jetesës së banorëve të tij. Jo vetëm në kuptimin biologjik, por edhe në atë kulturor. Kjo është një mënyrë indirekte për të vrarë”, thotë arkitekti Eyal Weizman nëpërmjet telefonit nga Londra.

 

Ai është themelues dhe drejtor i Forensic Architecture dhe përshkruan “një vdekje të ngadaltë” të shkaktuar nga këto metoda “më pak spektakolare”, krahasuar me “të shtënat, bombardimet dhe urinë”.

 

Sipas tij, është e mundur të vrasësh duke shkatërruar atë që i lejon një popullsie të mbijetojë. “Qeniet njerëzore janë si midhje pa guaskë. Guaskat tona janë shtëpitë, spitalet, institucionet dhe infrastruktura që duhet të ndërtojmë për të mbështetur jetën. Ne e dimë që 40 për qind e pacientëve me dializë në Gaza kanë vdekur sepse nuk ka spitale” - vazhdon arkitekti.

 

Lista zyrtare e të vdekurve në Rripin e Gazës i tejkalon 68.000 emra. Sipas shifrave nga Kombe të Bashkuara, nën rrënoja mbeten edhe 11.000 kufoma të tjera. Por shumë viktima të tjerë, si pacientët me dializë të përmendur nga Weizman, mungojnë në bilancin zyrtar.

 

Izraeli jo vetëm që ka vrarë. Ai ka fshirë edhe peizazhet që i lejojnë njerëzve të njohin historinë e tyre dhe të vendosin kujtimet e tyre në vendin e duhur. “Ata kanë shkatërruar pothuajse gjithçka. S’ka më asnjë vend që të ruajë kujtimet tona”, ankohet motra e Doas, 32-vjeçarja Malak Ulyan, nga shtëpia e saj e re në Granada, në Spanjën Jugore.

 

Malak kujton një nga vendet e fëmijërisë së saj që është zhdukur nga sulmi i ushtrisë izraelite. “Quhej Al Baqa (Buqeta me Lule) dhe ishte një mur detar që shtrihej në ujë për disa metra. Kishte formën e një varke gjigante” - shprehet Malak.

 

Ajo kujton se si fëmijët e Gazës e donin “ndjesinë e lundrimit të një anijeje të madhe” në det të hapur, një ndjesi që ata vetëm mund ta imagjinonin, duke pasur parasysh se bllokada izraelite i ndalonte anije të tilla të zbarkonin në brigjet e tyre.

 

Izraeli lejonte vetëm anije të vogla peshkimi që të hynin në këtë zonë të Mesdheut. Madje edhe nga ato kërkonte që të qëndronin brenda një distance të caktuar nga plazhi.

 

Tokë e djegur

 

Sulmet izraelite i kanë shndërruar tokat e Gazës mijëvjeçare - një territor që ka qenë shtëpia e një sërë kulturash për më shumë se 5.000 vjet, sipas Weizman - në një tabula rasa “ku nuk mund të bësh dallimin midis autostradave dhe trotuareve, sferës private dhe publike, bujqësore dhe urbane”.

 

“Çdo gjë është bërë si sipërfaqja e Hënës, një shkretëtirë e paqartë, diçka që nuk ia vlen më të përshkruhet” - thotë arkitekti. Në gusht, përpara pushtimit të fundit të kryeqytetit të Gazës nga Izraeli në shtator dhe përpara armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, Google Maps përditësoi imazhet satelitore të tokave palestineze.

 

As shprehja “tokë e djegur” nuk mund ta përshkruajë me saktësi realitetin: pamjet nga ajri tregojnë se të paktën 92 për qind e banesave janë shkatërruar ose të dëmtuara (sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara). Të gjitha universitetet janë bombarduar ose hedhur në erë, dhe 8 nga çdo 10 rrugë janë zhdukur ose janë të papërdorshme.

 

Weizman nuk e përdor termin “urbicid” (shkatërrimi i qëllimshëm i një qyteti) për të përshkruar këtë shkatërrim. Në vend të kësaj, ai flet për gjenocid. Urbanistja libaneze Soha Mneimneh bie dakord me këtë përshkrim gjatë një bisede telefonike nga Bejrut.

