Lidhje


Studiuesi britank: Islamofobia është bërë një industri globale fitimprurëse

Profesori Peter Hopkins, shkruan në librin e tij të fundit, se në SHBA ka njerëz që fitojnë deri qindra mijëra dollarë në vit për postimet e tyre islamofobe në rrjetet sociale dhe blogjet e ndryshme, të cilat shpërndahen më pas në gjithë botën. Ata janë pjesë e Kompleksit Industrial  Islamofobisë, në të cilin bëjnë pjesë shtete, qeveri, institucione, organizata, politikanë, gazetarë etj.

 

“Islam Channel”

 

Islamofobia nuk ka të bëjë vetëm me paragjykimet individuale. Ajo nxitet nga një rrjet global grupesh dhe njerëzish që përfitojnë nga përhapja e urrejtjes anti-myslimane. Kjo është tema qendrore në librin e ri të profesorit të Univesitetit të Njukallësit në Angli, Peter Hopkins, me titull “Islamofobia e Përditshme”.

 

Profesor Hopkins tha për telvizionin Islam Channel se ajo që e tronditi më shumë ishte zbulimi se sa para fitojnë disa njerëz nga promovimi i islamofobisë. “Sidomos në SHBA, ka njerëz që mund të marrin një pagë 6-shifrore vetëm pasi kalojnë një ose dy ditë duke shkruar postime në blogje islamofobike që shpërndahen globalisht në platforma të ndryshme mediatike”- thotë ai.

 

Libri i profesor Hopkins, e sfidon idenë se diskriminimi i përditshëm është i vogël ose i izoluar. Në vend të kësaj, ai e lidh atë me axhenda më të mëdha politike, mesazhe mediatike dhe stereotipe të vjetra. 

 

Ai shpjegon se si ky sistem formëson mënyrën se si trajtohen myslimanët në jetën e përditshme, përforcon idetë e dëmshme dhe i thellon pabarazitë sociale. Libri  shqyrton gjithashtu ndikimin e rëndësishëm që islamofobia e përditshme u shkakton individëve, komuniteteve dhe shoqërisë në përgjithësi, ndërsa tregon mënyrat se si ajo mund të sfidohet. Në këtë intervistë për Islam Channel, profesor Hopkins na tregon pak më shumë rreth punës dhe librit të tij të ri.

 

A mund të na jepni një përmbledhje të librit tuaj? Cili është argumenti qendror që po paraqisni dhe çfarë ju motivoi ta shkruani këtë libër?

 

Libri përqendrohet tek islamofobia e përditshme, çfarë është ajo, si funksionon dhe çfarë mund të bëhet për ta sfiduar atë. Argumenti im qendror, është se ekziston një Kompleks Industrial i Islamofobisë në nivel global.

 

Fjala është për një rrjet organizatash dhe individësh, që përfitojnë shumë  financiarisht nga promovimi i islamofobisë. Unë argumentoj se ky është një nga nxitësit kryesorë të islamofobisë së përditshme, dhe luan një rol të fuqishëm në formësimin e përvojave të përditshme në terren.

 

Ju argumentoni në libër se shpesh islamofobia e përditshme,. konsiderohet gabimisht si e nivelit të ulët ose banale. Si duket në fakt ajo, dhe çfarë dëmi i shkakton individëve dhe komuniteteve?

 

Islamofobia e përditshme cilësohet shpesh si e nivelit të ulët, banale dhe jo aq e rëndësishme sa format e islamofobisë që janë globale ose kombëtare në shtrirjen e tyre. Por në këtë libër unë argumentoj se këto forma të ndryshme të islamofobisë,  janë në fakt pjesë përbërëse e asaj që është islamofobia e përditshme.

 

Dhe kjo është arsyeja pse ajo shkakton kaq shumë dëme tek individët dhe komunitetet.

 

Përveç kësaj, dëme të konsiderueshme mund të shkaktohen edhe nga frekuenca dhe rregullsia e incidenteve të islamofobisë së përditshme. Kjo do të thotë se kjo dukuri është larg të qenit banale, por luan një rol të rëndësishëm në jetën e viktimave të saj.

 

“Kompleksi Industrial i Islamofobisë” - çfarë nënkuptoni saktësisht me këtë koncept dhe cilët janë individët, grupet ose agjencitë kryesore që përbëjnë këtë kompleks?

