Protestat!
Sunday, 17 December 2023 00:26
Nga: Florian Leli
Me emrin e Allahut, të mëshirshmit, mëshiruesit.
Salavatet e Allahut qofshin për profetin tonë, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë atë gjer në ditën e gjykimit.
A janë të lejuara protestat në islam? Është një pyetje e bërë shpesh nga xhemati ynë dhe myslimanët e kohës sonë në përgjithësi. Fillimisht duhet të dimë me bindje të plotë se çdo gjykim sheriatik duhet të kthehet vetëm te argumentet e sheriatit në përputhje me trajtimet që kanë bërë dijetarët e shkencës së usulit, shkencës përgjegjëse për mënyrën e përfitimit dhe të nxjerrjes së konkluzioneve fetare nga tekstet dhe argumentet sheriatike dhe sigurisht në përputhje me mendimet dhe qasjet e fukahave të islamit, veçanërisht katër shkollave të njohura të fikhut.
Njeriu si krijesë e zotit është i ngarkuar me ngarkesa sheriatike, urdhëresa dhe ndalesa, të cilat rregullojnë jetën e tij të përditshme. Në të vërtetë objekt i ngarkesave sheriatike janë pikërisht veprimet e njeriut dhe jo thjesht njeriu si subjekt. Çdo veprim që njeriu kryen në jetë domosdoshmërisht duhet të rregullohet nga ligjet edhe gjykimet sheriatike, për të cilat do të japë llogari në ditën kur do të qëndrojë në këmbë i përulur para gjykatësit suprem, krijuesit të qiejve dhe të tokës, Allahut të madh përveç të cilit tjetër zot nuk ka.
Në parim, veprat e njeriut janë të lejuara për aq kohë sa në në sheriat nuk vjen një argument që dëshmon të kundërtën. Këtu po flasim për veprat e njeriut në përgjithësi, ndërsa adhurimet që në esencë janë adhurime nuk janë të lejuara në forma të tjera nga ato që ka parashikuar sheriati, për shkak të argumentave të shumta që dëshmojnë këtë. Ndërsa veprimet e rëndomta që lidhen me përditshmërinë e njeriut e ato që lidhen me dobitë e lira dhe të pakufizuara në sheriat, në parim janë të lejuara, përderisa i përmbushin njeriut një nevojë të lejuar.
Shehislam Ibën Tejmija thotë: “Veprimet e njerëzve si fjalët ashtu edhe veprat ndahen në dy lloje: në adhurime me të cilat rregullohet feja e tyre dhe në vepra të zakonshme për të cilat kanë nevojë për të rregulluar jetën e tyre. Duke mbledhur dhe studiuar bazat e sheriatit kemi arritur të dimë që adhurimet të cilat Allahu i ka urdhëruar dhe i pëlqen vërtetohen vetëm nëpërmjet sheriatit.
Ndërsa veprimet e zakonshme të cilat njerëzit i veprojnë rëndomtë në jetën e tyre dhe për të cilat kanë nevojë, në parim nuk janë të ndaluara, prandaj asgjë prej tyre nuk konsiderohet e ndaluar përderisa sheriati ta ndalojë. Kjo çështje është kështu sepse urdhërimi dhe ndalimi janë sheriati i Allahut. Adhurimi duhet patjetër të jetë i kërkuar nëpërmjet urdhërit. Ndërsa ato (vepra të zakonshme) të cilat nuk janë kërkuar me urdhër (nga sheriati) si mund të konsiderohen të ndaluara?!
Për këtë arsye, Ahmedi dhe fukahatë e tjerë të hadithit thonë: Origjina e adhurimeve është teukifi prandaj legjitimohet vetëm ajo që Allahu e ka legjitimuar përndryshe përfshihemi në fjalën e Allahut: {A mos kanë vallë ortakë që u kanë legjitimuar në fe atë që Allahu nuk e ka lejuar?!}. Ndërsa origjina e veprave të zakonshme është tolerimi, prandaj nuk bëhet asgjë e ndaluar përderisa Allahu ta ndalojë, përndryshe përfshihemi në fjalën e Allahut: {Thuaj: E shikoni furnizimin që Allahu jua zbritur e ju e keni bërë një pjesë të ndaluar e një pjesë të lejuar?!}.
