Lidhje


Rezolutat e OKB-së mbi Gazën dhe Golanin: Legjitimiteti global nën presion, por asnjë rrugë drejt paqes së vërtetë

Paqja nuk mund të lindë vetëm nga pranimet e fajeve; ajo duhet të ndërtohet mbi çmontimin e strukturave që prodhojnë dhunë. Ka një ndryshim thelbësor midis menaxhimit të krizave, një paradigmë me të cilën bashkësia ndërkombëtare ndihet rehat dhe zgjidhjes së konflikteve,  e cila kërkon përballjen me realitetet politike që shumë shtete preferojnë t’i shmangin...

 

Nga Peiman Salehi “Middle East Monitor”

 

Dy rezolutat e fundit të Kombeve të Bashkuara, njëra që bën thirrje për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Gaza, dhe tjetra që riafirmon sovranitetin e Sirisë mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit, janë përshëndetur në disa segmente të bashkësisë ndërkombëtare, si shenja të një ndërgjegjeje globale në ndryshim.

 

Megjithatë, ajo që ato zbulojnë vërtet është diçka më e thellë: institucionet ndërkombëtare po i përgjigjen presionit të paparë publik global dhe jo një ndryshimi strategjik midis fuqive të mëdha. Këto rezoluta, dolën në një moment kur legjitimiteti i vetë OKB-së është ngatërruar me gatishmërinë e saj për të pranuar, të paktën simbolikisht, realitetet e pushtimit, zhvendosjes dhe dhunës strukturore ndaj palestinezëve.

 

Për OKB-në, të mos bërit asgjë ishte bërë më e dëmshme sesa të bënte diçka simbolike. Vetë modelet e votimit ilustrojnë këtë transformim. Një shumicë e madhe shtetesh, e mbështetën rezolutën që kërkonte tërheqjen e Izraelit në vijën e vitit 1967 në Lartësitë Golan, siç është regjistruar në dokumentet zyrtare të OKB-së.

 

Modele të ngjashme, u panë edhe tek rezolutat që adresonin kolapsin humanitar të Gazës. Agjencitë e lajmeve si Anadolu, raportuan për një konsensus të gjerë ndërkombëtar dhe dhanë detaje për numërimin e votave që nënvizuan izolimin diplomatik në rritje të Izraelit.

 

Por kjo rritje e aktivitetit diplomatik në OKB, nuk do të thotë se bota është në prag të një procesi kuptimplotë paqeje. Ndërsa janë moralisht dhe politikisht të rëndësishme, këto rezoluta nuk pasqyrojnë një ndryshim strukturor në ekuilibrin ndërkombëtar të pushtetit.

 

Përkundrazi, ato janë produkt i mobilizimit publik global, nga protestat në kampuset universitare deri tek demonstratat masive në kryeqytetet perëndimore, të cilat e bënë heshtjen të papërballueshme për institucionet ndërkombëtare. Pra OKB-ja veproi, vetëm sepse kostoja e mosveprimit për legjitimitetin e saj ishte bërë shumë e lartë.

 

Megjithatë, asnjë nga këto nuk adreson realitetin thelbësor që përcakton çështjen e Palestinës: Izraeli nuk është një palë në një konflikt simetrik. Ai është një fuqi pushtuese. Palestinezët nuk janë luftëtarë në një luftë konvencionale; ata janë një popullsi autoktone e nënshtruar ndaj sundimit ushtarak, zhvendosjes dhe mohimit sistematik të të drejtave politike.

 

Për sa kohë që kjo asimetri mbetet e paprekur, rezolutat, pavarësisht se sa fort janë formuluar, nuk mund të sjellin ndryshime të qëndrueshme. Gjithsesi, nuk duhet nënvlerësuar ndikimi psikologjik dhe politik i këtyre rezolutave. Ato pohojnë atë që miliona njerëz në mbarë botën e kanë thënë prej kohësh: që sjellja e Izraelit në Gaza, përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, dhe se pushtimi i vazhdueshëm nga Bregu Perëndimor në Jerusalemin Lindor deri në Lartësitë Golan, është në thelb i papajtueshëm me normat e një rendi global të bazuar në rregulla.

 

Për palestinezët, ky moment ofron një njohje të rrallë ndërkombëtare të realitetit të tyre të jetuar. Për Izraelin, ai shënon erozionin gradual të legjitimitetit global, një proces që historikisht i paraprin pasojave politike akoma më të thella.

 

Rezoluta në lidhje me Lartësitë e Golanit e thekson më tej këtë pikë. Rikonfirmimi i sovranitetit sirian të saj zone, është në përputhje me dekada të tëra konsensusi ligjor ndërkombëtar, siç u pasqyrua nga media të pavarura siriane dhe rajonale si Enab Baladi, të cilat folën mbi pasojat diplomatike të këtij votimi.

