Islami i kryqëzuar që kërkon Ben Blushi
Nga Marlind Laçi
Debati mbi rolin e fesë në identitetin shqiptar ka qenë gjithmonë i ndjeshëm dhe shpeshherë i përdorur si mjet politik e kulturor. Në këtë kuadër, romani “Jam Musliman” i Ben Blushit u bë shkak për polemika të reja mbi mënyrën se si paraqitet Islami dhe besimtari mysliman në shoqërinë shqiptare bashkëkohore. Përtej vlerës letrare, vepra ngre pyetje të rëndësishme mbi kufijtë midis lirisë artistike dhe përgjegjësisë ndaj realitetit shoqëror e historik. Autori i këtij shkrimi i qaset romanit jo nga këndvështrimi estetik, por nga ai ideologjik dhe kulturor, duke analizuar mënyrën se si Blushi përpiqet të ndërtojë një narrativë mbi “myslimanin liberal” dhe çfarë implikimesh mbart kjo qasje në kontekstin e trashëgimisë shqiptare, ku besimi mysliman ka qenë shpesh element themelor i mbijetesës kombëtare.
Në pamje të parë as titulli dhe as përmbajtja nuk përbëjnë ndonjë çudi në aspektin letrar, por dilema më e madhe është mbi aftësinë e Blushit si njeri letrash apo dhe si shkrimtar. Duke iu referuar librit të tij propagandistik “Të jetosh në ishull”, ku ndër rreshta, nga faqa e parë e deri në faqen e fundit, ai, si një neo-bizantin i harxhuar që në vitin 1453, bën thirrje për një rekonkuistë sllavo-greko-ortodokse mbi shumicën myslimane shqiptare. Thirrje të njëjta Beni i ka kryer edhe në rolin e politikanit, ku nga zyrat e Lëvizjes për Çlirimin e Vorio Epirit shprehej se: “Korça është shumë afër Greqisë, ku grekët sipas tij kanë pasur shkëmbime prej 200 vitesh dhe Korça duhet sipas tij të shpallet autonome.” Nuk e di se për çfarë shkëmbimesh e ka pasur fjalën Blushi, por grekët me shqiptarët e Korçës apo edhe më gjerë, nga ajo çka na mëson historia reale dhe jo historia eladhiste e jugonostalgjike e Dhimitër Shuteriçit, është se raportet kanë qenë aq sa të kufizuara, po aq edhe të përkufizuara. Pra, grekët kanë qenë pushtues, ndërsa shqiptarët të pushtuar; grekët kanë qenë gjenocidues dhe shqiptarët të gjenociduar. Këtë aspekt të historisë e shpreh edhe albanologia me famë botërore Edith Durham në kapitullin “Pushtimi grek në Shqipërinë e Jugut,” në librin Lufta për Shkodrën, ku shkruan se: “Grekët hynë në krahinat e jugut të Shqipërisë me parullën e ‘çlirimit të bashkatdhetarëve të tyre ortodoksë’, por në të vërtetë ata pushtuan toka shqiptare që s’kishin qenë kurrë greke. Në Korçë dhe Gjirokastër, shqiptarët protestuan kundër vendosjes së administratës greke dhe kërkuan që fuqitë e mëdha të respektonin kufijtë që vetë kishin premtuar për Shqipërinë.”
Në videon pasqyruese mbi temën që trajton Blushi në romanin “Jam Musliman”, shprehet se: “Myslimanët shqiptarë janë myslimanët më liberalë në botë.” Në zbërthimin e këtij slogani klishe, të përdorur nga fanatikë e patologjikë të prozelitizmit të krishterë, por edhe nga spekulantët komunisto-ateistë për qëllime financiare e politike, të cilët ishin dhe janë pararojë e importit bruto të islamofobisë në Shqipëri, nënkuptohet se Beni kërkon një Islam të kryqëzuar (term i huazuar nga profesor Abdi Baleta), i cili nuk është një Islam që i përmbahet vlerave të tij kulturore dhe fetare për hir të myslimanizmit, por një Islam që dogmën e tij fetare e vendos në shërbim të evropianizmit, mbijeton për hir të liberalizmit dhe shuhet në kuadër të sinkretizmit kulturor. Ajo çka nuk ka kuptuar Blushi dhe sivëllezërit ideologjikë të tij është se Islami nuk mund të observohet nga forca kulturore të kundërta në raport me të, pasi Islami, në ndryshim nga fetë dhe kulturat e tjera, zotëron një forcë gravitacionale tepër serioze. Kjo forcë u shpreh qartë edhe në fitoren e garës për kryebashkiak në Nju Jork, ku Zohran Mamdani, një mysliman aziatik, u kthye në qytetarin e parë të kryeqytetit dhe epiqendrës së Perëndimit, duke e shprehur qartë në fjalimin e tij se: “Askush nuk duhet të ndihej i turpëruar pse është mysliman.”
Jam i sigurt se, sa nga mendjengushtësia po aq edhe nga dashakeqësia, Blushi e ka lexuar fitoren e tij si një ekspansion politik të Islamit politik në një qytet ku u ngjiz dhe u kultivua ideja e islamofobisë së dhunshme pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, me të cilën Blushi frymëzohet për të shkruar pamflete propagandistike të stilit Salman Rushdie apo edhe të stilit stalinist-kadareist. Nga rasti i Zohran Mamdanit duhet të mbajnë shënime edhe shumë islamofobë shqiptarë, pasi në këto raste do të zgjojnë edhe sentimentet më të thella edhe të atyre që identifikohen si myslimanë jo praktikantë, por më tepër do të zgjojnë dëshirën e myslimanëve për t’u hedhur nga parapolitika në politikë.