Kjo është një rregull madhështore dhe e dobishme. Përderisa çështja është kështu themi që shitblerja, dhurimi, qiraja dhe veprat e tjera për të cilat njerëzit kanë nevojë në jetën e tyre, si ngrënia, pirja, veshja, etj, për vepra të tilla sheriati ka vendosur norma morale dhe ka ndaluar atë që është e keqe dhe ka urdhëruar të veprohet ajo që është e domosdoshme, ka urryer atë që nuk shkon dhe ka rekomanduar atë që është më e dobishme. Kjo në lidhje me veprat e zakonshme.
Përderisa kjo çështje qëndron kështu, njerëzit janë të lirë të blejnë dhe të japin me qira si të dëshirojnë, përderisa sheriati nuk e ka konsideruar atë të ndaluar, ashtu siç hanë dhe pinë sipas dëshirës përderisa sheriati nuk e ka ndaluar, pavarësisht se disa veprime mund të jenë të pëlqyeshme dhe disa të papëlqyeshme. Atë që sheriati nuk e ka kufizuar, ajo i përmbahet pakufizimit të saj në origjinë ” Mbaroi fjala e Ibën Tejmijes. (El kauaidul nuranije, f. 112-113).
Në parim, protesta që në arabisht përputhet me fjalën ihtixhaxh (احتجاج) ka një kuptim shumë të gjerë. Ajo nuk është sinonim i demonstratës. Demonstrata si koncept i pavarur mund të jetë protestë por mund edhe të mos jetë, mund të jetë mbështetëse për një kauzë të caktuar. Mund të jetë me demonstim force dhe mund të mos jetë. Prandaj fjala demonstrat në shqip, kur bëhet fjalë për demonstrata proteste përkon me fjalën arabe mudhahera (مُظاهَرة) dhe kur është në formë mbështetje përshtatet më shumë me fjalën arabe mesirah (مَسيرة). Për këtë të dytën përdoret edhe fjala manifestim. Pra mes fjalës protestë dhe demonstratë ekziston një lidhje përgjithësimi dhe veçantie e pjesshme.
Në parim, protestimi me kuptimin e përgjithshëm të tij, si një veprim i zhveshur nga elementi i tubimit është legjitim në fenë islame pa më të voglin dyshim, madje është nga të drejtat themelore të njeriut mbi të cilat bazohet e drejta islame. Rastet në epokën e profetit s.a.v.s dhe në epokën e sahabëve janë të shumta.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se një burrë kishte një borxh pa marrë te profeti sallallahu alejhi ue sellem. Kur erdhi ta kërkonte i foli profetit aq ashpër sa sahabët u bënë gati për ta kapur e për t’i folur, por profeti i ndaloi me qortim dhe u tha: Lëreni! Kërkuesi i së drejtës ka të drejtë të flasë.Pastaj i urdhëroi sahabët t’ia kthenin devenë që e kishte dhënë borxh, por gjetën vetëm deve me moshë më të madhe dhe profeti sallallahu alejhi ue sellem u tha: “Jepjani! Më i miri ndër jush është ai që borxhin e shlyen në mënyrën më të mirë”.
Munaviu në shpjegimin e këtij hadithi thotë: “(Kërkuesi i së drejtës) pra borxhit (ka të drejtë të flasë) të kërkojë me forcë dhe të debatojë me forcë”.
I dërguari i Allahut edhe pse u përball me një kërkesë të ashpër nga kërkuesi i borxhit, për të cilin thuhet që ishte prej çifutëve, jo vetëm nuk ia mohoi borxhin dhe jo vetëm ia ktheu borxhin me vlerë më të lartë, por nuk ia mohoi as të drejtën që të fliste dhe të shprehej përderisa e drejta ishte në anën e tij.
Ajetet e para në suren Muxhadele janë një shembull tjetër që dëshmon për pohimin e të drejtës së protestimit për të arritur një kërkesë të drejtë në syrin e kërkuesit.
