Hoqi tabelën me hadithin në oborrin e xhamisë, përjashtohet nga Policia e Shtetit dhe kallëzohet penalisht
Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, është përjashtuar përfundimisht nga radhët e Policisë së Shtetit dhe ndaj tij është depozituar edhe kallëzim penal për kanosje, pas një incidenti të ndodhur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Për shumë qytetarë të Shkodrës, emri i Berberit lidhet edhe me një nga episodet më të debatuara të vitit 2025: ndërhyrjen e policisë në oborrin e Xhamisë "Ebu Bekr", ku u hoq një tabelë që mbante një hadith profetik mbi ndalimin e grabitjes së pronës. Veprimi u cilësua nga Myftinia si cenim i autonomisë së institucionit fetar dhe shkaktoi reagime të forta në opinionin publik.
Në atë kohë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, e akuzoi publikisht Gentian Berberin për mënyrën e ndërhyrjes, duke e konsideruar veprimin një tejkalim të kompetencave dhe një mungesë respekti ndaj një institucioni fetar. Më pas, Myftinia dhe Bashkia arritën një mirëkuptim për çështjen, por kritikat ndaj rolit të policisë dhe drejtimit të saj mbetën.
Sot, vetëm disa muaj pas atij konflikti që e vendosi në qendër të vëmendjes publike, karriera e Gentian Berberit në Policinë e Shtetit ka marrë fund me përjashtimin e tij dhe nisjen e procedimit penal. Edhe pse nuk ekziston asnjë njoftim zyrtar që lidh ngjarjen e tabelës me vendimin e fundit disiplinor, zhvillimet kanë rikthyer në vëmendje një figurë që u shoqërua me një sërë polemikash gjatë drejtimit të Policisë së Shkodrës.