 

Megjithatë, rezoluta nuk ndryshon asgjë në terren. Kontrolli ushtarak i Izraelit mbetet i rrënjosur dhe rëndësia strategjike e Golanit për doktrinën e sigurisë izraelite, bën që vetëm njohja simbolike të mos e ndryshojë dot qëndrimin e saj.

 

Shtetet e Bashkuara, të cilat nën administratat e mëparshme madje e njohën aneksimin e Izraelit, nuk e kanë ndryshuar në ndonjë mënyrë kuptimplote qëndrimin e tyre. Kështu, qartësia ligjore e rezolutës nuk përkthehet në një zbatueshmëri politike.

 

E njëjta gjë vlen edhe për Gazën. Ndërsa konsensusi global ka ndryshuar në mënyrë dramatike, veçanërisht siç dokumentohet në raportet rajonale, si Palinfo që monitoron si qëndrimet diplomatike ashtu edhe shqetësimet humanitare, mungojnë mekanizmat e aftë për të ndryshuar sjelljen e Izraelit.

 

Izraeli ka një histori të gjatë të injorimit të rezolutave të OKB-së, dhe operacionet e tij ushtarake rrallë janë kufizuar nga opinioni ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shërbejnë si një mburojë diplomatike, duke siguruar që Izraeli të mos përballet me pasoja detyruese për veprimet e tij.

 

Kjo është arsyeja pse këto rezoluta, pavarësisht fuqisë së tyre simbolike, nuk mund të sjellin ende paqen e shumëdëshiruar. Ajo nuk mund të lindë vetëm nga pranimet e fajeve; por duhet të ndërtohet mbi çmontimin e strukturave që prodhojnë dhunë.

 

Ekziston një ndryshim thelbësor midis menaxhimit të krizave, një paradigmë me të cilën bashkësia ndërkombëtare ndihet rehat, dhe zgjidhjes së konflikteve, e cila kërkon përballjen me realitetet politike që shumë shtete preferojnë t’i shmangin.

 

Përgjigja aktuale ndërkombëtare, pasqyron edhe një herë menaxhimin e krizave: propozime për armëpushim të përkohshëm, mekanizma humanitarë dhe diskutime për monitorim ndërkombëtar. Megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk adreson shkakun rrënjësor, i cili është një regjim pushtimi që prodhon një paqëndrueshmëri sistematike.

 

Por nga ana tjetër, këto rezoluta kanë rëndësi sepse sinjalizojnë një ndryshim në diskursin global. Ato nxjerrin në pah hendekun gjithnjë e më të madh midis opinionit publik dhe politikës shtetërore, veçanërisht në demokracitë perëndimore, ku qeveritë mbeten të kujdesshme, edhe pse popullatat e tyre kundërshtojnë gjithnjë e më shumë pushtimin.

 

Po ashtu, ato gjithashtu inkurajojnë aktorët, grupet e shoqërisë civile, institucionet ligjore ndërkombëtare dhe shtetet jashtë aleancës perëndimore, që të sfidojnë në mënyra të reja normalizimin e pushtimit. Për rezistencën palestineze, këto ndryshime kanë pasoja strategjike.

 

Ndërsa rezolutat nuk i ndalojnë fushatat ushtarake, ato riformësojnë mjedisin ndërkombëtar në të cilin zhvillohen luftërat politike. Ato e delegjitimojnë pushtimin, gjenerojnë kosto diplomatike dhe ndikojnë në llogaritjet politike afatgjata. Lëvizjet e rezistencës e kuptojnë se legjitimiteti është një fushë beteje më vete; dhe në këtë arenë, rryma ndërkombëtare po lëviz, sado ngadalë, në favor të tyre.

 

Por realiteti strukturor mbetet i njëjti: për sa kohë që pushtimi vazhdon, rezistenca politike do të vazhdojë. Lartësitë e Golanit nuk do të kthehen përmes gjesteve simbolike, dhe Gaza nuk do të arrijë dinjitet apo siguri përmes dispozitave të përkohshme humanitare.

 

Drejtësia, dhe jo menaxhimi i krizave, është parakusht për paqen. Pra këto rezoluta, nuk janë zgjidhje. Ato janë piketa që tregojnë se në çfarë drejtimi po lëviz opinioni global, ku po gërryhet legjitimiteti dhe ku po çahen themelet e statuskuosë aktuale.

 

Simbolizmi nuk çliron territore, por rikrijon terrenin në të cilin zhvillohet lufta për çlirim. Dhe në harkun e gjatë të ndryshimeve politike, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare.

 

Shënim: Peiman Salehi, është analist politik dhe shkrimtar iranian, që merret me filozofinë politike dhe çështjet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG