Kush e sundon vërtet I.zraelin sot?
Tel Avivi dhe politikë-bërësit e tij, e dinë se nuk mund të vazhdojnë një luftë të pafundme në Gaza, dhe as nuk mund të përballen me Iranin apo me ndërhyrjet ushtarake nga Rusia, Kina apo Turqia pa SHBA-në dhe mbi të gjitha pa Trumpin. Deklarata e Netanjahut, se Izraeli nuk është një protektorat amerikan tingëllon boshe, sepse ai e di mirë që vendim-marrësi real sot nuk është në Jerusalem, por në Uashington...
Nga Hatem Sadek, “Daily News Egypt”
Vizitat e vazhdueshme e zyrtarëve të lartë amerikanë në Izrael, nuk nënkuptojnë fillimin e një paqeje të qëndrueshme siç premtoi presidenti Donald Trump, dhe as ndonjë ndryshim pozitiv në Lindjen e Mesme.
Përkundrazi, ajo pasqyron një ndjenjë paniku në rritje në Uashington, teksa administrata po përpiqet të përmbyllë fazën e parë të planit prej 20 pikash të presidentit për Gazën, ndërsa nuk ka asnjë kornizë themelore të pranueshme për të gjithë palët, e aq më pak një rrugëzgjidhje funksionale apo financim të nevojshëm për fazën e dytë.
Ndërmjetësit amerikanë po qëndrojnë në Izrael, kryesisht për ta bindur Benjamin Netanjahun që të mos e rifillojë luftën në Gaza, apo të mos e pengojë fazën e dytë, siç bëri pas marrëveshjes së mëparshme mbi pengjet, duke përdorur si arsyetim për rifillimin e luftës taktikat e vonesës nga ana e Hamasit.
Uashingtoni është shumë i vetëdijshëm se anëtarët e “kabinetit të luftës” në Izrael dhe ndoshta vetë Netanjahu, besojnë se Hamasi mund të çarmatoset vetëm përmes një fushate ushtarake në shkallë të gjerë, që do të shkatërronte atë çfarë mbetet nga Rripi i Gazës.
Për këtë arsye, Trump ka adoptuar atë që mund të quhet “diplomacia e Bibi-sitting”, një derë rrotulluese e zyrtarëve amerikanë të lartë që udhëtojnë shpesh në Izrael dhe anasjelltas. Po ashtu, Misioni Ndërkombëtar Ushtarak i Monitorimit, i drejtuar nga SHBA-ja dhe që tani e ka qendrën në Kiryat Gat, është aktivizuar për të njëjtin qëllim.
E gjithë Gaza është nën mbikëqyrje 24-orëshe nga dronët amerikanë, duke monitoruar çdo lëvizje të parakohshme të ushtrisë izraelite apo Hamasit që mund të rrezikojë armëpushimin. Netanjahu dhe qeveria e tij, e kanë pranuar me rezerva këtë marrëveshje, të cilën shumë zëra në Izrael e kanë dënuar si ndërhyrje të hapur në çështjet e brendshme.
Sipas raporteve më të fundit, Hamasi kontrollon rreth 43 për qind të territorit të Gazës dhe shumicën e popullsisë aty. Uashingtoni e klasifikon këtë zonë si “Zona e Kuqe” dhe gjendet në perëndim të asaj që quhet si “Vija e Verdhe”, ku forcat izraelite janë tërhequr për momentin.
Nën rregulla të përcaktuara bashkërisht nga zyrtarët amerikanë dhe izraelitë, ushtria izraelite nuk lejohet të kryejë operacione sulmuese të mëdha aty; ushtarët mund të qëllojnë vetëm për vetëmbrojtje, dhe çdo “akt sulmues i jashtëzakonshëm” duhet të raportohet dhe të marrë miratimin paraprak të mekanizmit të koordinimit të përbashkët SHBA-Izrael.
Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), mbajnë nën kontroll të plotë mbi 57 për qind të Rripit të Gazës, kryesisht sektorët lindorë dhe zonat e ngushta në veri dhe jug, të cilat amerikanët e quajnë si “Zona e Gjelbër”.
Në këtë zonë strehohen rreth 200.000 banorë të Gazës, përfshirë shumicën e klaneve dhe fraksioneve të armatosura që janë kundër Hamasit. Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjeve mes Uashingtonit dhe Tel Avivit, është dorëzimi i ngadalshëm nga Hamasi i trupave të pengjeve izraelitë të vdekur.
Pas raportimeve të inteligjencës nga Shefi i Shtabit Izraelit, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance dhe ekipi i tij, u bindën se Hamasi po e vonon qëllimisht dorëzimin. Për pasojë, Uashingtoni i ka dhënë Izraelit dritën jeshile për të ngadalësuar furnizimet humanitare të caktuara dhe për ta mbajtur të mbyllur pikën e kalimit të Rafahut si një formë presioni.
