Kohë të errëta për Italinë: Imami i Torinos rrezikon dëbimin për qëndrimet e tij pro Palestinës
Nga Annalisa Camilli “Internazionale”
Muhamed Shahin është imami i Xhamisë San Salvario në Torino, një nga komunitetet islamike më vjetra dhe më të mëdha në Itali. Ai jeton në Itali që nga viti 2004, ka një grua dhe dy fëmijë, 9 dhe 12 vjeç. Dhe zotëron një leje qëndrimi afatgjatë, që zakonisht u jepet personave me origjinë të huaj pasi kanë jetuar dhe punuar në Itali për një kohë të gjatë.
Shahin nuk ka asnjë precedent penal, ka dhënë mësim arabisht në Shkollën e Ushtrisë së Torinos, dhe është i respektuar dhe i njohur nga banorët e qytetit dhe përfaqësuesit institucionalë, pasi është përfshirë prej kohësh në dialogun ndërfetar dhe aktivitete fetare dhe shoqërore.
Po ashtu, si shumë anëtarë të komunitetit islamik të Torinos, ai ka qenë në vijën e parë të demonstratave të solidaritetit me Rripin e Gazës, të organizuara në qytet vitet e fundit. Dhe me shumë gjasa për shkak të pjesëmarrjes së tij në këto protesta, ai tani rrezikon dëbimin në Egjipt, vendin e tij të origjinës.
Një vend që Italia e konsideron të sigurt, pavarësisht persekutimit dhe torturës së përhapur që pësojnë kundërshtarët politikë të regjimit të Al-Sisit, mijëra prej të cilëve janë të burgosur. Më 24 nëntor, ndërsa po i çonte fëmijët e tij në shkollë, Shahin u ndalua nga oficerët e policisë dhe u dërgua në stacionin e policisë, ku iu dha një urdhër dëbimi i lëshuar nga Ministria e Brendshme “për arsye të rendit publik dhe sigurisë shtetërore”.
Urdhri nuk thotë asgjë më tej. Në të njëjtën kohë, është anuluar leja e tij e qëndrimit afatgjatë dhe ndaj tij ka një udhër për dëbim në kufi. Shahin akuzohet si “i rrezikshëm”. Urdhri i dëbimit përmend “radikalizimin fetar”, “një ideologji fondamentaliste me një nënkuptim të qartë antisemit” dhe rolin e tij “në qarqet radikale islamike”.
Por nuk jepen prova për akuzat shumë serioze të ngritura kundër tij. Urdhri e akuzon Shahin se është takuar me dy persona të përfshirë në radikalizim. Por imami i ka takuar ata në vitet 2012 dhe 2018, para se ata të radikalizoheshin. Për më tepër, ai e bëri këtë si udhëheqës fetar i komunitetit të tij.
Ai akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në një bllokim rruge gjatë një demonstrate pro-Palestine dhe për deklaratën, gjatë një proteste më 9 tetor, se “ajo që ndodhi më 7 tetor” në Izrael nuk ishte një akt terrorizmi, por “rezistence”. Kjo deklaratë, e cilësuar si e dhunshme dhe antisemite, ishte objekt i një debati parlamentar të kërkuar nga deputetja e partisë Fratelli d’Italia, Augusta Montaruli, e cila bëri thirrje për dëbimin e klerikut.
Kohë të errëta
Gjatë seancës dëgjimore për të vërtetuar ndalimin e tij në komisariatin e policisë, Shahin kërkoi azil, sepse mund të persekutohej në Egjipt nga regjimi i Al-Sisit, kundër të cilit ai është shprehur vazhdimisht. Kërkesa e tij për azil e pezulloi përkohësisht dëbimin e tij, por komisioneri i policisë e transferoi atë në qendrën e paraburgimit të riatdhesimit në Kaltaniseta.
Më 27 nëntor, ndalimi i tij u vërtetua dhe kërkesa e tij për azil u refuzua nga komisioni territorial i Sirakuzës, i cili deklaroi se Shahin nuk përballet me asnjë rrezik për t’u kthyer në Egjipt. Janë paraqitur ankesa dhe do të paraqiten të tjera, por urdhri i dëbimit mund të zbatohet së shpejti.
“Ne po paraqesim disa apele”- konfirmon Xhanluka Vitale, avokati i Shahin. “Për shembull, ne zbuluam se akuzat e dikurshme ishin arkivuar tashmë dhe nuk ishin konsideruar krim nga zyra e prokurorit të Torinos. Kur DIGOS (Divizioni i Hetimeve të Përgjithshme dhe Operacioneve Speciale i policisë) ia përcolli fjalimin e imamit zyrës së prokurorit më 9 tetor, prokurorët e Torinos e mbyllën çështjen, duke e konsideruar aktin si jo krim”- shton Vitale.
Në dosje, zyra e prokurorit shkroi se vërejtjet ishin “një shprehje mendimi që nuk përbën krim”. Vitale thekson se “zyra e prokurorit të Torinos nuk pa ndonjë rrezik tek ky person”. “Ky lloj urdhri dëbimi është emblemë e kohërave të errëta në të cilat po jetojmë. Ministria e Brendshme, dhe për këtë arsye edhe autoritetet politike dhe ekzekutive, po vendosin me një kompetencë absolute nëse një person është i rrezikshëm, duke injoruar vendimet e autoriteteve gjyqësore. Ky është një sulm i rëndë ndaj lirisë së shprehjes, që është guri i themelit të demokracive tona”- përfundon avokati.
