Në sofrën e Edi Ramës
Nga Klajd Bylyku
Një javë më parë Edi Rama promovoi librin e tij “Në sofrën e hënës,” që me sa kuptohet nga pasthënia dhe ceremonia e promovimit, përbëhet nga një grup fjalimesh të mbajtura nëpër iftarë të ndryshëm ndër vite. Dikujt që e njeh mirë hapësirën publike shqiptare dhe marrëdhënien herë të acaruar e herë të sforcuar të Shtetit tonë me Islamin, një ngjarje e tillë nuk mund të mos t’i bëjë përshtypje. Duhet pranuar që në krye të herës që myslimanët shqiptarë asnjëherë nuk kanë avancuar kaq shumë në El Doradon e pranueshmërisë së tyre nga ana e establishmentit politik. Ngjarje të tilla, me kryeministrat e tipologjisë së Nanos dhe Berishës, ishin të papërfytyrueshme. Në gjashtëmbëdhjetë vitet e periudhës së qeverisjes së Partisë Socialiste nga viti 1997 dhe asaj Demokratike deri në vitin 2013, me përjashtimet përkatëse, gjendja e myslimanëve shqiptarë nuk ka qenë aspak e mirë. Stigmatizimi dhe shikimi i tyre si qytetarë të dorës së dytë, është konstatim i një gjendjeje të pamohueshme fakti. Deri te Berisha, që është kryeministri e ndoshta edhe politikani i fundit modern, prania e myslimanëve në shoqëri dhe aspiratat ndërkombëtare të “Islamit politik,” ishin çështje që elitat tona e dinin që kërkonin zgjidhje. Por më shumë sesa një diskutim i hapur dhe i çiltër, rreth asaj se çfarë myslimanët janë dhe çfarë kërkojnë, për çfarë na duhen dhe përse për një numër punësh mendojnë ndryshe nga ne, marrëdhënia që politika dhe media shqiptare ndërtuan me ta ishte ajo e një detante të detyrueshme, duke qenë se tek e fundit Islami është pjesë e trashëgimisë historike të këtij populli, e për rrjedhojë nuk mund të fshihet me një të rënë kalemi. Kjo sjellje përjashtuese dhe izoluese u pasqyrua edhe në sjelljen e vetë myslimanëve, të cilët me kalimin e viteve, në mënyrë shpesh të pavetëdijshme, i dhanë përparësi një identiteti përtej kombëtar, duke qenë se ai vendas për ta kishte përherë e më pak hapësirë. Konfliktet në Çeçeni, Bosnje, Afganistan, Irak dhe Siri dhe lidhja shpirtërore dhe identitare që myslimanët shqiptarë kishin me popullsitë e këtyre vendeve, veçanërisht në dritën e 11 shtatorit, prodhuan një armiqësi popullore ndaj tyre. Etiketimet si xhihadist, çeçen, terrorist, arab, turk, ekstremist, përtej kuptimit gjuhësor origjinar, ne e dimë se çfarë kanë për qëllim. Pyetja se çfarë është më e rëndësishme për ta, Kombi apo Feja, peshën e saj e ka fituar falë pikërisht kësaj perspektive. Por në dekadën e fundit, shohim se situata ka ndryshuar ndjeshëm. Përjashtim nga ky rregull ishte për shembull dalja e parë në emisionin Opinion në cilësinë e Kryeministrit, kur teksa po shpjegonte përzgjedhjen e drejtoreshave të sapoemëruara në krye të drejtorive kryesore të vendit, Rama pyetet nga Fevziu se përse kishte zgjedhur si Drejtoreshë të Tatimeve Briseida Shehaj, e cila në Facebook kishte postuar disa fotografi nga plazhi. Përgjigjja erdhi përmes një pyetjeje: “Pse, mos duhet të nxirrnim atje një me ferexhe ne? Mos duhej të ishte me ferexhe?” Përdorimi i termit pexhorativ “ferexhe,” që në gjuhën shqipe njihet si pjesë thelbësore e kodit të veshjes së zonjave dhe zonjushave të nderuara myslimane të këtij vendi, ishte dukshëm i qëllimshëm. Por më tepër se mospërsëritja e episodeve të këtilla dhe zbutja e gjuhës në raport me myslimanët, ndoshta arritja më e madhe e Edi Ramës është përdorimi i drejtpërdrejtë i Emrit të Zotit të myslimanëve, Allahut. Feja në përgjithësi dhe emri i Zotit në veçanti, nuk ishin fare pjesë e gjuhës së kryeministrave të dikurshëm socialistë, Nanos, Majkos dhe Metës. Më pas, Berisha Kryeministër përsëriti atë që kishte bërë si president, Emrin e Krijuesit e përmendte në trajtën shqiptare të Zotit. Ndryshimi i madh ndodhi falë Edi Ramës, sepse Emrin e Allahut myslimanët shqiptarë nisën të mos ta dëgjonin më vetëm në xhami apo bisedat private me njëri-tjetrin, por edhe në parlament apo media, të artikuluar nga vetë sherifi i Ekzekutivit. Prania gjithnjë e më e madhe e mbulesës islame në drejtoritë, këshilltaret bashkiake dhe kandidatet për deputete nga ana e Partisë Socialiste, krahas citimit të drejtpërdrejtë të Kur’anit dhe vetë Profetit nga Rama, jo vetëm nëpër iftare por edhe panele politike, plotësojnë një panoramë krejt ndryshe nga klima refuzuese e viteve ‘2000, gjë që reflektohet edhe në libër. Lidhur me këtë, në pasthënien e tij Dr. Besnik Sinani shkruan: “Në to gjejmë, nga një fjalim në tjetrin, prezantimin e një vizioni transformues mbi marrëdhënien midis shtetit dhe fesë në Shqipëri, e përkitazi Islamit.” “Vizioni që gjejmë në këto fjalime është tregues i një momenti pjekurie politike të shqiptarëve: prania e myslimanëve në shoqëri nuk justifikohet, por përgëzohet. Një vajzë që ndodh të ecë rrugëve me shami nuk është duke u trajtuar më si ‘armiku i popullit që kërkon të kthejë Tiranën në Teheran,’ por ftohet në sofrë.”
