Lidhje


SHBA afirmon të drejtën e Turqisë për të përndjekur PKK-në, por shmang pyetjet lidhur me YPG-në

SHBA rikonfirmoi njohjen e "të drejtës legjitime" të Türkiyes për të ndjekur PKK-në, por shmangu një pyetje për degën siriane të grupit terrorist, YPG, me të cilën SHBA janë partnerë në Siri për të luftuar DEASH-in, raporton Anadolu.

 

"Ne e kuptojmë të drejtën legjitime të Türkiyes për të ndjekur një organizatë të cilësuar si terroriste", u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, duke shtuar se Washingtoni vazhdon ta përkufizojë PKK-në si një organizatë terroriste.

 

Kur u pyet nga Anadolu për YPG-në, dega siriane e PKK-së, të cilën Türkiye dhe SHBA e cilësojnë si organizatë terroriste, Miller e shmangu pyetjen, duke thënë: "Unë do të flisja në lidhje me PKK-në".

 

"Ne kemi cilësuar PKK-në (si terroriste) dhe respektojmë të drejtën e tyre (Türkiyes) për të ndjekur atë organizatë" shtoi ai.

 

Duke vënë në dukje se Siria është aktualisht në një gjendje "të brishtë", Miller shtoi: "Ne nuk duam të shohim asnjë palë të ndërmarrë një veprim për të ndjekur interesat e veta të njëanshme mbi interesat më të gjera të popullit sirian".

 

Miller mbrojti gjithashtu partneritetin e SHBA-së me Forcat Demokratike Siriane (SDF), të cilat udhëhiqen nga YPG, duke deklaruar se këto forca luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e DEASH-it.

 

"Është në interes të Türkiye, në interes të popullit sirian dhe të të gjitha vendeve në rajon që ISIS (DEASH) të mos ngrejë kokën përsëri, që luftëtarët e ISIS-it (DEASH-it) të cilët mbahen në paraburgim nga SDF, të mos lirohen", tha ai.

 

Miller theksoi angazhimin e vazhdueshëm me zyrtarët turq, duke thënë se "është një çështje jashtëzakonisht e vështirë, por ne vazhdojmë të angazhohemi me homologët tanë turq".

 

I pyetur pse SHBA-ja nuk e konsideron bashkëpunimin me aleatin e saj të NATO-s, Türkiyen, në vend të YPG-së për të luftuar DEASH-in, ai tha: "Ne e kemi diskutuar këtë me aleatin tonë të NATO-s dhe po përpiqemi të arrijmë rrugën më të mirë përpara".

 

"Ajo që ne po përpiqemi të shmangim është që Siria të kalojë edhe një herë në luftime sektare, pasi sapo doli nga regjimi i Asadit që mbështetej në një luftë civile brutale, shumëvjeçare dhe ne nuk duam të shohim ndonjë veprim që do të destabilizonte më tej situatën", shtoi ai.

 

Kur u pyet sërish nga Anadolu nëse veprime të tilla përfshijnë edhe ato të Izraelit, të tilla si zgjerimi i ndërtimit të vendbanimeve në Lartësirat e pushtuara siriane të Golanit dhe bombardimet izraelite në pjesë të ndryshme të Sirisë, ai tha se kjo përfshin "çdo palë në rajon", por nuk e përmendi në mënyrë specifike Izraelin.

 

Ai më vonë mbrojti pushtimin nga Izraeli të zonës tampon të çmilitarizuar në Lartësirat e Golanit të Sirisë, duke thënë se Izraeli e ndërmori veprimin sepse e pa ushtrinë siriane të tërhiqej nga zona tampon dhe kjo krijoi një vakum që mund të mbushej nga grupet që Izraeli dhe SHBA i konsiderojnë grupeve terroriste. "Ata kanë thënë se është e përkohshme", shtoi ai./AA

XS
SM
MD
LG