Protestimi për të kërkuar një të drejtë ose për një kërkesë, në thelb është i lejuar dhe po të mblidhnim çdo argument që dëshmon për këtë do të na duheshin faqe të tëra. Nëse lejohet për një individ përse nuk lejohet për dy individë?! Nëse lejohet për dy individë përse nuk lejohet për një grup?! Nëse lejohet për një grup të vogël përse nuk lejohet për një grup më të madh?! Padyshim që ai është i lejuar, por i kufizuar me forma të drejta që nuk cënojnë liritë dhe të drejtat e të tjerëve.
Ndalimin e protestimit individual ose në grup dhe gjithashtu edhe ndalimin e protestave masive atëherë kur e drejta është në anën e tyre nuk e kemi hasur në asnjë medhheb prej medhhebeve të fukahave myslimanë. Librat e fikhut dhe shkollat e njohura të fikhut, të cilat nuk kanë lënë as gjërat më të hollësishme pa i shqyrtuar, nuk kanë përmendur ndalimin tërësor të protestimit dhe të protestave. Trembëdhjetë shekuj me rradhë një ndalim i tillë nuk ka qenë i njohur, derisa dolën disa fetva bashkëkohore që i ndalojnë protestat totalisht pa bërë dallime mes të drejtës dhe të padrejtës, mes të dobishmes dhe të padobishmes, mes asaj që rregullon dhe mes asaj që çrregullon.
Mosgjykimi i fukahave të katër medhhebeve dhe i fukahave të fikhut islam në përgjithësi gjatë gjithë historisë së fikhut, mosgjykimi i tyre për ndalimin e protestave është dëshmi e qartë dhe e prerë që ato janë të lejuara në origjinë, ose janë një mesleha mursele, pra janë dobi të lira dhe të pakufizuara nga sheriati të cilat trajtohen në varësi të rrethanave, dobive dhe funksioneve që kryejnë, herë janë të lejuara dhe herë janë të ndaluara. Janë të lejuara atëherë kur janë të drejta dhe dobiprurëse dhe janë të ndaluara atëherë kur janë të padrejta dhe çrregulluese. Përndryshe ata janë të detyruar të sjellin fjalët dhe vendimet e fukahave për ndalimin e protestave.
Dikush mund të thotë: Protestimet nuk kanë ekzistuar prandaj nuk kanë folur.
Padyshim ky supozim i rremë është tërësisht i pabazë. Nuk ka shoqëri njerëzore gjatë rrjedhës së historisë në të cilat të mos ketë ekzistuar një formë apo mënyrë proteste, me ose pa të drejtë. Protestimi është një proçes i pandashëm nga shoqëria njerëzore. Ai mund të ndryshojë në formë dhe përmbajtje por në thelb është i njëjtë.
Kjo dëshmon prerazi që fukahatë forma të tilla i kanë konsideruar prej atyre që njihen si mesalih mursele, dobi të pakufizuara të cilat nuk hyjnë te një kategori e caktuar gjykimi, as te urdhërimi dhe as te ndalimi, por janë lënë të lira nga sheriati dhe gjykimi i tyre kthehet te rrethanat, qëllimet dhe funksioni që ato kryejnë.
E megjithatë protestat kanë ekzistuar edhe në formën që janë sot. Librat e historisë islame janë të mbushura me raste të tilla. Jo vetëm kanë ekzistuar por në krye të tyre kanë qënë edhe fukahatë në shumë raste.
Fakihu dhe dijetari i njohur hanbeli Ibën Xheuziu në historikun e tij me titull “El muntedham fi tarihil muluki uel umem” ka përmendur shumë histori të tilla. Prej tyre mund të paraqesim këto dy protesta.
