Atdheu dhe qeveritë, kolonizim nga jashtë dhe sundim nga brenda (1878-2026)
Nga Muhamet Selmani
Më 10 qershor 1878, shqiptarët të mbledhur nga të katër vilajetet, themeluan Lidhjen e Prizrenit si organizim i parë politik, ushtarak të gjithë trojeve shqiptare në mbrojtje të atdheut.
Shpallja e Pavarësise së Shqipërisë ndonëse arriti të siguronte ekzistencën e popullit shqiptar të pavarur, nuk arriti të ndalte gjymtimin që iu bë tokave shqiptare.
Shteti shqiptar ishte projektuar të ishte i cunguar, pasi përveç detit nga të gjitha anët do të rrethohej me troje të banuara po nga popullsi shqiptare, kufizohej me vetveten.
Nga kryqendrat e katër vilajeteve me popullsi shumicë shqiptare ( Shkup, Manastir, Janina) vetem Shkodra i mbeti shtetit shqiptare.
Një atdhetar i famshëm i kombit shqiptar i kohës së Shpalljes së Pavarësisë Rauf Fico shprehet qartë në dëshirën dhe mendimin e tij në unitetin dhe bashkimin kombëtar: “DASHT ZOTI, ME FLAMURIN KOMBËTAR NË KRYE TË BASHKOHEN TROJET ETNIKE SHQIPTARE NGA KOSOVA NË ҪAMËRI.
Atdhedashuria ka bërë bashkë shqiptarët për gjatë historisë për të mbrojtur vendin e tyre në çdo kohë. Dashuria për atdheun ,vendlindjen duhet ta kemi në nivelin më të lartë edhe në kohën e lëvizjeve të mëdha dhe interesave të mëdha sa nga jasht dhe brenda.
Demokracia e vërtetë është kur populli vendos për fatin e tij, realiteti i sotëm në botë është krejt ndryshe ku demokracia ka ngelë vetëm një emër dhe në të vërtetë kemi një rrëshqitje të demokracisë, nuk vendos populli për vetën e tij por vendosin të pasurit për vetën e tyre në nënshtrim të popujve. Prandaj është thënë se, nuk ka dallim midis kolonialistëve nga jashtë dhe sunduesve të brendshëm, përveç që të parët erdhen nga jashtë, e të dytët erdhën nga brenda.
Kombet nuk zhduken nga varfëria, por nga shtypja. Kur punët e mëdha u jepen njerëzve të vegjël dhe punët e vogla u jepen njerëzve të mëdhenjë, ku mungon meritokracia, kur injorantët zënë vend në qendër të skenës, dhe mendimtarët fshihen nga frika apo janë indiferent dhe medimi u përket atyre që kanë pushtet, jo atyre që kanë mençuri, shteti shëndërrohet në një xhungël ku të fortët i përpijnë të dobtët. “Armiqtë më të këqinjë të kombit nuk janë injorantët por inteligjentët e korruptuar” G.Greene. Njeriu i duhur në vendin e duhur dhe për punën e duhur do të ishte zgjidhja më e mirë për të ardhmen e kombit.
Idealistët e ndërtuan kombin, tani ngelët nga politikanët ta mbrojnë atë e nëse këta nuk e bëjnë ngelët roli popullit të mbroj vendin e tij siç ka bërë edhe atëherë kur nuk ka pasur qeveri. Ashtu si në vitin 1878, kur rreziku ndaj kombit kërkoi unitet dhe vendosmëri edhe sot e gjithmonë kërkohet përgjegjësi qytetare, qëndresë, vigjilencë dhe angazhim në ruajtjen e vendit ku kemi lindur e ku kanë jetuar të parët tanë.
Atdheu është më i madh se çdo qeveri, më i qëndrueshëm se çdo pushtet dhe më i shenjtë se çdo interes politik. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa atdheu mbetet. Prandaj, dashuria për vendin nuk duhet të ngatërrohet me mbështetjen apo kundërshtimin e një qeverie të caktuar.
“Mos e përzieni qeverinë apo qeveritë me atdheun”. Robert Visak një shkrimtar britanik, ishte një nga gazetarët më të njohur në botë thotë:
Ne ngatrrojmë konceptin e atdheut dhe konceptin e qeverisë, dhe i konsiderojmë një, dhe kjo është një fatkeqësi në vete. Qeveria është një administratë politike për një periudhë të shkurtër të jetës së vendit, dhe asnjë qeveri nuk zgjat përgjithmonë. Ndërsa atdheu është historia dhe gjeografia, dheu që bashkoi eshtrat e të parëve, sakrifica që u piu djersën dhe gjakun, atdheu është historia, identiteti, kultura, zakonet dhe traditat.
