Lidhje


Kolapsi i së drejtës ndërkombëtare dhe agimi i epokës së pandëshkueshmërisë

Nga gjenocidi në Palestinë tek agresioni në Venezuelë, si po zëvendësohet rendi global i pas-Luftës së Dytë Botërore nga forca brutale e boshtit SHBA-Izrael…

 

Nga Craig Mokhiber “Mondoweiss”

 

Zhurma e fundit e shpërthimeve mbi Venezuelën, Palestinën, Libanin, Sirinë, Iranin, Irakun, Somalinë, Jemenin dhe Nigerinë nuk janë thjesht spazma të një perandorie amerikane në rënie. Ato paralajmërojnë diçka shumë më të tmerrshme: lindjen e epokës së pandëshkueshmërisë.

 

Më 3 janar, pa provokim dhe pa asnjë justifikim ligjor, SHBA bombardoi Venezuelën, pushtoi kryeqytetin e saj dhe rrëmbeu me dhunë presidentin dhe Zonjën e Parë. Një shkelje kaq e hapur e ligjit ndërkombëtar, që sfidon shtyllën kryesore të kornizës ligjore të pas-Luftës së Dytë Botërore që ndalon aktet e agresionit, do të pritej që të përballej me një denoncim universal.

 

Por në vend të kësaj, ajo u pasua nga psherëtima të paqarta nga liderët perëndimorë dhe reagime tepër të kujdesshme nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Ne po dëshmojmë aktualisht një ndryshim tektonik, ku forca brutale po zëvendëson rregullat e shkruara, duke e kthyer ligjin ndërkombëtar në një relike të së kaluarës.

 

Gjenocidi në Gaza si fundi i “vijave të kuqe”

 

Zhurma e bombardimeve mbi këto kombe nuk është një fenomen i izoluar. Një botë e re po rilind, duke na rikujtuar tmerret e gjysmës së parë të shekullit XX. Perandoria amerikane ka qenë në një trajektore lufte prej dekadash, që kulmoi me shfarosjen e popullit palestinez dhe sulmin e fundit ndaj Venezuelës.

 

Kjo është një botë krejtësisht e pakufizuar nga e drejta ndërkombëtare, apo edhe nga parimet më bazike dhe universale morale. Lindja e këtij rendi, mund të ishte parashikuar nga makinacionet e fundit: nga burgosjet masive të “luftës kundër drogës” tek rrëmbimet dhe torturat e “luftës kundër terrorizmit,” e deri te varfërimi sistematik i shumicës për të pasuruar pakicën.

 

Këto valë shtypjeje na kërcënojnë të gjithëve. Sepse në një botë ku edhe gjenocidi nuk është më një “vijë e kuqe”, atëherë s’ka më asnjë vijë të tillë. Nëse vrasja masive e civilëve në Gaza mund të kalojë pa u ndëshkuar, atëherë asnjë ligj nuk mund të konsiderohet më i shenjtë.

 

Paraliza e institucioneve dhe “rezoluta e turpit”

 

Kjo botë e re është “fëmija i pandëshkueshmërisë”. Për më shumë se 2 vjet, bota ka vëzhguar pasivisht teksa boshti SHBA-Izrael ka shkelur çdo normë në Azinë Perëndimore, Afrikë dhe Amerikën Latine. Karta e OKB-së, Statuti i Romës, ligjet e luftës dhe të drejtat e njeriut janë shkelur më të dyja këmbët.

 

Institucionet ndërkombëtare, të ngritura për t’i parandaluar këto tmerre, janë korruptuar ose frikësuar. Gjykata Ndërkombëtare Penale është e paralizuar nga sanksionet e paligjshme amerikane, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përballet me presione politike të paprecedentë.

 

Madje edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së i është dorëzuar perandorisë, siç dëshmohet nga rezoluta Nr.2803 e nëntorit 2025, që miratoi planet koloniale të administratës Trump për Gazën. Shtetet perëndimore, që dikur paraqiteshin si mbrojtëse të ligjit, sot janë gjunjëzuar për t’i puthur unazën perandorit dhe për t’u përkulur para projektit kolonial në Palestinë.

 

Çdo kontroll i brendshëm - gjykatat, Kongresi i korruptuar nga lobet dhe mediat korporative - është treguar bashkëfajtor. Kjo pandëshkueshmëri bashkon racizmin dhe fashizmin e shekullit XX me teknologjitë e mbikëqyrjes masive dhe vrasjeve të shekullit XXI.

