Lidhje


Hulumtim i REL-it: Propozimi i paqes i Rusisë që parashihte "kapitullimin" e Ukrainës

Në fillim të bisedimeve të paqes, që nisën disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, Moska propozoi në një traktat kushtet e njëanshme që cilit kërkonin që Kievi të dorëzohej, thuhet në një draft të dokumentit të siguruar nga Systema, njësia hulumtuese në gjuhën ruse e Radios Evropa e Lirë.

 

Pranimi i propozimit do ta bënte Ukrainën një shtet neutral, me një ushtri të vogël e të papërfillshme, pa mbështetje për mbrojtje nga anëtarët e NATO-s dhe pa mundësi për të rimarrë kontrollin e Krimesë apo Donbasit, ku do të duhej të njihte në tërësi pavarësinë e rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut, përfshirë edhe pjesë të mëdha që aktualisht janë nën kontrollin e Kievit.

 

Pakti i propozuar vë në pah qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, në pushtimin e Ukrainës dhe nga asnjë nga këto qëllime nuk ka hequr dorë publikisht dhe vazhdimisht ka deklaruar se do t’i arrijë. Zbulimi i këtij propozimi vjen në kohën kur lufta po shkon drejt vitit të katërt, pa sinjale të qarta për përfundim dhe në mes të shenjave se bisedimet e paqes munden të jenë opsion më 2025 apo më vonë.

 

Drafti – i titulluar Traktati për zgjidhjen e situatës në Ukrainë dhe neutraliteti i Ukrainës – mban datën e 7 marsit 2022, 11 ditë pasi Rusia nisi pushtimin dhe një javë pasi nisën bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë.

 

I përpiluar në Moskë dhe i dorëzuar te delegacioni ukrainas më 7 mars 2022, në rundin e tretë të bisedimeve –që u mbajt në qytetin Bellavezha të Bjellorusisë – ky ishte dokumenti i parë i njohur që tregonte kushtet e Rusisë për një marrëveshje të paqes pas nisjes së luftës.

 

Systema siguroi draftin nga një burim ukrainas, që ka njohuri me negociatat, dhe nga një burim rus i afërt me bisedimet. Burimet kanë konfirmuar autenticitetin e dokumentit. Dy burimet folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për këtë çështje.

 

Bisedimet nisën më 28 shkurt 2022, në kohën kur forcat ruse kishin marrë nën kontroll pjesë të territorit në jug, lindje dhe veri të Ukrainës, pjesë ku ata kishin përparuar afër Kievit, pasi mësyn përtej kufirit nga Rusia dhe Bjellorusia. Disa runde bisedimesh u mbajtën kokë më kokë, të tjerat online.

 

Procesi u ndërpre në fundin e prillit të po atij viti, kur të dyja palët patën mospajtime për çështje kryesore dhe pas zbulimit të mizorive të kryera nga ushtarët rusë në Buça, në periferi të Kievit pasi forcat pushtuese ishin larguar nga qyteza, teksa po tërhiqeshin nga veriu i Ukrainës. Tërheqja u bë pasi trupat ruse dështuan të merrnin kontrollin e kryeqytetit ukrainas apo që të detyronin Ukrainën të shpallte kapitullimin.

 

 

Varre masive në qytetin e çliruar të Ukrainës


Në propozimin rus përmendeshin kushtet për neutralitetin e Ukrainës, një status që atëbotë Kievi dukej se ishte i gatshëm ta pranonte. Por, Eric Ciaramella, hulumtues i lartë në programin për Rusi dhe Euroazi në Carnegie Endowment for International Peace, tha se Putini duket se ka kërkuar “diçka më radikale, jo neutralitet, por neutralizimin e Ukrainës si shtet i pavarur. Qëllimet e Rusisë që nga fillimi ishin shkatërrimi i aftësisë së Ukrainës për të mbrojtur vete”.

 

Një shtet “mund të jetë neutral dhe të ketë një ushtri shumë të fuqishme dhe të jetë i aftë të vetëmbrohet... Por, kjo nuk ishte ajo çfarë kishte në mendje Rusia”, tha ai.

