Lidhje


Protestë para spitalit Onkologjik, denoncohet mungesa e shërbimeve dhe medikamenteve jetike për pacientët me kancer

Para spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u zhvillua sot një protestë, ku qytetarë dhe aktivistë ngritën zërin kundër situatës alarmante në të cilën ndodhet ky shërbim. Ata denoncuan mungesën e aparaturave dhe ilaçeve thelbësore për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.

 

Situata në këtë spital përshkruhet si kritike, me mungesa të pajisjeve jetike si mamografia, PET-Scani dhe shërbimi i brakiterapisë, elementë kyç në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit. Përveç kësaj, raportohen mungesa të vazhdueshme të ilaçeve bazike, duke rrezikuar seriozisht jetën e pacientëve që nuk marrin trajtimin e nevojshëm në kohë.

 

Protestuesit theksuan se kjo situatë është pasojë e problemeve të thella dhe skandaleve të mëparshme që kanë përfshirë këtë institucion. Më parë, spitali u vu në qendër të akuzave për abuzime nga ana e stafit mjekësor, të cilët dyshohet se kanë përfituar në kurriz të pacientëve.

 

Gjatë protestës, gazetari Osman Stafa u shpreh se është hipokrizi të flitet për ndërgjegjësim ndaj kancerit në një kohë kur në Onkologjik mungojnë pajisjet më bazike dhe medikamentet jepen pa ndjekur protokolle mjekësore. Ai solli në vëmendje raste konkrete pacientësh që prej muajsh presin trajtime jetike, ndërsa, sipas tij, shteti ka vendosur përmes listave të rimbursimit kush do të ketë të drejtë të jetojë dhe kush jo./vna.al

XS
SM
MD
LG