Sipas burimeve izraelite por edhe të huaja, dy pengesat kryesore që po ndalojnë përpjekjet e Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Komandantit të CENTCOM Brad Cooper janë: së pari, refuzimi i Hamas për të çarmatosur plotësisht, dhe këmbëngulja e tij për të mbajtur një prani dominante në Gaza, madje edhe në mënyrë të fshehtë.
Së dyti, mohimi kategorik nga ana e Izraelit i rolit të Autoritetit Palestinez në qeverisje apo në sigurinë e Gazës pas luftës, megjithëse ka plane të mbështetura nga SHBA-ja për trajnimin e forcave palestineze në Jordani dhe Egjipt.
Edhe pse Hamasi ka rënë dakord për planin prej 20 pikash, që përfshin çarmatimin e Gazës, tani propozon një alternativë “inovative”: do të dorëzojë vetëm armët e rënda ofensive, pra raketat anti-ajrore, raketat anti-tank dhe dronët, duke mbajtur “armët e vetëmbrojtjes” si automatikët Kallashnikov, pushkët e sulmit M16, RPG dhe eksplozivët e improvizuar.
Kushti i dytë i lëvizjes, është se çarmatimi i plotë do të ndodhë vetëm pas krijimit të një shteti të ardhshëm palestinez. Në terma praktikë, kjo do të thotë një çarmatim simbolik, me armët e rënda të mbetura (shumë prej tyre të shkatërruara tashmë në luftë), që do t’i transferohen një “shteti mik arab”.
Për këtë arsye, shumë vende myslimane, që dikur premtonin dërgimin e trupave për forcën stabilizuese multinacionale në Gaza, tani po ngurrojnë ose po tërhiqen nga nisma, teksa po afrohen me Uashingtonin. Ata kanë frikë se ushtarët e tyre mund të përfundojnë duke luftuar kundër Hamasit ose duke u kapur në kurth nga sulmet ajrore izraelite, që synojnë rigjallërimin e grupit.
Një çështje tjetër e pazgjidhur, është përbërja e “qeverisë teknokratike palestineze” të propozuar, që duhet të përjashtojë si Hamasin ashtu edhe Autoritetin Palestinez, në përputhje me kërkesat e Izraelit. Përveç kësaj, mbeten pa përgjigje pyetjet thelbësore: kush do ta financojë dhe zbatojë rindërtimin e Gazës, duke pasur parasysh se 76 për qind e ndërtesave janë shkatërruar ose janë të pabanueshme?
Ku do të strehohen të zhvendosurit gjatë kësaj periudhe? Jared Kushner, ka sugjeruar fillimin e rindërtimit në “Zonën e Gjelbër”, zonat nën kontrollin aktual të IDF-së. Po çfarë ndodh nëse Izraeli largohet përfundimisht nga Gaza, sipas kushteve të marrëveshjes, pasi atje të vendoset një forcë multinacionale dhe qeveri teknokratësh?
Aktualisht, askush nuk ka një përgjigje konkrete për këto pyetje urgjente. Shtëpia e Bardhë pritet të vazhdojë presionin ndaj Netanjahut që të mos rifillojë luftën, ndërkohë që negociatat, drejtpërdrejt apo përmes ndërmjetësve, vazhdojnë me Hamasin mbi çarmatimin dhe elementët kryesorë të fazës së dytë.
Nëse SHBA-ja, Hamasi dhe ndërmjetësit arrijnë një marrëveshje për zbatimin e fazës së ardhshme, kjo do të ishte shumë e dëshirueshme. Por nëse dështon, rifillimi i përleshjeve është pothuajse i pashmangshëm, dhe në atë rast Trumpi mund të kthehet kundër Izraelit.
Kjo do ta ekspozonte këtë të fundit, jo vetëm ndaj humbjes së ndihmës ushtarake amerikane, por edhe ndaj humbjes së legjitimitetit ndërkombëtar. Ndërsa peizazhi strategjik dhe gjeopolitik i Lindjes së Mesme është transformuar fuqishëm që nga pasojat e 7 tetorit 2023, Tel Avivi dhe politikë-bërësit e tij e dinë se nuk mund të vazhdojnë një luftë të pafundme në Gaza, dhe as nuk mund të përballen me Iranin dhe milicitë e përkrahura prej tij, apo me ndërhyrjet ushtarake nga Rusia, Kina apo Turqia pa SHBA-në, dhe mbi të gjitha pa Donald Trumpin.
Deklarata e Netanjahut para zëvendëspresidentit Vance gjatë vizitës së tij në Tel Aviv, se Izraeli nuk është një protektorat amerikan, tingëllon boshe. Sepse ai e di mirë që vendim-marrësi real sot nuk është në Jerusalem, por në Uashington. Dëshmitë janë të pakundërshtueshme: Izraeli nuk është protektorat; por një shtet vasal i SHBA-së. Dhe kjo përbën një ndryshim të madh.
Shënim: Dr.Hatem Sadek, profesor në Universitetin Helwan, Egjipt.