Lidhje


Tradicionalizmi në epokën e onlyfans dhe "erozioni" psiko/moral.

Nga: Alban Gorishti

 

Jetojmë në një kohë në të cilën marrëdhëniet e shëndetshme të dashurisë dhe shpërbërja e tyre e shpejtë tashmë janë pozicionuar përbri paragjykimeve, dhunës dhe konflikteve ndërkombëtare si një “problem social” i denjë për t’u hetuar. Po ashtu jetojmë në një kohë në të cilën të ardhurat botërore nga pornografia janë më shumë se 97 miliardë dollarë (vjetor), pra më tepër sesa të ardhurat e Microsoft, Google, Amazon, eBay, Yahoo, Apple dhe Netflix të mara së bashku. Jetojmë në një kohë në të cilën platformat virtuale , si onlyfans, po tjetërsojnë edhe rolet më të spikatura të shoqërisë. Gra dhe vajza me profesione, si juriste, infermiere, apo të tjera që ndoshta e kanë kryer shkollën e lartë, preferojnë të ndërmarrin rrugën e fitimit të shpejtë duke u zhveshur nga çdo tradicionalizëm (etikë), i cili me të mirat dhe të këqijat e veta e ka mbajtur të lidhur gjininë njerëzore që nga epokat e lashta deri në ditët e sotme.

 

Fatkeqësisht ajo që shikoj në perëndim është një tendencë në rritje e këtij fenomeni, por duhet pranuar se vende si ai i yni me një përqindje akoma të lartë të tradicionalizmit , nuk janë prekur masivisht nga konsumimi aktiv i këtij fenomeni më tepër sesa ai pasiv. Por, duke parë edhe trendin në rritje në vende fqinje si Italia, vende në të cilat kjo platformë po shënon një reklamim të konisderueshëm madje edhe në mesin e moshave të reja të femrave, duhet të tregohemi vigjilent dhe kurajoz, të hapur dhe të qartë në implementimin e politikave sociale të cilat na ndihmojnë të parandalojmë fenomene të tilla.

 

Por çfarë është onlyfans? Në thelb është platformë pornografike, e cila maskohet nën dekore emërtimesh të tilla si “content creator”, me pak fjalë dikush që krijon materiale zbavitëse ose edukative të shprehura përmes një mediumi ose kanali mediatik. Në rastin e onlyfans , materialet e krijuara janë tërësisht të një natyre pornografike edhe pse të maskuara nën emërtime “artistike”. Një nga “agregatet” më të rëndësishme të shtrimit të kësaj rruge pa cak, është teknologjia me gjithë mjetet e saj, kështu ky mentalitet amoral hyn ngadalë në korteksin (cortex) etik të të gjithë “përcjellësve cerebral” të shoqërisë. Madje ajo që po shoh është se edhe një pjesë e mirë e fetarëve janë prekur nga ky çrregullim emotiv, moral. Kjo ishte një nga arsyet që më nxiti ta shkruaj artikullin.

 

Përgjithësisht, ne si shqiptarë jemi ushqyer me vlera tradicionale të vetëdijes kolektive, si të tillë asimetria e raporteve midis femrave dhe meshkujve ka qenë në proporcion të natyrshmërisë, biologjikës dhe kapaciteteve emotive midis tyre. Kështu që nëse femrat vlerësojnë dashurinë dhe shoqërinë në marrëdhënie, burrat janë më të paqëndrueshëm në këtë pikë. Ajo që sot po i tërheq femrat më së tepërmi për tu bërë pjesë e onlyfans në perëndim është pikërisht dëshira për tu bërë influencere , pra për të qenë pjesë e projektorëve dhe dritave të dështuara mediatike (në raport me traditën). Ky tipar i gruas, si qenie emotive, e vendos atë nën shtypjen e një industrie që kërkon ta shndërrojë atë në një mall konsumi të radhës, kjo e tjetërson brishtësinë e saj emotive në favor të oponencës ndaj tradicionalizmit. Kjo fshihet në një tipar të natyrshëm të vet mardhënieve tradicionale (të natyrshme), modelin në të cilin burri “propozon” dhe gruaja “kundërshton”. Pra,nëse marrim një pjesë të madhe të informacioneve apo fenomeneve do të shohësh se burrat mbajnë një qëndrim kategorik,ndërsa gratë e marrin fuqinë nga rezistenca ndaj iniciativave mashkullore.

