Lidhje


Pasojat demografike, fetare e kulturore të sundimit mesjetar serb

Nga prof. Milazim KRASNIQI
 
 
Cilat janë pasojat demografike, fetare e kulturore, që ka prodhuar në tokat ilire – arbëre sundimi serb? E para, serbizimi i dhunshëm i popullsisë, ka shkaktuar një dëmtim të rëndë demografik të atij korpusi epirotësh-arbrish, që mezi i kishin shpëtuar Romanizimit e Helenizimit. Pakësimi i popullsisë albanofone ishte drastik, gati ishte shkatërruar krejtësisht nga pushtimet e gjata romake e bizantine, ndërsa pushtimi mesjetar serb synonte ta finalizonte zhdukjen etnike të ilirëve-arbërve që kishin mbijetuar. Kështu, Dushani e kishte ndaluar me Zakonikun e vet çdo lloj feje tjetër përveç fesë ortodokse serbe, prandaj ortodoksët epirotas ose arbër janë detyruar t’i nënshtrohen diktatit të Kishës Serbe dhe të shtetit serb, duke u asimiluar jo pak prej tyre edhe kulturalisht në serb. Ky ka qenë një proces i serbizimit të dhunshëm të popullsisë albanofone.
 
“Pastrimi i Krishterimit” nga Dushani, ishte tentativë për çrrënjosjen e katolicizmit
 
 
Termat e Zakonikut të Dushanit e zbulojnë qartë ndalimin e katolicizmit përkatësisht përndjekjen e besimtarëve të doktrinës latine dhe të herezisë bogumile. Ligji i Car Dushanit që në nenin e parë e afirmon synimin e “pastrimit” të fesë së krishtere (të ortodoksisë), nga herezia latine: “1. Për krishterimin: pikë së pari për krishterimin. Në këtë mënyrë të pastrohet krishterimi.” Në pajtim me idenë kryesore, të pastrimit të krishterimit, në disa nene, veçmas në nenet 6, 7, 8 dhe 10, urdhërohen masa kundër herezisë latine përkatësisht për kthimin me dhunë të të gjithë njerëzve në ortodoksi: 6. Për herezinë latine: Dhe për herezinë latine, që i kanë kthyer të krishterët në bogumilë, të kthehen sërish në krishterim, nëse gjendet dikush që dëgjon dhe nuk kthehet në krishterim, të dënohet ashtu si shkruan në ligjin e etërve të shenjtë. 7. Për herezinë latine: Dhe të nxjerrë Kisha e Madhe protopopët në të gjitha qytetet dhe në të gjitha sheshet, që të kthejnë krishterët nga herezia latine, ata që janë kthyer në fenë latine, dhe t’u jepet urdhër i shenjtë dhe të kthehet secili në krishterim. 8. Për popin latin:
 
 
Edhe popi latin, nëse gjendet, duke kthyer të krishterët në fenë latine, të dënohet sipas ligjit të etërve të shenjtë. 10 Për heretikun: Dhe nëse ndokush gjendet si heretik, duke jetuar në mesin e të krishterëve, të damkoset nëpër fytyrë dhe të dëbohet, ndërsa kush do ta fshehte, edhe ai të ndëshkohet.
 
 
Me zbatimin e këtij ligji rigoroz të Dushanit edhe në trevat arbre/epirote, pasojat për identitetin fetar dhe etnik të tyre kanë qenë serioze, sepse ato e kanë sforcuar asimilimin e tyre në serbë.
 
 
2. Serbizimi i toponimeve (emrave të vendeve). Shumica e vendeve në Kosovën dhe në Maqedoninë e sotme janë toponime sllave të kësaj periudhe. Serbët i kanë instaluar toponimet sllave që janë edhe sot më shumicën e vendbanimeve ilire/arbre/epirote, madje edhe në jugun e Shqipërisë. Peter Bartli pohon se “Sundimi afatshkurtër i Serbisë nuk mbeti pa pasoja për Shqipërinë: gjurmët e kulturës së lartë feudale serbe, të cilat nën këtë Perandor të serbëve po përjetonin lulëzimin e tyre, gjenden jo vetëm në terminologjinë feudale juridike shqipe, si bashtina (çiflik i trashëgueshëm) obrok ose brok, (qiraja e bujkut), travnina (kuota e shfrytëzimit të kullosave, të cilat duhej t’i paguanin zotit të tokës barinjtë e Malësisë) po gjurmët vërehen edhe në sistemin kancelarik të dinasëtve shqiptarë të shekullit 14 - 15 që mbështetet kryesisht në modelin serb. Shumica e aristokratëve shqiptarë krahas asaj latine kishin edhe një kancelari sllave.” Ai model sllav i administratës ka pasur pasoja afatgjata në jetën e paraardhësve të shqiptarëve, duke e penguar lindjen e një modeli kulturor e të një komunikimi publik në gjuhën albane (arbëre).
 
