Lidhje


A po krijohet në Shqipëri një shtresë hibride e hoxhallarëve të dhënë pas "pushtetit/pushtetarëve" dhe a vlen për këtë kategori hadithi i tubimeve të dijes/hajrit?

Duke parë disa tubime që po prodhon përzierja hibride e interesit midis gylenistve në krye të KMSH-së dhe disa pseudo hoxhallarëve të dalë nga ky union interesi, mu kujtua qëndrimi i të parëve tanë të ndershëm ndaj kësaj kategorie njerëzish apo këtij prodhimi të ri hibrid. E natyrshëm më erdhi ndërmend pyetja , a po krijohet një shtresë e re, e tillë hoxhallarësh?

Imam Ahmedi (Allahu e pastë mëshiruar) nuk shkoi kurrë (ti vizitonte) tek halifët, qeveritarët apo princat dhe nuk i shkruajti kurrë atyre (pra për ti kërkuar ndonjë gjë) po ashtu ndaloi edhe ndjekësit e tij në mënyrë absolute nga ky veprim dhe fjalët e tij për këtë janë të famshme. Muhanne tha: E pyeta Ahmedin për Ibrahim bin El-Haraviun (dijetar i hadithit), dhe ai tha për të: "Një njeri i fëlliqur". Unë i thashë: "Çfarë thua? Ai i ndyrë?" Ai tha: Ai që ndjek qeveritarët dhe njerëzit e pozitës (pra bëhet i varur prej tyre), është i ndyrë". Ky ishte po ashtu mendimi i një grupi prej selefëve duke përfshirë Suvejd bin Gafleh, Tavus, El-Nekha'i, Ebu Hazim El-Araxh, El-Theuri, El-Fudejl bin Aijad, Ibn El-Mubarek, Davud El-Ta'i, Abdullah bin Idris, Bishr bin El-Harith El-Hafi dhe të tjerë.

 

Ndërsa pejgamberi alejhi salatu ue selam tha: “Kushdo që vërtitet rreth dyerve të Sulltanit do të tundohet dhe sprovohet”. Ndërsa në një shprehje tjetër thuhet se: "Kushdo i shkon vazhdimisht pas Sulltanit apo njerëzve të pozitës do të sprovohet (iftutine)". Ndërsa Hudhejfeja ka thënë: Ruajuni vendeve të fitnes (sprovës), kur e pyetën se cilat janë ato ai tha: Dyert e njerëzve të pozitës, hyn dikushi prej jush në ato dyer dhe ia vërteton atij një të gënjeshtër duke thënë: Nuk ka asgjë të keqe në të". Ndërsa dikush tjetër prej të parëve pati thënë: Ti (që i lëpihesh pushtetarëve) nuk ke për të arrritur tek asgjë që ata posedojnë por ata do të mbrrijnë tek dicka më e mirë se ajo që ti dëshiron të arrish, feja jote (pra do të ta dëmtojnë)". Të gjitha këto janë të përmbledhura tek "el Adab esh-sheriati, i ibn Muflih, fq 476.


Po fjala FITNE e përmendur këtu, me çfarë kuptimi vjen? Ajo fjalë përmendet shpesh në Kuran dhe hadith me kuptime të shumta, si për shembull me kuptimin e mëkatit, mosbesimit, vrasjes, mënjanimit dhe largimit nga diçka (siç përmend ibn Haxheri në Fet-h). Ndaj po mendoja së përse imam Ahmedi dhe të tjerë e kanë përcaktuar të tillë këtë shoqëri hibride midis hoxhallarëve dhe njerëzve të pozitës, kushdo qofshin ata. Ajo që po na ndodh në Shqipëri është pjesërisht një ves i vjetër (dëshira e pozitës dhe famës) i mbarështuar në kushte të një post komunizmi post konsumist, ndaj po shoh që një shtresë e re klerikësh është duke marrë jetë në kushte të një kaosi shpirtëror dhe anarkie të vlerave morale.


Shpesh ajo që kjo kategori propagandon, për të justifikuar aleancat dhe ligjërimet e tyre në mbështetje të pushtetit, është një retorikë fetare por e mbushur me dilektika si: "Kjo është për të mirën e Islamit, juve po pengoni thirrjen islame duke folur kundër nesh, kjo aleancë i shërben fesë dhe të mirës në këtë shoqëri' etj, prej fjalëve të cilat ligjërojnë synime individuale duke dëmtuar rrugën e përbashkët në një kohë të formimit identitar, sic është edhe koha plot erozion social që po jetojmë. Madje kur bëhen zgjedhje të rëndësishme për të larguar të keqen e qartë nga portat e xhamive, shpesh hoxhallarët hibridë i ftojnë të tjerët (xhematin që dëshiron ta largojë të keqen) të mos reagojnë, pasi sipas tyre gjithçka është kopsitur, e vendosur nga lart, ndërkohë që janë ata që kanë kopsitur gjithçka në favor të dorës që i 'ushqen' ata (sipas tyre) por nga ana tjetër helmon ardhmërinë identitare të kombit në të cilin jetojnë.


Shpesh nëpër tubime apo mexhlise të dijes, siç propagandohet në fillimin e këtyre tubimeve, të prodhuara nga ky bashkpunim midis gylenistëve në pozitë dhe hoxhallarëve të 'pozitës' artikulohet hadithi i tubimeve që në fillimin e tyre. Hadithi është i tillë:“Sa herë që disa njerëz mblidhen në një shtëpi prej shtëpive të Allahut (xhamia), të mësojnë librin e Allahut e ta lexojnë mes tyre, Allahu do të zbresë mbi ta qetësi dhe do t’i mbulojë mëshira, ndërsa engjëjt do t’i rrethojnë me krahët e tyre dhe Allahu do t’i përmendë (me emra) tek engjëjt që janë tek Ai.”


Por duke e dëgjuar të artikuluar nga dikush prej këtyre hibridëve këtë hadith, pyeta veten, a është i vlefshëm ky hadith për çdo lloj xhemati dhe çdo lloj predikuesi? Kështu e pashë të udhës ti hidhja një sy fjalëve të dijetarëve rreth këtij hadithi. Në mesin e tyre gjeta shumë urtësi, aq më tepër kur i jep peshën e duhur fjalëve të pejgamberit tonë, alejhi selam.


E para, në këtë hadith përmendet Kurani si pjesa më e madhe e dijes që hyn brenda këtij hadithi. Madje disa dijetarë kanë mendimin se hadithi i referohet vetëm leximit të Kuranit apo përmednjes së rregullave të tij të leximit duke e brërë këtë qoftë në grup apo edhe gjithsecili për vete. Përse ky specifikim?
Kështu prej komentimeve që hasa është edhe ai se: Zoti jep disa dhurata për këdo që ulet në këto tubime, e para është se kjo ulje (në vende ku mësohet dhe lexhet Kurani) është një arsye për t'u zbritur qetësia, kjo pasi me dritën e Kur'anit pastrohet zemra dhe zhduket errësira psikologjike.Së bashku me qetësinë dhe dinjitetin që studimi i tij përcjell, njeriu ndjehet i qetësuar, jo i shqetësuar apo i dyshimtë, i kënaqur me caktimin e Zotit.Ndaj Allahu përmend: Ai është që në zemrat e besimtarëve dhuroi qetësinë për ta shtuar ata bindjen në besimin e vet që kishin." Fet'h 4


Këtu isha duke pyetur veten, cilën qetësi dhe cilin dyshim do të largojë një aleancë e tillë hibride, ku njëra palë ka qellime okulte, ka akide të 'vizatuar' nga Pensilvania dhe politika asgjesuese të unitetit të besimtarëve, ndërsa nga ana tjetër hoxhallarë që flasin për politika dhe interesa personale nëpërmjet gjuhës së më të mirit të krijesave, pejgamberit Muhamed alejhi selam? Cilën kënaqësi në caktimin hyjnor do të prodhojë një dialektikë e tipit, bëj si them unë por mos bëj si bëj unë, aq më tepër kur besimtarët shohin që këta propagandues nuk pasqyrojnë asnjë prej shembujve vetsakrifikuese, idealiste për të cilat flet edhe Kurani edhe suneti.


