Lidhje


Alarmi, Shqipëria me cilësinë më të keqe të ujërave në plazhe në Europë, vetëm 16% të shkëlqyera

Ndërsa Shqipëria po përjeton një lulëzim turistik dhe plazhet në mbarë vendin janë të mbushua me pushues të huaj, qeveria ka bërë shumë pak, ose aspak për të garantuar cilësinë e ujërave të deteve, liqeneve e lumenjve, duke rrezikuar që kjo situatë ti kthehet në një bumerang.

 

Shqipëria renditet e fundit në Europë për cilësinë e ujërave për not, sipas raportit të publikuar këtë javë nga Agjencia Europiane për Mjedisin (EEA), në bashkëpunim me Komisionin Europian.Raporti, i cili analizon të dhënat e vitit 2023 për sezonin e notit në 2024, përfshin më shumë se 22,000 pika notuese në det, liqene dhe lumenj në të gjithë Bashkimin Europian, si dhe në Shqipëri dhe Zvicër. Në Shqipëri janë vrojtuar 119 pika.

 

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm 16% e ujërave të monitoruara në Shqipëri janë klasifikuar me cilësi “shkëlqyer” – vlerësimi më i ulët mes të gjitha vendeve të përfshira në raport, ndërkohë që mesatarisht Bashkimi Europian ka 85.4% të ujërave me cilësi të shkëlqyer.

 

Ky rezultat përfaqëson një përkeqësim të ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, kur rreth 41% e pikave të notit në vend ishin të klasifikuara me këtë nivel të lartë. Për më tepër, raporti nënvizon se disa prej pikave më problematike ndodhen përgjatë vijës bregdetare, e cila është kthyer në një magnet për turizmin ndërkombëtar vitet e fundit.

 

46% e ujërave të monitoruara në vend rezultojnë me cilësi të mirë, 11.8% kanë cilësi të mjaftueshme dhe 22.7% kanë cilësi të dobët. Përqindja e ujërave që konsiderohen me cilësi të dobët është shumë më e lartë në raport me vendet e tjera të monitoruara, ku shteti i dytë pas nesh, Estonia, ka vetëm 4.6% të ujërave me cilësi të dobët.

 

Në kontrast të plotë me Shqipërinë, vende si Qipro, Austria, Greqia dhe Kroacia kanë ruajtur ose përmirësuar rezultatet e tyre. Në krye të renditjes qëndron Qipro, me 99.2% të ujërave të saj të klasifikuara si me cilësi “shkëlqyer”. Më shumë se 85% e të gjitha pikave për not në BE janë vlerësuar me këtë cilësi, ndërsa 96% përmbushin standardet minimale të Direktivës për Ujërat e Destinuara për Not.

 

Sipas EEA, arsyeja kryesore për këtë renditje të dobët të Shqipërisë lidhet me nivelin ende të pamjaftueshëm të investimeve në sistemet e trajtimit të ujërave të ndotura. Shpesh, ujërat e zeza të papërpunuara derdhen drejtpërdrejt në det apo në lumenj, duke ndikuar rëndë në cilësinë e përgjithshme të mjedisit ujor.

 

Përveç kësaj, raporti vë në dukje se reshjet intensive dhe përmbytjet e herëpashershme – gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike – mund të shtojnë ndjeshëm ndotjen nga rrjetet e kanalizimeve.

 

Edhe pse Shqipëria ka përparuar ndjeshëm në sektorin e turizmit detar, raporti shtron alarmin se mungesa e investimeve bazë në infrastrukturën e mjedisit po dëmton rëndë perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. EEA thekson se vendet që kanë bërë progres në këtë drejtim — si Kroacia dhe Sllovenia — kanë përfituar jo vetëm në cilësinë e jetës dhe shëndetin publik, por edhe në tërheqjen e turistëve me kërkesa gjithnjë e më të larta për standarde mjedisore.

 

Raporti rekomandon masa urgjente për vendet me renditje të dobët, përfshirë ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, forcimin e monitorimit sezonal dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale në kontrollin dhe mbrojtjen e mjedisit. “Ujërat për not janë një pasuri e përbashkët europiane dhe një tregues i drejtpërdrejtë i lidhjes mes mjedisit dhe shëndetit publik,” thuhet në përmbledhjen ekzekutive të raportit.

 

Nëse trendi aktual nuk përmbyset, Shqipëria rrezikon të humbasë jo vetëm reputacionin si destinacion turistik, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit. Në prag të një sezoni të ri turistik, raporti i EEA përbën një thirrje të qartë për veprim./monitor.al

 

XS
SM
MD
LG