E para është një protestë hanbelite e vitit 464 h. Ibën Xheuziu tregon se në muajin e xhumadës së dytë, një fakih hanbeli me emrin Ebu Sad ibën Ebi Umame, hasi një këngëtare në rrugë që sapo kishte dalur nga shtëpia e një turku dhe ia morri mandolinën e ia preu telat. Ajo i tregoi turkut në fjalë për rastin e ndodhur dhe ai dërgoi njerëzit e tij për t’i prishur shtëpinë Ebu Sadit dhe ia mbathi. Atëherë hanbelitë u mblodhën sëbashku pranë xhamisë së madhe të pallatit të kalifatit, duke thirrur me të madhe dhe kërkuar drejtësi aq sa në mesin e tyre hyri edhe shejh Ebu Ishak Shiraziu, imami i shafive në Bagdad në atë kohë, autori i librave të famshëm “Et tenbih” dhe “El lumah”, i cili ka mbuluar botën me dijen e tij. Autori i librit “El muhedhdheb”, për shpjegimin e të cilit imam Neveviu ka hartuar një nga librat më me nam në fikhun islam “El mexhmu”. Ja ku janë fukhatë e hanbelive me në krye fakihun e shafive që u prijnë protestave në xhaminë qendrore të kalifatit. (Për më gjerë shiko librin “El muntadham”, vëll. 138, f. 16)
E dyta është një protestë e zhvilluar në vitin 458 h. Ibën Xheuziu, Allahu e mëshiroftë, përmend se një numër i pamasë njerëzish nga lagjet e Bagdadit, të cilat Ibën Xheuziu i përmend një e nga një, pasi mbyllën dyqanet e tyre u mblodhën përpara pallatit të kalifes dhe në krye u prinin thirrësit dhe lexuesit e Kuranit (kështu thotë Ibën Xheuziu) dhe u mblodhën mu te porta e Gurbes, një nga portat e pallatit të kalifit. Ishin aq shumë sa nuk i zinte vendi. Ata thirrën e thirrën pa teklif dhe i lëshuan gjuhët (kështu thotë Ibën Xheuziu) derisa kalifi u detyrua t’i qetësonte dhe të merrte masa të menjëhershme për largimin e së keqes që kundërshtonin dhe për t'iu përgjigjur kërkesave të protestuesve. (Shiko librin “El muntedham” vëll. 16, f. 94).
Ata që i ndalojnë protestat pa dallim fillimisht janë të detyruar të paraqitin argumentet nga Kurani dhe suneti për ndalimin e tyre, argumente të cilat nuk i kanë sepse nuk i kanë paraqitur asnjëherë. Më pas janë të detyruar të paraqitin ku i kanë ndaluar fukahatë protestat tërësisht dhe pa shtjellim gjatë gjithë këtyre shekujve, përndryshe këto janë mendime bashkohore që nuk kanë ekzistuar më parë.
Si argument për ndalimin e tyre ata kanë paraqitur dy argumenta: I pari: I dërguari i Allahut dhe sahabët nuk i kanë vepruar. I dyti: Protestat të gjitha janë sherr dhe të këqija.
Diskutimi i argumentit të parë: I dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk i ka vepruar.
Kjo mënyrë argumentimi është e pamjaftueshme për të përfituar ndalimin e protestave tërësisht, për shumë arsye.
Arsyeja e parë: Mosveprimi i të dërguarit të Allahut hyn te kategoria e lënies së një veprimi, të cilën dijetarët e usulit e trajtojnë në çështjen e lënies së veprimit që në terminologjinë e tyre quhet et terk (التَّرك). Shkaqet pse i dërguari i Allahut e lë dhe nuk e vepron një veprim janë të shumta dhe të larmishme. Lënia dhe shmangia e një veprimi për shkak se ai është i ndaluar është vetëm një shkak prej këtyre shkaqeve.
Një prej dijetarëve që i kanë sqaruar këto shkaqe është edhe imam Shatibiu. Jo pa qëllim po përzgjedh imam Shatibiun, këtë imam të njohur maliki, pasues të medhhebit maliki, për shkak se fjalët e tij shumë herë janë deformuar nga të paditurit. Në librin e tij të njohur në shkencën e usulit “El muafekat” pasi përmend që lënia e një veprimi mund të jetë për shkak të ndalesës, haramit ose mekruhit, ai rendit edhe shkaqe të tjera (përmbledhtasi):
1- Për shkak të mospëlqimit personal që kthehet te natyra e njeriut, si në rastin e mosngrënies së mishit të dabit.
