Lidhje


Shtëpitë muzeale në lagjet muslimane, si vulë e tabanit dhe identitetit tonë shekullor…!

Nga Muhamed Sytari 

 

Njëri prej miqve dhe shokëve të mi të mirë të fëmijërisë, kishte publikuar sot, këtë foto model të shtëpisë së vjetër të familjes së nderuar Rroji në Shkodër.Prej vitesh e kam ngritur zërin, sidomos në takime zyrtare, që institucionet e vendit, duke nisur nga qeveria e poshtë, duhet të hedhin sytë nga këto vlera të tabanit dhe të trashëgimisë sonë identitare.

 

Shumë mirë që investimet të përqendrohen në Gjuhadol e përreth, sepse patjetër është pjesë e padiskutueshme e trashëgimisë sonë qytetare, kulturore e identitare.

 

Por, institucionet tona dhe drejtuesit, duhet me patjetër të kërkojnë në zemër të lagjeve muslimane, për të restauruar e përmirësuar infrastrukturën drejt shtëpive të vjetra muslimane, që patjetër datojnë edhe më larg e më herët se shumë e shumë gjurmë të tjera që mirëmbahen sistematikisht e investohet për ta në Shkodër, me një fanatizëm të çuditshëm e shpesh paradoksal.

 

Dikur, pata bërë një shkrim- dedikim për Shtëpinë e Myftiejve në Qafë. Akoma e kam të ruajtur foton e tabelës së ndryshkur mbi derën e vjetër shekullore të asaj shtëpie historike, ku shkruhej: “Monument kulture, mbrohet nga shteti”..!?

 

Ndryshku, që tashmë na promovohet edhe si vlerë, në një qytet, ku është investuar pambarimisht dhe në shumë forma që të ndryshket e të tjetërsohet, duhet medoemos të pastrohet, të dëbohet e të mos pranohet kurrë për vlerë, sepse as ka qenë, as mund të jetë i tillë.

 

Shkodra dhe ndryshku janë një çift i dështuar dhe një lidhje e shëmtuar, që shkodranët nuk duhet ta pranojnë për asgjë dhe asnjeri!?

 

Nëse nuk kemi gajle për gjurmët e trashëgimisë sonë, do të thotë se nuk na bëhet vonë as për axhendat e tjetërsimit që qarkullojnë ndër ne prej kohësh, pa u ndjerë!?

 

Shtëpia e Rrojejve, si shumë e shumë të tjera, është pa asnjë dyshim vlerë e trashëguar ndër shekuj, gjurmë që fton për t’u zgjuar nga gafleti e ftesë për të ruajtur ekuilibrat e të shenjtës në një qytet, që nuk zhbëhet kollaj, përtej djallëzive dhe patronazhistëve të së keqes! /Nga Imam Muhamed B. SYTARI, Myfti i Zonës Shkodër/

XS
SM
MD
LG