Lidhje


Pse është i dënuar të dështojë plani i I.zraelit për të ndarë Gazën

Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është e destinuar të dështojë. Dhe ky dështim do të ketë një çmim: më shumë vdekje palestinezësh, shkatërrime të mëdha dhe zgjerim të dhunës izraelite në Bregun Perëndimor dhe gjetkë në Lindjen e Mesme.

 

Nga Ramzy Baroud “Eurasia Riview

 

Rezoluta, e miratuar javën e kaluar, ishte një çmim ngushëllues për Izraelin, pasi dështoi të arrinte objektivin e tij përfundimtar përmes gjenocidit 2-vjeçar në Gaza: spastrimin etnik të popullsisë palestineze dhe aneksimin e plotë të Rripit të Gazës.

 

Gaza shkatërroi një doktrinë thelbësore të Izraelit: sigurinë absolute mbi aftësinë e supremacisë së saj ushtarake për ta nënshtruar popullin palestinez, duke përdorur teknologji shumë më superiore të furnizuara nga SHBA-ja dhe vendet e tjera të Perëndimit.

 

Megjithëse pushtimi nuk pritej të ishte i lehtë - siç dëshmon historia e dhunës së Izraelit në Rrip - marrja e plotë e kontrollit të këtij territori, ishte në mendjet e udhëheqjes izraelite një përfundim i paracaktuar. Në gusht, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi me plot besim se Izraeli synonte të “merrte kontrollin e të gjithë Gazës”.

 

Po ky doli të ishte një mendim i dëshiruar. Se si Izraeli ka dështuar të nënshtrojë një popullsi të varfër dhe të rrethuar prej 2 milionë banorësh, të nënshtruar ndaj bllokadë, urisë dhe njërit prej gjenocideve më të tmerrshme në botë, kjo është një çështje që do të trajtohet me hollësi nga historianët e së ardhmes.

 

Megjithatë, pasoja e menjëhershme është politike: Izraeli dhe mbështetësit e tij perëndimorë, veçanërisht SHBA-ja, e kuptojnë se një dështim i plotë izraelit në Gaza, do të interpretohej nga viktimat e Izraelit si një shenjë kyçe e kohërave që po jetojmë.

 

Në fakt, koncepti i shpërbërjes së Izraelit dhe fundi i projektit sionist, është zhvendosur nga periferia në qendër të debateve intelektuale. Këto ide mbështeten nga vetë izraelitët dhe janë një temë e përsëritur në median izraelite.

 

Një  titull në të përditshmen “Haaretz” më 15 nëntor nuk ishte aspak i habitshëm: “Në një vend sekret të Harvardit, ruhet një arkiv masiv i Izraelitianës - në rast se Izraeli pushon së ekzistuari”.

 

Kështu, “Plani Gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza” i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i firmosur në Sharm El-Sheikh muajin e kaluar, ishte fillimi zyrtar i skemës amerikane për ta shpëtuar Izraelin nga gabimet e veta.

 

Armëpushimi i supozuar, synonte t’i jepte Izraelit mundësinë për të manovruar nga situata shumë delikate ku gjendet. Në vend se të pushtojë të gjithë Gazën dhe t’i dëbojë palestinezët, tani Izraeli do të përdorë inxhinierinë sociale dhe politike për të arritur të njëjtin qëllim.

 

Faza e parë e planit, e cila e vendosi pjesën më të madhe të Gazës nën kontrollin ushtarak izraelit në pritje të një tërheqjeje graduale, po del tashmë të jetë një mashtrim. Sepse deri tani, sipas zyrës së medias së qeverisë së Gazës, Izraeli e ka shkelur marrëveshjen gati 400 herë, duke vrarë më shumë se 300 palestinezë të tjerë.

 

Po ashtu, Izraeli vazhdon të  shkatërrojë sistematikisht zonat palestineze. Akoma më keq, sipas autoriteteve të Gazës, Tel Avivi e ka zgjeruar pjesën e Gazës që kontrollon, e cila vlerësohet në rreth 58 për qind, duke e zhvendosur në drejtim të perëndimit të ashtuquajturën “Vijë të Verdhë”.

