“Unë” jam “burimi” i mirësive të tua
Nuk ka dyshim se paragjykimi është manipuluesi i madh i identiteteve dhe largues i të mirës prej marrëdhënieve ndërnjerëzore. Para disa kohësh mu bë një padrejtësi e madhe cila e ndikoi mjaft në jetën time, padrejtësi që tek e fundit nuk është më e vogël sesa padrejtësitë që i janë bërë dhe i bëhet këtij populli vazhdimisht, as më e vogël por as më e madhe sesa të të marrin tokën dhe t’ia japin dikujt tjetër, por as më e madhe apo më e vogël sesa të përfundosh në burg me muaj për një vjedhje të rëndomtë të një artikulli ushqimor (çokollatë), por as më e vogël sesa të humbasësh një gjyq në dëmin tënd për një krim që ti nuk e ke bërë.
Por përtej të tjerave mediatizimi i asaj padrejtësie e shtoi dozën e vartësisë së disave ndaj të keqes së nefsit të tyre, ah e dija që ishte kështu – thanë disa, ai na hiqet edhe si i tillë e i këtillë-thanë disa të tjerë etj, prej shprehjeve që për këta shpirtra nuk ishin gjë tjetër vetem se rishfaqje e shprehive të vjetra të tyre, tek e fundit lufta më e vështirë për të gjithë është ajo me nefsin dhe paragjykimet e llahtarshme që ky nefs shfaq ndaj të gjithëve. Pikërisht shpesh këto paragjykime nga ana tjetër na shtyjnë të gabojmë duke na çuar të bëjmë zgjidhje apo zgjedhje që nuk i përshtaten aspak natyrës dhe formimit tonë, e tillë ishte edhe natyra e kësaj padrejtësie e cila u shtyt deri në atë cak pikërisht për shkak të mendësive të tilla të tipit, “pronarët e kopshtit”, mbani mend se çfarë thotë Allahu në Kuran për ta kur ata paragjykonin nevojtarët që realisht ishin burimi i begatisë së tyre: “Ata në mëngjes thërritnin njëri-tjetrin. Ngrihuni herët te prodhimet tuaja, nëse doni t’i vilni! Dhe ata vajtën duke pëshpëritur në mes vete (të mos i dëgjojë kush). Të mos lejojnë të afrohet sot në të asnjë i varfër” Kalem 21-24.
Kështu pra ka qënë edhe mendësia e disave përgjatë kësaj sprove që më goditi, mos lejoni të afrohet, doni të dini sesi është ngritur perëndimi pikërisht nëpërmjet këtij realiteti që shprehet në hadithin e mëposhtëm dhe doni të dini sesi rrënohet lindja duke vepruar të kundërtën e këtij realiteti. Tek Buhariu shënohet fjala e profetit alejhi selam: “Ju furnizoheni apo ndihmoheni (ndaj kundërshtarëve) nëpërmjet ndihmës ndaj të varfërve (pamundurve) tuaj”.
Nëse këtyre argumenteve fetare i aplikojmë mendësinë që quhet “mefhum el khilaf” të përmbysësh kuptimin origjinal apo te kuptuarit e kundërt, që njëkohësisht konsiderohet si një burim racional i sheriatit islam, atëherë prej tyre do të kuptonim se “përzënia, përbuzja, largimi dhe injorimi i të varfërve, nevojtarëve, atyre që i është bërë padrejtësi është një shkak i madh për mos furnizim, mungesë bereqeti dhe shtim i vuajtjeve dhe padrejtësive në mjedisin personal apo atë kolektiv të interesave. Gjithsesi jam përpjekur që këtë kohë provimi dhe privimi personal ta kompensoj me vlera intelektuale të cilat mu bënë të detyrueshme në momentin që njeriu e sheh se e vetmja rrugë për tek pastrimi dhe reformimi shpirtëror është të soditurit pas çdo situate dhe mbi të gjitha të përftuarit mësim prej tyre. Kështu që gjatë kësaj periudhe të vështire vendosa që fokusin maksimal t’ia dedikoj librave dhe dijes, por prap edhe përgjatë kësaj rruge shoh që njerëzit bezdisen, paragjykojnë, keqmendojnë dhe nuk e kuptojnë se çfarë dëmi i bëjnë pasurisë dhe “kauzës” së tyre ekzistenciale duke ia mveshur meritën kryesore te pasurimit të tyre vetvetes apo aftësisë së tyre.