Më 30 nëntor, lagjja San Salvario e Torinos dhe e gjithë bashkësia islame e qytetit u mblodh në mbrojtje të imamit. Apele pati edhe nga shoqata të tilla si Arci, CGIL, ANPI dhe “A buon diritto”, si dhe nga Kisha Valdeze dhe nga figura që kishin punuar më parë me Shahin, siç është Peshkopi i Pinerolos, Derio Olivero.
Për juristin Livio Pepino, “dekreti i ministrit për dëbim është një akt i pastër shtypjeje të mendimit ndryshe, që synon dobësimin dhe kriminalizimin e lëvizjes së solidaritetit me popullin palestinez”. “Në një demokraci, idetë shkëmbehen, diskutohen dhe nëse është e nevojshme, kontestohen, por ato nuk mund të jenë bazë për marrjen e masave shtypëse të çfarëdo lloji”- thekson ai.
Ai citon Neni 21 të Kushtetutës së Italisë: “Liria e fjalës dhe e shprehjes nuk mund t'i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të përcaktuara nga ligji penal. Përpjekja për ta penguar atë me masa administrative, madje edhe me një urdhër dëbimi, është jo kushtetuese.
Në dekretin që kërkon dëbimin e Shahin, Gjykata e Apelit shkon aq larg sa e thekson si të papranueshme mundësinë që ‘fjalët dhe përhapja e tyre të krijojnë çrregullim dhe paqëndrueshmëri’.
Në fakt këto janë pikërisht fjalët e mbrojtura nga karta themelore, sigurisht jo ato që mbështesin rendin dhe stabilitetin e sistemit. Në fakt, liria e shprehjes shërben për të çliruar heretikun, jo konformistin, pakicën: të gjithë ata që, kur shumica ishte plotësisht e lirë t’i lutej Zotit dhe të lavdëronte mbretin, u dogjën në turrën e druve ose u burgosën mes indiferencës ose vetëkënaqësisë së shumicës”.
Gjysmë-qytetarë
Këshilltari i Qytetit të Torinos, Abdullahi Ahmed, njëherazi kryetar i Komisionit kundër Intolerancës dhe Racizmit, ishte i pranishëm në demonstratën e 30 nëntorit: “Përpara Xhamisë Omar Ibn Al-Khattab në San Salvario, një lagje e tërë u mblodh për të kujtuar se kush është në të vërtetë Muhamedi: një imam për myslimanët, një fqinj dhe një mik për të gjithë të tjerët.
Në tubim ishin të gjithë banorët e lagjes, njerëzit që jetojnë dhe përbëjnë komunitetin.
Ishte një shenjë e fortë dhe konkrete e një qyteti që refuzon të përçahet. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të besimeve dhe grupeve të ndryshme shoqërore: Serxho Veluto i Kishës Valdeze; Marko Durando, famullitar i Kishës Katolike; Elena Ferro, sekretare e sindikatës CGIL në Torino; dhe Augusto Montaruli i ANPI-t. Prania e tyre tregon se si mbrojtja e dinjitetit njerëzor i tejkalon të gjitha përkatësitë”.
Ahmed është i alarmuar nga kjo masë: Unë e njoh shumë mirë imamin që nga viti 2014. Angazhimi i tij ndaj dialogut ndërfetar në një lagje unike si San Salvario nuk është theksuar mjaftueshëm. Ai ishte në vijën e parë gjatë viteve të vështira, siç ishin ato të sulmeve të Shtetit Islamik në Evropë, për të siguruar që të mos humbiste shpresa për dialog ndërfetar”.
Për Abdullahi Ahmed-in, rasti i Shahin është politik: “Nuk ka asnjë bazë për akuzat ndaj tij. Po e kritikojnë për një deklaratë të vetme. Por sa njerëz e kanë thënë atë deklaratë vitet e fundit? Në Itali ka liri shprehjeje, por të huajt konsiderohen vetëm gjysmë-qytetarë dhe të drejtat e tyre nuk janë njësoj të vlefshme”.
Ahmed beson se i gjithë komuniteti mysliman i Torinos po mobilizohet për ta rikthyer Shahin-in në shtëpi. Shoqata “A buon diritto”, shpreh gjithashtu kundërshtimin e saj ndaj përjashtimit të Muhamed Shahin: “Deklaratat e bëra publikisht gjatë një demonstrate, edhe nëse konsiderohen serioze dhe të papërshtatshme, dhe të cilat u korrigjuan dhe u kontekstualizuan menjëherë nga vetë Shahin, nuk mund të jenë arsye të mjaftueshme për përjashtim. Lidhur me rrezikshmërinë e tij shoqërore dhe marrëdhëniet dhe faktet për të cilat akuzohet, Shahin tashmë është përgjigjur dhe duhet të vazhdojë të përgjigjet në forumet përkatëse, në Itali”.
Aktivistët egjiptianë në mërgim, të bashkuar nën grupin ombrellë “Egyptwide” për të drejtat e njeriut, kanë nisur një fushatë për lirimin e Shahin. Ata u kanë shkruar një letër autoriteteve duke denoncuar dënimin jo proporcional të imamit të Torinos.
“Ka anomali në procesin e dëbimit, dhe riatdhesimi në Egjipt përbën një rrezik për sigurinë e imamit, pasi ai vjen nga një familje kundërshtarësh politikë. Egjipti nuk mund të konsiderohet një vend i sigurt për askënd, veçanërisht për ata që e kanë kundërshtuar hapur qeverinë atje”- shpjegon Sajed Nasr i “Egyptwide”.