Si iu shit botës S.ionizmi
Libri i ri i Harriet Malinovic,“Shitja e Izraelit: Sionizmi, propaganda dhe përdorimet e Hasbara-s”, zbulon se si propaganda nga ana e autoriteteve e promovuan sionizmin, ndërsa fshehën shtypjen dhe shpronësimin e palestinezëve autoktonë...
Nga Eleanor J.Bader “Mondoweiss”
Në thelbin e librit të sapobotuar të Harriet Malinovic, “Shitja e Izraelit: Sionizmi, propaganda dhe përdorimi e Hasbarës”, gjenden një numër pyetjesh urgjente. Si mundën ata që fillimisht ishin një grup i vogël mendimtarësh dhe aktivistësh hebrenj të Evropës Lindore, t’i bindnin hebrenjtë e botës se të gjithë ishin një ‘popull’, që po përjetonin një kërcënim të përbashkët me një rrugë të përbashkët drejt shpëtimit, si dhe me një detyrim të përbashkët për ta kërkuar atë?
Si mundën ata ta bindnin pjesën tjetër të botës t’i përfshinte në familjen e kombeve? Dhe si mundën t’i bindnin të gjithë të përfshirët, se projekti i tyre i çlirimit ishte një projekt “dashamirës dhe fisnik”, për të cilin ata kishin të drejtë, duke mos prodhuar viktima apo dëme anësore? Ja se çfarë thotë autorja në këtë intervistë.
A u rritët ju duke besuar se Izraeli ishte i nevojshëm për mbijetesën e hebrenjve?
Në fakt, në fillim nuk më është thënë justifikimi i zakonshëm për Izraelin. Pra që shteti u krijua si një strehë e sigurt për hebrenjtë. Mua më thuhej se Izraeli ishte i mrekullueshëm sepse të gjithë ishin hebrenj: shoferët e autobusëve, mbledhësit e mbeturinave, mësuesit, bankierët, policët, të gjithë!
Kur filluat që ta vini në dyshim këtë?
Ishte një proces gradual. Shkova në Izrael për herë të parë në vitin 1976 me nënën dhe vëllain tim. Pastaj u riktheva atje në vitin 1977 dhe kalova disa muaj në një kibuc (fermë). E vizitova sërish në vitet 1982 dhe 1984. Kur isha 8-vjeçe, tezja ime u transferua atje.
Ajo jetoi gjatë viteve 1962- 1969, dhe ne shkëmbenim shpesh letra. Ato përmbanin përshkrime të shumta rreth kibucit ku jetonte. Mësuesja ime e shkollës hebraike, më vinte t’i lexoja me zë të lartë letrat në klasë dhe në një rast buzëqesha kur tezja ime thoshte se Izraeli ishte një vend i shkëlqyer për t’u vizituar, por jo për të jetuar.
Mësuesja e inatosur ma rrëmbeu letrën nga dora. Kur tezja ime u kthye në SHBA, ajo mori me vete bashkëshortin e saj të lindur në Irak, i cili me të drejtë ishte i pakënaqur për mënyrën se si elita Ashkenazi në Izrael i trajtonte hebrenjtë Mizrahi. Ai ishte ekonomist dhe përballej me diskriminim në punë. Ndaj ishte i lumtur që kishte ikur prej andej.
Gjatë kohës që jetova vetë në një kibuc, vija re burrat palestinezë që punonin në fusha jo shumë larg anëtarëve të kibucit dhe vullnetarëve ndërkombëtarë. Por kur na thërrisnin të gjithëve për një pushim, pashë që ata po vazhdonin të punonin.
Unë u takova dhe piva çaj me tregtarët palestinezë në tregun arab, në Jerusalemin e Vjetër, dhe nga bisedat me ta e kuptova se ajo që më kishin thënë se të gjithë në Izrael ishin hebrenj ishte e pavërtetë. Kur u riktheva në SHBA në vitin 1984, u përfshiva në punën vullnetare në Amerikën Qendrore, dhe nisa të kem një ndërgjegjësim të ri për strukturat ndërkombëtare të mbështetjes ushtarake dhe propagandën e tyre.
Ndërkohë, lexova librin e Leni Brener të vitit 1983, “Sionizmi në epokën e diktatorëve”, i cili fliste për bashkëpunimin sionist me nazistët. Ai më shkaktoi një tronditje tjetër. Dija mjaftueshëm sa për të qenë e emocionuar nga Intifada e parë e palestinezëve në vitin 1987. Por në kohën e Intifadës së dytë në vitin 2002, njerëzit kishin telefona celularë dhe unë mund të dëgjoja të shtëna me armë zjarri në Xhenin nëpërmjet radios “Democracy Now!”.
