Mbyllet sesioni X! Legjislatura e 11-të me klounë të rinj dhe të vjetër, pa dobi për popullin!

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë zhvilloi këtë të enjte seancën e fundit plenare të legjislaturës së 10-të, një seancë e zhvilluar si gjithmonë pa ndonjë dobi për popullin dhe mes debateve, akuzave, miratime, prezencë opozite sa për të zënë karriget. Seanca vulosi një epokë të gjatë të debateve, premtimeve boshe, sherreve, kaosit, opozite që vetëm frymoi, dhe pozite që ka çdo gjë në dorë, përveç detyrës për t’i shërbyer popullit.
Në këto 4 vite të legjislaturës 10-të, nga shatori 2021 deri në korrik 2025 Parlamenti u përfaqësua nga PS, partisë mavi në pushtet që kishte në dorë vendin në një mandat të tretë, teksa në këto 4 vite do të mbahet mend për akuzat për korrupsion, afera të mëdha që dolën në dritë si çështja e inceneratorëve, arrestimeve të eksponentëve kryesor të PS, si Lefter Koka.
Ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt, arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, por jo vetëm. Në këto 4 vite, PS u shoqërua me skandale brenda partisë, akuzave të Ahmetajt në arrati për kryeministrin dhe jo vetëm. Në këto 4 vite PS do të mbahet mend për prishjen e relatave me Veliajn të cilit avash-avash ia bëri puçin nga pas, teksa sot ndërsa Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit, timoni i bashkisë është marrë nga kryeministri. Në këto 4 vite është rritur numri i të rinjve në emigrim, janë rritur çmimet, sidomos në 2022-2023, vite ku preku shtresat e mesme dhe të varfra, rritja e pagave ka qenë e vonuar dhe jo në përputhje me inflacionin. PS është kritikuar dhe për përqendrimin e pushtetit në duart e kryetarit të saj, njëherësh kryeministër, Edi Rama. Ky i fundit nuk ka kursyer as tensionet me gazetarët, mediat, ndërsa ka një kontroll të fortë në parlament që i lejon të kalojë ligje pa opozitë reale. PS dhe figura të lidhur me të janë përballur dhe me akuza për klientelizëm dhe mungesë konkurrence në tenderë publike, për klientelizëm dhe mungesë konkurrencë në tenderë publikë si dhe Partneritet Publike Private u kritikuan për favorizim të bizneseve të lidhura me qeverinë. Pavarësisht këtyre anëve të errëta, PS do të ketë sërish pushtet për 4 vitet e ardhshme në Shqipëri.
Nga ana tjetër, në këto 4 vite të legjislaturës 10-të, nga shatori 2021 deri në korrik 2025 Parlamenti u përfaqësua edhe nga PD, një opozitë që nisi këtë katërvjeçar me përçarje brenda partisë. Nisi me përjashtimin e Bashës nga grupi parlamentar i PD një ditë para se të niste legjislatura e 10-të, konkretisht 9 shtator 2021. Do të mbahet mend për shpalljen "non grata" nga SHBA të Sali Berishës. Më 8 janar 2022, brenda shtëpisë së partisë blu nisi lufta për vulë dhe logo. Kampi blu u nda në dy linja, një e drejtuar nga Sali Berisha, Rithemelimi dhe tjetra e njohur ligjërisht, fillimisht nga Basha, më pas nga Alibeaj/Bardhi. Pikërisht këto sherre brenda shtëpisë, bën që të humbin besimin në publik dhe i dha fuqi PS që të zgjidhet si më i miri i të këqijve. Në këto 4 vite, opozita do të mbahet mend për arrestimin e Ervin Salianjit nga PD dhe Ilir Metës nga PL, arrestime që krijuan kaos, tensione në parlament dhe bojkot të seancave nga ana e opozitës, të shoqëruar me dhunë, djegie karrigesh, protesta. Në disa raste, PD nuk pati qëndrim unik për çështje të rëndësishme në Kuvend. Disa deputetë bojkotuan ose nuk morën pjesë në procese legjislative të rëndësishme. Mungesa e një kandidati unik përballë PS-së ishte fatale për opozitën që dhe për 4 vite të tjera do të qëndrojë në hije. Ndoshta i vetmi gëzim në Partinë Blu, për popullin simpatizantë të kësaj force, mund të jetë lirimi i Berishës nga arresti shtëpiak, por në tërësi PD e ka humbur sensin, teksa dhe për 4 vite të tjera, ndërkohë që kundërshtari politik do të gëzojë mandatin e katërt, PD do të vijojë të bëjë zhurmuesin në Parlament, pa asnjë dobi as për popullin në tërësi dhe as për demokratët e zjarrtë.