Ndaj këtë shkrim e titullova “Unë” jam burimi i mirësive të tua, pasi pikërisht mendësia “pronarët e kopshtit, të çon në privime te tilla si ai që Allahu përmend” E, sa qenë ata fjetur, atë (kopshtin) e goditi një bela nga Zoti yt. Dhe ai gdhiu si të ishte i vjelur.” Kalem 20-21. Kjo pasi shpenzimi për dhuntinë e diturisë dhe shumëçka rreth e rotull sferës së saj të ndikimit e shton furnizimin. Në kohën e të Dërguarit të Allahut alejhi selam ishin dy vëllezër, njëri nga ta kërkonte dituri kurse tjetri punonte. Ky i fundit erdhi te i Dërguari i Allahut, alejhi selam, dhe u ankua se vëllau i tij nuk punon. I Dërguari i Allahut,alejhi selam, i tha: “Ndoshta ti nëpërmjet atij furnizohesh”.
Thjeshtëzimi i shkaqeve të pasurimit dhe ndihmës vetëm sipas kallëpeve materiale, i hap rrugën deformimit të botëkuptimit tonë dhe shkakton dëme të mëdha në të brendshmen tonë. Këndvështrimi që e identifikon të qenit i pasur, me zotërimin e parave, nga një anë i fryn zjarrit të ambicies materiale, ndërsa nga ana tjetër, çon në mosmirënjohje, duke i anashkaluar të gjitha mirësitë e tjera që ka dhuruar Allahu. Të mos e kuptosh se besimi është pasuria jonë më e çmuar, ose sa pasuri e madhe është mendja dhe dija, nuk është gjë tjetër veçse skamje në mes të kamjes. Siç shprehet edhe Pejgamberi ynë alejhi selam “Pasuri, nuk është malli i shumtë, por shpirti i ngopur (i kënaqur).” Transmeton Buhariu. Kështu që një nga gjërat që kjo sprovë dhe kjo padrejtësi më mësoi ishte të kënaqurit me pasurinë më të madhe që më ka dhuruar Allahu im i dashur, besimin, dijen, fenë që ai më vendosi në zemër. Ndërsa atyre që paragjykuan rrugën time i them se nëse dikujt i rritet më tepër seç duhet vetvlersësimi për veten duke menduar se qershia mbi tortë është më me vlerë sesa vet torta atëherë i mjafton të mendojë se qershia nuk ka se ku të qëndrojë në mungesë të tortës, madje ajo nuk mbart asnjë vlerë si entitet i veçantë nëse nuk vendoset mbi tortë. Ndaj natyrshëm ajo që ndodhet poshtë qershisë është më me vlerë sesa vet qershia.
Ndaj mos harroni se paragjykimi i zemrës dhe smira ndaj dhuntive të dhuruara është cilësi e atyre që thanë për Kuranin “ Legjendë e të parëve”, Allahu thotë në fund të sures Kalem: E ata që nuk besuan gati sa nuk të zhdukin ty me shikimet e tyre, kur e dëgjuan Kur’anin, (nga inati) thanë: “Ai është i marrë!” Kalem 51
Por kjo është vetëm një këshillë, ndaj mos harro se ndoshta ti nuk je “burimi” i mirësive që posedon, sikurse “ai (Kur’ani) nuk është tjetër vetëm se këshillë për botën (e njerëzve e të xhinëve)” Kalem 52. Ndërsa sa më përket mua përgjatë këtyre kohëve të vështira kuptova se: Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur.Dhe se bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para.E Zoti yt do tëtë jepë ty, e ti do të kënaqesh” Duha 3-5