Lidhje


Si myslimanët ashtu edhe të krishterët, po vuajnë nën peshën e pushtimit i.zraelit

Nga Gaby Kevorkian “Armenian Weekly”

 

Për myslimanët dhe të krishterët palestinezë, krijimi i shtetit të Izraelit më 14 maj 1948, në tokën e Palestinës historike - dhe pasojat e tij shkatërruese, të njohura si “Nakba” (Katastrofa) - ka shkaktuar plagë të thella dhe të qëndrueshme. Të dy komunitetet u zhvendosën ose u vranë, duke humbur shtëpitë dhe mjetet e jetesës, teksa janë detyruar të jetojnë si refugjatë në atdheun e tyre apo në vendet fqinje nën kujdesin e Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

 

Në kampet e refugjatëve, palestinezët e të dy besimeve jetonin nën të njëjtat tenda, vishnin të njëjtat rroba, hanin dhe pinin të njëjtin ushqim dhe ujë, dhe merrnin të njëjtin kujdes shëndetësor të ofruar nga UNRWA. Stuhitë e dëborës nuk bënin dallime - fëmijët e krishterë dhe myslimanë ngrinin njëlloj për vdekje.

 

Shumë të tjerë humbën jetën në rrethana të ngjashme gjatë Nakba-s. Masakra në fshatin palestinez të banuar nga të krishterët Eilaboun më 30 tetor 1948 e ilustron këtë tragjedi. Forcat izraelite vranë 14 të rinj nga fshati që banohej nga afro 330 njerëz, teksa të tjerët u dëbuan për në Liban.

 

Njëlloj u sulmua edhe fshati palestinez mysliman Deir Jasin nga milicitë sioniste më 9 prill 1948. Të paktën 110 fshatarë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë, teksa pati raportime për gjymtime dhe përdhunime. Fshati, i vendosur pranë Jerusalemit, kishte një popullsi prej afro 750 banorësh. Të mbijetuarit u dëbuan në Jerusalemin Lindor.

 

Nën pushtimin izraelit, myslimanët dhe të krishterët palestinezë i janë nënshtruar abuzimit fizik dhe verbal, sulmeve dhe vandalizmit të simboleve fetare dhe vendeve të adhurimit. Izraelitët nuk bëjnë dallim midis myslimanëve dhe të krishterëve në ndërveprimet e tyre të përditshme - në aspektin shoqëror, fetar, kulturor dhe komercial - duke iu referuar shpesh të dyja grupeve si “goy”, një term përçmues për jo-hebrenjtë.

 

Pas sulmit të Lëvizjes Islamike të Rezistencës (Hamas) ndaj vendbanimeve izraelite përreth Rripit të Gazës më 7 tetor 2023, ushtria izraelite nisi një luftë gjenocidale në Gaza, duke vrarë myslimanë dhe të krishterë dhe duke bombarduar si kishat ashtu edhe xhamitë.

 

Jezusi përmendet në Kuran (Libri i Shenjtë Mysliman) në 15 sure (سورة), të cilat e vënë theksin tek lindja e tij unike dhe roli si një i dërguar i Zotit. Krerët fetarë judeas në Judenë Romake, e akuzuan Jezusin për blasfemi dhe kërkuan ta ekzekutonin, por atyre u mungonte autoriteti.

 

Ata e çuan tek guvernatori romak i provincës, Ponc Pilati, i cili urdhëroi zhvillimin e një gjyqi dhe më pas nën presion ekzekutimin e Jezusit, për të parandaluar një revoltë të judenjve. Kur Pilati pa se po shpërthente një trazirë, ai mori ujë dhe lau duart para turmës për t’u pastruar në mënyrë simbolike nga faji, duke u thënë: “Unë jam i pafajshëm për gjakun e këtij Njeriu të Drejtë!”.

 

Bashkëjetesa myslimano-kristiane në Lindjen e Mesme, shërben si një model që duhet ndjekur në të gjithë botën. Prania e krishterë në rajon daton që nga lindja e Krishterimit. Islami mbërriti në fillim të shekullit VII, duke krijuar një qytetërim të përbashkët.

 

Kurani i Shenjtë është plot me vargje që i detyrojnë myslimanët t’i trajtojnë njerëzit e besimeve të tjera me dashuri dhe tolerancë, dhe jo t’i refuzojnë të tjerët. Paqja është motoja qendrore e besimit islam.

 

Myslimanët mbrojnë vendet e shenjta të të krishterëve

 

Për më shumë se 840 vjet, dy familje myslimane kanë mbajtur dhe ruajtur çelësat e Kishës së Varrit të Shenjtë, vendit më të shenjtë në Krishterim dhe një destinacion kryesor pelegrinazhi për të krishterët që nga shekulli IV.  Më 10 shkurt 1187, komandanti mysliman Salah Al-Din Al-Ajubi ia dorëzoi çelësat familjes Judeh Al-Huseini, kujdestarëve të vetëm ligjorë, dhe familjes Nuseibeh, të cilët janë përgjegjës për hapjen dhe mbylljen e dyerve të kishës.