Dallimi thelbësor që po bëhet gjithnjë e më i qartë midis Ramës dhe kryeministrave të mëparshëm, qëndron sidomos te konceptimi i Zotit nga ana e tyre. Nëse përdorimi i Emrit të Tij, ashtu në trajtën shqipe, binte lehtësisht në sy si diçka e bërë për kapital apo slogan politik, siç është për shembull shumë i rëndësishëm për Partinë Republikane, përmendja e Emrit të Allahut nga ana e Ramës, myslimanët shqiptarë i ka futur në krizë, duke eksituar një pjesë të tyre, e duke i bërë të besojnë se më në fund, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Këtë e përforcojnë edhe disa deklarata të tjera, në të cilat ai është shprehur se është lider mysliman, apo se nëse hyrja në Bashkimin Evropian nënkupton përçmim të myslimanëve, atëherë diçka e tillë nuk na duhet fare. Por a është Allahu që Rama përmend, i njëjtë me atë që myslimanët njohin? Për këta të fundit kjo mund të tingëllojë si një pyetje qesharake, por nuk ka dyshim se nuk është aspak e tillë, ngase Allahu i Ramës nuk është i njëjtë me Zotin e adhuruar nga ta.
Në arabët e përpara shpalljes në përgjithësi, pra ata të shekullit të shtatë pas Erës sonë, dhe Kurejshët e Mekës në veçanti, Allahu ishte Zoti i Cili kishte krijuar gjithçka dhe kishte në dorë punët e gjithësisë, fatet e njerëzve dhe mbarëvajtjen e ekzistencës. Dallimi në dukje i papërfillshëm por njëherazi shkatërrimtar, është se Ai nuk ishte i Vetmi Zot. Panteoni i teologjisë idhujtare të Kurejshëve, i përbërë nga qindra zota, nuk është se u zëvendësua nga Allahu i Kur’anit, por se Allahu se si Kurejshët e konceptonin, në dritën e shpalljes Kur’anore, nuk ishte më Zoti më i fortë dhe më i rëndësishëm, të cilit i nënshtroheshin të tjerët, por i Vetmi Zot i Cili nuk kishte nevojë për asnjë ndihmës, në krijimin e universit, mbarëvajtjen e tij dhe përcaktimin e fateve njerëzore. Ne e dimë shumë mirë se në Kur’an ata e dëshmojnë aftësinë e tij krijuese, por kur pyeteshin për arsyet se përse adhuronin edhe zotat e tjerë krahas tij, përgjigjja ishte se kjo nuk ndodhte për hir të madhërimit të drejtpërdrejtë të tyre, por në cilësinë e një përnderimi ndërmjetësues që gjithsesi, do t’i afronte ata vetëm me Allahun. Dallimi sa i papërfillshëm mund të duket, aq dhe shkatërrimtar është, sepse bëhet fjalë as më pak e as më shumë, por për fajin, krimin dhe padrejtësinë e vetme që Allahu i përshkruar në Kur’an, nuk e fal kurrë, e që është zëvendësimi, këmbimi apo alternimi i adhurimit të Allahut, me atë ndaj zotave të tjerë. Në këtë kuptim, Hubeli, Menata, Lata, Uza, e qindra zota/idhuj/hyjni që arabët e Gadishullit njihnin e adhuronin, nga Kur’ani përshkruhen vetëm si emërtime gjuhësore pa kurrfarë ekzistence ontologjike, si produkte folklorike të nevojës të njeriut për t’u afruar me Zotin e Vërtetë, apo si nevojë e ngutshme e fajtore e një marrëdhënieje të prekshme, imediate dhe individuale me hyjnoren e papërcaktuar, gjë që realizohej përmes prekjes së idhullit përkatës, blatimit të kurbaneve dhe përkujdesjes fizike ndaj tij. Në përshkrimet që Ai i bën Vetes nëpërmjet Fjalës së Tij në Kur’an, ekzistencën e njëmendtë, vlerën, nevojën dhe rëndësinë e tyre Allahu e bën hi me arsyetime, argumentime, metafora dhe silogjizma të njëpasnjëshme, të cilat që të gjitha konvergojnë tek e