Tashmë kishte blogje dhe shumë faqe interneti që transmetonin informacione në mënyra të reja. Por isha ende shumë naive dhe u habita kur Izraeli refuzoi të lejonte një ekip faktmbledhës të OKB-së në zonë. Ai moment ishte një pikë kthese e vërtetë për mua.
Ndërsa isha në Australi në vitin 2004, lexova librin “Historia e Palestinës moderne” të Ilan Pape, në prag të pjesëmarrjes në një takim gazetarësh, akademikësh dhe aktivistësh në Sidnei, ku Pape ishte i ftuar nderi. Një nga mësimet kryesore të asaj mbrëmjeje për mua ishte se në fakt ishte 1948-a dhe jo 1967-a, viti kyç për të kuptuar situatën.
Një mësim tjetër, ishte se ndryshimi nuk do të vinte nga brenda Izraelit, por varej nga palestinezët dhe aleatët në pjesën tjetër të botës. Diskutimi në atë takim, pati një ndikim të madh tek unë, dhe kur u ktheva në SHBA, u përfshiva në kërkime të gjera mbi historinë e Palestinës dhe të sionizmit, dhe përfundimisht i bashkova këto interesa me studimet e mia mbi propagandën, që tashmë ishin në zhvillim e sipër.
Shumë shpejt e ndjeja se doja të shkruaja një libër mbi sionizmin dhe propagandën, por m’u deshën rreth 20 vjet për ta përfunduar projektin!
Ideja që Zoti ua premtoi Izraelin hebrenjve është kryesisht e pakontestueshme. Pse ndodh kjo?
Unë mendoj se njerëzit kanë frikë të ndërhyjnë tek besimet fetare të të tjerëve, sidomos kur bëhet fjalë për Zotin. Për më tepër, shumë njerëz e besojnë këtë pohim!
Ju shkruani se para viteve 1960 izraelitët e përmendnin rrallë Holokaustin nazist, sepse vdekja e 6 milionë hebrenjve u dukej si një shenjë dobësie, sikur ata të kishin shkuar drejt vdekjes “si delet në thertore”. Megjithatë, ju gjithashtu vini re se gjenocidi u pa nga David Ben-Gurion si një “fatkeqësi e dobishme”. A mund të na jepni më shumë detaje?
U trondita nga fakti sesa sa të nënçmuar ishin të mbijetuarit e Holokaustit në vitet e para të shtetit të Izraelit, sikur të ishin një njollë në mashkulloritetin izraelit që duhej fshirë. Por më vonë, pati një ndryshim ideologjik. Ushtria izraelite e siguroi botën se ishte e fortë, e vendosur dhe e aftë të luftonte nëse sulmohej.
Dhe njëherazi Holokausti mund të përmendej si një kujtesë e viktimizimit të tyre të përhershëm, duke justifikuar të gjitha krimet e tyre në emër të shmangies së një gjenocidi tjetër kundër popullit hebre. Po ashtu, Holokausti është përdorur strategjikisht në mbledhjen e fondeve ndërkombëtare ose është i nevojshëm për të fituar empati për Izraelin si një komb gjoja i rrethuar.
Sionizmi u promovua kryesisht nga hebrenjtë Ashkenazi, të cilët propaganduan idenë se ekziston një popull i vetëm hebre. Si u përhap kjo ide?
Sionizmi nisi si një ide e shpikur nga hebrenjtë e Evropës Lindore dhe Qendrore, duke u shfaqur si përgjigje ndaj situatës së tyre të vështirë në fund të shekullit XIX. Kishte shumë diskutime rreth “popullit hebre”. Por deri vonë, hebrenjtë jashtë Evropës nuk u shfaqën në “radarin” e tyre, deri kur ata u deshën për të ndërtuar popullsinë e shtetit të ri.Për mua, është i gabuar pretendimi se Izraeli përfaqëson të gjithë popullin hebre. Për shembull, unë nuk u konsultova kurrë për këtë! Disa njerëz flasin në emër të të tjerëve dhe në fund të fundit po përdoren nga të tjerët. Pretendimi i një fraksioni se të gjithë janë të bashkuar dhe se ekziston një popull hebre është propagandë. Më kujton feminizmin e viteve 1970, ku disa gra pretendonin se flisnin në emër të “të gjitha grave”. E kush i zgjodhi ato?