 

Kompleksi Industrial i Islamofobisë, është një rrjet kompleks grupesh, agjencish dhe individësh që përfitojnë financiarisht dhe ideologjikisht nga promovimi i islamofobisë. Një “kompleks industrial”, zhvillohet kur paratë dhe financat ndërthuren brenda sistemeve specifike politike, sociale dhe kulturore. Konkretisht, kompleksi industrial i islamofobisë është shtresa komplekse e burimeve, financimit dhe sistemeve në vend për të promovuar, mbështetur dhe rritur përhapjen e islamofobisë së përditshme. Shteti është aktori kryesor në këtë kompleks, por ai përfshin gjithashtu grupe ekspertësh, aktivitete të ekstremit të djathtë, median, intelektualë publikë, politikanë dhe grupe fetare të krahut të djathtë që punojnë - shpesh në bashkëpunim me njëri-tjetrin - për të promovuar islamofobinë.

 

Si ndikon ose nxit drejtpërdrejt përvojat e përditshmetë myslimanëve Kompleksi Industrial i Islamofobisë, i cili shpesh vepron në një shkallë transnacionale ose globale?

 

Shtrirja dhe ndikimi i Kompleksit Industrial të Islamofobisë globale, është i tillë që ndikimet e tij ndihen gjerësisht dhe formësojnë përvojat e përditshme të shumë njerëzve. Gjithashtu, shikimi i globales dhe të përditshmes si më të ndërlidhur midis tyre, nënkupton se  është më e lehtë të shihet se si këto çështje globale në dukje “të largëta”, përjetohen dhe ndihen në terren në të përditshmen.

 

Njerëzit e shohin funksionimin e Kompleksit Industrial të Islamofobisë përmes narrativave të politikanëve, përmes angazhimeve të tyre me mediat kryesore dhe sociale, fjalëve dhe veprimeve të aktivistëve të ekstremit të djathtë dhe në takimet e tyre të përditshme me të tjerët.

 

Nga perspektiva juaj, çfarë shihni si motivimin kryesor për islamofobinë sistemike që përshkruani? Për shembull, a është ajo thelbësisht e rrënjosur tek racizmi tradicional, a është një përplasje e perceptuar ideologjish (domethënë, vlerat perëndimore kundrejt atyre islamike), a është kryesisht një strategji politike e përdorur nga të fuqishmit për të ruajtur pasurinë dhe status quo-në duke i shpërqendruar masat me një baballar të margjinalizuar etj?

 

Është një kombinim i të gjitha këtyre, ku disa janë më të fortë në kohë dhe në vende të caktuara krahasuar me të tjerët (dhe anasjelltas). Mendoj se mënyrat se si njerëz ose grupe të caktuara përfitojnë financiarisht janë një motivim kyç.

 

Sepse disa mund të fitojnë paga të konsiderueshme duke punuar për të ndarë islamofobinë. Në disa raste, mund të duket si racizëm i qartë apo një panik moral që rrethon një çështje ose komunitet specifik. Por pas kësaj, mund të ketë përfitues specifikë që marrin shuma të konsiderueshme.

 

Duke marrë parasysh natyrën sistemike dhe komplekse të Kompleksit Industrial të Islamofobisë dhe efektet e tij të përhapura të përditshme, cili është veprimi më efektiv që mund të ndërmarrin politikëbërësit dhe institucionet, dhe cili është veprimi më efektiv që mund të ndërmarrin individët, gjithnjë bazuar në studimin tuaj?

 

Veprimi më efektiv që mund të ndërmarrin politikëbërësit (që duhet ta ndjekin institucionet), do të ishte shfuqizimi i sistemeve problematike kundër terrorizmit, që janë ngitur në emër të “luftës globale kundër terrorizmit”.

 

Shfuqizimi i sistemeve të tilla - përfshirë edhe mënyrën e të menduarit që qëndron pas tyre - do të eliminonte një nga mënyrat më të rëndësishme se si shteti vepron për të promovuar islamofobinë. Po ashtu, do të kufizonte mënyrat se si myslimanët mund të vihen nën mbikëqyrje dhe t’i nënshtrohen profilizimit racor.

 

Cili ishte informacioni më i habitshëm ose i papritur që morët rreth islamofobisë gjatë kërkimit për këtë libër?

 

Çështja që më la më shumë të habitur, ishte kur mësova për shumat e parave që janë në gjendje të fitojnë njerezit që e promovojnë islamofobinë. Sidomos në SHBA, ka njerëz që mund të çojnë në shtëpi paga 6-shifrore pasi kalojnë një ose dy ditë duke shkruar postime në blogje islamofobike, të cilat shpërndahen globalisht në platforma të ndryshme mediatike.

XS
SM
MD
LG