 

Nga ana tjetër, “armëpushimi” ka zbatuar në mënyrë efektive një mekanizëm të ri, që e lejon Izraelin të kryejë një luftë të njëanshme - me zgjerim të mëtejshëm territorial, shkatërrime, vrasje dhe masakra të herëpashershme - ndërsa palestinezët nuk presin gjë tjetër veçse ngadalësimin e makinerisë vrastare izraelite.

 

Megjithatë kjo strategji nuk është e qëndrueshme, sidomos pasi Izraeli ka shkelur edhe parimin më themelor të armëpushimit imagjinar: lejimin e hyrjes në Gaza të ndihmës më jetike për banorët. Rezoluta 2803 e KS të OKB-së, mbështet planin e paqes të Trump, por pa vendosur ndonjë pritshmëri ligjërisht të detyrueshme për Izraelin.

 

Ajo krijon një administratë kalimtare që përjashton tërësisht palestinezët, përfshirë Autoritetin Palestinez të mbështetur nga Perëndimi. Dega ekzekutive e kësaj administrate, do të ishte Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit, puna e vetme e së cilës është të “stabilizojë mjedisin e sigurisë në Gaza” në emër të Izraelit, veçanërisht duke çarmatosur grupet palestineze.

 

Forca, sipas rezolutës, do të veprojë “në konsultim dhe bashkëpunim të ngushtë” me Izraelin,gjë që do të thotë se forca do të ngarkohet me arritjen e objektivave ushtarake të Tel Avivit, duke e lejuar kështu Izraelin që të përcaktojë kohën dhe natyrën e tërheqjes së vet graduale të supozuar.

 

Meqenëse palestinezët refuzojnë të çarmatosen - pasi çarmatimi pa kushte dhe pa një garanci ndërkombëtare kuptimplotë, do të çonte me siguri në rikthimin e plotë të gjenocidit izraelit - Izraeli me siguri do të refuzojë të largohet nga Gaza.

 

Netanyahu e bëri të qartë këtë javën e kaluar, kur deklaroi se Izraeli nuk do të tërhiqej pa e çarmatosur Hamasin, “as në mënyrën e lehtë, dhe as në mënyrën e vështirë”. Ndarja e Gazës, është një përpjekje e udhëhequr nga SHBA-të për të ndryshuar natyrën e sfidës për Tel Avivin, teksa në fund të fundit synon që të arrijë të njëjtat objektiva.

 

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit e OKB-së, i shërben plotësisht interesave të Izraelit. Kjo shpjegon edhe entuziazmin e Netanyahut. Megjithatë Tel Avivi refuzon ende që ta respektojë atë, duke e bërë të qartë se nuk do të ketë fazë të dytë të planit origjinal të Trumpit.

 

Gjithsesi, e gjithë skema politike është e dënuar të dështojë. Edhe pse vuajtjet e palestinezëve me siguri që do të thellohen në muajt në vijim, loja SHBA-Izrael është në thelb e gabuar: ajo është ndërtuar mbi mashtrime dhe presion, duke u mbështetur në supozimin e gabuar se nga frika e gjenocidit, palestinezët do të pranojnë çdo lloj plani që u imponohet.

 

Kjo premisë e shpërfill historinë. Palestinezët i kanë mposhtur vazhdimisht mekanizmat e sofistikuar të projektuar për t’i thyer ata, gjë që do të thotë se edhe ky plan i ri është po aq i paqëndrueshëm. Në fund të fundit, dështimi i Rezolutës 2803 të KS të OKB-së, konfirmon një të vërtetë të qëndrueshme: lufta izraelite në Gaza nuk ka ndaluar, ajo thjesht ka ndryshuar formë.

 

Prandaj, është thelbësore që njerëzit në mbarë botën ta kuptojnë këtë fazë të re për atë që është vërtet: një manovër diplomatike, e projektuar për të lehtësuar planin e vazhdueshëm izraelit në kontrollin e Rripin e Gazës dhe për të spastruar etnikisht popullsinë e saj autoktone palestineze.

XS
SM
MD
LG