2- Lënia e diçkaja për shkak të një krijese tjetër, si në rastin e ngrënies së hudhrës për shkak të melekëve. Shatibiu thotë që ky lloj i lënies hyn te mubahu (e lejuara) jo e papëlqyera (mekruhu).
3- Lënia e një vepre nga frika se mos bëhet farz, megjithëse ajo është e lejuar, madje mund të jetë mustehab.
4- Lënia e një pjese të caktuar të lejuar, atëherë kur tërësia e saj është e ndaluar, nga frika e keqkuptimit.
5- Lënia e asaj që është thjesht e lejuar, për diçka më të mirë, sepse në fund të fundit e lejuara është në dorë të njeriut, nëse e do e vepron e nëse jo e lë.
6- Lënia e diçkaje nga frika se mos ndodh diçka me më shumë dëm sesa dobia e asaj vepre. (Shiko librin “El muafekat”, botim i shtëpisë botuese “El kitabul arabi”, f. 710-712, përmbledhtasi).
Shatibiu përmendi vetëm gjashtë raste pse profeti e lë një veprim të lejuar në esencë dhe në fe. Dijetarë të tjerë kanë përmendur edhe shumë shkaqe të tjera për lënien e mubahut (të lejuarës). Mjafon këtu të përmendet fakti që vetë përkufizimi klasik i të lejuarës (mubahut) si dispozitë fetare është ai veprim që lënia e tij është i njëjtë me veprimin e tij. Pra mubah është ajo gjë që mund të lihet dhe të veprohet sipas dëshirës. Veprimi dhe mosveprimi i së lejuarës është i njëjtë. Sikur vetëm nga kjo pikë të nisemi vetëkuptohet që jo çdo gjë të lejuar duhet medoemos që profeti ta veprojë. Mubahu si kategori është i paskajshëm, është pa fund. Veprat e lejuara nuk mund të kufizohen në numër dhe si të pafundme që janë profeti dhe njeriu në përgjithësi vepron ç’të dojë prej tyre dhe lë ç’të dojë.
Rrjedhimisht arsyetimi me lënien e diçkaje nga profeti për konsiderimin haram dhe të ndaluar është i paplotë dhe pamjaftueshëm, sidomos kur ne po flasim për kategorinë e veprimeve të zakonshme, të cilat në origjinën e tyre janë të lejuara dhe nga kjo origjinë ato i largon vetëm argumentimi i qartë sheriatik.
Arsyeja e dytë pse mosveprimi i protestave nga ana e profetit nuk është argument i plotë. Kush vëren me kujdes veprimtarinë e profetit sallallahu alejhi ue sellem në Mekë ka për t’u bindur se e tërë veprimtaria e tij ka qenë një protestë e gjallë dhe një kundërshtim i hapur kundër injorancës në Mekë, kundër pushtetit fisnor të padrejtë në Mekë, duke përfshirë çdo padrejtësi nisur nga padrejtësia më e madhe që është shirku dhe kufri.
I dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem nuk kishte nevojë të dilte me pankarta, sepse ai po bënte shumë më tepër se kaq. Ai po përballej dhe kundërshtote parinë mekase me trupin e tij, me jetën e tij e me gjithçka që kishte. Edhe ne sot po të bëjmë përballje të tilla nuk kemi nevojë për protesta. Por duke qenë të dobët si në vetet dhe në besimin tonë, ashtu edhe në shoqërinë ku jetojmë, detyrohemi të kthehemi te mekanizma dhe instrumente të tjerë të përshtatshme për kohën dhe realitetin tonë.
Ebu Xhehli, i cili përfaqsonte pushtetin fisnor në Mekë dhe ishte i pari më mesin e parisë së Mekës, e ndalonte herë pas here profetin sallallahu alejhi ue sellem të falej në Qabe dhe pranë saj, e megjithatë profeti prap dilte, prap falej dhe e kundërshtonte haptas, si sfidë dhe protestim ndaj padrejtësë së tyre. Profeti nuk mjaftohej vetëm me thirrje dhe davet të butë, me këshilla dhe fjalë prekëse, përkundrazi dilte dhe dilte haptas në kundërshtim me parinë mekase. Këtë e kanë përmendur dijetarët në komentimin e ajetit të sures Alak {A e ke parë atë që e ndalon (9) një rob atëherë kur ai falet (10)}.