 
3. Nxitja e shpërnguljes së arbërve drejt jugut - për ta dearbënizuar veriun arbër
 
 
Car Dushani, i ka dyndur arbrit/epirotët drejt Greqisë, sikundër e pohon qartë edhe Bartli: “Sundimi serb favorizoi edhe një zhvillim tjetër: shtrirjen e ngulimeve shqiptare kah jugu, në Greqi.” Ndërsa, Romilly Jenkins në studimin “Bizanti dhe bizantinizmi” përshkruan dyndjen e madhe të shqiptarëve nga veriu drejt viseve jugore greke, të cilave ata u dhanë pamje të re demografike me numrin e madh dhe me vitalitetin e tyre: “Në shpërthimin e befasishëm të energjisë kombëtare që ndodhi në mesin dhe në vitet e fundit të shekullit XIV A.D, shqiptarët u derdhen teposhtë nga kufijtë e tyre malorë të vendlindjes dhe u përhapën të paepur drejt jugut dhe lindjes prej tokës e detit. Cilësitë e tyre ushtarake ishin në një kontrast të fortë me ato të banorëve vendas dhe ndihma e tyre kërkohej me të madhe, si nga despotët serbë dhe ata bizantinë. Shtrirja numerike e shtegtimit të tyre ishte e mahnitshme. Ata erdhën me gratë e familjet e tyre. Despoti Manuel i Moresë, në 1349, i importoi ata në një numër aq të madh sa të dobësonte seriozisht atdheun e tyre. Dyzet vjet më vonë, dhespoti Theodor pranoi dhjetë mijë prej tyre. Ne dëgjojmë të bëhet fjalë për ta në “mizëri” Pra, rrallimi demografik i shqiptarëve në viset e veta tradicionale, ka qenë shumë i madh dhe me pasoja të rënda, sepse nga ajo kohë fillon të shfaqet epërsia numerike e serbëve në pjesën verilindore të trojeve mesjetare shqiptare. Në të vërtetë, shpërngulja e shqiptarëve nga viset veriore dhe dërgimi i tyre në Greqi, ishte nga taktikat dinake të sundimtarëve serbë.
 
 
Se cilat kanë qenë pasojat e shkretërimit shkretimit demografik të viseve veriore epirote/arbëre (arbërore), ende nuk ka statistika të qarta, por e sigurt është se dyndja e tyre drejt jugut, e ka zbrazur veriun, ku serbët pastaj janë shndërruar në shumicë. Ideja themelore e Dushanit ka qenë bartja e epirotasve/arbërve drejt jugut, për ta zbrazur veriun për serbët dhe në të njëjtën kohë për t’i shfrytëzuar luftëtarët epirotas/arbër si kontingjent luftarak kundër inkursioneve bizantine e edhe atyre osmane. Në këso rrethanash të konvertimit të dhunshëm fetar e etnik në serbë, të rrallimit demografik e të ndryshimit të toponimeve e të patronimeve dhe të imponimit të “kulturës së lartë feudale serbe” si e emërton Bartli, epirotasit/arbrit nuk kanë pasur mundësi të prodhojnë kulturë e komunikim publik në gjuhën e vet. Prandaj ardhja e osmanëve i ka gjetur arbrit/epirotët në këtë pozitë të vështirë demografike, fetare dhe kulturore, që i çonte drejt zhdukjes fizike dhe kulturore, për çka Peter Bartli na njofton: “Në momentin e pushtimit turk (përfundimisht më 1455) shqiptarët përbënin 4-5 % të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës. Këta shqiptarë, siç dëftojnë regjistrat turk, atëbotë i ishin nënshtruar procesit të sllavizimit. Ata mbanin emra sllavë e vetëm emri atëror dëshmonte nganjëherë prejardhjen shqiptare (Bogdani, biri i Arbanasit, Bozhidari i biri i Gjonit, e kështu me radhë. Pushtimi turk i dha fund këtij procesi të sllavizimit.”
Kush e pengoi Humanizmin dhe Renesansën në trojet shqiptare?
 