vërteta e të gjitha shpalljeve dhe e të gjithë profetëve, se nëse midis Allahut Krijues dhe të gjithë krijesave ka një dallim thelbësor, atëherë edhe i gjithë adhurimi duhet t’i përkasë vetëm Atij dhe askujt e asgjëje tjetër, përfshirë dhe asgjësimin e zotave të rremë që njerëzit i përshkruajnë pa të drejtë si entitete të përcaktuara nga vetë Ai, për të shërbyer si ndërmjetësues të marrëdhënies së kërkuar që duhet ndërtuar midis Tij dhe njerëzve. Thënë ndryshe, ai i cili adhuron Allahun në përputhje me atë që Kur’ani dikton, nuk i bindet dhe robërohet asnjë zoti/idhulli/hyjnie tjetër, ngase përndryshe do të ushqente në raport me Krijuesin, të njëjtin besim me atë të arabëve të përpara shpalljes. Ky është ekzaktësisht edhe besimi i Edi Ramës, ndaj myslimanët duhet ta dinë se Allahu që ai përmend, paçka se nominalisht i njëjti, nuk është Ai që ata madhërojnë, sepse Paraja, Pushteti, Netanjahu, Evropianizmi, që janë disa nga idhujt në të cilët ai beson, e zhbëjnë pa asnjë mëdyshje shenjtërinë e Allahut; kështu, nëse ceremonialisht ai është një katolik, siç vetidentifikohet, fenomenologjikisht është një idhujtar, sepse karakteristika kryesore që ka zhvilluar dhe përsosur ndër vite, është pikërisht rritja e virtuozitetit nëpërmjet të cilit ai ndërkëmben besnikërinë ndaj idhujve në të cilët beson. Kjo premisë na ndihmon që ta kuptojmë më qartë se çfarë do të themi në vijim.
Një tjetër dallim i fortë që ekziston midis Edi Ramës dhe kryeministrave të mëparshëm, është se nëse këta të fundit me myslimanët në rastin më të keq janë sjellë me armiqësi dhe në atë më të mirë me mosrespekt, Edi Rama është përherë e më shumë ftues dhe mikpritës. Me sa dimë dhe kuptojmë, kjo ka të bëjë me mënyrën se si ai ka zgjedhur të zbatojë laicizmin e Shtetit Shqiptar. Nëse për Berishën feja kishte një rëndësi të posaçme shpirtërore për aq kohë sa praktikuesit e saj e kishin të qartë vijën ndarëse me laicitetin e politikës, institucionet shtetërore, shkollën dhe sferën publike në përgjithësi, për Ramën feja është një përbërëse e rëndësishme e larmisë së diversiteteve shoqërore. Nëse për Berishën feja ishte një dukuri e huaj, e cila ka dobinë e saj në edukimin individual të banorëve të shoqërisë, por që nuk duhej të guxonte kurrë ta kapërcente pragun e privates e të mpleksej me hartimin e ligjeve, formën e institucioneve dhe punët e politikës, për Ramën ajo shndërrohet në një burim të rëndësishëm të zgjerimit të së ndryshmes, në një nuancë të nevojshme në funksion të manifestimit të së çuditshmes dhe në një formë të re të përjashtësimit të së brendshmes në marrëdhënie me të tjerët, në përputhje me parimin se diversiteti bashkon. Por mbi të gjitha, nëse për Berishën myslimanët ishin pjesë e shoqërisë dhe mjaftonte që t’u vije kufirin te thana, të mos ndërhynin ku nuk duhej dhe të respektonin ligjet, për Ramën, kjo masë shoqërore ekzotike që nuk shkon në plazh, urren Perëndimin dhe lumturinë e lidh vetëm me Sheriatin, ia vlen të njihet e të shihet se si mund të hyjë në punë. Dhe e dimë se përtej shembullit në fjalë, kjo mënyrë të menduari dhe vepruari është një ndër diferencat kryesore se si dy kryeministrat në fjalë kanë qeverisur. Dobësimi dhe shkatërrimi me çdo kusht i Opozitës, poshtërimi dhe dëmtimi i vazhdueshëm