Sharlatani kadiani gënjen për shejh Albanin për të sulmuar Mexhlisin por "harron" se ka konsensus midis dijetarëve islam për mosbesimin (kufrin) e sektit të tyre
Para së gjithash duhet thënë se Kadianija është një lëvizje që filloi në vitin 1900 të erës sonë si një komplot nga kolonialistët britanikë në nënkontinentin Indian, me synimin për t'i larguar muslimanët nga feja e tyre dhe nga detyrimi i luftës mbrojtëse në veçanti, në mënyrë që ata të mos kundërshtonin kolonializmin britanik në emër të Islamit.
Ditën e bajramit portali mediatik Mexhlis hodhi në faqen e tij zyrtare një postim, në të cilin trajtonte një problematikë tendencioze që në fokusin e saj kishte një sekt të devijuar, madje jo musliman sipas konsensusit të dijetarëve islam, të përfaqësuar në vendin tonë nga një misionar i xhematit kadiani në Shqipëri të quajtur Samad Ahmed Ghori.
Intervista e asaj dite, e realizuar nga Top News degë e TopChannel, ishte cënim dhe prekje e ndjeshmërive të shumicës dërmuese të muslimanëve ditën më të rëndësishme atë të Bajramit. Ndaj pikërisht për këtë portali mediatik Mexhlis, reagoi duke denoncuar këtë misionar i cili flet "gjuhën" e besimtarëve por beson doktrinën e një kundërshtuesi të vet bazave të fesë.
Ditën e djeshme ky misionar ka hedhur në internet një video në të cilën etiketon portalin Mexhlis duke thënë se si pas tij shejh Albani hedh poshtë portalin Mexhlis por në fakt shkëput aty e këtu, nga kaseta në të cilën dëgjohet zëri i shejhut, fjalë të shejh Albanit i cili ka folur në shumë raste rreth tyre duke e trajtuar çështjen në mënyrë shkencore e më pas duke gjykuar për devijimet dhe mosbesimin e tyre.
Duke parë videon kuptuam që ky misionar i rrezikshëm jo vetëm që nuk ka djeni për lëmitë islame por edhe vet fjalën apo personalitetin e shejh Albanit nuk e pranon. Kështu kur dikush e pyet se a e pranon fjalën e shejh Albanit që ata janë sekt i devijuar, ai thotë se nuk e pranon fjalën e shejhut por dëshiron të hedhi poshtë portalin tonë me fjalën e një dijetari që ata as nuk e pranojnë dhe as nuk e respektojnë.
Ky misionar i huaj me pasaportë shqiptare na akuzon se merremi me thashetheme por harron se të paralajmërosh njerëzit që e kanë merak fenë e pastër, nuk është thashethem por mbrojtje e esencës së pandryshueshme të saj, esencë që me prezencën e këtij misionari në vendin tonë (dhe sektit indian që përfaqëson) hap dyer të rrezikshme, ato të përdorimit të sektarizmave okult për të dëmtuar fenë tradicionale tek shqiptarët, islamin burimor, me Muhamedin si lider dhe vulë të pejgamberisë.
Po ashtu ai gjatë videos replikë thotë se nuk na intereson fare mendimi i dijetarëve por mendimi i Zotit i shprehur në Kuran dhe mendimi i profetit i shprehur në hadithe pooor thotë më pas ato hadtithe që mbështet Kurani?! Sofizëm ky që harron hadithin pejgamberik ku thuhet se : Dijetarët janë trashgimtarë të pejgamberëve" pikërisht ata na qartësojnë se nëse hadtithi është i saktë i tilli nuk mundet ta kundërshtojë Kuranin por vetëm se e mbështet atë.
Siç duket ky misionar me prejardhje nga india ka për qëllim që të mohojë ato fjalë profetike që kundërshtojnë delirantizmat dhe pretendmet e çartisura të besimit që ai përfaqëson.
