“Armëpushimi” solli atë që donte I.zraeli, e bëri Gazën të padukshme në sytë e botës
Vdekjet masive në Gaza vazhdojnë me të njëjtin intensitet, megjithatë vëmendja globale është zbehur ndjeshëm, pasi opinioni publik botëror është bindur gabimisht se armëpushimi shënoi fundin e tragjedisë dhe të gjenocidit...
Nga Eman Abu Zayed “Al Jazeera”
Kur në tetor 2025 nisën të qarkullonin zërat për një armëpushim, na u duk si një ëndërr e largët. Ne u kapëm pas çdo fije shprese, edhe pse thellë-thellë brenda vetes kishim frikë ta besonim.
Për 2 vjet, ishim mësuar të dëgjonim për “armëpushime” që nuk zgjasnin kurrë. Kur më në fund u dha njoftimi, rrugët shpërthyen në brohoritje. Megjithatë, në zemër kisha ende frikë se mos kjo qetësi mund të ishte vetëm një pushim i shkurtër përpara një raundi tjetër sulmesh. Mjerisht, frika ime ishte e justifikuar.
Sulmet vdekjeprurëse e të përditshme të Izraelit kanë vazhduar; më shumë se 400 njerëz janë vrarë deri më tani nga ushtria e tij. Shumë të tjerë kanë vdekur në rrethana të shkaktuara nga shkatërrimi i Rripit të Gazës nga Izraeli.
E megjithatë, niveli i vëmendjes globale filloi të binte. Në nëntor, unë vura re se angazhimi mbi atë që shkruaja për Gazën nisi të dobësohej, qoftë në mediat sociale apo në mediat tradicionale, diçka që e vunë re edhe gazetarë dhe shkrimtarë të tjerë palestinezë.
Interesi i botës u zbeh sepse publiku global u bind lehtësisht se lufta kishte mbaruar. Për mua u bë e qartë se synimi i vërtetë i armëpushimit nuk ishte të ndalonte dhunën apo vdekjet dhe as të mbronte njerëzit apo të kufizonte gjakderdhjen dhe gjenocidin.
Qëllimi i vërtetë ishte që bota të mos fliste më për Gazën, për krimet që kryhen atje dhe për vuajtjet e përditshme të njerëzve. Tani Gaza është bërë pothuajse e padukshme, pasi lajme të tjera dhe vatra të tjera të nxehta kanë rrëmbyer vëmendjen e mediave globale.
Ndërkohë, vdekjet masive vazhdojnë. Pak më shumë se dy javë pasi u shpall armëpushimi, më 28 tetor, ushtria izraelite kreu një fushatë të madhe bombardimesh, duke vrarë 104 persona. Mua m’u rikthye frika për të ardhmen dhe për të dashurit e mi.
Më 20 nëntor, Izraeli më goditi akoma më shumë në zemër. Ushtria izraelite sulmoi shtëpinë e familjes Abu Shauish në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën Qendrore. Shoqja ime Batul Abu Shauish humbi të gjithë familjen e saj - motrat e saj Habiba, 11 vjeç, dhe Tima, 16 vjeç; vëllezërit e saj Jusef, 14 vjeç, dhe Muhamed, 18 vjeç; dhe nënën e saj, Sahar, 43 vjeç, dhe babanë, Rami, 50 vjeç.
Ata u masakruan pavarësisht faktit se familja nuk kishte asnjë përkatësi politike; të gjithë ishin civilë. Tani Batul duhet të përballet e vetme me gjenocidin. Sulmet izraelite vazhdojnë, dhe po kështu vazhdon edhe vdekja masive me mjete të tjera.
Ndërtesa të shembura, bomba të pashpërthyera, përmbytje, hipotermi, uri dhe sëmundje, që të gjitha pjesë e strategjisë gjenocidale izraelite. Ne vazhdojmë të vuajmë pa strehë të përshtatshme mbi kokë apo pa ushqimin e duhur, pa ngrohje, energji elektrike apo ujë të pijshëm.
Situata është aq e keqe sa vetë dimri po vret njerëz. Sapo u goditëm nga një tjetër stuhi. Çadrat u përmbytën dhe u rrëzuan përsëri. Tridhjetëvjeçarja Ala Xhuha u vra nga një mur që iu shemb mbi kokë për shkak të reshjeve të mëdha.
Foshnja dymuajshe Arkan Musleh vdiq nga hipotermia. Në total, 15 persona vdiqën nga moti i ftohtë vetëm në dhjetor. Çadra e familjes sime u përmbyt sërish. Është e vështirë të përshkruhet ndjesia e pafuqisë që të pushton kur nuk mund të gjesh shpëtim nga uji dhe i ftohti i acartë.
Izraeli vazhdon të shkelë armëpushimin jo vetëm me sulmet e tij, por edhe me refuzimin për të përmbushur detyrimin e tij për të lejuar hyrjen e numrit të kamionëve me ndihma, një furnizim të plotë me ilaçe dhe tenda të nevojshme, materiale strehimi dhe shtëpi të lëvizshme, siç është përcaktuar edhe në marrëveshjen e firmosur.
Përkundrazi, Izraeli po e kufizon në maksimum qasjen e organizatave ndërkombëtare që përpiqen të ofrojnë njëfarë ndihme për popullin e vuajtur të Gazës. Rregullat e reja po e bëjnë të vështirë regjistrimin e OJQ-ve, përfshirë disa nga ato më të mëdhatë siç është edhe “Save the Children”.
Kjo, bashkë me mohimin e vazhdueshëm nga Izraeli të kërkesave për të sjellë ndihmë nga OJQ-të, po i pengon përpjekjet ndërkombëtare për të na ofruar njëfarë ndihme. Ndërkohë, organizatat palestineze që përpiqen të lehtësojnë vuajtjet tona po përballen me një rënie të donacioneve.
Për shembull, Projekti Samir, një nismë e bazuar te donacionet, që ofron mbështetje materiale për familjet dhe studentët e varfër, ka humbur një numër të madh donatorësh individualë dhe mbështetësish pas shpalljes së armëpushimit.
Drejtori i projektit, dr. Ezedin Al-Lulu, më konfirmoi se fluksi i zvogëluar i donacioneve e ka penguar aftësinë e tyre për të ofruar ndihmë thelbësore. Izraeli po e mban të mbyllur edhe kufirin në Rafah. Për ne palestinezët nuk ka asnjë mundësi për të udhëtuar jashtë, përveçse nëse u paguan një shumë të tepruar parash spekulatorëve të luftës të lidhur me Izraelin dhe pranon të mos kthehesh më kurrë në shtëpinë tënde.
Më shumë se 16.000 njerëz që kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor po pengohen nga Izraeli që të dalin nga Gaza. Më shumë se 1.000 njerëz kanë vdekur tashmë në pritje të lejes për t’u larguar. Gaza ka hyrë në një fazë të re gjenocidi: vrasje masive të një shkalle disi më të ulët që nuk bëjnë bujë në media, sepse nuk janë aq shpërthyese sa fushatat e bombardimeve pa dallim.
Por rezultati përfundimtar është i njëjtë: Shfarosja e jetës së palestinezëve në Gaza. Nuk është e çuditshme që politikanët izraelitë nuk kanë pushuar së foluri për kolonizimin e tokës sonë. Ata e shohin ende Gazën të lirë nga palestinezët si një mundësi shumë reale dhe të arritshme.
Shënim: Eman Abu Zayed, është një shkrimtare palestineze nga Gaza.