i Medias, blerja dhe instrumentalizimi i ndërkombëtarëve, përdorimi i Administratës në zgjedhje, goditja apo përkrahja selektive e biznesit, është një modus operandi që Edi Ramën e ka karakterizuar që në fillim, por që në dekadën e fundit është përsosur në nivele të pambërritshme. Në dritën e kësaj, ajo që ai bën me myslimanët, në metodë është orientalizëm i pastër. Duke qenë se Shqipëria e sotme postmodernozohet gjithnjë e më shumë, pjesërisht për shkak të frymës së përgjithshme të kohës, e pjesërisht për shkak të mënyrës se si qeveriset, Edi Rama është duke dhënë kontributin e tij të çmuar në zbehjen e diferencave ideologjike, doktrinare dhe kulturore midis grupeve të shoqërisë shqiptare. Alternimi që ai u bën idhujve të vet në përdorimin e tyre publik, është në përputhje të plotë me këtë. Për shembull, një muaj më parë, në sytë e të gjithë botës, ai ishte në Parlamentin e Izraelit. Akrobacitë e turpshme që bëri atje, duke shfaqur të gjithë përkrahjen e mundshme morale ndaj një qeverie kriminale, bie plotësisht ndesh me besimin e përgjithshëm të pjesës dërrmuese të shqiptarëve, të cilët besojnë se ajo çfarë ndodhi në Gaza për dy vite me radhë, nuk ishte asgjë më pak sesa një genocid. Në të folmen e Elbasanit, një performancë e tillë, quhet një sjellje prej lafaraku. Një muaj më vonë ai promovon librin për të cilin jemi duke diskutuar, ku në kontekstin shqiptar, myslimanët nuk janë më njerëz të dorës së dytë, por qytetarë që gëzojnë të drejta të barabarta me të tjerët.
Tani, në dukje kjo mund të tingëllojë një arritje e konsiderueshme, duke pasur parasysh trajtimin e tyre të dikurshëm, por ky barazim vjen përmes një kushti, që fenë e tyre, xhamitë e tyre, iftarin e tyre, ata nuk duhet t’i kenë më vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Nëse përpiqemi ta themi tjetërsoj, me myslimanët shqiptarë Edi Rama ka filluar të bëjë laicizëm brenda laicizmit, sepse nuk i del që ata të besojnë sipas dëshirës së tyre dhe këtë të drejtë ta gëzojnë të njohur nga e gjithë shoqëria, por përpiqet me çdo kusht që besimi i tyre të ketë atë formë dhe atë përmbajtje që të mos t’i rrezikojë, as edhe në perspektivë, si në metodë ashtu dhe në praktikë, pushtetin e padiskutueshëm që gëzon. Në këtë kuptim, atë që Dr. Sinani e quan vizioni i Ramës për vendin dhe marrëdhënien që feja do të ketë tani e tutje me Shtetin, nëse do ta shprehnim me një fjali hollivudiane, nuk do të ishte ndonjë gjë më e thellë sesa, “The game is over, nobody gets hurt, we are all friends.” Përpara vizionarit të madh, Pirro Misha mund të jetë ndjerë i tradhtuar, sepse mund të ketë menduar se i gjithë helmi i prodhuar ndër vite kundër myslimanëve shqiptarë, tani i shkon dëm. Njësoj edhe Pëllumb Xhufi, që pas gjithë manipulimeve dhe të pavërtetave që ka thënë për historinë osmane, konvertimin e shqiptarëve me forcë dhe marrëdhënien e tyre me Islamin, tani dëgjon vizionarin të shprehet për nevojën e rikthimit të vëmendjes së merituar drejt artit Islam në Shqipëri, siç do të kemi edhe muzeun Besa, që do t’i bëjë jehonë marrëdhënies sonë me hebrenjtë dhe që do të sjellë në jetën tonë edhe kulturën bashkëkohore hebraike, duke qenë i kujdesshëm që edhe brenda së njëjtës fjali, të mos lërë pa i përmendur miqtë izraelitë.