 

Por për sa i përket vendit tonë konsumimi i kësaj industrie është akoma pasiv, pra janë më pak vajza që janë pjesë e kësaj industrie. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka fare, madje kam dëgjuar për një rimëkëmbje të fshehtë të kësaj industrie nëpër “bodrumet” e qendrave apo periferive mondane. Kjo nuk është aspak e vështrirë aq më tepër në ditët e sotme ku të mjafton një telefon dhe një lidhje me internetin. Po, kush janë burrat që janë konsumues pasivë? Një gjë është e sigurtë, ata janë pjesë e shoqërisë tonë, pjesë e tavolinave tona , njerëz të zakonshëm të cilët nxiten nga imazhet dhe stresi i jetës të konsumojnë pasivisht këtë “ushqim” të dëmshëm. Nuk ekziston një prototip i caktuar, tashmë kjo industri e pacipë ka prekur çdo sferë të mendimit kolektiv. Këtë e kupton në biseda, në qëndrime dhe në rrëfime. Çdo sjellje, çdo ndërkëmbim apo raport midis njerëzve (sidomos midis dy gjinive) tashmë po përkeqësohet e ndikuar nga konsumi aktiv ose pasiv i kësaj industrie. Kjo po ndikon madje edhe në mardhëniet bashkshortore, në të cilat sipas sociologëve është mashkulli ai që i minimizon mardhëniet verbale dhe nivelin e komunikimit. Kjo po ndikon po ashtu mardhëniet në çift, duke bërë që të kërkojnë mbështetje emocionale nga njerëzit e tjerë (jashtë çiftit) kur ata ndihen të stresuar ose të dëshpëruar, e në rastin më të keq duke iu kthyer zakonit të “vjetër”.

 

Disa studime të vjetra zbuluan se kënaqësia martesore ishte e lidhur në mënyrë të konsiderueshme me aftësinë e gruas për të perceptuar burrin e saj ashtu siç ai e percepton ai veten dhe për t’u përshtatur me pritshmëritë e tij – por jo anasjelltas. Pra, një nevojë për tu kuptuar ashtu sikurse ka nevojë një fëmijë për të kuptuar personalitetin dhe disa nevoja esenciale të tij. Për këtë dëmtimi që vjen nga këto platforma janë të lidhura kryesisht me mashkullin më tepër sesa me femrën, kjo pasi vullneti dhe morali i tradicionales lidhet më tepër me modelet sociale të burrit. Përdorimi i pornografisë është i lidhur me erozionin e korteksit paraballor – rajoni i trurit që strehon funksione ekzekutive si morali, vullneti dhe kontrolli i impulsit. Është disi paradoksale që argëtimi i të rriturve mund ta kthejë lidhjen e trurit tonë në një gjendje të miturish. Për të kuptuar më mirë rolin e kësaj strukture në sjellje, është e rëndësishme të dini se ajo mbetet e pazhvilluar gjatë fëmijërisë. Kjo është arsyeja pse fëmijët luftojnë për të rregulluar emocionet dhe impulset e tyre. Dëmtimi i korteksit paraballor në moshë madhore quhet hipofrontalitet, i cili e predispozon një individ të sillet në mënyrë kompulsive dhe të marrë vendime të këqija. Të njëjtat rajone janë implikuar gjithashtu në të ashtuquajturat ‘varësi natyrore’ (domethënë konsumi i detyrueshëm për shpërblime hedoniste) si mbingrënia patologjike, bixhozi patologjik dhe varësitë seksuale.

