Lidhje


SHBA i ndalon hyrjen recituesit kosovar të Kuranit, merret në pyetje sapo zbret në Boston, anulohen aktivitetet në qendrat islame amerikane

Recituesit të njohur të Kuranit nga Kosova, Egzon Ibrahimi, i është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sapo ka mbërritur në aeroportin e Bostonit, raportojnë burime të “Ma Shqip”.

 

Sipas raportimit, 24-vjeçari është ndaluar nga autoritetet amerikane të emigracionit dhe më pas është kthyer me fluturimin e parë për në vendin nga kishte ardhur, edhe pse kishte një vizë të rregullt amerikane të lëshuar nga Ambasada e SHBA në Prishtinë. Burime pranë emigracionit në Boston bëjnë me dije se Ibrahimi është marrë në pyetje nga oficerët kufitarë dhe më pas i është komunikuar refuzimi i hyrjes në territorin amerikan. Deri tani nuk është bërë publike arsyeja zyrtare e vendimit.

 

Lajmi u konfirmua më pas edhe nga qendra islame që e kishte ftuar në SHBA. “Al Huda Community Center” në Chelsea të Bostonit njoftoi anulimin e aktivitetit të planifikuar për mbrëmjen e së dielës. Në reagimin e parë në rrjetet sociale, qendra shkruante:

 

“Për shkak të rrethanave të paparashikuara, Egzon Ibrahimi nuk u lejua të hynte në SHBA, pavarësisht se kishte një vizë të vlefshme. Si pasojë, turi në SHBA është anuluar për momentin. E vlerësojmë mirëkuptimin dhe lutjet tuaja gjatë kësaj kohe.”

 

Por vetëm pak orë më vonë, postimi u editua dhe formulimi ndryshoi. Në versionin e dytë thuhej:

 

“Për shkak të rrethanave të paparashikuara, ju njoftojmë me keqardhje se turi i Egzon Ibrahimit është shtyrë deri në një njoftim të dytë. Aktualisht po punojmë për ricaktimin e datave dhe do të japim përditësime sa më shpejt, in sha Allah. Vlerësojmë mbështetjen tuaj dhe ju falënderojmë për durimin dhe lutjet tuaja gjatë kësaj kohe.”


“Al Huda Society” funksionon prej më shumë se 20 vitesh si qendër islame, xhami dhe shkollë fetare për komunitetin mysliman në zonën e Bostonit, ku organizohen ligjërata fetare dhe mësime të Kuranit. Deri tani nuk ka asnjë reagim publik nga vetë Egzon Ibrahimi lidhur me ngjarjen, ndërsa autoritetet amerikane nuk kanë komentuar rastin.

 

Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kontrollet në aeroportet dhe pikat kufitare amerikane janë ashpërsuar ndjeshëm. Oficerët e emigracionit kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e një personi edhe në rastet kur ai disponon vizë të vlefshme amerikane.

 

Egzon Ibrahimi është bërë i njohur në rrjetet sociale dhe në komunitetet islame për recitimin e Kuranit dhe pjesëmarrjen në kompeticione ndërkombëtare. Prej vitesh ai interpreton edhe këngë fetare islame në gjuhën shqipe, shpesh të shoqëruara me elementë muzikorë, gjë që ka sjellë debat dhe kritika nga qarqe të ndryshme fetare. Pak kohë më parë ai ishte ftuar edhe në një aktivitet në Turqi ku mori pjesë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

 

SHBA i ndalon hyrjen recituesit kosovar të Kuranit, merret në pyetje

XS
SM
MD
LG