Silwani i rrethuar: Izraeli synon hapësirat e komunitetit për zgjerimin e kolonive hebreje
Në vitin 1948, Hilweh Siyam, një grua rreth të 40-tave, u vra nga një snajper sionist në qytetin verior Silwan në Jerusalemin Lindor të pushtuar. Që atëherë, lagja është njohur si Wadi Hilweh, që do të thotë "Lugina Hilweh"(në nder të gruas së vrarë). Që atëherë, Izraeli ka zgjeruar vendbanimet ilegale hebraike në Silwan, dhe më shumë gjatë viteve të fundit, duke synuar veçanërisht disa familje, hapësira komunale dhe drejtues të komunitetit. Sot, banorët e Wadi Hilweh, përfshirë nipërit e mbesat e Hilweh Siyam, vazhdojnë ende t'i rezistojnë pushtimit brutal.
Një nga nipërit e saj, Jawad Siyam, krijoi Qendrën e Informacionit Wadi Hilweh në vitin 2009 për të ushqyer një ndjenjë përkatësie në komunitetin lokal, dhe veçanërisht që të rinjtë të ruajnë historinë e tyre.
Ai beson se pushtimi mund të fillojë të lulëzojë vetëm nëse të rinjtë palestinezë harrojnë tokën dhe trashëgiminë e tyre.
Qendra e Informacionit Wadi Hilweh tani përballet me një kërcënim prishjeje nga pushtimi izraelit, duke përmendur ndërtimet pa leje. Megjithatë, ky pretendim është i pabazuar pasi ndërtesa është ndërtuar para vitit 1967 kur Izraeli aneksoi Jerusalemin Lindor.
Kjo nuk është hera e parë që Jawad, drejtori i qendrës dhe komuniteti Silwan përballen me kërcënime për prishje me arsye të pabaza dhe ai mbetet i përkushtuar që të mos e braktisë vendin.
"Ata mund ta shkatërrojnë vendin, por nuk mund ta shkatërrojnë idenë. Ideja mbetet me mua dhe unë do të vazhdoj të punoj sa të ekzistoj," thotë ai për TRT World.
'Deportim i qetë'
Shumica e palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor të pushtuar nuk kanë marrë nënshtetësinë izraelite dhe në vend të kësaj janë detyruar të bëhen "banorë të përhershëm" pas aneksimit të njëanshëm të qytetit nga Izraeli.
Megjithatë, edhe ky status i qëndrimit të përhershëm mund të përfundojë nëse ata nuk janë në gjendje të paguajnë taksa të rënda si "arnona", një taksë komunale e vendosur ndaj palestinezëve që banojnë në zonat nën kontrollin izraelit, të cilën autoritetet izraelite e përcaktojnë si thelbësore për "mbajtjen e një lidhjeje me qytetin".
Ndërmjet viteve 1967 dhe 2022, Izraeli revokoi statusin e qëndrimit të 14,808 palestinezëve nga Jeruzalemi Lindor, sipas shifrave nga Ministria e Brendshme e publikuar nga grupi i të drejtave të njeriut Hamoked, i cili e ka cilësuar atë një politikë "deportimi të qetë".
Nëse rezidenca nuk revokohet, autoritetet zakonisht i shpallin shtëpitë në shënjestër të paligjshme dhe i detyrojnë pronarët palestinezë ose t'i shkatërrojnë ato vetë sipas afateve të përcaktuara ose paguajnë që buldozerët izraelitë të skatërrojnë shtëpitë e tyre.
Kjo situatë është veçanërisht e përhapur në zonën e pushtuar të Jeruzalemit Lindor, Silwan, që ndodhet ngjitur me murin jugor të kompleksit Al Aksa.
Pavarësisht se kanë disa nga taksat më të larta, taksapaguesit palestinezë në Silwan thonë se nuk marrin pothuajse asnjë shërbim dhe janë të privuar nga të drejtat elementare si parkimi i duhur dhe burimet e qëësishme të ujit.
Komuniteti në shënjestër
Në të njëjtën ditë që Jawad Siyam themeloi Qendrën e Informacionit Wadi Hilweh në vitin 2009, autoritetet izraelite lëshuan një urdhër për prishjen e ndërtesës. Urdhri mbeti i ngrirë për një dekadë, përpara se të rinovohej në 2019.