Hadithi vazhdon dhe përmend, "ndërsa engjëjt do t’i rrethojnë me krahët e tyre",përse i rrethojnë këta engjëj njerëzit që prezantojnë këto tubime? Për nder të veprave të tyre dhe për të qenë dëshmitarë mbi to, por a kufizohen veprat e njeriut vetëm tek një tubim i vetëm, ndërsa pas këtij tubimi veprat e tyre përfshinë shitjen, hipokrizinë, lëpirjen, mesanizmin, besimin okult, ndihmën ndaj një grupi uzurpues të së drejtës së shumicës dhe nga një grup i akuzuar për penalitete të rënda në vendin fqinj? Si mendoni se këto melaike të nderuara do të sillen me veprat e njerëzve të cilët nuk i do xhemati, njerëzve që bëjnë aleanca të dëmshme personale në dëm të identitetit të përgjithshëm të besimtarëve muslimanë shiqptarë? A mendoni me të vërtetë se ALlahu do mburet me këtë punë të vogël të këtyre njerëzve apo atyre që prezantojnë (në mënyrë të vetëdisjhme) në këto tubime? Kur edhe ai që e mbron me prezencë një retorikë fallco konsierohet po aq fallco sa edhe ata që dëgjon duke e ditur se ajo retorikë nuk është pjesë e Kuranit , i cili është kushti kryesori këtyre tubimeve?


E si mundet të jetë Kurani pjesë e kësaj farse kur, ai do të dëshmojë pro apo kundra teje ditën e gjykimit. A nuk më besoni, lexoni fjalën e Allahut: “Dhe përmbushni marrëveshjet tuaja. Vërtet, njeriu është përgjegjës për marrëveshjet e veta.” El Isra: 34. Kush është marrveshja që këta njerëz kanë me besimtarët, kush është dakordësia apo premtimi i mbajtur? Po ashtu Ai thotë:“Pastaj të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët!” Al Imran: 61, si mundet këtë lloj lexuesi të Kuranit ta përfshijë ky hadith kur e sheh atë sesi i gënjen njerëzit me fjalët e tij, i rrutullon fjalët që të mbrrijë tek një qëllim i caktuar klanor, i gënjen besimtarët në premtimet, marrëdhëniet dhe kontratat me vet besimtarët, nuk shfaq transparencë në aktet për të cilat ka marrë përgjegjësi, madje manipulon opinionin publik se gjoja ata janë në të vërtetën por janë disa njerëz që flasin gënjeshtra dhe të pavërteta në dëm të kësaj aleance hibride.
Por siç ka thënë pejgamberi a.s:" Atë që e lë në baltë (e lë pas) puna e tij nuk mundet ta ndihmojë prejardhja apo pozita e tij".


E si mundet ta ndihmojë pozita e tij dikë që është i gatshëm ti denoncojë apo fusi në burg besimtarët vetëm sepse i numërojnë atyre padrejtësi të faktuara apo sepse nuk ndihen të përfaqësuar dhe kërkojnë përfaqësi më të mirë, si mundet ta lartësojë dikë pozita kur në të vëtetë ajo është e kundërta e asaj që kërkon Kurani prej tij : “Lexojeni Kuranin, veproni sipas tij dhe mos e braktisni atë; mos e teproni në të, mos kërkoni fitim prej tij dhe mos e bëni mjet për të arritur dunjanë.” Transmeton imam Ahmedi. Si mundet të mburet Allahu tek melaiket e tij me dikë që ka abuzuar me vakëfet e muslimanëve, i ka shitur ato që nuk shiten apo me të drejtat e tyre të përfaqësimit duke dërguar një pjesë të të ardhurave në llogari ofshore? Si mundet të mburet me dikë që thotë se i shpallet prej Allahut kur shpallja është ndërprerë me vdekjen e pejgamberit a.s? Apo me argatët e tyre që e mundësojnë këtë spektakël të shëmtuar?


Po ata që prezantojnë në këto tubime, gjithsecili do të marri hisen e asaj për të cilës shkon në xhami (sic vjen në hadith), por ta dijë se këto nuk janë tubime dije por shfrytëzimi dhe propagande okulte, apo minimialisht shfrytëzim miskin për interesa personale i amanetit që na lanë të parët, KMSH-ja jonë e uzurpuar.
Ndërsa në variantin tjetër të hadithit tek e sakta e Muslimit, flitet për një njeri që vjen padashje në këto tubime, për të cilin thuhet se edhe pse nuk kishte qëllim tubimin apo Kuranin, si është çështja e tij?


