Nga Venezuela në Gaza: Si i bashkon sundimi kolonial Trumpin dhe Netanjahun
Si Izraeli ashtu edhe Amerika e kanë hedhur gjithmonë poshtë me forcë akuzën se motivohen nga një impuls kolonial. Por si Trump ashtu edhe Netanjahu përqafojnë tani besimin se pushteti u jep atyre të drejtën të sundojnë të tjerët pa pëlqimin e tyre...
Nga Raoul Wootliff “Haaretz”
Për breza me radhë, akuza më e rëndë e ngritur kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ka qenë e njëjta: se pas gjuhës së sigurisë, demokracisë dhe rendit fshihet një impuls kolonial, një besim se pushteti u jep të drejtën të sundojnë të tjerët pa pëlqimin e tyre.
Të dyja vendet e hodhën poshtë këtë akuzë me forcë, dhe shpesh bindshëm. Shtetet e Bashkuara këmbëngulën se edhe kur përdornin forcën, mbeteshin të detyruara nga ligji, institucionet dhe aleancat.
Izraeli pretendonte se luftërat e tij ishin mbrojtëse, se kontrolli i tij ishte i përkohshëm dhe ambiciet e tij ishin të motivuara nga domosdoshmëria dhe jo nga e drejta. Tani kjo avokati dhe alibi ka rënë shembur në Shtetet e Bashkuara.
Ajo është çmontuar nga vetë presidenti Donald Trump. Nën kryeministrin Benjamin Netanjahu, Izraeli është shumë afër ndjekjes së të njëjtës rrugë. Veprimet e Trump në Venezuelë shënuan një pikë kthese.
Duke marrë pushtetin nga një kryetar shteti në detyrë dhe duke shpallur administrimin e drejtpërdrejtë amerikan mbi një vend sovran - pa autorizim ndërkombëtar, pa partnerë koalicioni apo edhe pa përdorur gjuhën e përkohshmërisë - ai kaloi një kufi që sistemi ndërkombëtar pas vitit 1945 duhej ta mbante të paprekur.
Rendi i pasluftës vazhdoi të qëndronte në këmbë, sepse edhe shtetet më të forta pranuan kufizime se sa hapur mund të ushtrohej pushteti. Forca ushtarake mund të përdorej, ndonjëherë brutalisht, por sundimi politik kërkonte ende një justifikim zyrtar.
Pushtimi u formulua si i përkohshëm. Sovraniteti i shteteve u pranua, të paktën formalisht. Këto kufizime kishin rëndësi, sepse ruanin një vijë ndarëse midis sigurisë dhe dominimit. Trump e ka hedhur poshtë këtë vijë. Ai nuk pretendon më se fuqia amerikane duhet të justifikohet nga rregulla përtej vullnetit të saj.
Rezultati është një SHBA që po i qeveris vendet e tjera me dekret, pa ligj, pa pëlqim dhe pa një afat të qartë përfundimi. Duke vepruar në këtë mënyrë, Trump e ka shndërruar Amerikën nga një administratore e gabuar e rendit ndërkombëtar në diçka krejtësisht tjetër: një regjim haptazi kolonial.
Rendi botëror siç e njihnim është përmbysur. Tani Izraeli përballet me pasojat e atij kolapsi pikërisht në momentin e gabuar. Përgjigja e kahershme e Izraelit ndaj akuzës për kolonializëm, mbështetej në të njëjtën logjikë që Trump e ka hedhur poshtë.
Qeveritë izraelite argumentonin se kontrolli mbi një popull tjetër, ishte një masë emergjente dhe jo një qëllim politik; se forca ishte e nevojshme por e përkohshme; se pushtimi, sado i zgjatur në kohë, nuk kishte për qëllim të bëhej sundim i përhershëm.
Nën Netanjahun, ky argument po bie tërësisht. Lufta në Gaza filloi mes traumave të vërteta dhe një detyre të pamohueshme për garantimin e sigurisë. Krimet e Hamasit më 7 tetor ishin të rënda, me një numër të madh viktimash që e tronditën shoqërinë izraelite. Në parim detyrimi i Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij ishte i padiskutueshëm.
Por, ndërsa luftimet vazhduan dhe tani janë pakësuar, Izraeli ka vendosur sërish nën kontrollin ushtarak pjesën më të madhe të Rripit të Gazës, duke diktuar jetën e palestinezëve përmes forcës, kufizimit dhe komandës administrative.
Nuk ka një afat të deklaruar politik, asnjë angazhim të detyrueshëm për të rivendosur vetëqeverisjen palestineze dhe asnjë plan të qartë për t’ia kthyer kontrollin popullsisë së Gazës. Faza e dytë e armëpushimit, që synonte të lëvizte në atë drejtim ka ngecur dhe ka shumë pak shenja se qeveria synon që ta ringjallë.