E më pas thotë se në çdo video që kam bërë për të hedhur poshtë akuzat do të gjeni argumente të pathyeshme por në këtë video përveç retorikave pa shije dhe shkëputjeve të censuruara nga shejh Albani nuk pamë asnjë argument të pathyeshëm por thjeshtë një "recitim" Bollivudian i ca frazave tërësisht të zhveshura nga argumentet sheriatike islame.
Gjithsesi duke iu kthyer videos së tij, ky misionar me qëlllime okulte i cili ka mësuar edhe shqip për të përhapur më lehtë këtë sekt jo islam shkëput disa shprehje të shejh Albanit që realisht përmbajnë thjeshtë një aspekt të medaljes që është devijimi dhe shtrembërimi i Islamit, por nuk paraqesin anën tjetër të saj ku flitet për kufrin(mosbesimin) e tyre dhe se ata nuk janë një sekt i dalë nga islami por ata nuk janë aspak musliman.
Kështu në librin “Muhtesar el Uluv lil Alijil Adhim” të Dhehebiut (1/32), imam Albani Allahu e mëshiroftë ka thënë se: Sekti Kadiani mohon shumë prej realiteteve islame përfshi edhe përmbylljen e profecisë me pejgamberin tonë Muhamed, kështu fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që thotë: “Nuk do të ketë Profet pas meje”, e shtrembëruan duke thënë: Është për qëllim se nuk do të ketë bashkë me të ndonjë profet tjetër (pra duke lënë mundësinë e ardhjes së një profeti pas Muhamedit a.s)".
Ndërsa Në librin “Silsiletu es Sahiha” (4/655) në hadithin me numër 1999 thuhet: “Në umetin tim do të ketë njëzet e shtatë gënjeshtarë dhe mashtrues, mes tyre do jenë katër gra. Ndërsa unë jam vula e Profetëve dhe nuk do të ketë Profet pas meje.” Shejh Albani Allahu e mëshiroftë thotë: Hadithi është i saktë sipas kushteve të Muslimit. Ebu Mishar është Zijad ibën Kulejb el Kufi. Në këtë hadith ka kundër përgjigje të qartë ndaj Kadianive dhe Ibën Arabiut para tyre, që shprehen se Profetësia do të mbetet edhe pas Profetit Muhamed sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Profeti i tyre i supozuar Mirza Gulam Ahmed Kadiani është gënjeshtar dhe mashtrues prej këtyre mashtruesve që përmenden në hadith".
Ajo që shejh Albani ka thënë për ta është se besimet e tyre të shtrembëruara i mohojnë tërësisht postulatet islame dhe esencën islame të besimit, madje në linkun e videos* më poshtë shejh Albani në minutën e 6:00 thotë se: Ata besuan në aspektin literal të shprehisë Kuranore por mohuan domethënien e tij të vërtetë ndaj besimi i tyre në këtë Kuran (në aspektin e jashtëm shprehimor) nuk i hyn fare në punë (pasi ata janë qafira) "
Në vargun e audio kasetave “Silsiletu el Huda ven Nur” me nr. 634, shejh Albani Allahu e mëshiroftë thotë: Sot e kupton se ka sekte që pretendojnë Islamin dhe thërrasin në Islam por që nuk kanë lidhje me të, njëlloj si ujku që nuk kishte lidhje me gjakun e birit të Jakubit (siç thuhet në fjalën e urtë dhe të vjetër arabe). Më të devijuarit nga këta sekte janë Baha-ít, pastaj vijnë Kadianitë. Këta të fundit janë më të dëmshmit për shoqërinë dhe për komunitetin e umetit të thirrjes, siç thonë dijetarët. Me këtë nuk kam për qëllim vetëm bashkësinë Islame, por kombet ekzistuese që sot kanë për detyrë t’i përgjigjen thirrjes së të vërtetës. Bahai-të nuk kanë të bëjnë me islamin sepse e kanë rrëzuar tërësisht besimin e tyre, prandaj dhe rreziku nuk është aq i pranishëm. Ndërsa Kadianitë agjërojnë, kryejnë Haxhin dhe falen, madje çdo gjë e bëjnë si Ehli Suneti dhe Xhemati. Por ata kishin besime që i nxorrën jashtë rrethit të Islamit dhe kanë dezertuar nga feja e tyre. Ata janë të rrezikshëm nga ky këndvështrim sepse të tjerët i shikojnë si muslimanë".
