Çfarë duhet për arritjen e paqes në Palestinë
Marrëveshja e armëpushimit e arritur nga Trump në Gaza, mund të jetë hapi i parë drejt paqes, vetëm nëse ajo evoluon në një plan të plotë që njeh dhe vlerëson luftën palestineze prej disa dekadash dhe lejon që në pushtet të vijnë liderë të rinj palestinezë. Siç janë aktualisht gjërat, këto kushte themelore nuk po përmbushen…
Nga Abdullah Gül “Oman Observer”
Pas dy vite vrasjesh masive nga Izraeli në një nga fushatat ushtarake më të pamëshirshme në historinë e kohëve të fundit, armëpushimi në Gazë i arritur në tetor ishte padyshim një hap i mirëpritur. Por edhe nëse vazhdon, që të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme, duhet të adresohen shkaqet rrënjësore të problemit.
Përndryshe, do jenë të pashmangshme gjakderdhja dhe vuajtjet e reja në rajon. Duhet theksuar se armëpushimi aktual është një projekt personal i presidentit të SHBA-së Donald Trump, dhe jo vazhdim i dekadave të përpjekjeve ndërkombëtare për të zgjidhur problemin Izrael-Palestinë.
Ai nuk përmban referencat e nevojshme për Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që përmendin zgjidhjen me dy shtete me kufijtë e para vitit 1967, dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit palestinez. Paraqitja e marrëveshjes aktuale të paqes si një “fillim i ri” rrezikon që të krijojë iluzionin e një zgjidhjeje të konfliktit.
Ndërkohë që një Rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (2803) e ka legjitimuar planin e Trumpit, referencat e saj ndaj pritshmërive të drejta palestineze mbeten të pamjaftueshme. Një rrezik veçanërisht urgjent është normalizimi i vendbanimeve të paligjshme izraelite në tokën palestineze.
Sipas një raporti të fundit të International Crisis Group, vendstrehimet izraelite po shtohen në numër dhe po shndërrohen në vendbanime të përhershme. Po ashtu, krijimi i një “vije të verdhë” në Gazë e rrit mundësinë e një ndarjeje, teksa Izraelin do të pushtonte përgjithmonë më shumë se gjysmën e enklavës.
Ka shumë arsye për të qenë dyshues ndaj synimit të Izraelit për t’u tërhequr nga këto territore.
Le lë mos tregohemi naivë: armëpushimi është vetëm fillimi. Siç ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, ngjarjet në Palestinë nuk mund të shihen në një vakuum, për të shkëputura nga konteksti i tyre i kaluar dhe aktual.
Shumë vende evropiane, hodhën më në fund hapin e njohjes së shtetit të Palestinës, kryesisht për shkak të rritjes së presionit të brendshëm. Edhe pse kjo mund të jetë një masë sipërfaqësore, ajo sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen globale ndaj çështjes palestineze.
Izraeli mbetet i izoluar për shkak të politikave të tij ekstremiste, ndërsa është më e fortë se kurrë ndjenja ndërkombëtare për një zgjidhje të drejtë. Platforma për paqe që përmban plani i Trump-it është e re, por problemi në fjalë, dhe përgjigjet kryesore ndaj tij, kanë qenë prej kohësh të qarta.
Pushtimi izraelit dhe vendbanimet e paligjshme, duhet të marrin fund dhe shtetësia palestineze duhet të arrihet me dinjitetin e duhur. Që armëpushimi të çojë drejt një paqeje të përhershme, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin përsipër drejtimin e Izraelit në kursin e duhur.
Zgjidhja e konfliktit kryesor të Lindjes së Mesme, do të ishte një shërbim i jashtëzakonshëm ndaj njerëzimit. SHBA-ja do të rriste prestigjin e saj, duke garantuar njëkohësisht sigurinë dhe mirëqenien e aleatit të saj më të ngushtë në rajon.
Shqetësimet ekzistenciale të Izraelit janë në parim të kuptueshme: ai gjendet në zemër të Levantit, midis shumë shteteve armiqësore. Por duhet të pranojë atë që shumica e intelektualëve dhe elitave hebreje në mbarë botën, e kanë kuptuar prej kohësh: Tel Avivit i duhen marrëdhënie normale me palestinezët dhe fqinjët e tjerë.