Për këtë, çdo qenie njerëzore ka të drejtë të urrejë qeverinë nëse nuk qeveris drejtë , por jo të drejtën të urrejë atdheun e tij. Fatkeqësia më e madhe e ngatrrimit të qeverisë me atdheun është të mendosh se i hakmerremi qeverisë nëse e dëmtojmë atdheun..!!.. sikur vendi është i qeverisë dhe jo i joni... Në të vertetë atdheu është vendi ynë dhe duhet duhet ta konsiderojmë dhe të kujdesemi sikur e kemi shtëpinë tonë.
Historia na mëson se kombet janë përballur jo vetëm me kolonizuesit që kanë ardhur nga jashtë, por edhe me nënshtruesit që kanë vepruar nga brenda. Të parët kanë përdorur forcën, pushtimin dhe sundimin e drejtpërdrejtë; të dytët kanë përdorur përçarjen, korrupsionin, interesin personal dhe harresën e interesit kombëtar. Shpeshherë, dëmi më i madh nuk është shkaktuar nga armiku i jashtëm, por nga dobësitë e brendshme që i kanë hapur rrugë atij.
Shqipëria është një vend bekuar prej pasurive përrrallore që Zoti i ka dhuruar me pasuri natyrore të mrekullueshme, ka një natyrë unike, ADN shqiptare, jemi të bekuar për traditat tona të mrekullueshme, tradita kulturore mbresëlënëse të mbartura gjeneratë pas gjenerate dhe një popull i vendosur. Mirpo nëse Shqipëria është e bekuar me popullin e saj, ajo ka vuajtur nga qeverisje që kanë sjellë pasoja të rënda për kombin që në shekullin e kaluar nga diktatura dhe vazhdon të vuaj edhe më pas. Forca e vërtetë fillon me vetëdijen dhe zgjimin e popullit për të marrë fatin e tyre në dorë.
Popujt europjan pavarësisht ng sh’thurja morale dhe shpirtërore janë të fortë në ndërgjegje dhe vetëdije. Ata kanë arritur një pjekuri dhe janë të aftë të ndajnë të dëmshmën nga e dobishmja, të dallojnë këshilluesin nga mashtruesi, të sinqertin nga hipokriti, të afttin nga i paafti, kështuqë, çështjet e tyre nuk ja lënë në dorë askujt, veç atyre që janë besnik. Pastaj ata, çështjet e tyre gjithmonë i trajtojnë me kujdes, nëse njerëzit që i marrin për sipër, ato shfaqin shenja mashtrimi dhe paaftësie, apo duket se e kanë përfunduar rolin e tyre, i zëvendsojnë dhe i ndërrojnë me të tjerë më të fortë, më të aftë, më besnik e më të përshtatshëm.
Një popull i ndërgjegjshëm duhet të dijë të mbrojë atdheun nga çdo rrezik, qoftë gjeografik, kulturor apo shkombëtarizues që mund të vijë si projekt nga jashtë apo ai që lind brenda shoqërisë. Kritika ndaj qeverive nuk është tradhti ndaj atdheut; përkundrazi, kur bëhet me përgjegjësi dhe dashuri për vendin, ajo është një shërbim ndaj tij. Po ashtu, mbrojtja e interesave kombëtare kërkon qytetarë aktivë, vigjilent, besnik të ditur, të ndershëm dhe të përkushtuar. T’i kthehemi filozofisë politike të baballarëve tanë shtet formues.
Sot, sfida më e madhe nuk është vetëm ruajtja e territorit, por edhe ruajtja e vlerave, kulturës kombëtare, shpopullimi, familjes, identitetit, drejtësisë dhe dinjitetit kombëtar. Një atdhe i fortë ndërtohet mbi ndërgjegjen e qytetarëve të tij dhe jo mbi lavdinë e përkohshme të qeverive.
Prandaj, le të duam atdheun mbi interesat e ngushta, të dallojmë atdheun nga qeveria dhe të mos harrojmë se liria, zhvillimi dhe dinjiteti i një kombi varen nga aftësia e tij për t'u përballur si me kolonizuesit nga jashtë, ashtu edhe me nënshtruesit nga brenda. Vetëm kështu atdheu mbetet i lirë, i fortë dhe i denjë për brezat që do të vijnë.