Edhe pensionistët e huaj braktisin Shqipërinë, kostot e jetesës të larta
Rritja e qirave dhe çmimeve të ushqimeve në nivele mbi mesataren europiane po ndikon drejtpërdrejt në largimin e pensionistëve të huaj që kishin zgjedhur Shqipërinë si vendbanim pas daljes në pension. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit të kaluar numri i të huajve mbi 60 vjeç me leje qëndrimi në vend ra me 15.5%, duke zbritur në 3,007 persona krahasuar me vitin 2023. Ky grup përfaqësonte dikur një pjesë të rëndësishme të emigrantëve në vend, por tashmë po tkurrët ndjeshëm.
Ndërkohë që numri i përgjithshëm i të huajve me leje qëndrimi është rritur lehtë, nga 21,460 në 2023 në 21,940 në vitin 2024, struktura e tyre po ndryshon. Të dhënat tregojnë një profil më të ri të emigracionit, me rritje të ndjeshme të grupmoshave 20–39 vjeç, që përfshijnë punonjës, studentë dhe profesionistë që e shohin Shqipërinë si vend me mundësi pune apo zhvillimi. Rënia e grupmoshës së pensionistëve lidhet me zhvendosjen e tyre drejt vendeve të tjera që ofrojnë kushte më të favorshme për qëndrime afatgjata.
Ndërkohë, rritja e grupeve të reja të moshës tregon se vendi po tërheq gjithnjë e më shumë të huaj aktivë ekonomikisht, duke e zhvendosur fokusin nga “rezidenca pas pensionit” drejt një emigracioni më dinamik dhe të orientuar drejt tregut të punës./joq