Një herë Ebu Xhehli e gjeti profetin të falej te Mekami i Ibrahimit, pranë Qabes dhe i tha: O Muhamed! A nuk ta kam ndaluar këtë?! E profeti ia ktheu me vrazhdësinë më të madhe që mundet dhe e kërcënoi. E transmeton Tirmidhiu.
Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi (shkurtimisht) se i dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem po falej pranë Qabes dhe Ebu Xhehli urdhëroi dikë që të sillte të brendshmet e një deveje që ishte therur një ditë më parë dhe kur ra në sexhde ia hodhi mbi kurriz dhe profeti s.a.v.s. mbeti ashtu deri sa erdhi Fatimja, e cila atëkohë ishte akoma një vashë e re dhe ia hoqi dhe i dërguari i mallkoi aq sa u frikësuan, mallkim që i zuri në betejën e Bedrit.
Profeti u vra, u pre, u gjakos, u dhunua, por kurrë nuk e la kundërshtimin haptasi të parisë së Mekës me plot kuptimin e fjalës kundërshtim. Ai bashkë me shokët i tij u dhunuan me çdo formë dhune, por prap vazhduan përballjen deri në ditën e fundit në Mekë, derisa u ndoqën këmba këmbës edhe ditën kur po largoheshin për në Medine. A pas kësaj mund të thuhet që profeti nuk protestonte?! Profeti ka bërë më shumë se protesta dhe protestimi është vetëm një aspekt i pjesshëm i veprimtarisë profetike në Mekë.
Arsyeja e tretë: Protestat në formën që janë sot, nuk kanë qenë frytdhënëse dhe rezultative në shoqërinë e hershme arabe. Kjo është një nga shkaqet e tjera pse profeti dhe sahabët nuk i kanë vepruar. Çdo shoqëri ka karakteristikat e saj. Shoqëritë evulojnë dhe ndryshojnë me kalimin e kohës.
Në organizimet e thjeshta fisnore në shoqërinë arabe të kohës, veprime të tilla kanë qenë të pakuptimta dhe të papërshtatshme. Kuptohet që veprimi i diçkaje të papërshtatshme dhe të padobishme është humbje kohe. Nëse profeti me sahabët do të dilnin në rrugë me pankarta duke ngritur zërin, kjo jo vetëm nuk do të ishte një presion ndaj politeistëve dhe nuk do të kishte ndikim për mirë, por përkundrazi politeistët e Mekës do të gajaseshin së qeshuri. Për këtë arsye themi që profeti i ka lënë ato sepse në shoqërinë ku jetonte kanë qenë të papërshtatshme dhe pa asnjë ndikim, jo thjesht sepse në sheriat janë të ndaluara. Por, nëse atëherë nuk kanë pasur ndikim dhe kanë qenë të papërshtatshme, kjo nuk do të thotë që nuk kanë ndikim dhe dobi në çdo shoqëri gjer në ditën e kiametit. Përgjithësime të tilla janë padyshim të pasakta dhe inkoherente.
Arsyeja e katërt: Protestat si vepra të zakonshme që lidhen me organizimin e jetës së njeriut, jo me adhurimet e tij, janë mekanizëm dhe instrument për të arritur synime të kërkuara në sheriat. Ato nuk janë qëllim në vetvete por janë mjet që përmbush synime të kërkuara në sheriat.
Rregulla kryesore nga rregullat e fikhut islam që rregullon çështjen e mjeteve dhe instrumenteve është rregulla e njohur në mesin e fukahave: Mjetet marrin gjykimin e synimeve (الوسائل لها حكم الغايات). Kjo rregull e njohur është një nëndegë e një rregulle më të përgjithshme dhe më gjithëpërfshirëse që është: Gjërat vlerësohen sipas qëllimeve të tyre (الأمور بمقاصدها).