Më tej Blushi shprehet se: “Kjo betejë është me fanatikët, radikalët, me ata që e kthejnë fenë në armë, me ata që i kthejnë besimtarët në ushtri.” Se çfarë është fanatike për Blushin nuk mund të jetë fanatike për dikë tjetër, pasi Blushi nuk mund të shërbejë si barometër subjektiv i fanatizmit, dhe sigurisht Islami nuk mund të tjetërsohet pas 1400 vitesh histori për teka të një pinjolli të mbrapshtë ideologjik që ngacmon historinë, dhe gjithashtu myslimanët shqiptarë nuk do të braktisin Kuranin dhe librat e hadithologjisë për shkak të kapriçove subjektive të një propagandisti provokator.
Sa për fjalinë “ata kthejnë fenë në armë dhe besimtarët i kthejnë besimtarët në ushtri”, duhet kuptuar se në këtë fjali ka doza të forta të retorikës kolonialiste dhe postkolonialiste që i ngjajnë diskursit të Jules Ferry (1885), i cili shprehej se: “Racat superiore kanë detyrimin të civilizojnë racat inferiore.” Një filozofi raciste dhe paternaliste që u përdor për të justifikuar pushtimet, misionet “civilizuese” dhe në thelb nënshtrimin e popujve të tjerë. Çdo luftëtar i cili përpiqej për të çrrënjosur kolonializmin dhe pushtuesin e huaj, detyrohej të merrte armën dhe të luftonte kundër represionit për të mbrojtur atdheun, pronën, nderin dhe familjen, u stigmatizonte si terroristë si në rastin e Omer Muhtarit në Libi kundër kolonializmit fashist italian, si afganët kundër pushtimit sovjetik, si Asllan Mashkadov kundër pushtimit rus në Çeçeni, si Alija Izetbegoviç kundër pushtimit serb në Bosnje, gjithashtu edhe si kleriku i viteve ’30 në Palestinë Izudin Al-Kasam, i detyruar nga pushtimi i bandave kolonialiste të Lehit dhe Irgunit, shkoi në frontin e luftës, apo dhe si Emiri Abdelkader në Algjeri, i cili në vitet 1830 udhëhoqi luftën kundër kolonializmit francez dhe u shpall “fanatik” nga kolonialistët vetëm pse mbrojti popullin dhe fenë e tij.
Në këtë kontekst duhet kuptuar se çdo formë e radikalizmit është arma e më të dobëtit, i cili nëpërmjet ideologjisë dhe asimetrisë së valencës ushtarake kërkon të shtrëngojë radhët kundër një fuqie pushtuese. Me të njëjtat akuza për fanatizëm dhe radikalizëm islamik, njëjtë si Beni, Sllobodan Millosheviç hodhi siparin e gjenocidit dhe krimeve monstruoze në Bosnje dhe Kosovë për zhdukjen e Islamit në Ballkan, slogan që tingëllonte interesant dhe tepër eksitues për oksidentoikët dhe neobizantinët tregishtorë të nivelit të Blushit. Radikalizmi është fenomen i cili shfaqet ose në raste asimetrie ushtarake dhe pushtimi, ose në raste kur komunitetet në minorancë kërkojnë të mos asimilohen nga komunitetet e tjera më të mëdha. Në Shqipëri myslimanët nuk janë as nën pushtim, as në minorancë; mund të themi se myslimanët në Shqipëri janë të papërfaqësuar politikisht.
E vërteta është se Blushi e “blushrat” e tjerë kërkojnë një Shqipëri pa myslimanë, por Konica, nga thellësia e historisë, në një artikull të tij të botuar në revistën Albania (Bruksel, 1901), shprehet me idenë e mëposhtme se: “Nëse shqiptarët nuk do të ishin bërë myslimanë, sot do të ishin grekë ose sllavë, sepse do të ishin asimiluar nga fqinjët e tyre të krishterë.”
Debati mbi fenë, identitetin dhe rolin e Islamit në Shqipëri nuk duhet të reduktohet në slogane, paragjykime apo interpretime ideologjike që si cak burimor kanë islamofobinë. Historia shqiptare dëshmon se të gjitha besimet kanë bashkëjetuar nën një identitet të përbashkët kombëtar, dhe çdo përpjekje për ta përjashtuar një pjesë të shoqërisë nga ky identitet, e sidomos shumicën dërrmuese të kombit shqiptar, është dështim moral dhe historik.
Mësimi që duhet nxjerrë, si nga Faik Konica dhe gjithashtu edhe nga babai i nacionalizmit modern shqiptar, Abdi Baleta, është se forca e kombit qëndron në unitet, jo në fragmentarizim e kantonizim, dhe në respektin e ndërsjellë mes atyre që e quajnë veten shqiptarë, pavarësisht se si falen apo çfarë besojnë. Shumica duhet respektuar dhe duhet ndjekur përpikmërisht konkluzioni i Abdi Baletës se: “Myslimanizmi ishte shpëtimtar, revanshizmi kundër tij është rrënimtar. Sido që të jetë zhvilluar procesi i myslimanizimit të shqiptarëve, ky ka qenë një proces fatlum për të ardhmen e kombit shqiptar.”
Fortes fortuna adiuvat.