Realiteti i hidhur shqiptar, dhe, disa hapa konkrete drejt rrugëdaljes…!
Wednesday, 13 March 2024 22:19
Nga:Sali Shasivari/ Ndonëse nuk jam ndjekës i afërt dhe i rregullt i masmediave dhe rrjeteve sociale mbarëshqiptare, të cilat, në ditët e sotme, jo vetëm që krijojnë ‘kulturë të masave’ (‘mass culture’), por, të njejtat, janë pasqyrim i realitetit të përgjithshëm të një shoqërie…
Mirëpo, nga ajo që më bie në sy dashje-pa-dashje dhe kohë pas kohe, si dhe, nga ajo që shihet, dëgjohet dhe bisedohet në përgjithësi, të krijohet përshtypja se, si popull dhe si shoqëri, jemi katandisur drejt ‘së ngrënit të kokës sonë’ dhe drejt vetëzhdukjes…!
Kështu, ‘nëpërkëmbja e shenjtërive’, ‘glorifikimi i antivlerave’, dhe ‘debatet shterpe’ duket se janë shndërruar në ‘top-agjendë mbarëkombëtare’…!
Mbase, dikush mund të thotë se një trend i këtillë i kulturës së nihilizmit, hedonizmit, dhe degjenerimit është trend bashkëkohor gjithandej…
Megjithatë, realiteti është se, popujt dhe shtetet e konsoliduara mbase janë në gjendje që të përballojnë trende të këtilla, sidomos nga fakti se, nga njëra anë, në ato vende, trendet e ketilla janë shfaqur në mënyrë graduale…; nga ana tjetër, ato vende kanë themele dhe tradita / eksperienca të konsoliduara, të cilat arrijnë t’u bëjnë ballë ‘stuhive’ të këtilla…; dhe, ajo që është edhe më me rëndësi në këtë aspekt, është fakti se, vendet e tilla, paralelisht me trendet e këtij lloji, kanë projekte dhe trende paralele arsimore dhe zhvillimore të të njejtës fuqi dhe intenzitet, apo më shumë… Andaj, në saje të proceseve të këtilla, ato vende arrijnë të mbijetojnë, apose, së paku, arrijnë që ta ngadalësojnë fragmentizimin e shoqërive të tyre…
Ndërsa, sa u takon shoqërive të brishta shqiptare, ato, nga njëra anë, si rezultat i stuhive dhe rrethanave historike, kurrë nuk arritën të konsolidohen mirëfilli në asnjë aspekt…; nga ana tjetër, ato u përballën me trendet e këtilla në mënyrë shumë të befasishme dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër, gjë që shkaktoi ‘shok social’…; ndërsa, ajo që është edhe më problematike në gjithë këtë realitet të hidhur, është fakti se, në ‘shqipëritë’ tona ekzistojnë shumë pak - apose, thuajase aspak - iniciativa, projekte, apo trende pozitive të cilat do t’u bënin ballë stuhive dhe trendeve të tilla destruktive… Andaj, shoqëritë shqiptare janë futur në një rreth vicioz, me ç’rast, dita-ditës kemi ‘rënie të lirë’ drejt humnerës së antivlerave…!
Nuk është normale që një popull i vogël i përmasave shqiptare, i cili ballafaqohet me probleme esenciale ekzistenciale, dhe i cili ‘hallin’ e ka ‘hale’ në të gjitha fushat dhe aspektet, të ketë komoditet dhe luks aq të madh sa që të ‘kultivojë’ një “kulturë” dhe trend të: mega-debateve të llojit non-sens, ku, ngritja e nivelit të zërit është më i rëndësishëm se ngritja e nivelit të debatit, arsyes, dhe argumentit…; të mega-emisioneve, që për cak kanë shkatërrimin e çdo vlere, si dhe familjes…; të mega-skandaleve degjeneruese të llojit ‘Big-Brother’…; të mega-platformave “muzikore” që glorifikojnë hedonizmin, seksin, drogën…; etj., etj., etj.
Deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, ky është realiteti i hidhur shqiptar, të cilin, sado që mundohemi ta mbulojmë përmes ‘snobizmit’ tonë individual dhe shoqëror, përmes ‘imitimit tonë të verbër’ të trendeve ‘tik-tok’-iane, përmes ‘skenave fallco’ të studiove dhe skenave “mediatike” dhe “artistike”, përmes ‘konformizmit’ tonë endemik, përmes ‘klientelizmit’ tonë epidemik, përmes ‘indiferencës’ sonë patetike, përmes parullave tona patriotike, si dhe përmes turbo-folkut tonë sipërfaqësor…; një realitet të këtillë e hasim ngado që e kthejmë kokën, dhe, i njejti, kundërmon në çdo aspekt dhe sferë të realitetit tonë të përditshëm…!
Madje, ne, si popull, për fat të keq, edhe pasojat e një realiteti të këtillë tragji-komik, të cilat manifestohen - çdo ditë e më tepër - përmes mega-dështimeve shoqëroro-individuale, mega-skandaleve etiko-morale, dhe mega-krimeve kolektivo-individuale / familjare…; ne, edhe fatkeqësitë e këtilla i kemi shndërruar në ‘shou’ për konsum ditor, duke biseduar më shumë në lidhje me detajet e panevojshme të ngjarjeve në fjalë, si dhe, duke ju shmangur bisedave dhe debateve konstruktive në lidhje me shkaqet dhe faktorët e të njejtave…!
Andaj, a thua vallë, cila është rrugëdalja nga një realitet i këtillë i hidhur?!
Për zgjidhjen e problemeve të këtilla nuk ekzistojnë formula apose shabllone të gatshme dhe të shpejta, porse, zgjidhja e fenomeneve dhe trendeve të këtilla negative është proces i gjatë dhe i ndërlikuar i bashkëdyzimit të një sër ideve, planeve, hapave, masave, mekanizmave, mjeteve, proceseve, platformave, veprimeve, etj., në shumë rrafshe dhe nivele…; dhe, të cilat do të duhej të jenë të sinkronizuara mirë dhe do të duhej të bashkëveprojnë në mënyrë të konsoliduar dhe harmonike…
Këto procese dhe ndryshime fillojnë nga poshtë-lartë, d.m.th. duke filluar nga vetvetja / individi, familja, rrethi, shoqëria, e duke shkuar më lartë…; e assesi, nga lartë-poshtë, ashtu siç rëndom mendohet dhe tentohet…!
Disa nga hapat konkretë dhe të domosdoshëm që kërkohen në këtë drejtim, janë:
1. Njohja dhe pranimi i problemit…; hap ky, i cili, si i tillë, nënkupton gjysmën e zgjidhjes…
2. Te shtjelluarit dhe të kuptuarit e përmasave të problemit…; edhe atë, përmes analizave profesionale dhe statistikave gjegjëse… E, në këtë drejtim, përpos institucioneve relevante, në këtë sferë duhet të inkuadrohet i gjithë stafi akademik dhe studentor, edhe atë, përmes hulumtimeve në fusha të ndryshme, duke stimuluar dhe mobilizuar në këtë aspekt edhe boshtet e temave deri-diplomike dhe ato post-diplomike…; e gjithë kjo, me qëllim të identifikimit të problemeve, dhe propozimit të zgjidhjeve adekuate…
3. Ngritja e vetëdijes së gjithmbarshme të popullatës në gjitha sferat e aktivitetit jetësor…; proces ky, në të cilin do të duhej të inkuadrohen të gjithë faktorët relevantë edukativo arsimor, studimoro-shkencor, socio-kulturor, mediatiko-artistik, etj.
4. Krijimi i opinioneve të shëndosha dhe alternativave pozitive në gjitha segmentet…; duke filluar nga rrjetet sociale dhe platformat mediatike, deri te platformat rekreativo-sportive…
5. Krijimi i platformave paralele, të cilat do të vepronin në kahje të kundërt të platformave të cilat promovojnë trende negative dhe destruktive…
Rruga e vetëdijesimit, enkulturimit, zhvillimit, dhe progresit të shoqërive është rrugë e gjatë dhe e mundimshme…; por, e njejta, është rrugë e vetme e mbijetesës dhe suksesit të shoqërive…
Përndryshe, nuk duhet harruar faktin se, “E keqja e organizuar e mund të mirën e paorganizuar”, siç pohoi dikur dijetari i njohur Mustafa Sabri!
(Vërejtje: Ky artikull është botuar në gazetën ‘Koha’ - Maqedoni – sot, më 12 Mars 2024; Shkas: realiteti i hidhur mbarëshqiptar…)./Skruan ai në profilin e tij në rrjetin social facebook