Çfarë ndodhi me impulsin e të majtës, që nxiti kaq shumë sionistë të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX-të?
Deri në vitin 1977, kur në krye u zgjodh Menahem Begin dhe Likud u bë një forcë politike, kibucët dominoheshin nga hebrenjtë ashkenazi, të cilët merrnin subvencione të mëdha qeveritare nga Partia Laburiste që ishte asokohe në pushtet. Në realitet, ata nuk ishin të vetëmjaftueshëm.
Në disa mënyra, “socializmi” ishte ideologjik dhe i orientuar drejt stilit të jetës sesa ekonomik, më shumë sionist sesa marksist. Pas viteve 1980, kibucët duhej të ndryshonin drejtim për të mbijetuar, duke kaluar nga bujqësia tek industria, turizmi, prodhimi, zhvillimi i pronave apo teknologjia. Ishte zhdukur atmosfera utopike kolektiviste.
Si i kanë shërbyer makinës së propagandës së Izraelit dyshimet e prodhuara nga ngjarje si Nakba e vitit 1948?
Dyshimi mund të jetë një armë e fuqishme. Ekziston një model i zhvilluar nga industria e duhanit që e kanë përdorur sionistët, mohuesit e klimës dhe Holokaustit dhe të tjerët. Ideja është se ka narrativa konkurruese, dhe që të dyja duhet të merren në konsideratë në mënyrë të barabartë, në vend se të shqyrtohet besueshmëria e tyre.
Prandaj u desh kaq shumë kohë për ta bindur publikun se pirja e duhanit shkaktonte kancer. Sepse operativët e industrisë e sfiduan ekspertizën shkencore me “hulumtimet” e tyre, duke i bërë njerëzit të mendonin se çdo gjë ishte në rregull, dhe ata mund të vazhdonin të pinin duhan derisa të kishte një rrezik të qartë dhe të pranishëm.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me mohimin e Nakba-s. Nëse sionistët nuk i detyruan vërtet palestinezët të largoheshin në vitin 1948, atëherë ata nuk mbajnë përgjegjësi për refugjatët, apo jo?
Ideja se Izraeli është thelbësor për mbijetesën hebraike është pranuar prej kohësh si e vërtetë. Pse dështuan të fitojnë mbështetje alternativat ndaj sionizmit?
Asimilimi është një alternativë që shumë njerëz e kanë zgjedhur, por ai e dëmton projektin sionist, ndaj përgojimi i tij ishte një detyrë e madhe e lëvizjes sioniste. Bashkimi Evropian argumentoi se ishte e rëndësishme të luftohej kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe të mbështeteshin lëvizjet kundër antisemitizmit.
Ata kundërshtuan formimin e një shteti të veçantë hebre. Kjo ka pasur gjithmonë kuptim për mua. Migrimi në Amerikën e Veriut dhe gjetkë shihej gjithashtu si një alternativë e dëshirueshme. Ndërkohë, sionistët përhapën idenë e Izraelit si zgjidhja e vetme për antisemitizmin, si e vetmja mënyrë që hebrenjtë të ishin të sigurt.
Ka shumë mite rreth Izraelit, nga ideja se toka ishte e zbrazët, deri tek ideja se izraelitët e bënë shkretëtirën të lulëzonte. Si u popullarizuan këto ide?
Si parulla “një tokë pa njerëz, për një popull pa tokë”, ashtu edhe “ata e bënë shkretëtirën të lulëzojë” janë xhingla marketingu, sa për të përdorur një term nga emigranti izraelit dhe anti-sionisti Moshe Mashover. Por, pavarësisht se këto ishin gënjeshtra absurde, frazat mbetën.
Është pak e shumë si ideja që Kolombi “zbuloi” Amerikën, të cilën e beson derisa të hasësh në prova dhe të ndërgjegjësohesh se është absurde. Po ashtu, mendoj se fraza të tilla, si “ti bëjmë shkretëtirat të lulëzojnë”, janë tërheqëse sepse u japin izraelitëve një aftësi gati mbinatyrore.
I bën ata të duken sikur janë të aftë të bëjnë gjëra të mrekullueshme dhe i ngre lart në imagjinatën popullore. Për sa kohë që ithtarët sionistë mbeten rehat në flluskën logjike të organizatave si Fondi Kombëtar Hebraik, Kongresi Botëror Hebraik, Hillel dhe Birthright, ata marrin një shpërblim të majmë: një ndjenjë shoqërie dhe përkatësie.