Devijimet në besim të Organizatës famëkeqe okulte “Fetullah Gylen” - 4
-Të folurit me Qenien Hyjnore (Allahun) dhe pretendimi se mundet të njihet e ardhmja/e fshehta
Gyleni, i cili në shprehje të shumta tejkalon çdo kufi kur pretendon, tërthorazi, se kishte parë Allahun, në fragmentin e mëposhtëm nënkupton se, përtej dimensioneve kohë dhe vend, ai ka folur me Allahun, Xhebrailin dhe Hz. Pejgamberin në një cilësi dhe sasi të pacaktuar. Ndërsa vepron kështu, me qëllim që të largojë nga vetja pyetjet dhe reagimet e mundshme, të cilat mund të parashtrohen ndaj tij, përpiqet ta sqarojë çështjen me një shpjegim të përgjithshëm, pa folur për vete. Por, vartësit e tij e dinë mjaft mirë se Gyleni po flet për veten, kështu ai i manipulon mendjet e atyre që nuk i njohin mirë teknikat e tij okulte të manipulimit psikologjik dhe verbal në mënyrë që ti lehtësohet kontrolli i të gjithë atyre që bien në këtë rrjetë diversive, atyre që bien në grackën e sharlatanizmit të tij.
“Pra, njeriu, duke u nisur nga mënyra e krijimit, mund të kalojë përtej dimensionit të kohës dhe vendit. Mund ta shohë të djeshmen bashkë me të nesërmen. Mund të arrijë drejtpërdrejt në praninë e Pejgamberit dhe mund të dëgjojë Zotërinë tonë (Pejgamberin). Mund t’i duket sikur dëgjon Hz. Xhebrailin kur këndon Kur’an. Mund të dëgjojë kur Krijuesi i flet atij përtej formës dhe mënyrës. Duke u nisur nga kjo, disa nga miqtë e Allahut thonë se kanë marrë hadithe nga Pejgamberi dhe nga sahabet. Madje nuk është i paktë as numri i personave që thonë se janë tabiin (i përkasin brezit pasardhës të sahabeve)... Po ashtu, nuk është i paktë as numri i personave që thonë se kanë marrë urdhër nga Pejgamberi.” (Gülen, Sohbet-i Canan, Nil Yayınları, İstanbul 2013, f. 21-22).
“Kështu që, një zemër, e cila ka arritur në pikën e mbulimit metakozmik të realitetit ekzistues (kjo nuk ka kurrfarë sensi në doktrinën islame), për shkak të horizontit të botës së melekëve dhe shpirtrave, mund të dëgjojë dhe të përjetojë njëkohësisht të djeshmen e të sotmen, të sotmen dhe të nesërmen; po ashtu, mund të ndiejë me të gjithë thellësinë të qenit përtej kohës.” (Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri 3, Nil Yayınları, İstanbul 2011, f. 98). Këtu po ashtu pretendohet një veçori e cila i përket vetëm Allahut të madhëruar madje është atribut vetëm i Tij, njohja e të fshehës apo të ardhmes. Më sipër ai thotë: mund të dëgjojë dhe të përjetojë njëkohësisht të djeshmen e të sotmen, të sotmen dhe të nesërmen; po ashtu, mund të ndiejë me të gjithë thellësinë të qenit përtej kohës.
Pra edhe pse shumë e paqartë si shprehi ai pretendon se kush ka arritur një gradë të caktuar mundet të perceptojë lajme të fshehta si askush tjetër. Por kjo kundërshton çdo manifestim të besimit të drejtë i cili pohon se të fshehtën e di vetëm Zoti në qiell e askush përpos Tij. Zoti thotë: Thuaj: "Askush veç All-llahut as në qiejt, as në tokë nuk e di të fshehtën, as nuk e dinë se kur ringjallen" 27:65.
Edhe pse në Kur’anin Famëlartë janë bërë disa aludime ndaj pejgamberëve (Maide, 111/5) dhe nënës së Musait (Taha, 38/20), me anë të rrugës së frymëzimit, ashtu siç theksohet në ajetin Kur’anor, nuk ka ndodhur ndonjëherë që dikush tjetër përveç pejgamberëve të flasë me Allahun dhe të takohet me të. Allahu i Lartmadhëruar, për t’u përçuar njerëzve mesazhin e tij, ka caktuar si mjet pejgamberët, të cilët i ka zgjedhur nga mesi i njerëzve (Shura, 51/42). Për këtë arsye, nuk mund të bëhet fjalë që Allahu të flasë me njerëz të tjerë, përveç pejgamberëve.
Edhe pretendimi që e djeshmja mund të jetohet bashkë me të sotmen dhe e sotmja me të nesërmen, nënkupton se njeriu ka njohuri mbi të shkuarën dhe të ardhmen në të njëjtën kohë, se zotëron të dhëna mbi botën e fshehtë dhe të panjohur (gajb). Ndërkohë që dija mbi gajbin i përket vetëm Allahut. Sepse në Kur’anin Famëlartë urdhërohet: “Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato” (En’am, 59/6). Si rrjedhojë, meqenëse këto fjalë të Gylenit nuk përputhen me parimet e besimit të Islamit, nuk duhet të marrim parasysh as çfarë thonë këta individë që shprehen në këtë mënyrë.