"Gjatë atyre 10 viteve, qendra u bastis shpesh, anëtarët e ekipit u arrestuan, duke përfshirë edhe mua në shumë raste, dhe unë u përballa me presion të vazhdueshëm dhe taksa të tepruara," thotë Jawad.
Ai paguan përafërsisht 25,000 shekelë izraelitë për taksën në vit, që është mbi 6,700 dollarë.
Në fillim të këtij viti, komuna ngriti akuza kundër Jawad, duke e akuzuar atë për "përdorim të një ndërtese pa licencë në një zonë ku ndërtimi është i ndaluar". Javën e kaluar u mbajt seanca përfundimtare dhe u dha urdhri për shembjen.
"Gjatë seancave, diskutimet nuk u fokusuan në vetë strukturën apo lejen e ndërtimit. Në vend të kësaj, ata diskutuan aktivitetet e kryera brenda ndërtesës," thotë Jawad, duke theksuar se urdhri synon kryesisht unitetin komunal lokal dhe jo vetëm ndërtesën.
“Më kanë dhënë një vit kohë për ta prishur vetë. Megjithatë i kam njoftuar se nuk do ta bëj. Mund të vijnë ta prishin në çdo kohë. Në një skenar të tillë do të më kërkohej të mbuloja shpenzimet e shembjes, të cilat mund të variojë nga 60,000 deri në 200,000 shekla, në varësi të shkallës së shkatërrimit”.
Që nga 13 shtatori 1993, kur u nënshkrua Marrëveshja e Oslos, deri në fund të vitit 2022, Izraeli shkatërroi 2787 struktura në Jerusalemin Lindor, duke përfshirë 213 të financuara nga donatorë ndërkombëtarë, raportuan grupet e të drejtave të njeriut Word Council of Churches (WCC).
Shembjet në Jerusalemin Lindor arritën kulmin vitin e kaluar me 229 struktura të shkatërruara, më e larta që nga viti 2009. Dhe që nga ky vit, 102 struktura palestineze janë shkatërruar tashmë, sipas të dhënave nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
Plani më i madh
Bayan Abbasi, i cili punon si menaxher projekti në Qendrën Kreative Madaa, një organizatë nën Qendrën e Informacionit Wadi Hilweh, thotë se urdhri i prishjes që synon qendrën nuk është as i pari dhe as i fundit që prek drejtpërdrejt hapësirat e komunitetit në Silwan.
Në vitin 2012, ata themeluan Women Cultural Cafe, një projekt i krijuar për gratë e lagjes për të mbledhur, krijuar vepra artizanale, gatuar dhe shitur produktet e tyre.
Megjithatë, vetëm dy ditë pas hapjes së tij, buldozerët izraelitë mbërritën dhe e shkatërruan atë.
Bayan beson se shënjestrimi i qëllimshëm i hapësirave të komunitetit në zonë është një politikë parandaluese që synon të ushtrojë presion ndaj palestinezëve që të shesin pronat e tyre për shuma të mëdha parash dhe të largohen nga toka.
"Çdokush në Silwan mund të bëhet milioner," thotë Jawad. “Edhe në një dhomë të vetme apo metër katror, mund të të ofrohen miliona, si 18 milionë dollarët që ofruan për shtëpinë time”.
"Por të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për planin kryesor këtu."
Organizata private e kolonëve e njohur si Elad, e cila do të thotë "Në qytetin e Davidit" në hebraisht, është kryesisht përgjegjëse për pushtimin e Silwanit. E themeluar në vitin 1986, Elad është përpjekur të blejë prona në Jerusalemin Lindor përmes grupeve në hije, duke zgjeruar kështu pushtimin.
Në vitin 2019, i njëjti grup kolonësh dëboi me forcë familjen e vëllait të Jawad nga shtëpitë e tyre në Silwan. Vetëm dy ditë pasi kolonët dëbuan familjen, Gjykata e Qarkut të Jerusalemit mbajti anën e Eladit, duke i dhënë atyre pronësinë e shumicës së pronave të familjes Siyam, duke përfshirë apartamentin, një dyqan dhe një oborr.
Ankesa e familjes kundër dëbimit u hodh poshtë me shpejtësi nga gjykata izraelite dhe vetë Jawad u arrestua gjatë dëbimit të shtëpisë së vëllait të tij./trtworld