Kush është Xhemal Seferti?
Monday, 01 April 2024 23:09
Nga hoxhë Florian Leli
Ai është emisari i posaçëm i Fethullah Gylenit dhe i besuari i tij në trojet tona. Zyrtarisht është këshilltar fetar i Bujar Spahiut dhe profesor në Universitetin Bedër. Në fakt ai është një abi i madh që mbarëvan dhe këqyr punën e gylenistëve në Shqipëri.
Një jordanez me origjinë, i rritur dhe i edukuar në mesin e xhematit të Kiftaros në Siri, nga gjiri i të cilëve edhe doli, shumë shpejt do të vihej në kontakt me lëvizjen Hizmet dhe ideologjinë e Fethullah Gylenit. E fitoi shumë shpejt besimin e Gylenit dhe ishte nga thirrësit e parë arabë që vendosën lidhje mes organizatës së Gylenit Hizmet (Feto siç njihet në Turqi dhe te ne) dhe vendeve arabe.
Ka mbrojtur doktoraturën në Damask pikërisht për gylenizmin. I janë besuar detyra të rëndësishme, sidomos vitet e fundit. Në Shqipëri është koordinator i organizatës gyleniste me botën islame, kryesisht atë arabe. Ai ka vite që jeton në Shqipëri por për publikun mysliman nuk është aq i njohur. Që pas puçit të vitit 2015 është vendosur në Shqipëri përfundimisht dhe vitet e fundit ka fillur të dalë më tepër në publik për të fituar pak nga pak afërsi me publikun mysliman nëpërmjet këshillave fetare dhe ndonjë ligjërate.
Në fakt ai është një eksponent gylenist i rrezikshëm. Një gylenist i regjur dhe misionar i gylenizmit jo vetëm në Shqipëri por edhe në shumë vende të botës.
Këto fragmente të shkëputura në video janë shumë shumë pak nga aktiviteti misionar i këtij njeriu. Në faqet e gylenistëve si faqja nesemat.com dhe kanali në Youtube me të njëjtin emër ka shumë video dhe shkrime të këtij njeriu që dëshmojnë se është një misionar i rangut të lartë dhe i dërguar i posaçëm i Pensilvanisë.
U mjaftova vetëm me disa fragmente të shkurtra. Materialet që dëshmojnë për aktivitetin e tij gylenist në mbarë botën, nëpërmjet seminareve, shkrimeve, kërkimeve, ligjëratave dhe bisedimeve me instituione të ndryshme janë aq shumë sa duhen orë e orë të tëra të paraqiten.
Në Shqipëri ai mjaftohet me ligjërata këshilluese të tipit jo po ramazani dhe takvaja, sinqeriteti dhe toleranca, etj etj.
Pyetja që shumë prej nesh e ngrejnë vetiu është: Çfarë do një person i tillë në poste të rëndësishme fetare dhe drejtuese në KMSH. Është këshilltari i Bujarit dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë te paria e tyre. Çfarë na duhet një arab i tillë, një misionar sektar, kur ne kemi me dhjetra, mos të themi me qindra studentë shqiptarë të kualifikuar, të cilëve nuk u jepet hapësira për të punuar?! Deri kur do të mashtrohemi me gënjeshtrat e krerëve të Komunitetit Mysliman se ata nuk i takojnë sekti gylenist? Si nuk i takojnë gylenizmit kur ata promovojnë që nga Bujari e Laureni, këtë misionar gylenist të regjur?! A ka më shumë naivitet se ky?!
Sidoqoftë, ne nuk do të reshtim së kërkuari të drejtat tona. Ne si besimtarë myslimanë shqiptarë nuk do të reshtim së kërkuar të drejtën tonë që institucioni i Komunitetit Mysliman Shqiptar t’u kthehet besimtarëve myslimanë shqiptarë, që janë pronarët e vërtetë të këtij institucioni. Ne nuk do të reshtim së foluri dhe punuari gjersa edhe uzurpuesi i fundit gylenist të largohet nga ai institucion i rrëmbyer dhe i shkatërruar tashmë nga klani gylenist, për hir të këtij sekti okult të errët, sekt i cili me fjalët e bukura si mjalti mundohet të fshehë helmin që mban përbrenda. Nuk do të reshtim derisa edhe ushtari i fundit i Gylenit të largohet nga aty, duke filluar nga ky arabi me emrin Xhemal Seferti. Fundja as ne si myslimanë shqiptarë nuk na lidh gjë me Gylenin dhe as Gyleni nuk ka punë në mesin tonë.