Këtë aftësi për të kërcyer nga njëra shenjtëri (e rreme) në tjetrën (po aq të rreme), duke na dhënë përshtypjen (e vërtetë) se promovimi i perspektivave të kundërta nuk i prish asnjë punë, Dr. Sinani kryeministrit ia njeh si vizionin shpëtimtar për Islamin shqiptar. Ai shprehet se Edi Rama shënon kalimin nga laicizmi francez drejt sekularizmit anglo-sakson, proces i mishëruar nga këmbëngulja e tij për ta orientuar ligjërimin publik drejt tejkalimit të ngërçit që paraqet përplasja e Shtetit me Fenë, gjë që prodhon një përfaqësim të normalizuar të myslimanëve në sferën publike. Në pasthënie, lexojmë: “Në disa prej përshëndetjeve në tryezat e iftarit, z. Rama duket të insistojë në rëndësinë e pjesëmarrjes në këto sofra të shqiptarëve me besime të ndryshme apo edhe pa besim fetar, duke e projektuar tryezën e iftarit si një platformë, e cila, përtej domethënies fetare, mbart një funksion civil që tejkalon ritualin: një lloj ekumenizmi qytetar, që thekson rëndësinë e simbolikës së ndarjes së bukës me njëri-tjetrin, pa imponuar besnikëri doktrinare. Ashtu si këto fjalime nuk hezitojnë të shpallin çlirimin prej historisë, me të njëjtën lirshmëri që z. Rama lexon dhe citon tekste e personalitete, pa qenë i kushtëzuar nga kanone, dhe me të njëjtën vendosmëri, ai duket se artikulon një vizion përtej-ideologjik të qytetarëve shqiptarë, me besime të ndryshme apo pa besim.”
Mrekullimi i Dr. Sinanit, më tepër sesa shumë i bukur për të qenë i vërtetë, është tejet mizor për të qenë i pranueshëm, sidomos kur ofrohet nga një njeri si Edi Rama, të cilit s’mund t’i zihet besë për asgjë. Autori i pasthënies, një njeri me kontribute të shquara në publicistikën dhe thirrjen islame, është në të drejtën e tij të plotë që artikulimin e tezës së Ramës për Islamin ta lexojë si një sukses, në përputhje me kuptimin e tij fetar. Në të njëjtën kohë, guxojmë të themi se ky nuk është aspak i vetmi lexim i mundshëm i situatës në fjalë. Autori i këtyre konsideratave, për shembull, beson se tryeza e iftarit nuk mund të shkojë kurrë përtej domethënies fetare, ose më mirë të thuhet, nëse ka një mënyrë të vetme që kjo mund të mbërrihet, është që pragun nga një ritual privat në një ngjarje publike, ta kapërcejë duke mos humbur asnjë nuancë nga ajo që ka në shenjtërinë e besimtarëve që e kryejnë atë vetëm për hir të kënaqësisë së Allahut. Dhe një ndër nuancat e pamohueshme që adhurimi në fjalë ka, ashtu si gjithë adhurimet e tjerë, është që rreth sofrës së iftarit mund dhe duhet të mblidhen vetëm ata që e konsiderojnë atë të shenjtë, pra që agjërojnë për hir të Zotit të tyre të Vetëm. Vetëkuptueshmërisht, kjo nuk do të thotë se me agjëruesin nuk mund të ulet edhe ai që nuk ka agjëruar, apo se shenjtëria e agjërimit cenohet nga prania e joagjëruesve, por se iftari nuk mund të jetë kurrsesi një ndodhi pantomimike dhe e padenotueshme, siç e shndërron vizioni i Edi Ramës. Nëse besimtarët e sofrës së iftarit e quajnë të natyrshme mosimponimin apo edhe mosartikulimin e besnikërive doktrinare dhe praninë e të ndryshmëve të tyre e pranojnë si pjesë të këtij vizioni përtej-ideologjik, atëherë iftari nuk është më adhurimi i përshkruar nga Profeti, por një medium i ri në të cilin bashkohen të gjithë, pavarësisht shenjtërive, besnikërive dhe aspiratave ekzistenciale. Por ka edhe më, sepse nga një akt i vetmuar, i çuditshëm, kokëfortë, i një grupi njerëzish që rrinë pa ngrënë e pa pirë vetëm për hir të një Zoti Vëzhgues që u flet në Kur’an dhe një Profeti puritan që i pret në Xhennet, iftari shndërrohet në një moment reflektimi, në një mbrëmje solidariteti, në një atmosferë bashkimi, në një melodi të shpirtrave, të cilët falë paqes së krijuar vetvetiu, kuptojnë se për të qenë pjesë e sofrës së iftarit, nuk ka nevojë të kesh agjëruar, pra t’i bindesh Zotit të agjërimit, por të mjafton që të ndihesh mirë me veten, në paqe me të tjerët, në harmoni me universin. Mjafton vetëm kaq dhe myslimanët e gjorë, nga të zotët e punës shndërrohen në të ftuar nderi. Dhe Dr. Sinani këtë e përshëndet literalisht. “Në këto sofra Kryeministri shpesh është mysafir i ftuar, por njëkohësisht ai duket se bëhet vetë nikoqiri që u thotë ‘bujrum’ myslimanëve shqiptarë në sofrën kombëtare.”