 

Këto dy familje palestineze myslimane, e kryejnë këtë detyrë të nderuar çdo ditë nën frymën e vullnetit të mirë dhe respektit për të dyja fetë. Adeb Judeh, kujdestari aktual i çelësit, thotë: “Misioni që familja ime ka trashëguar, tregon shkallën e tolerancës fetare. Unë e shoh Kishën e Varrit të Shenjtë si një burim bashkëjetese midis besimit islam dhe atij të krishterë”.

 

Uajeh Nuseibeh e përshkroi rolin jetësor të luajtur nga këto dy familje në Jerusalem, duke thënë: “Ne ruajmë paqen dhe sigurinë brenda Kishës së Varrit të Shenjtë. Ne e hapim Portën dhe e mbyllim atë së bashku”.

 

Pakti i Umerit është një dokument i shkruar nga kalifi Umer Ibn Al-Katab drejtuar popullit të Aelia-s (Jerusalemit) kur myslimanët e pushtuan atë në vitin 638, duke garantuar kishat dhe pronat e tyre. Në hyrjen kryesore të manastirit ortodoks armen në Jerusalemin e Vjetër, një mbishkrim arab është gdhendur në gur.

 

Është një deklaratë që garanton sigurinë e vendeve të shenjta armene dhe i përjashton armenët nga taksa e votimit. Në shkurtin e vitit 2023, 3 kolonë izraelitë sulmuan Kishën e Dënimit, e cila ndodhej në stacionin e dytë të Via Dolorosa (Rrugës së Dhimbjes).

 

Njëri prej tyre, një turist hebreo-amerikan, shkatërroi me çekiç një statujë të Jezu Krishtit i bërë prej drurit të ullirit, teksa u përpoq t’i vinte flakën kishës. Por një roje mysliman që punonte për kishën, rrezikoi jetën e tij për të neutralizuar vandalin dhe për ta bllokuar atë përpara se të shkaktonte dëme të mëtejshme.

 

Më 8 tetor 2025, Ministri Izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, sulmoi kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem dhe u lut me një turmë kolonësh izraelitë në një mënyrë shumë provokuese, gjë që u konsiderua si një akt agresioni kundër myslimanëve.

 

Më 18 korrik 2018, parlamenti izraelit (Knesset) miratoi një ligj fetar racist të quajtur “Ligji Bazë Kombëtar”, i cili e përcakton Izraelin si shtetin kombëtar të popullit jude dhe specifikon rëndësinë e vendit për popullin jude, duke përjashtuar të krishterët, myslimanët dhe druzët.

 

Uniteti islamo-kristian

 

Krishterimi ishte një revolucion kundër korrupsionit dhe padrejtësisë së krerëve fetarë dhe udhëheqësve judeas, dominimit të tyre material dhe lakmisë së fajdexhinjve. Jezusi tha: “Kjo është shtëpia e Atit tim, një vend lutjeje. Mos e bëni atë një shpellë hajdutësh!” (Mateu 21:13). “Është shkruar”- u tha ai atyre - “se shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje, por ju po e bëni atë

 

një shpellë hajdutësh”. Ndërkohë, Islami u shfaq si një revolucion kundër adhurimit të zjarrit, idhujtarisë dhe korrupsionit që shoqërohej me to. Kurani pohon se të gjitha mesazhet hyjnore kanë një origjinë të vetme.

 

Ai flet për Torën dhe Ungjillin me respektin më të madh, duke pranuar ndikimin e tyre të fuqishëm në udhëheqjen e njerëzimit larg mëkatëve dhe udhëzimeve të gabuara. Kjo është veçanërisht e dukshme kur Kurani i përshkruan ato si “udhëzim dhe dritë” (هدى ونور), dhe e paraqet veten si shkrimi i shenjtë që konfirmon dy librat e shenjtë që erdhën para tij.

 

Zhvendosja dhe përndjekja fetare, shoqërore dhe kombëtare që po vuajnë të krishterët dhe myslimanët sot në shtetin izraelit, e bëjnë të domosdoshme forcimin e unitetit islamo-kristian për të ruajtur dhe mbrojtur ekzistencën e tyre të përbashkët.

 

Situata aktuale në Mesdheun Lindor, kërkon eliminimin e konceptit të pakicave dhe shumicës, të dobësisë dhe forcës, në mënyrë që të gjithë të mund të jetojnë me dinjitet. Kisha Katolike /Vatikani i respekton myslimanët si adhurues të të vetmit Zot të gjallë, të vetëmjaftueshëm dhe të mëshirshëm, Krijuesit të Qiellit dhe të Tokës.

 

Myslimanët përpiqen t’i nënshtrohen urdhërimeve të Zotit, ta adhurojnë Jezusin si profet dhe të nderojnë nënën e tij, Virgjëreshën Mari. Nga ana e tij, Al-Azhar Al-Sharif në Kajro beson se marrëdhënia e vëllazërisë, dashurisë dhe paqes që bashkon myslimanët dhe të krishterët është thellësisht e rrënjosur në histori, sepse filloi para ardhjes së Islamit në Egjipt, dhe madje edhe para misionit të Profetit Muhamed.