Gjithashtu, në vargun e audio kasetave me titull “Silsiletu el Huda ven Nur” me nr. 616, shejh Albani Allahu mëshiroftë ka thënë: ...Nuk them në Islam si Kadianitë për shembull, sepse këta të fundit e përcjellin Islamin tek të tjerët siç e mendojnë ata, një islam të tjetërsuar nga ai i vërteti....Ata besojnë se do të ketë profetë të tjerë pas Muhamedit sal-Allahu alejhi ve sel-lem, dhe njëri prej tyre siç pretendojnë ata është Mirza Gulam Ahmed el Kadianiu....I krishteri që përqafon Islamin dhe mban këtë lloj besimi nuk është musliman në kuptimin e duhur, sepse argumenti nuk i është paraqitur në kuptimin e saktë, sipas është thënies të Lartësuarit: “Por ai është i Dërguari i Zotit dhe vula e Pejgamberëve.” El Ahzab: 40. Apo hadithi mutevatir që thotë: “Nuk do të ketë asnjë profet pas meje....Ata i mohojnë të gjitha këto lajme të vërteta islame por e keqja është se thërrasin në Islam, thërrasin për tek dësh mia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Zotit. Besojnë në pesë shtyllat e Islamit e kështu me rradhë por islami i tyre nuk është i saktë. Nisur nga kjo, ata që ftohen në Islam nga Kadianitë argumenti i Allahut nuk është ngritur për ta me islamin e saktë."
Ky misionar mashtrues dhe shtrëmbërues i fjalës së shejh Albanit shkëput disa pjesë të shkurtra dhe të pakuptueshme për nga koncepti që shejhu dëshiron të përcjellë në to, kështu në një pjesë shejhu dëgjohet të thotë se "ata janë musliman" e më pas mbivendoset menjëherë në mënyrë manipulative disa shtesa të një fjale tjetër të shejhut, por cila është kjo pjesë që shejhu përmend se ata janë musliman? Le ta shohim: Në audio kasetën me titull “Silsiletu el Huda ven Nur” me numër 632, shejh Albani Allahu e mëshiroftë ka thënë: Të gjithë ju keni dëgjuar për një sekt bashkëkohor që nuk ka shumë që është themeluar, pra më pak se një shekull, përkatësisht sektin Kadiani. Këta janë muslimanë dhe nuk janë muslimanë. Janë si muslimanët që agjërojnë dhe falen dhe dëshmojnë siç dëshmojnë muslimanët, se nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Zotit. Ata kryejnë haxhin, por siç thashë më lart nga ana tjetër ata nuk janë muslimanë për shkak se nuk ndoqën rrugën e besimtarëve. Kështu që ajeti i mëparshëm u përshtat plotësisht: “Kushdo që e kundërshton të Dërguarin pasi i është dhënë udhëzimi, dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve.” En Nisa: 115
Këto nuk janë të vetmet fjalë të shejh Albanit rreth këtij sekti jo islam por për mos tu zgjatur nuk po i përmendim të gjitha. Gjithsesi dëshirojmë të theksojmë që kjo taktikë nuk është e re, por këta dexhallë mashtrues, përdorin rëndom edhe në faqe në arabisht në youtube disa shkëputje aty dhe këtu të shejh Albanit si një nga dijetarët eminent të shekullit të kaluar, dijetar që gëzon reputacion në mesin e muslimanëve, në mënyrë që të manipulojnë mendjen e njerëzve pak të njohur me doktrinën islame dhe me juridiksionin e saj të pasur.
Kjo tentativë për të helmuar mendjen e disa të lëkundurve është një meskinitet dhe paaftësi e rëndomtë e këtij personi i cili kërkon të bëjë kundërpërgjigje shkencore me terma gazetareskë e manipulativ, sikurse ishte ideja e përçuar se shejh Albani paska folur pro tyre dhe kundër asaj që pohoi Mexhlisi (një realitet i pranuar nga të gjithë dijetarët islam).