 

“Urbicidi është një fazë tjetër e gjenocidit. Rreziku qëndron tek përqendrimi i tepërt në shkatërrimin e ndërtesave dhe jo në atë të njerëzve” - thotë ajo. Malak Ulyan ka humbur në këtë luftë jo vetëm vendet e dashura të fëmijërisë së saj, si murin Al Baqa dhe Rrugën Palestine, të cilat i përdorte për të shkuar në shkollë, të cilat tanket izraelite i shkatërruan më 30 shtator.

 

Më e rëndësishmja, bombat kanë marrë jetën e tre kushërinjve të saj adoleshentë. “Nuk mund t’i harroj dot” - përsërit ajo, duke përmendur edhe miqtë e tjerë me të cilët është rritur. Ajo i rendit emrat e tyre: Nesma dhe motra e saj Haya, “shumë të afërtat” Israa dhe Nora. “Nora,” thotë Malak me vështirësi, “ishte një vajzë e dashur dhe e qeshur, me një zemër të pastër si uji”.

 

Si adoleshente, Nora i huazoi fshehurazi një telefon celular në shkollën e tyre të mesme, Al Rimal, e cila u shkatërrua gjithashtu pjesërisht në një bombardim.

 

Një çelës, një aromë

 

Aroma e fëmijërisë së Malak është tani vetëm një kujtim: ajo e jaseminëve dhe shafranit të mbjellë në kopshtet e shtëpive “të vogla dhe të qeta” në rrugën Al Nasr në qytetin e Gazës. Në njërën prej tyre jetonin gjyshërit e saj nga nëna.

 

Gjyshi i saj ruante një thesar: çelësin që hapte derën e shtëpisë së familjes në Wadi Hunayn, në qendër të asaj që tani është një territor i pushtuar nga Izraeli. Në vitin 1948, në fillim të eksodit të palestinezëve, milicitë hebrejë që i paraprinin ushtrisë izraelite e shkatërruan qytetin dhe dëbuan banorët e tij.

 

Gjyshi i Ulyan-ëve ishte një nga 200.000 palestinezët që u strehuan në Gaza. Po atë vit, 750.000 njerëz ikën ose u dëbuan nga toka e tyre gjatë Nakbas (Katastrofës), mëkati fillestar i krijimit të Izraelit.

 

Në ofensivën që filloi në tetor të vitit 2023, ushtria izraelite shkatërroi shtëpinë e gjyshërve të Ulyanëve, jaseminët e famshëm dhe pemët e tyre të portokallit. Tani Izraeli po zbaton të njëjtin model të “spastrimit etnik dhe shkatërrimit” të Nakbës në Gaza, thotë Mazin Qumsiyeh nga Betlemi, në Bregun Perëndimor.

 

Ai është biolog dhe drejtor i Institutit Palestinez për Biodiversitet dhe Qëndrueshmëri. “Nuk mund të kolonizosh pa ekocid, pa gjenocid, pa urbicid” - thotë profesori. Për të marrë “tokën” është e nevojshme “të vrasësh popullsinë autoktone” dhe të ndërtosh nga e para “sipas imazhit të kolonizatorit (izraelit),” thotë Qumsiyeh. “Lufta është gjithashtu një çështje arkitekturore”, këmbëngul Weizman, sepse “ajo shkatërron dhe rimodelon në të njëjtën kohë”.

 

Shkatërro për të rindërtuar

 

Salman Abu Sitta është sot 88 vjeç. Ai ishte vetëm 10 vjeç kur një grup hebrejsh evropianë - ai citon disa nga emrat e tyre, një rus, një ukrainas, një gjerman - nga milicia Haganah e shkatërruan qytetin e tij Ma’in Abu Sitta, “rreth 4-5 km larg murit kufitar” që tani rrethon Rripin e Gazës, por që nuk ekzistonte në atë kohë.

 

Inxhinieri dhe historiani, i cili ia ka kushtuar jetën e tij rindërtimit të kujtesës së Palestinës, u bë refugjat në Gaza. Burrat e armatosur evropianë, kujton Abu Sitta, shkatërruan peizazhin e qytetit të tij, duke i vënë flakën dhe duke shembur shtëpitë dhe shkollën që kishte ndërtuar i ati. Më vonë do të ndërtonin shtëpitë e tyre mbi vendin ku kishte qëndruar komuniteti palestinez.

 

Katër nga kibucet (fermat) që u sulmuan nga Hamasi më 7 tetor 2023 ndodheshin në tokat që ishin plaçkitur nga familja Abu Sitta. Historiani beson se, ngjashëm me atë që ndodhi gjatë Nakba-s, me sulmin e tij ndaj Gazës, Izraeli synon të “shkatërrojë popullin palestinez, kujtesën dhe identitetin e tij”.

 

Deri më sot, kjo kryqëzatë nuk ka qenë e suksesshme. “Unë nuk do ta harroj kurrë atdheun tim” - thotë ai. Në Gaza, Izraeli ka shpikur një lloj të ri shkatërrimi, thotë Weizman. “Unë e quaj atë çrrënjosje, ose shkatërrim deri në rrënjë”- shton arkitekti, gjë që do të thotë “duke përdorur një ekskavator, duke gërmuar në tokë dhe duke shembur gjithçka mbi dhe nën sipërfaqe”.

 

Kjo ka ndodhur edhe në varreza. Gjyshi i Malakut dhe Doas u varros me gruan e tij në varrezat Sheikh Radwan të Gazës, të cilat janë ndër varrezat e bombarduara nga Izraeli, madje në disa raste duke kaluar edhe me buldozerë mbi varre. Motrat Ulyan nuk e dinë se çfarë është bërë me varret e gjyshërve të tyre.

 

“Qyteti është gjithashtu vendi i kujtesës” - thotë Weizman, dhe varrezat “ruajnë marrëdhënien tonë me të kaluarën, me paraardhësit tanë”. Në Gaza, e kaluara është e gjatë. Tokat palestineze, nënvizon ai, kanë qenë “të banuara vazhdimisht prej 5.000 deri në 9.000 vjetësh”.

 

“Nëse gërmon kudo në bregdet, do të gjesh mbetje arkeologjike. Është si një vend arkeologjik linear” - thekson eksperti. Territori ishte i populluar nga kananej, filistej, asirianë, babilonas, persianë, egjiptianë, grekë dhe romakë përpara se të bëhej pjesë e Kalifateve Umajade, Abbaside dhe Fatimide dhe, së fundmi, pjesë e Perandorisë Osmane dhe Mandatit Britanik të Palestinës.

 

Herodoti e përmend Gazën që në shekullin e V-të Para Erës Sonë. Aleksandri i Madh dhe Napoleoni kaluan nëpër zonë. Më 14 shtator, organizata Euro-Med Human Rights Monitor deklaroi se Izraeli “po shënjestron qëllimisht vendet historike, arkeologjike, fetare dhe kulturore në Gaza, veçanërisht në Qytetin e Gazës”, në përpjekje për të “fshirë simbolet materiale dhe shpirtërore të popullit palestinez”.

 

Sipas UNESCO-s, të paktën 110 vende historike janë shkatërruar ose dëmtuar. Weizman nuk është optimist për planet për rindërtimin e tyre. Qëllimi strategjik “i këtij gjenocidi ishte dëbimi i palestinezëve nga Gaza” thotë  Weizman, diçka që Izraeli “nuk e ka arritur gjatë gjithë kësaj lufte”.

 

“Po ashtu, po bëhet një përpjekje për të krijuar kampe përqendrimi në jug” - shton ai. Arkitekti beson se këto plane rindërtimi “mund të jenë vazhdimi i gjenocidit përmes mjeteve të tjera”. “Kompanitë e ndërtimit do të thonë se nuk mund të punojnë me njerëz në këto vende. Ndaj do ta përqendrojnë popullsinë në vende të caktuara. Të gjitha planet që kam parë për rindërtimin e Gazës bazohen në gjurmët e shkatërrimit,” shprehet Weizman.

 

Për momentin, armëpushimi i diktuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka lejuar Izraelin të fitojë kontrollin ushtarak mbi 58 për qind të Rripit të Gazës. Palestinezët nuk mund të hyjnë në këtë hapësirë, e cila zë më shumë se gjysmën e asaj që dikur ishte Gaza.

 

Nëse e bëjnë këtë, qëllohen. Më shumë se dy milionë njerëz janë tani të ngjeshur në 42-përqindëshin e mbetur të territorit, duke jetuar midis rrënojave.

 

 

XS
SM
MD
LG