 

Kjo marrëdhënie daton që kur Profeti, në moshën 12 vjeçare, udhëtoi me xhaxhain e tij Abu Talib për në Levant në një udhëtim tregtar dhe takoi murgjin e krishterë Bahira. Ky takim shënoi takimin e parë midis Profetit të Islamit dhe një murgu të krishterë.

 

Pas shpalljes së Kuranit, myslimanët migruan dy herë në një vend të krishterë, Etiopi, duke u vendosur nën mbrojtjen e mbretit Ashama Ibn Abjar Al-Najashi, të cilin e takuan midis viteve 610-629. Vlen të përmendet se Al-Najashi ishte i vetmi për të cilin Profeti ofroi një lutje xhenaze në mungesë (صلاة الغائب).

 

Ndër figurat e njohura që mbështesin unitetin kristiano-mysliman është Kryepeshkopi Teodos Hana (Atallah Hana), një palestinez që i përket Patriarkanës Ortodokse Greke të Jerusalemit. Përpara shugurimit të tij si peshkop, Teodosi u arrestua, u ndalua dhe u mor në pyetje disa herë nga autoritetet izraelite me akuza të ndryshme që lidhen me “nxitjen e dhunës”. Një figurë tjetër është Sheik Ekrima Sa’id Sabri, një udhëheqës fetar mysliman dhe ish-Myftiu i Madh i Jerusalemit dhe Palestinës nga tetori 1994 deri në korrik 2006.

 

Izraeli e ka arrestuar Sabriun disa herë, së fundmi më 2 gusht 2024, vetëm sepse dyshohej se ka mbajtur zi për vrasjen e Ismail Hanijeh, ish-liderit politik të Hamasit. Më 28 shkurt 2024, Sheik Ekrima Sabri, kreu i Këshillit të Lartë Islamik dhe një imam i lartë i Xhamisë Al-Aksa, priti një delegacion të klerit të krishterë, që përfaqësonin kishat dhe institucionet në qytetin e Jerusalemit. Delegacioni përfshinte Kryepeshkopin Atallah Hana; Kryepeshkopin Munib Junan, ish-Presidentin e Federatës Botërore Luterane; dhe Kryepeshkopin Uilliam Shomali, Vikar Patriarkal për Latinët në Jerusalem dhe Palestinë. Sheik Ekrima theksoi rëndësinë historike të bashkëjetesës dhe vëllazërisë islamo-kristiane në Jerusalem, siç mishërohet në Paktin e Umerit të vitit 638, dhe theksoi nevojën për ta forcuar këtë lidhje për brezat e ardhshëm.

 

Delegacioni shprehu solidaritet me Sheik Ekrimin kundër agresionit izraelit në Xhaminë Al-Aksa dhe kundër tij personalisht. Më 26 shtator 2022, Atë Manuel Musalam, një prift katolik palestinez, u bëri thirrje të gjithë të krishterëve në Palestinë të mobilizohen dhe të mbrojnë Xhaminë Al-Aksa nga bastisjet e planifikuara të kolonëve izraelitë.

 

Në një njoftim për shtyp, ai paralajmëroi se “suksesi i planeve të kolonëve për të shembur Xhaminë Al-Aksa, do të thotë zhdukje e ekzistencës së krishterë dhe islame në Jerusalem”. Duke iu drejtuar të krishterëve në Jerusalem dhe në të gjithë Palestinën historike, ai i nxiti ata të qëndronin përkrah vëllezërve të tyre myslimanë në mbrojtje të xhamisë kundër agresionit izraelit.

 

Unë inkurajoj një kuptim të shëndoshë të fesë, që kërkon që një prift i krishterë dhe një sheik mysliman të luten së bashku në Jerusalem për drejtësi, barazi dhe eliminimin e shtypjes dhe tiranisë izraelite. Gjithashtu bëj thirrje për të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për të gjithë banorët e Mesdheut Lindor, në vend të përdorimit të termit “minoritete”, i cili përdoret shpesh nga izraelitët.

 

Ky term, mbart një domethënie negative, duke përforcuar ndjenjat e inferioritetit dhe duke krijuar barriera psikologjike për ata që etiketohen si qytetarë të pakicave. Bazuar tek ajo që po vërejmë në Tokën e Shenjtë, është e qartë se Islami dhe Krishterimi - ndryshe nga Judaizmi - nuk shoqërohen me ideologji fetare ekstremiste.

 

Shënim: Gaby (Kapriel) Kevorkian, është mjeke nga Qyteti i Vjetër i Jerusalemit, e diplomuar në Institutin Shtetëror Mjekësor të Jerevanit në vitin 1975. Ajo ka punuar për shumë vite në Jordani, Bregun Perëndimor dhe Jerusalem.

XS
SM
MD
LG