Sofra pra tashmë është kombëtare dhe iftari jomedoemos të afron me Allahun që ka shpallur Kur’anin, sepse Ai është ca si shumë i ashpër dhe nuk pranon praninë e asnjë zoti tjetër alternativ, sado të padëmshëm e qëllimmirë qofshin ata që i besojnë atij. Besimi te Zoti është diçka e mirë dhe praktikat fetare, të cilësdo fe qofshin, nuk sjellin asgjë të keqe, e për rrjedhojë nuk ka asgjë të dëmshme që të konsiderohen normale. Këtë pohim që besohet gjithnjë e më shumë në shoqërinë shqiptare, gjatë promovimit të librit Edi Rama e përmendi shprehimisht. Ai tha se kishte lexuar disa statistika sipas së cilave rritja e njohjes dhe besimit në Zot, është diçka e mirë dhe feja përbën një urtësi të madhe kulturore. Madje një mjek mysliman i kishte përshkruar edhe efektet që adhurimi ka te shëndeti i njeriut. Për këtë arsye ai u shpreh se do të ishte shumë i lumtur nëse do t’ia arrijmë që të jemi rehat me njëri-tjetrin dhe në funksion të kësaj aspirate apo shprese është edhe tradita e iftarit, që përtej ritualit është edhe edukatë, mësim dhe ushtrim social, sepse tek e fundit ai është edhe për ateistët, ngase nëse ata nuk besojnë tek Allahu, ndoshta Allahu beson tek ta. Tani, a mund të quhet vizion ky? Sepse është pikërisht ky lexim i Zotit (që nuk është aspak ai Kur’anor) dhe asaj që Ai kërkon nga njerëzit, atë që më lart e quajtëm laicizëm brenda laicizmit apo orientalizëm, sepse përmes zbehjes së diferencës midis adhurimit të Zotit të Kur’anit dhe atij të të gjithë njerëzve, ku secili e zgjedh vetë mënyrën për të vendosur marrëdhënie me të, Islami dhe ligjërimi Kur’anor është diçka krejt tjetër nga ajo që rreket t’i caktojë Rama. Në kushtet e laicizmit të ndershëm, nëse mund të përdorim një oksimoron të këtillë, myslimanët dhe feja e tyre është diçka që maksimumi mund të tolerohet, por asnjëherë të merret në konsideratë si një ofertë ndikuese në mënyrën e funksionimit të institucioneve, hartimit të ligjeve, formësimit të opinionit publik, rikonceptualizimit të aspiratave kombëtare, apo ridimensionimit të kuptimit të lirive, të të drejtave dhe përgjegjësive individuale dhe kolektive. Ajo është një zgjedhje private, përqafuesit e së cilës nuk mund t’ia imponojnë kurrsesi banorëve të tjerë të shoqërisë, sepse tek e fundit, edhe të tjerët besojnë, ashtu sipas mënyrës së tyre, por nuk pretendojnë se ideja që kanë për Zotin vlen si teologji, doktrinë dhe botëkuptim për të gjithë shoqërinë. Por megjithatë, e pakushtëzuar nga nuanca të jashtme, idea që myslimanët kanë për Zotin, shenjtëria që ushqejnë, kuptimi i adhurimeve dhe serioziteti i narrativës në të cilën besojnë, sado e fjetur qoftë, mbetet një e vërtetë gjithsesi e pranishme, që në një moment të caktuar kur shoqëria shqiptare të kuptojë se dalja nga kriza ku ka përfunduar ndoshta mund të kalojë edhe përmes Islamit, ajo të jetë e gatshme që t’i shërbejë kësaj nevoje potenciale. Por nëse monoliteti i narrativës islame zbehet, nëse gradualisht fiton nuanca që nuk i takojnë, nëse i vishen interpretime që nuk i meriton, forca e saj përmirësuese, transformuese, shoqërore dhe në fund politike (fjalë që nuk është medoemos sinonime me atë partiake) dobësohet deri në pikën sa ajo resht së qeni një vizion kolektiv, por përfundon në një zgjedhje individuale, humbet të drejtën për të qenë një dukuri publike, por tkurret në një prirje private, nuk ekziston më si një e vërtetë në burimet e së cilës gjenden përgjigjet e çdo pyetjeje dhe zgjidhjet e çdo çështjeje, por mundësia më e mirë e shërimit shpirtëror, shmangies së konflikteve familjare dhe largimit nga veset.