 

“Dokumenti ishte hartuar në atë formë që paraqiste Ukrainën si agresore, të mposhtur në fushëbetejë, që, në fakt, nuk përkon me realitetin”, tha Ciaramella për draftin rus që mban datën e 7 marsit të vitit 2022, të cilin e lexoi me kërkesën e REL-it. “Është vështirë të thuhet nëse kjo ishte një përpjekje e sinqertë për negocim, prandaj kushtet do të ishin të papranueshme për çdo ukrainas. Ata do ta neutralizonin Ukrainën deri në pikën sa ta bënin shtetin të paaftë për ta mbrojtur veten”.

 

Drafti bënte thirrje që Ukraina të tkurrte ushtrinë e saj, e cila do të duhej të kishte jo më shumë se 50.000 pjesëtarë, apo pesë herë më pak sesa kishte më 2022. Po ashtu, dokumenti kërkonte që Ukraina të mos zhvillonte apo dislokonte raketa me rreze veprimi mbi 250 kilometra. Moskës, po ashtu, sipas dokumentit, do t’i lejohej që në të ardhmen të ndalonte edhe armë të llojeve të tjera.

 

Dokumenti po ashtu bënte thirrje për largimin e të gjitha sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga Ukraina apo Perëndimi që nga viti 2014, kur Rusia mori nën kontroll Krimenë dhe nxiti luftën në Donbas.

 

Ukraina do të detyrohej që zyrtarisht ta njihte Krimenë si ruse dhe rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut si rajone të pavarura. Kievi po ashtu do të duhej të paguante për rindërtimin në Donbas.

 

Pakti do ta linte Ukrainën të cunguar dhe shumë të cenueshme, me forcat ruse që do të vazhdonin të qëndronin në shtet dhe duke mos i ofruar Kievit asnjë mënyrë për të mbrojtur veten apo për të kërkuar mbështetje të sigurisë nga Perëndimi.

 

Dokumentet nga fazat e mëvonshme të bisedimeve, përfshirë drafte të traktatit nga 17 marsi dhe 15 prilli u publikuan më herët gjatë këtij viti nga The New York Times. Këto drafte tregonin se palët ishin afruar në disa çështje kur përparuan bisedimet dhe teksa Ukraina mposhti forcat e Moskës në veri.

 

Për shembull, zgjidhja e statusit të Krimesë ishte paraparë të lihej për negociata të mëvonshme dhe kërkesat tjera ruse për ndryshime në legjislacion, përfshirë gjuhët dhe mospajtimet e tjera historike. Atëbotë, palët po diskutonin për garancitë e sigurisë për Ukrainën që do të përfshinin shtetet perëndimore, megjithëse mënyrat se si do të ndodhte kjo ishte një mollë sherri për palët.

 

Megjithatë, Ciaramella sugjeroi se mënyrat thelbësore kanë ndryshuar pak.

 

“Versionet që janë diskutuar disa javë më vonë në Stamboll dhe në takimet online bazoheshin në logjikën thellësisht të gabuar ruse që përkonte me tekstin fillestar”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Nëse do të nënshkruhej traktati, versioni i tij përfundimtar në prill do të ishte paksa një version më i zbutur i kapitullimit ukrainas”.

 

Draftet e tjera po ashtu përfshinin disa nga kërkesat kryesore të Rusisë, sikurse ndalimi i përhershëm i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, diçka që as Kievi, e as aleanca perëndimore, nuk janë të gatshëm ta pranojnë. NATO-ja vazhdimisht ka thënë se Ukraina një ditë do t’i bashkohet aleancës dhe presidenti Volodymyr Zelensky, ka kërkuar ftesë të shpejtë si pjesë e “planit të tij për paqe” që ua ka prezantuar javëve të fundit ukrainasve dhe mbështetësve perëndimorë.

 


Në të paktën një mënyrë, ndërkohë, kushtet e paraqitura nga Rusia për paqe janë bërë më agresive sesa ishin më 7 mars 2022.

 

Në shtator të po atij viti, Putini pretendoi se pesë rajone ukrainase – Krimeja, Donjecku, Luhansku, Zaporizhja dhe Hersoni – ishin pjesë e patjetërsueshme e Rusisë. Pretendimi i pabazë përfshinte pjesë të këtyre rajone që ende janë nën kontrollin e Kievit, dhe Putini ka deklaruar se kontrolli rus mbi këto territore është kusht për çdo negociatë për paqe.

 

Përgatiti: Mimoza Sadiku/nga REL

XS
SM
MD
LG