“Trend mes adoleshentëve! Nipi im bleu Xanax pa recetë në farmaci, përfundoi në spital”

Një qytetar ka ndarë me redaksinë e JOQ Albania një shqetësim të thellë në lidhje me një fenomen që, sipas tij, po përhapet me shpejtësi te të rinjtë: përdorimi pa kriter i medikamenteve të forta si Xanax, të cilat jepen nga disa farmaci pa recetë mjekësore.
Ai tregon se nipi i tij adoleshent ka mundur të blejë 10 pilula Xanax pa asnjë dokumentacion mjekësor dhe, pasi i ka konsumuar të gjitha menjëherë, ka përfunduar në urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Qytetari shton se ky nuk është një rast i izoluar, por një sjellje që po shndërrohet në “trend” mes adoleshentëve shqiptarë, ku konsumimi i hashashit pasohet nga përdorimi i qetësuesve më të fortë si Xanax, që janë më të lirë dhe më lehtësisht të aksesueshëm.
Një tjetër aspekt shqetësues që ngre denoncuesi është mënyra sesi adoleshentët po gjejnë mënyra për të manipuluar sistemin: ata shkarkojnë receta false nga interneti, madje gjenerojnë "receta" të personalizuara me ndihmën e mjeteve teknologjike si inteligjenca artificiale, dhe më pas i paraqesin në farmaci si të ishin reale.
“Kemi folur me një psikiatre dhe ajo na tregoi se është kthyer në modë: fillojnë me hashash dhe kalojnë më pas te Xanaxi, që kushton më lirë. Është bërë e zakonshme në disa rrethe adoleshentësh.” – shkruan qytetari.
Ai bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse, duke kërkuar kontrolle më të rrepta ndaj farmacive dhe rregulla më të forta për shpërndarjen e medikamenteve që kërkojnë recetë.
Redaksia JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë sa më parë dhe të marrin masa konkrete për të mbrojtur të rinjtë nga përdorimi i pakontrolluar i substancave të rrezikshme.
Nuk mund të lejohet që mjekimet e forta të kthehen në lodra në duart e fëmijëve tanë./joq