Ky është vizioni i Ramës për Islamin dhe Dr. Sinani këtë e konsideron një arritje. Ai ishte i kthjellët kur në fjalën e mbajtur gjatë promovimit, tha se aty ishin duke ngjizur një narrativë dhe ai libër ishte pjesë e kësaj narrative. Sipas tij, ai kontribuon në tejkalimin e ankthit identitar të shqiptarëve, të cilët falë Edi Ramës mund të jenë njëherazi edhe myslimanë, edhe evropianë. Edi Rama është kreu i parë i shtetit që duket të reflektojë një propozim gati radikal në normalitetin e vet, duke u shprehur njëherazi se do të ishte shumë i kënaqur nëse këtë mendim do t’ia sfidonte dikush. Ne këtë tashmë e kemi bërë dhe jo për hir të polemikës, por sepse fjalimet e Edi Ramës nuk i duhen as dreqit. Kjo është kështu jo vetëm për arsyen se vizioni në fjalë është i lig dhe i dëmshëm, por sepse vëlla Besniku duhet ta dijë që Edi Rama është politikani më i korruptuar në të gjithë historinë e Shtetit Shqiptar. Është e natyrshme që kushdo gëzon të drejtën t’i kuptojë situatat shoqërore dhe të prodhojë projeksionet e davetit sipas qëllimeve përkatëse, në përputhje me versionin e Islamit të cilin e konsideron si më të mirin. Në këtë kuptim, edhe ai apo Instituti Konak në tërësi, është më se normale që hapjen e muzeut të artit islam ta konsiderojë jo vetëm një arritje kulturore, por një faqe të re për myslimanët shqiptarë. Dhe kjo ngjarje madhore mund të jetë vërtet e tillë, por përtej pranimit të padyshimtë të nevojës së Shqipërisë për një muze të artit dhe trashëgimisë islame, ne shpresojmë të kemi të drejtën që të mos jemi dakord me dy detaje. Së pari, shndërrimi i davetit dhe thirrjes për te Zoti në një veprimtari që mund të zhvillohet përmes kulturës, estetikës, së kaluarës dhe simbolikave identitare që artefaktet islamikate bartin, automatikisht e paraqet atë si diçka që jo vetëm i përket së shkuarës, por është gjithashtu diçka e vdekur, si të gjithë gjërat që pasi e kanë përmbushur funksionin e tyre, meritojnë të prehen në muze, me qëllim që të mos t’i harrojmë. Sepse Edi Rama u tregua mjaftueshëm i kujdesshëm, që për muzeun e artit islam tha se është një projekt i përbashkët midis tij dhe Institutit Konak, ashtu siç është edhe muzeu Besa, që do të vlejë edhe si përcjellës i kulturës bashkëkohore hebraike në shoqërinë tonë. Ne e dimë se në ngjarje të tilla, ai nuk thotë asnjë fjalë tepër. Veçimi i detajit të muzeut Besa, në dallim nga ai i artit dhe trashëgimisë islame, nuk besojmë se është një rastësi. Veç kësaj, gjithmonë në gjykimin tonë të karakterizuar nga një marzh gjithsesi i lartë gabueshmërie, kjo iniciativë duket si etapa fillestare e një çezaro-papizmi potencial, në të cilin Edi Rama dëshiron që të stabilizojë marrëdhëniet me myslimanët shqiptarë, duke u dhënë një herë e mirë formën që dëshiron, e për këtë zgjedh një grup prej tyre, që në këtë rast përfaqësohet nga Dr. Sinani. Që bashkëpunimi të realizohet, ky afrim i Kryeministrit duhet të jetë në përputhje me kuptimin fetar të palës përballë, që në këtë rast është Instituti Konak, që paçka se ende i ri, është një ndër organizimet më të shkëlqyera dhe më premtuese në vend. Çimentimi i një bashkëpunimi të këtillë me siguri prodhon avantazhin e rritjes së peshës shoqërore dhe kulturore të myslimanëve shqiptarë në mesin e grupeve të tjera të shoqërisë, por nga ana tjetër druajmë se kuptimin fetar që Instituti bart, gradualisht e shndërron atë në versionin e vetëm të pranuar dhe mirëpritur të Islamit nga sfera publike dhe ajo institucionale. Por sikur të ishte vetëm kaq, kjo përsëri nuk do të përbënte asnjë problem, sepse mund të shërbente që kuptimet e tjera alternative rreth Islamit, të nxiteshin për të prodhuar lexime dhe kuptime të tjera të realitetit, thirrjes islame dhe gjendjes politike, duke rritur ofertat e mundshme që shoqëria shqiptare do të kishte përpara vetes, si narrativa që do të shërbenin për nxjerrjen e vendit nga kriza bllokuese.