Gjatë kësaj legjislature u zhvilluan 189 seanca plenare, por në asnjërën nuk u prekën hallet e popullit. Këto të fundit u jetuan në periudhën e fushatave para 11 Majit, por u harruan akoma pa dalë muaji. Sa i përket deputetëve të kësaj legjislature do të vijojnë të mbajnë mandatin e tyre deri në muajin shator kur do të zëvendësohen nga deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 Majit. Ndonëse këto deputetë nuk do të kenë fuqi vepruese për të miratuar ligje dhe nuk do të jenë më pjesë e legjislaturës së re që nis në shtator, 82 deputetët do të vazhdojnë të marrin gjysmën e pagës mujore nga buxheti i shtetit për deri në tre vite, në bazë të legjislacionit aktual që rregullon statusin e funksionarëve të lartë publikë. Më konkretisht paga mujore bruto e një deputeti është 310 mijë lekë, çka do të thotë se secili nga ish-deputetët do të përfitojë 155 mijë lekë në muaj deri në vitin 2028. Më konkretisht do të vijojnë të marrin pagë 45 deputetë të mazhorancës socialiste, 34 deputetë të opozitës, 3 deputetë të Partisë Socialdemokrate.
Me mbylljen se sesionit të 10-të parlamentar 2012-2025, mbetet pas një realitet i hidhur për qytetarët. Një legjislaturë që përfundoi pa sjellë ndryshime thelbësore për jetën e qytetarëve dhe me një klimë politike të përçarë. Deputetët morën rrogat e tyre, bënë sikur ngritën zërin e atyre që i votuan, u zunë në sallën e seancave dhe u përqafuan në oborrin e Kuvendit. Kuvendi për këto 4 vite u shndërrua në një teatër retorik, ku protagonizmi politik zëvendësoi përfaqësimin e qytetarëve. Ky sesion përfundoi, por të imagjinojmë pak si do të jetë sesioni i ri parlamentar. Imagjinoni pak si do jenë punimet e seancave plenare pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Ndaluni për një çast dhe imagjinoni si do të jetë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në shtator të këtij viti! Do të keni Zegjinenë me historinë e saj të dashurisë ndaj Bardhit, do të keni Sara Milen do të keni Arian Ndojën i PD me të shkuar të errët. Në legjislaturën e 11-të të Parlamentit shqiptar do të ulen në karriget e Parlamentit shqiptar 72 deputetë të rinj si nga shumica ashtu dhe partitë e opozitës. Deputetët që marrin një mandat për herë të parë më së shumti janë prurje të Partisë Socialiste, plotë 53 nga 83 mandate që do të ketë prej Shtatorit kjo forcë, ku 46 e kishin vendin e sigurt në listat e kandidatëve. Nga ana e Partisë Blu që u tkurr në 50 mandate, vetëm 6 emra erdhën nga vota preferenciale, mes te cilëve vetëm një grua, Jorida Tabaku që do të jetë deputete e Tiranës edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar. Do të keni përfaqësues nga Mundësia që fitoi 2 mandate rikthehet në Parlament kryetari Agron Shehaj dhe një tjetër deputet në Tiranë, ndërsa 2 forcat e tjera do të ulin për herë të parë secila nga 1 deputet.
Ky sesion i dhjetë u përmbyll pa asnjë përfitim real. Asgjë nuk u reflektua në jetën e qytetarëve të cilët kanë mbetur në shpresë të Zotit për 4 vitet e ardhshme. Në fund, ky Kuvend do të mbahet mend si një trupë që diskutoi më shumë për veten sesa për popullin, ku opozita dhe mazhoranca humbën energji në sulme personale, dhe ku populli, edhe një herë, nuk pa të mirë nga ata që paguan me taksat e veta. Populli do të vijojë të mos shohë dobi nga deputetët, por vetëm do të shohë një tjetër katërvjeçar me një spektakël të shëmtuar politik, ku humbësit e vetëm do jenë qytetarët shqiptarë!