 

Nga ana tjetër nga shkenca dimë se aktivitetet njerëzore stimulojnë neurotransmetuesit natyrorë si seratonina dhe dopamina. Aktiviteti i këtyre substancave psikoaktive të natyrshme ka të ngjarë të përcaktohet si ndërmjetës i rëndësishëm i shumë varësive. Një prej këtyre neurotransmetitorëve është edhe dopamina. Skenat pornografike, sikurse substancat që shkaktojnë varësi, janë shkaktarë hiper-stimulues që çojnë në nivele të panatyrshme të larta të sekretimit të dopaminës. Çlirimi i dopaminës dihet se është i lidhur ngushtë me formimin e “rrugëve të varësisë” në tru dhe gjithashtu çlirohet kur një person shikon pornografi. Kjo mund të dëmtojë sistemin e shpërblimit e shëndetëshëm të dopaminës dhe ta bëjë atë të mos reagojë ndaj burimeve natyrore të kënaqësisë. Kjo është arsyeja pse përdoruesit fillojnë të përjetojnë vështirësi në arritjen e kënaqësive të natyrshme. Kështu njeriu i varur nga këto imazhe kërkon të shohi sa më shumë skena të tilla në mënyrë që të çlirojë dopaminë deri në sasi të larta, e kjo e dëmton sistemin e tij të përfitimit të kënaqësisë së natyrshme. Kështu pra njeriu i tillë ka nevojë për gjithnjë e më shumë dopaminë, gjithnjë e më shumë stimulim, në mënyrë që të prodhojë atë rezultat të këndshëm. Kjo është arsyeja pse me kalimin e kohës, shikimi i pornografisë mund ta përkeqësojë depresionin e dikujt apo ndjenjën e frustrimit të dikujt tjetër. Pra sikurse vartësia nga droga çon në një reduktim të kënaqësisë sa herë që e përdorin atë, po ashtu edhe sjellje të tilla kërkon ti mbushi ato kënaqësi të reduktuara nga mbiprodhimi i dopaminës, me imazhe dhe ndjesi gjithnjë e më ekstreme. Pra ky mbiprodhim i dopaminës e shpie njeriun në dëmtime serioze të kortekstit parafrontal.

 

Anonimiteti është një faktor kryesor rreziku që kjo sjellje seksuale të kthehet në një problem. Këtu i rikthehemi tradicionales dhe erozionit moral, në kohët e sotme, kryesisht në vendin tonë kam parë perversione dhe largim nga ligjshmëritë etike të cilat nga ana tjetër përfforcohen dhe stabilizohen nga tradicionalia. Perversione të cilat ngulmojnë herë pas here të kalojnë nga ekrani i vogël në realitetin e madh, emëruesi i njëjtë i të cilave është anonimiteti. Tradicionalia është kolektive ndërsa anonimiteti dëmton pak nga pak këtë entitet, ashtu sikurse qelizat kancerogjene e dëmtojnë njeriun pak nga pak duke u shpërndarë në trup. Rreziku i këtyre sjelljeve i kanoset më së tepërmi brezave duke e bërë jetën komunitare toksike dhe intelektualisht perverse, kjo do ndikojë edhe mardhëniet brenda familjes, fisit, lagjes, etj. Ky tjetërsim fillimisht do të preki sferën emotive duke kaluar nga izolimi social në izolim kulturor, derisa sfera më e prekur nga të gjitha të jetë ajo tradicionalia. Ndërsa boshti kryesor i tradicionales është besimi në Zot. E ç’është më e keqja, ka t; b;j; me gjenetikën, rreziku i një historie familjare ose personale e një sëmundjeje mendore ose një lloj tjetër varësie rrit probabilitetin e dikujt për të qenë i varur nga sjellje të tilla të pashëndetshme, si dhe nga erozione afatgjata morale.

 

1-https://surgicalneurologyint.com/surgicalint-articles/pornography-addiction-a-neuroscience-perspective/
2- https://www.mdpi.com/2077-0383/8/1/91
3- https://neurosciencenews.com/neuroscience-pornography-brain-15354/

XS
SM
MD
LG