Kështu nuk është çështja vetëm tek qëndrimi i shejh Albanit por tek konsensusi i dijetarëve sunit në mbarë botën islame, qëndrim që ne si portal e morrëm parasysh kur pohuam se ata nuk i përkasin Islamit, madje janë jashtë tij. Në mënyrë që shkrimi mos të zgjatet nuk po citojmë po ashtu edhe devijimet, manipulimet dhe shtrembërimet e shumta të këtij besimi jo islam, por po cekim disa dekrete zyrtare të akademive të fikhut islam, pra konsensusit të dijetarëve nga vende të ndryshme, të cilat pohojnë po ashtu të njejtën gjë:
Këshilli i Akademisë Islame të Fikhut me qendër në Xhiddeh gjatë konferencës së tij të dytë nga 10-16 Rabi'ul-Akhir 1406 hixhri, që korrespondon me 22-28 dhjetor 1985 , ka shqyrtuar atë që kanë shkruar dhe publikuar dijetarët dhe mendimtarët e besueshëm Islam rreth Sektit Kadiani (Ahmedi), për të treguar largimin e tyre të plotë nga Islami. Po ashtu i shtojmë këtu faktin se edhe parlamenti rajonal i Provincës Kufitare Veriore në shtetin e Pakistanit miratoi një rezolutë në vitin 1974 me votim unanim të anëtarëve të tij, ku e cilësonin grupin e Kadianive në mesin e qytetarëve të Pakistanit si një pakicë jomuslimane. Këshilli i mësipërm i akademisë islame të fikhut po ashtu vendosi unanimisht se: “Doktrina e sektit Kadiani i quajtur edhe Ahmedi është doktrinë tërësisht jo Islame.Ata që bëhen ithtarë dhe ndjekës të këtij sekti janë të pafe dhe të dalë nga Islami. Maskimi i pjestarëve të këtij sekti duke pretenduar se janë muslimanë është vetëm për të mashtruar dhe devijuar.
[Kryetari: Abdullah ibën Humejd (Kryetar i Këshillit të lartë gjyqësor në Arabinë Saudite). Nënkryetari: Muhamed Alij El Harekan (Sekretari i Ligës botërore Islame) . Anëtarët: Abdul Aziz ibën Abdillah ibën Baz, Muhamed Mahmud Es Savvaf, Muhamed Salih El Uthejmin, Muhamed ibën Abdillah Es Subejjil, Muhamed Rashid.].
Të njejtën gjë kanë pohuar edhe shumë komisione dijetarësh dhe mendimtarësh islam se ata janë mosbesimtar dhe apostat siç është fetvaja e Lexhnetu Daimeh, vëll. 3, 1/431-433. Apo ajo që përmendet edhe libra të ndryshëm sikurse El-Kadianjah nga Ihsan Elahi Zahir, Enciklopedia e thjeshtuar e feve, sekteve dhe grupacionecve bashkëkohore nga Dr. Mani’ bin Hammad El-Xhuhani 1/419 – 423 etj etj.
Po ashtu një tjetër fugurë eminente sikurse dijetari Feuzan bin Feuzan në një regjistrim video kur pyetet se a janë kadianitë pjesë e një prej 73 sekteve të dala prej islamit , për të cilat ka folur pejgamberi ynë, ai (por edhe shumica dërmuese e diejtarëve musliman) u përgjigj se : Ata nuk përfshihen në këto grupacione të cilat përmenden në hadith pasi ata nuk konsiderohen aspak pjesë e islamit, pra janë mosbesimtarë" (shih: https://www.youtube.com/watch?v=j8mp3XtkACA).