Këto janë rregullat me të cilat fukahatë trajtojnë çështjet e mjeteve dhe të instrumenteve. Trajtimi vulgar që dëshirojnë të bëjnë disa njerëz të tipit: çdo instrument që nuk e ka bërë profeti nuk është i lejuar, në të vërtetë na shpie në një paralizim tërësor të shoqërisë islame sot. Përgjithësime të tilla, larg trajtimit koherent të fukahave, nënkuptojnë bllokim të të gjithë sferave të jetës bashkëkohore dhe krijojnë probleme të paqena në mesin tonë.
Përderisa për një mjet që përmbush një synim të kërkuar në sheriat, nuk ka ardhur një gjykim i veçantë në sheriat për ndalimin e tij, ai mbetet i lejuar, madje edhe i kërkuar në ato raste kur është mjeti i vetëm për të përmbushur ato synime.
Synimet e kërkuara nga sheriati janë të shumta. Prej tyre është largimi i padrejtësive, kërkimi i të drejtave, ndalimi i së keqes, mbështetja e myslimanëve, etj. Çdo pikë nga këto që përmendëm është një synim në vetvete që janë shtjelluar në Kuran dhe në sunet me argumentet përkatëse gjerë e gjatë, argumente që i kemi sqaruar tjetërkund.
Pika e dytë me të cilën argumentohen ata që i ndalojnë protestat tërësisht është fakti që ato janë sherr dhe të këqija.
Kjo premisë mbi të cilin kanë ndërtuar gjykimin e ndalimit dhe konsiderimin e tyre haram nuk është aspak e vërtetë. Ky totalizim është larg së vërtetës. Këtë premisë të gabuar e hedh poshtë edhe realiteti i prekshëm. Protestat sidomos ato paqësore, për të cilat kryesisht po flasim, japin fryte dhe ndikojnë për mirë pa pasur në shumë raste ndonjë ndikim dhe anë negative. Ato i përmbushin qëllimet e tyre herë pjesërisht dhe herë plotësisht. Ky është realiteti i prekshëm i cili nuk ka nevojë për argumentime për t’u vërtetuar.
Ky pohim do të ishte i vërtetë sikur të formulohej kështu: shpeshherë protestat sjellin dëme dhe trazira. Ky pohim është i vërtetë dhe kjo është pikërisht ajo që ne themi. Protestat në disa raste sjellin dëme dhe trazira prandaj edhe nuk lejohen. Në shumë raste janë në funksion të një kauze të padrejtë dhe qëllimi të mbrapshtë prandaj në raste të tilla janë haram dhe nuk lejohen. Sidoqoftë e lejuara nuk bie poshtë për shkak të së ndaluarës. Ky është një tjetër parim që duhet shtjelluar më gjerë.
Fakti që në disa raste protestat çojnë në trazira dhe janë në shërbim të së keqes dhe të së mbrapshtës nuk e rrëzon kurrësesi faktin që ato në raste të tjera janë larg dëmeve, janë dobiprurëse dhe në shërbim të çështjeve të drejta madje edhe madhore për myslimanët.
Në njërën anë kemi protesta paqësore, me lejet përkatëse të autoriteteve, në shërbim të një çështjeje madhore për ymetin islam si çështja e Palestinës, që përmbush shumë qëllime sheriatike që fillojnë nga mbështetja e myslimanëve e deri te sensibilizimi i opinionit publik në dobi të kësaj çështjeje. Në anën tjetër kemi protesta të dhunshme, të organizuara nga individë ose parti me orientime sekulariste, të humbura, herë herë janë në shërbim të së keqes dhe të haramit dhe herë herë mund të kenë ndonjë farë të drejte, por çojnë në shkatërrimin e pronës publike dhe përdorimin e dhunës pa kriter, etj. Normalisht të parat nuk janë si të dytat. Nuk mundet dhe është jashtë logjikës dhe drejtësisë së sheriatit që ato të futen në një kategori të vetme që është harami. Nëse të dytat janë të ndaluara rreptësisht, ato të parat qendrojnë në skajin tjetër. Nuk mund t’i përfshijmë në një gjykim të vetëm.
Disa të tjerë, prej atyre që i konsiderojnë protestat haram tërësisht, përpiqen të argumentohen me faktin se konkretisht protestat që zhvillohen këto ditë për Palestinën nuk kanë asnjë dobi dhe nuk i përmbushin synimet.