Rivajeti tjetër i hadithit të tubimeve thotë se engjëjt kanë një ndërkëmbim të gjatë të infove midis atyre njerëzve që janë ulur për hir të Zotit dhe vet Allahut të lartësuar, duke i raportuar Atij se këta njerëz i kërkojnë falje dhe mbrojtje nga ndëshkimet si dhe i kërkojnë prej të mirave dhe begative të Tij duke e lavdëruar dhe madhëruar Atë. E më pas e pyesin: O Zot me ta ishte ulur edhe filani një njeri gabimtar që kishte ardhur për një nevojë të tijën, Ai i thotë: E kam falur edhe atë, pasi ata janë një popull që nuk pezmatohet kushdo që ulet bashkë me ta"


Tek ky njeri fillon edhe problemet e identitetit të së ardhmes, tek ky njeri fillon deviijimi i mesazhit pasi xhamitë, kuvendet (njerëzit që i frekuentojnë ato) janë sikurse miqtë për dikë, nëse i tilli nuk ju dhuron parfumin e tij drejtpërdrejt, ai do t'ju parfumosë me aromën e tij dhe ky është ndryshimi midis këtij shoqëruesi dhe aromës së farkëtarit që nëse nuk na djeg rrobat minimalisht infektohemi me një erë të keqe prej tij. Farkëtarët e mbushur me erë të keqe sot janë ata që e kanë kthyer fenë në profesion dhe biznes privat. Ata që po na ndotin xhamitë me qëndrime dhe metodologji të farkëtuara në furrat e kuvendeve të djallit nëpër tryeza okulte dhe besime mesanike, atyre kuvendeve në të cilat nuk bi mëshira e Zotit por hidhërimi i tij. Ato janë kuvende që përdorin pikërisht njerëz të tillë të cilët ndoshta edhe mundet të kthehen dhe rregullohen, por nuk mundet të parfumosen kurrë siç duhet në kuvende ku qëllimi është spektakli viziv i maskuar me ligjërime religjoze sipas aleancave hibride të frymëzuara nga synime të rëndomta personale apo objektiva të thella ekonomiko-politike. I tilli ka për ti përthithur mesazhet përgjysmë dhe ka për ti tjetërsuar objektivat e tij lidhur me reformimin jetësor, aq më tepër nëse keqorientohet nga këto aleanca hibride. Kjo pasi ata që ulen në tubimet e hajrit e njohin dhe e rrezatojnë të vërtetën dhe të mirën duke qenë se llojet e njerëzve janë si llojet e shpendëve dhe dy lloje nuk pajtohen dot në të njejtin fluturimin, ndaj ajo që i bëri të parët të ulen në të tilla tubime do të ndikojë edhe personin e fundit që ulet në to. E mos të harrojmë se Allahu është i mirë i pastër, nuk pranon veçse të pastrën të mirën sublime. Apo minimalisht atë që ulet në prezencë të saj, apo e kërkon atë me ngulm. Mos harroni po ashtu se hallka më e dobët është ajo që shpesh synohet nga tundimet ideologjike të shejtanit.

 

Pikërisht tek kjo hallkë shejtani depërton për të manipuluar dhe devijuar mesazhin religjoz, pikërisht kjo hallkë është në ndërvartësi me hallkat e tjera, kjo edhe pse në dukje e pafajshme eksperienca ka treguar se mbart potencial të dëmshëm nëse nuk forcohet me hallka të forta. Shumë njerëz nuk i ndryshojnë marrëdhëniet e këqija që kanë me disa njerëz për shkak të vet kohës së kësaj aleance dhe rrjedhës së ndodhive. Kur mësohet me këtë grup nuk dëshiron të ndahet më prej tyre, e kjo është pikërisht ai zakoni i keq i cili prish edhe njëqind tradita fisnike.


Mos harroni të krijoni mjedise të mira, të drejta, kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një bamirësi e vazhdueshme.

 

XS
SM
MD
LG