Po ashtu ka edhe një fetva të Dar el Misrijeh (komisioni i dijetarëve në Egjipt) për lëshimin e dekreteve fetare të cilët qartazi i cilësojnë Kadianitë si mosbesimtarë dhe si grup jashtë sekteve të cilat konsiderohen si pjesë e islamit, pra ata trajtohen sikurse një sekt i një feje tjetër apo fe tërësisht e distancuar nga religjoni islam. Kjo e specifikuar në fetvanë me numër 341 (shih: https://aliftaa.jo/Question.aspx?QuestionId=341)
Nga ana tjetër janë pikërisht kadianitë që i bëjnë jobesimtar këdo që nuk beson në doktrinën e tyre, kështu në librin e pasardhësit të sektit Kadiani djalit të Mirza Gulam Ahmedit, “Ajne Sadakat”, thuhet: “Çdo musliman që nuk përfshihet për t’i dhënë besatimin Mesihut të premtuar (d.m.th. babait të tij Mirza Gulam Ahmedit), pavarësisht nëse e ka dëgjuar emrin e tij apo jo, ai konsiderohet jobesimtar dhe i dalë nga feja Islame.” (Ajne Sadakat, fq. 35).Po ashtu ata kanë një besim të fëlliqur rreth Allahut të Lartësuar, një besim blasfem të pakonceptueshëm në fenë tonë, kështu ata besojnë se Allahu agjëron, falet, fle, zgjohet, shkruan, bën gabime.
Pavarsisht pretendimeve për profeci dhe afrimitet me "shpalljen", "hyjnoren" duhet përmendur se Gulam Ahmedi u godit nga diarreja kronike dhe u sëmur rëndë kur ishte në Lahore, dhe vdiq në maj të vitit 1908.
Pra ky vasal mashtrues i këtij sekti të rrezikshëm, Samad Ahmed, përdor dialektika "rëshqitëse" të pavërteta për të goditur portalin Mexhlis, i cili ngriti shqetësim rreth aktivitetit prozelitist të këtij grupacioni, nëpërmjet fjalëve të keqcituara dhe shtrëmbëruara të një dijetari eminent sikurse shejh Albani.
Kjo në mënyrë që edhe aktiviteti i tij politik përkrah një njeriu si Erion Veliaj, i cili tashmë është në qendër të një stuhie akuzash për vjedhje dhe korrupsion, të maksimizohet nga propaganda në favor të promovimit të një sekti të rrezikshëm që maskohet me tesha islame edhe pse nuk ka të bëjë fare me islamin. Ky njeri i cili tashmë është qytetar shqiptar, dëshiron të falenderojë "dorën" që i ka dhënë pasaportën shqiptare duke hedhur baltë qoftë mbi portalin tonë por edhe mbi figurën e shejh Albanit të cilit ia shkëput dhe shtrembëron fjalën e tij e cila është e qartë si drita e diellit dhe nuk mundet ta errësoë apo trazojë shkëputja e tij jo profesionale. Ndaj e ftojmë sharlatanin misionar që flet shqip të pastrojë njëherë besimin e tij para se të flasë për dijetarë të nderuar sikurse është shejh Albani i cili citohet në mënyrë të rrejshme dhe me një nivel të ulët të propagandimit.
Gjithsesi Allahu do ta përsosë fenë e tij edhe nëse këtë e urrejnë mosbesimtarët. Këto nuk janë aspak thashetheme, sikurse i cilëson misionari me pasaportë shqiptare, por konsensus i qartë i tërë muslimanëve për daljen nga feja të tyre bazuar në vet dëshmitë dhe besimet e tyre jo islame, kjo replikë në thelb nuk është për shkak se ky njeri na ka përmendur por për të sqaruar njerëzit e thejshtë të mos bien pre e retorikave boshe duke rrezikuar të kundërshtojnë vet besimin e tyre e më pas të dalin fare nga feja e tyre e bukur (nëse i besojnë sharlatanëve të tillë).
I bëjmë thirrje këtij zotërisë , nëse është i sinqertë në informimin e drejtë të publikut ti hedhi të plota ligjërimet e shejhut të njohur dhe mos ti shkëpusi nëse ka kurajo, më poshtë po ia lehtësojmë punën duke e hedhur ne një ligjërim të plotë të kuptueshëm që shpresojmë ta përkthejmë së shpejti......
* https://www.youtube.com/watch?v=FAWSU3nFUTw