Në mungesë të politikave, kontrolli i zonës po fillon të ashpërsohet. Anëtarë të lartë të qeverisë kanë folur hapur për një sundim afatgjatë izraelit në Gaza dhe për zhvendosjen e territorit në duart e Izraelit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe të tjerë u kanë dhënë një zë publik ambicieve që e lënë mënjanë krejtësisht gjuhën e përkohshmërisë. Dhe këto deklarata nuk janë të rastësishme.
Ato pasqyrojnë një perspektivë qeverisëse, në të cilën palestinezët trajtohen gjithnjë e më shumë si një popullsi që duhet menaxhuar, zhvendosur ose përmbajtur, në vend që të jenë një popull me të drejta politike dhe një të ardhme që duhet negociuar.
E njëjta perspektivë është e dukshme në Bregun Perëndimor. Zgjerimi i vendbanimeve është përshpejtuar, së bashku me angazhimet e qarta për të parandaluar shfaqjen e një shteti palestinez. Kjo axhendë nuk është e re, por tani po ndiqet më hapur, më me paturpësi se më parë.
Gaza nën kontrollin e pakufizuar izraelit dhe një Breg Perëndimor i mbyllur për sovranitetin palestinez formojnë një panoramë të vetme: dominim pa pëlqim dhe një autoritet sundues pa një afat kohor të qartë.
Kjo panoramë përputhet me përkufizimin strukturor të sundimit kolonial, i cili shfaqet kur një fuqi merr të drejtën për të përcaktuar fatin e një populli tjetër për një kohë të pacaktuar, pa pëlqim dhe pa një pikë përfundimtare të besueshme.
Këtu takohen tani Amerika e Trump dhe Izraeli i Netanjahut. Trump ka treguar se fuqia amerikane nuk ndihet më e detyruar të justifikojë dominimin përmes ligjit ose përmbajtjes. Netanyahu duket i gatshëm të shohë se sa larg mund të lëvizë Izraeli në të njëjtin drejtim, i mbrojtur nga mbështetja amerikane dhe tërësisht i shurdhër ndaj lodhjes së popullit nga lufta e zgjatur.
Izraeli është përballur me momente të tilla edhe më parë dhe është tërhequr duke rivendosur kufijtë midis mbrojtjes dhe dominimit, kontrollit të përkohshëm dhe sundimit të përhershëm, sigurisë dhe të drejtave.
Nën qeverinë e Netanjahut, këto kufij po mjegullohen qëllimisht, jo për shkak të devijimit, por nga zgjedhja. Trump e ka kaluar tashmë vijën ndarëse midis forcës dhe sundimit. Netanjahu tani është shumë pranë saj.
Nëse Izraeli vazhdon në rrugën e kontrollit të pacaktuar mbi palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor - pa pëlqim dhe pa një horizont politik - do ta gjejë së shpejti veten të paaftë për të hedhur poshtë akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë kundër tij: jo sepse kjo akuzë ka qenë gjithmonë e drejtë, por sepse udhëheqësit e tij do ta kenë bërë të panevojshëm debatin.
Në këtë pikë, akuzat për kolonializëm nuk do të jenë më thjesht një retorikë e kundërshtarëve, por një përshkrim i saktë i realitetit politik. Kur një fuqi e madhe vendos të sundojë pa pëlqim, pa afat dhe pa një vizion politik, ajo nuk mund të fshihet më pas gjuhës së sigurisë apo të përkohshmërisë.
Izraeli, i mbështetur nga Amerika e Trump, po hyn në një fazë ku kontrolli mbi palestinezët nuk shihet më si një masë e përkohshme, por si një gjendje e natyrshme dhe e zgjatur. Kjo e bën të pamundur rikthimin tek argumentet e vjetra që e dallonin mbrojtjen nga dominimi.
Nëse vazhdon ky kurs, pasojat do të jenë të rënda jo vetëm për palestinezët, por edhe për vetë Izraelin. Një shtet që e ndërton legjitimitetin e tij mbi demokracinë dhe të drejtën për vetëvendosje nuk mund të mbijetojë gjatë nëse e mohon këtë parim për një popull tjetër. Kolonializmi nuk është vetëm një akuzë morale; është një strukturë politike që minon themelet e rendit ndërkombëtar dhe të vetë demokracisë. Trump e ka bërë të qartë se Amerika nuk e sheh më veten të detyruar nga kufizimet e rendit pasluftës. Netanjahu po e teston se sa larg mund të shkojë Izraeli në të njëjtën rrugë.
Nëse vazhdojnë të zhduken vijat ndarëse midis sigurisë dhe sundimit, mbrojtjes dhe dominimit, përkohshmërisë dhe përhershmërisë, atëherë bota do të përballet me një realitet të ri: një rend ku kolonializmi nuk është më një fantazmë e së shkuarës, por një praktikë e hapur e së tashmes.
Shënim: Raoul Wootliff, konsulent britaniko-izraelit për komunikim strategjik me seli në Modiin, Izrael.