Nëse alternativa është të imponojë një shtet të aparteidit ose t’u heqë sovranitetin palestinezëve, konflikti vetëm sa do të shtyhet dhe do të zmadhohet, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Për sa kohë që pushtimi vazhdon, do të vazhdojë edhe rezistenca e palestinezëve.
Shkatërrimi i Hamasit nuk do të garantojë sigurinë e Izraelit, sepse, në mungesë të një paqeje të drejtë, do të shfaqet patjetër një grupim me të njëjtën ideologji. Zgjidhja e vetme, është trajtimi i shkakut të radikalizimit palestinez, i cili fillon me lejimin e palestinezëve që të jetojnë me dinjitet në tokën e tyre.
Paqja në Palestinë, do të kishte ndikime shumë më të mëdha përtej rajonit. Shumica e radikalizmit në botën islame, shfrytëzon pretendimet e lidhura me çështjen palestineze. Nëse konflikti zgjidhet, këto pretendime me siguri do të humbasin forcën e tyre.
Në të njëjtën kohë, palestinezët duhet të vendosin rregull në shtëpinë e tyre, duke çuar në krye udhëheqës që janë plotësisht të përkushtuar ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit. Vetëm një lidership i tillë mund të përfaqësojë realisht popullin palestinez si një ndërmjetësues legjitim ndërkombëtar.
Kjo është bërë edhe më e rëndësishme që nga 7 tetori 2023. Lidershipi palestinez duhet të jetë i besueshëm, legjitim dhe i respektueshëm. Duke pasur parasysh shkatërrimin dhe vuajtjet me të cilat përballen palestinezët në çdo nivel, arritja e këtyre objektivave politike nuk do të jetë e lehtë.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë mbështetës dhe mirëkuptues ndaj përpjekjeve fillestare për krijimin e një lidershipi të pranueshëm. Edhe Izraeli duhet të mbështesë një proces të tillë nëse dëshiron të dobësojë rolin e Hamasit dhe të arrijë normalizim rajonal një herë e përgjithmonë.
Në vitin 2006, si Ministër i Jashtëm të Turqisë, isha i pari që prita dhe u takova me Hamasin në Ankara pas fitores së tyre në zgjedhje. I këshillova që të përqafonin politika të reja dhe të vepronin ashtu siç duhet të veprojë një forcë politike e zgjedhur në mënyrë demokratike: duhej të ndiqnin diplomacinë, të adoptonin taktika më të moderuara në luftën e tyre dhe të bëheshin përfaqësuesit e njohur ndërkombëtarisht të palestinezëve.
Ata dhanë shenja fillestare se ishin të gatshëm ta bënin këtë. U thashë gjithashtu homologëve të mi izraelitë dhe amerikanë se lidershipit të sapozgjedhur palestinez në Gazë duhej t’i jepej një shans. Mjerisht në vend të kësaj, Hamasi u përjashtua dhe u sanksionua menjëherë.
Sot paraqitet një mundësi e ngjashme. Unë mbetem i bindur se vetëm një udhëheqje palestineze demokratike, që garanton një qeverisje të mirë, që e çrrënjos korrupsionin dhe e refuzon dhunën, mund të marrë mbështetjen e plotë të popullit të vet dhe të bëhet përfaqësuesi i tyre i ligjshëm ndërkombëtar.
Këto kohë ka biseduar me figura të rëndësishme në mbarë Lindjen e Mesme, dhe shumë prej tyre e kanë identifikuar politikanin palestinez të burgosur Marwan Barghouti si shembull të një kandidati premtues për udhëheqje. Por Izraeli duhet të tregojë se vërtet e dëshiron paqen duke e liruar atë dhe të burgosurit e tjerë politikë.
Bota është lodhur duke parë e pafuqishme dhunën dhe vuajtjet në Palestinë. Armëpushimi i Trump-it, mund të jetë hapi i parë drejt paqes, por vetëm nëse shndërrohet në një plan të plotë që njeh dhe vlerëson luftën shumëdekadëshe të palestinezëve për liri dhe pavarësi. Përndryshe, vuajtjet e palestinezëve dhe pasiguria e izraelitëve do të vazhdojnë.
Shënim: Abdullah Gül, president i Turqisë në vitet 2007- 2014, kryeministër në vitet 2002- 2003, dhe Ministër i Jashtëm gjatë viteve 2003-2007.