 
Një pasojë shumë të rëndë për identitetin kulturor të shqiptarëve ka lënë sundimi mesjetar serb edhe me shkëputjen e tyre nga rrymimet kulturore në truallin evropian, veçmas nga humanizimi dhe renesanca italiane. Humanizmi, si lëvizje filozofike e kulturore dhe renesanca bien në periudhën kur tokat ishin nën sundimin e thellë serb. Fillimisht, duhet të theksohet se renesanca karliane (a karolinge) nuk mbërriti në këto hapësira të cilat atëherë, pra në shekujt IX-XI ishin në sundimin bullgar e bizantin. Ndërsa, në shekujt XIII-XIV kur lulëzoi humanizmi në Itali, tokat e banuara me shqiptarë (arbër) ishin nën sundimin serb. Rrjedhimet e kësaj shkëputjeje të shqiptarëve nga rrymimet dhe lëvizjet kulturore e fetare në botën latine, do të kenë efekte largvajtëse. Historianë e intelektualë të ndryshëm janë munduar që këtë shkëputje të shqiptarëve nga rrymimet e lëvizjet e tilla kulturore e fetare t’ia faturojnë Perandorisë Osmane, por e vërteta është se ajo perandori ka zënë truall sundimi në Ballkan mbas finalizimit të këtyre proceseve e lëvizjeve, pra pas Renesancës Karolinge, Inkuizicionit, Humanizmit dhe Renesancës. Sidoqoftë, dobësimi i ndikimit të Kishës Serbe mbi trojet shqiptare, veçmas mbi ato të Kosovës, u bë e pakthyeshme në shekullin XVIII. Në gjysmën e dytë të këtij shekulli, Porta e Lartë favorizoi në mënyrë radikale Kishën Greke dhe gjuhën greke, në raport me Kishën Serbe e gjuhën sllave, për çka argumenton edhe historiani i njohur, Robert Mantrani: “Klerikë grekë zëvendësuan klerikët bullgarë, serbë dhe rumunë në selitë e peshkopatave dhe mitropolive, si dhe në drejtimin e manastireve.(…) Fitorja e grekëve u bë e plotë në vitin 1766 kur sulltani vendosi që ta shkrinte Patriarkatin Serb të Pejës, i cili siç pamë, kishte rënë në sy për bashkëpunim me Habsburgët, madje dy herë me radhë. Vitin pasardhës u mbyll edhe selia e kryepeshkopit bullgar të Ohrit. Dhe në krye të këtyre institucioneve u vendosën dy ekzarkë, të emëruar nga patriarku Grek. Vetëm Kisha e Malit të Zi mbeti e pavarur, autoqefale.” Me këto ndryshime strukturore në organizimin e kishave ortodokse në Ballkan, duke rikthyer primatin e kishës greke mbi kishat bullgare e serbe, praktikisht u krijua ambient për shkëputjen e ortodoksëve shqiptarë nga Kisha Serbe dhe nga ajo bullgare.
 
 
Meqë Kishës greke iu desh njëfarë kohe për riorganizimin e jetës kishtare në këto treva, me objektiv rihelenizimin, vakumi u mbush edhe me kalimin e një pjese më të madhe të shqiptarëve ortodoksë në Islam. Me këto ndryshime të mëdha në jetën fetare, Kisha serbe dhe kultura serbe humbën truall në këto vise dhe më kurrë nuk arritën ta rikthenin ndikimin e parë. Kjo humbje serbe ishte varkë shpëtimi për shqiptarët. Siç thotë Gjergj Fishta: “un Shqiptar ata janë Shkje/ne na danë nji gjak e' i fe;/n'mëni t'sho'shoqit kemi le:/kemë ndërmjet nji qiellë e'i dhe!... “ Kështu ishte që kur zbritën serbët sllavë nga Karpatet dhe u bën uzurpatorë dhe pushtues të trojeve ilire-arbëre-shqiptare. Fatkeqësisht, kështu është edhe sot, në një segment të këtyre relacioneve, në relacionin Serbi-Kosovë dhe Serbi-Luginë e Preshevës.
XS
SM
MD
LG