 

Agresioni në Venezuelë, një testim i imperializmit të ri

 

Nëse do të informoheshit vetëm nga mediat e zotëruara nga korporatat e mëdha, nuk do ta dinit se sulmi amerikan ndaj Venezuelës ishte krejtësisht i paligjshëm. Ai ishte një operacion kriminal, për të cilin autorët duhet të mbahen përgjegjës.

 

Kompleksi i krimeve është tronditës: sanksionet e njëanshme shkelin Kartën e OKB-së, ashtu siç shkelin ligjin ndërkombëtar rrëmbimet dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore në vende të huaja. Bllokada dhe pirateria ndaj cisternave të naftës, janë shkelje të rënda të Ligjit të Detit. Rrëmbimi i presidentit Maduro shpërfill parimin e imunitetit sovran. SHBA-ja po përpiqet të zëvendësojë të drejtën ndërkombëtare me ligjin e saj të brendshëm, duke përdorur terma si “narko-terrorizëm” për të justifikuar agresionin. Kjo tregon se perandoria nuk njeh më kufij gjeografikë apo ligjorë. Ajo e konsideron gjithë globin si territorin e saj të zbatimit të “ligjit”.

 

Boshti SHBA-Izrael dhe kontrolli i Amerikës Latine

 

Në fjalimin e saj të parë, presidentja e përkohshme Rodriguez deklaroi se sulmi kishte “nëntekste sioniste”. Dora e regjimit izraelit në destabilizimin e qeverive progresive në Amerikën Latine është e njohur prej dekadash. Armët, teknologjia e survejimit dhe inteligjenca izraelite kanë qenë një tipar i vazhdueshëm i rajonit.

 

Që nga Revolucioni Bolivarian, Venezuela i ka rezistuar hegjemonisë amerikane dhe ka qëndruar në solidaritet të plotë me luftën palestineze. Drejtuesit kryesorë të këtij agresioni janë: pasuritë minerale, refuzimi i nënshtrimit dhe kundërshtimi i krimeve të regjimit izraelit.

 

Venezuela është “fajtore” për të tria. Ndërsa qeveritë e majta në rajon, e kanë dënuar gjenocidin në Palestinë, liderët e djathtë i janë nënshtruar projektit sionist. Kundërshtimi i Venezuelës ndaj Izraelit, ndërsa ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, shihet si pengesë për planet e luftës kundër Iranit.

 

Kontrolli i naftës venezueliane është strategjik për Boshtin Uashington-Tel Aviv, ndërsa përgatitet për sulme të reja në Azinë Perëndimore, duke lidhur fatin e Gazës me atë të Karakasit.

 

Realiteti i ri: Diktati i forcës mbi atë të ligjit

 

Projekti i së drejtës ndërkombëtare, ka ofruar gjithmonë një shpresë për sundimin e ligjit mbi forcën. Kishte një konsensus global se gjenocidi dhe agresioni ishin të papranueshme. Sot, boshti SHBA-Izrael e ka shkatërruar këtë konsensus.

 

Me gjenocidin në Gaza dhe agresionin në Venezuelë, ata i kanë shpallur botës lindjen e një rendi të ri, ku të gjithë duhet t’i përkulen perandorisë ose të zhduken. Nuk është shumë vonë që bota të ngrihet kundër këtij projekti ogurzi.

 

Shumica globale, e udhëhequr nga kombet e lira të Hemisferës Jugore, mund të bashkohet për të sfiduar këtë perandori të egër. Megjithatë, provat për këtë unitet janë të pakta. Mesazhi i qartë i regjimit imperialist amerikan dhe aleatit të tij izraelit për të gjithë popujt që rezistojnë është ky: Diplomacia, ligji ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara nuk do t’ju shpëtojnë. Ne po hyjmë në një botë ku jeta njerëzore dhe sovraniteti mbrohen vetëm nga forca, ndërsa institucionet ndërkombëtare po mbyllen në arkivat e historisë si një dështim i madh i njerëzimit.

 

Shënim: Craig Mokhiber, është një jurist ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe ish-zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara. Ai u largua nga OKB në tetor të vitit 2023, duke shkruar një letër publike që bëri bujë ndërkombëtare, ku paralajmëronte për gjenocidin në Gaza dhe kritikonte ashpër reagimin ndërkombëtar. Mokhiber bën thirrje për një qasje të re ndaj Palestinës dhe Izraelit, të bazuar tek barazia dhe zbatimi rigoroz i të drejtës ndërkombëtare.

 

XS
SM
MD
LG