Po lëvizjes për demokraci, jo “skenarit libian” të shkatërrimit të Iranit
Një protestë masive zakonisht lexohet si një negociatë sociale, ku rruga e detyron shtetin të reflektojë. Por kur trazirat synojnë djegien e autobusëve, spitaleve dhe bankave, interpretimi ndryshon: nuk kemi të bëjmë thjesht me mospajtim, por me një përpjekje për ta shtyrë shtetin drejt shkatërrimit total. Këtu shfaqet analogjia më e frikshme e rajonit: “Libizimi”...
Nga Hamid Bahrami “Middle East Monitor”
Protestat e fillimit të këtij viti në Iran nuk shpërthyen nga hiçi. Ato ishin produkt i grumbullimit të gjatë të zhgënjimit: zemërimi për korrupsionin e oligarkëve, paaftësia ekonomike dhe rënia dramatike e rialit, monedhës kombëtare iraniane.
Këtë herë shkëndija lindi në Pazar, zemra ekonomike e Teheranit, ku rritja e vlerës së dollarit përkthehet menjëherë në një psikozë sociale. Brenda pak ditësh, revolta u përhap nga arteriet tregtare në rrugë, duke prekur veçanërisht provincat perëndimore.
Megjithatë, në dallim nga viti 2022, kjo valë u karakterizua nga një kurbë më e lartë dhune dhe shkatërrimi të organizuar të infrastrukturës publike. Dallimi thelbësor i lëvizjes së këtij viti ishte kornizimi politik i saj.
Por kur trazirat synojnë djegien e autobusëve, spitaleve dhe bankave, interpretimi ndryshon: nuk kemi të bëjmë thjesht me mospajtim, por me një përpjekje për ta shtyrë shtetin drejt shkatërrimit total.
Këtu shfaqet analogjia më e frikshme e rajonit: skenari i “Libizimit”. Për iranianët, ky term nuk nënkupton liri, por një model ku ndërhyrja e huaj, e paketuar si shpëtim humanitar, përshpejton shembjen e institucioneve dhe lë pas një luftë civile kronike.
Lufta hibride dhe makineria e informacionit
Ajo me të cilën po përballet Irani në këtë fillim viti, është një mjedis presioni me shumë shtresa. Një mjedis i luftës hibride, ku fusha e betejës së informacionit ka po aq rëndësi sa ajo në rrugë. Në shtresën e parë qëndron fuqia e fortë, përmes vrasjeve të synuara dhe krizave të sigurisë që synojnë të gërryejnë kapacitetin vendimmarrës të Teheranit.
Shtresa e dytë është “fuqia e mprehtë” (sharp power), që synon paralizimin e institucioneve përmes keqinformimit.
Shtresa e tretë është lufta informative afatgjatë, ku mediat satelitore riformësojnë perceptimin e brezave të rinj mbi shtetin.
Shtresa e katërt operon në nivel ndërkombëtar, duke krijuar narrativa që e bëjnë ndërhyrjen ushtarake të dukshme si “të kërkuar” moralisht.
Së fundi, shtresa e pestë përfshin kultivimin e rrjeteve të vogla të trajnuara për sabotim dhe terrorizëm urban.
Gjatë këtyre ditëve, makineria e propagandës fryu numrin e viktimave nga 1.000 në 20.000 në një kohë rekord. Qëllimi ishte i qartë: të mashtrohej opinioni publik perëndimor për të mbështetur një konflikt të hapur. Deklaratat e hapura të Donald Trump dhe Mike Pompeos, që pohonin praninë e agjentëve të jashtëm pranë protestuesve, shërbyen si një transmetim i sponsorizimit të huaj. Për shoqërinë iraniane, ky sinqeritet ishte një thikë me dy presa: ai legjitimoi narrativën e regjimit për “komplotin e huaj” dhe e tmerroi shtresën e mesme.
Pse dështoi “Skenari i Libisë”?
Enigma qendrore mbetet dështimi i projektit për shembjen e shtetit. Pse Irani nuk u zhyt në humnerën si Siria disa vite më parë? Përgjigja qëndron te besimi i kufizuar i shumicës tek lëvizja. Shtresa e mesme iraniane nuk e dha pëlqimin e saj.
Ky nuk ishte pasivitet, por një llogaritje realiste e precedentëve rajonalë. Irani i sotëm e kupton se në një skenar të rënies së dhunshme të regjimit, boshllëku i pushtetit nuk do të mbushej me fletëvotime, por me armë.
Problemi i parë është besueshmëria e opozitës. Monarkistët, të lidhur ngushtë me interesat e Izraelit, shihen më shumë si “kukulla” të tutelës së huaj sesa si liderë sovranë. Grupime të tjera si Mujahedin-e Khalq (MEK) apo fraksionet separatiste mbajnë një reputacion të errët historik.
Për një qytetar të Teheranit që peshon kostot dhe përfitimet, një status quo e urryer mbetet e preferueshme ndaj një lufte mes milicive, ku mbetjet e IRGC-së, takfiristët e akumuluar në Afganistan dhe rrjetet e sabotimit do të luftonin për çdo lagje.
Së dyti, kujtesa e luftës 12-ditore rishfaqi ndjenjën e “tubimit rreth flamurit”. Iranianët kuptuan mirë mprehën kufirin midis kundërshtimit të Republikës Islamike dhe mbrojtjes së ekzistencës së Iranit si shtet.
Ata dëgjuan Benjamin Netanjahun të fliste për “Libinë” si një model dhe kuptuan se qëllimi nuk ishte liria e tyre, por shpërbërja e vendit në copa më të vogla për të shërbyer interesave strategjike globale, përfshirë frenimin e rritjes së Kinës.
Parandalimi si mbrojtja e fundit
Llogaritjet në Uashington dhe Teheran nuk bazohen tek titujt e mediave, por te parandalimi i prekshëm. Shumë iranianë besojnë se nëse Donald Trump arrin në përfundimin se forcat e armatosura të Iranit nuk do të përgjigjen me vendosmëri, ai do të sulmojë, pavarësisht numrit të viktimave në protesta.
Skenari i mundshëm i përshkallëzimit nuk fillon me tanke, por me goditje hibride ndaj infrastrukturës jetike - energjisë dhe ujit - për të shkaktuar një paralizë kombëtare. Vetëm nëse kjo paralizë do të shkaktonte humbjen e aftësisë së ushtrisë për të përmbajtur situatën, do të pasonte faza e dytë e një sulmi të hapur ushtarak. Megjithatë deri më tani, perceptimi i një përgjigjeje të ashpër iraniane ka shërbyer si një pengesë.
Një paralajmërim për të nesërmen
Trazirat e këtij fillimviti treguan se shoqëria iraniane bën ende dallimin midis protestëspër demokraci dhe kolapsit të shtetit. Ky dallim, i rrënjosur në mësimet e përgjakshme të “Sirisë së Lirë”, e bllokoi pikën e kthesës të parashikuar nga jashtë. Por kjo nuk është një garanci e përjetshme.
Nëse Republika Islamike e trajton këtë qetësim si provë se vetëm represioni mjafton, ajo po shteron rezervat e fundit të përmbajtjes sociale. Pa reforma strukturore dhe pa luftë reale kundër korrupsionit, shteti do të vazhdojë të krijojë vetë kushtet që e bëjnë luftën hibride të huaj efikase.
Një valë e ardhshme protestash mund ta gjejë shoqërinë më pak të aftë për të mbajtur vijën kundër kaosit