Në fakt, kjo mënyrë argumentimi nuk përputhet me gjykimin se ato janë haram pa dallime. Ai që i konsideron protestat haram totalisht, është e kotë të flasë për dobitë dhe padobitë e tyre. Edhe nëse janë të dobishme ai gjithësesi i konsideron haram. Rrjedhimisht është njëfarë farse që ai të flasë për mospasjen dobi.
Po, dikush që e pranon që protestat lejohen në disa raste, por në rastin konkret për Palestinën pretendon që ato nuk kanë dobi dhe nuk kanë pse të zhvillohen, një person të tillë e respektojmë për mendimin e tij fillimisht dhe më pas përpiqemi t’i sjellim faktet përkatëse pse ato i përmbushin pritshmëritë e tyre atëherë kur organizohen ashtu si duhet. Një person i tillë është i ndryshëm nga i pari. Në fakt, me një person të tillë ne jemi të pajtuar në thelb por të ndarë në disa degëzime. Një person që mbron një mendim të tillë është në realitet në grupin e atyre që i lejojnë protestat si koncept, por kanë rezerva për raste konkrete dhe të caktuara.
Sidoqoftë edhe ai që mendon se ato nuk janë të lejuara totalisht dhe është i bindur në këtë pikë me atë të vetën, edhe ai është i respektuar përderisa këtë mendim e mbron për veten dhe nuk ua imponon me forcë të tjerëve. Në fund të fundit është normale që myslimanët të ndahen në mendime për pika të tilla.
Problemi qëndoron me ata persona që kalojnë në fanatizëm dhe çështjes së protestave i japin dimesione imagjinare. Në njërën anë bërtet me të madhe mos e pasoni Ebu Hanifen, Malikun, Ahmedin e Shafiun verbërisht, e në anën tjetër është i zhytur kokë e këmbë në imitimin e ngurtë të disa emrave bashkëkohorë.
Në njërën anë u tregon myslimanëve që dijetarët e hershëm janë treguar të frenuar në përdorimin e fjalës haram për ato çështje që edhe pse kanë argumente nga Kurani dhe suneti, janë të diskutueshme dhe në to hyn ixhtihadi, prandaj dijetarët e hershëm preferojnë më shumë termat mekruh, e papërqyeshme, e parekomandueshme, e urryer, etj. Ai të sjell edhe fjalë të gjata të Ibën Kajimit dhe të Ibën Tejmijes. Ndërkohë në anën tjetër, sa herë vihet në diskutim çështja e protestave, e gjen atë të flasë pa më të voglin hezitim, haram, haram, haram. Megjithëse ai nuk ka asnjë argument të prerë nga Kurani, ai prap e lëshon termin haram të përforcuar ashpërsisht dhe me plot gojë. Çuditë e tyre nuk kanë të sosur!
Një person i tillë ndryshon nga dy personat e parë. Është pikërisht ky personi problematik që sjell probleme dhe prish punë në shoqërinë tonë myslimane të brishtë. Një i tillë, si imitues i flaktë i disa dijetarëve dhe i paformuar në të shumtën e rasteve në lidhje me dijet e duhura fetare, i stërmadhon çështjet dhe nuk i vendos në vendin e duhur. Një çështje që është degëzim i degëzimeve në fikh ai e trajton si një bazë të padiskutueshme dhe në shumë raste merr edhe vendime drastike ndaj myslimanëve të tjerë duke u ngjitur nofka të fryra dhe të padrejta. Problemi i këtyre personave është shumë kompleks dhe dëmi që ata i sjellin rrethit tonë islam është shumë më i madh se dëmi i supozuar dhe i imagjinuar i protestave. Në fakt dëmin më të madh ata ia bëjnë vetes. Myslimanët e vendit tonë e kanë kaluar periudhën e tranzicionit dhe kanë filluar të kuptojnë më thellë. Ata, punën më shumë se të tjerëve ia prishin vetë veteve të tyre, sepse siç thotë populli ynë: Uthulla e fortë enën e saj prish.
Allahu është më i ditur dhe hamdi vetëm atij i takon në këtë botë dhe në atë tjetrën.