Por pengesa qëndron pikërisht këtu, sepse së dyti, llogaritë janë duke u bërë me Edi Ramën, i cili edhe kur thotë të vërtetën, na kujton ngjarjen e Ebu Hurejrës me shejtanin. Myslimanët shqiptarë duhet të kuptojnë se nëse ka një mundësi, qoftë edhe më e vogla, për të fituar peshën dhe rëndësinë e munguar në sytë e të gjithë publikut shqiptar, ajo patjetërsueshmërisht kalon nga detyrimi për të prodhuar një model që përpara se të karakterizohet nga vërtetësia, dituria dhe moraliteti, duhet të karakterizohet nga trimëria, guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka. Vështirësia shtohet edhe më nëse vetëdijësohemi se gjendja është aq e keqe, sa akademizmi, peshimi i mundësive dhe përcaktimi i përparësive, janë rrugë që nuk kemi luksin t’u kushtojmë rëndësinë që mund të gëzonin në një kontekst tjetër. Banda në pushtet që juridikisht njihet si Partia Socialiste e Shqipërisë, është pa asnjë dyshim organizimi më i përsosur i së keqes që Shqipëria e pluralizmit politik ka dëshmuar, e dytë vetëm pas Partisë së Punës. Në këtë kuptim, çdo bashkëpunim me Edi Ramën, çdo pranim i vizitave që banda kryen kur vjen Bajrami, çdo prani e imamëve dhe myslimanëve nëpër iftarët qesharakë dhe fyes të pushtetit, çdo relativizim i gjendjes së rënduar duke gjykuar se të gjitha kahet politike janë njësoj dhe se gjendja e vendit nuk është se ka qenë ndonjëherë e mirë, madje çdo mirënjohje për favore apo hapësirë që banda në fjalë u jep myslimanëve, në perspektivën afatgjatë të thirrjes për tek Allahu, ka për të qenë me pasoja të parekuperueshme. Por për të qenë të drejtë dhe korrektë, kjo situatë e tejkalon promovimin e librit, sepse myslimanët i implikon që të gjithë në mënyrë të barabartë, pavarësisht diferencave në kuptimin e fesë. Kjo më kujton një fjalë të Gerdi Demnerit, i cili kohë më parë më thoshte se dy shkollat përkatëse, selefitë dhe sufitë, përtej divergjencave në doktrinë (akide) dhe metodë (menhexh), janë të dyja anë të së njëjtës monedhë. Pranimi i heshtur se gjendja politike dhe shoqërore e vendit është në mos e mirë, së paku e pranueshme, pohimi se daveti fetar është duke shkuar mirë, bindja se të rinjtë janë duke iu rikthyer xhamive, iluzioni se ateizmi është në rënie dhe se boshllëku ekzistencial po i afron njerëzit me Zotin, budallallëku se me Shtetin nuk ia vlen të merremi sepse falë mospërplasjes sigurojmë të drejtën e mësimeve fetare nëpër xhami, vrojtimi i çdo situate në dritën e dëmit dhe dobisë, që në thelb është shndërruar në një zgjedhje midis dobisë dhe dobisë, e sidomos përrallat folklorike me dijetarë anonimë që imamë të caktuar artikulojnë, rreth belave që të gjejnë nëse kundërshtohen tiranitë dhe të këqijat e mëdha që politika falë nesh vetëm se i shumëfishon, i vendosin myslimanët shqiptarë në pozitat e parikthyeshme të mbijetesës dhe jo dinjitetit, e limitimit të dëmeve dhe jo imponimit, e bashkëpunimit të heshtur me të keqen dhe jo zërit të rezistencës.
Dhe ne duam të shpresojmë se myslimanët shqiptarë këtë e dinë; e vetmja gjë që u mbetet të bëjnë, është që nga Profeti i tyre të mos mësojnë vetëm se me ç’lloj hurmë e çelte iftarin, por edhe se si i luftoi Ebu Lehebët e kohës së vet. Që ata janë në dijeni të kësaj të vërtete, kjo u vu re edhe gjatë promovimit të librit. Shikimet e tyre të vdekur, zbrazëtia e të cilëve të jepte ta kuptoje menjëherë se kishin qenë të detyruar të merrnin pjesë dhe mezi prisnin të iknin një orë e më parë, janë një dritë shprese. Ata ishin të vetmit të cilëve u vinte zor të ishin pjesë e asaj maskarade. Pjesa tjetër, e ndarë si me thikë, e përbërë nga njerëz të medias, publicistë dhe figura publike, në cilësinë e mostrave alternative të sofrës përbashkësuese të iftarit, atë çfarë thuhej e dëgjonte pa pikë kërshërie dhe me gjasë, pa kuptuar ndonjë gjë të madhe. Të vetmit që po silleshin në përputhje me vizionet e tyre ishin Edi Rama dhe Dr. Besnik Sinani. Ky i fundit nuk përtoi t’u përgjigjej as pyetjeve idiote e të pakuptimta të Arlinda Dudajt, që ndër të tjera është edhe botuesja e “Vargjeve Satanike,” duke ngulur këmbë se falë Edi Ramës, sofra e iftarit e tejkalon kuptimin e saj origjinar dhe është e hapur për këdo, pavarësisht besimit të secilit, pa e kuptuar ende se në muzeun e artit islam, Edi Rama si artefakt të parë ndoshta na fut pikërisht iftarin.