Devijimet në besim të Organizatës famëkeqe okulte “Fetullah Gylen” - 6
Gyleni pretendon se flet në emër të Allahut dhe se ka një ‘sekret’ ndërmjet tij dhe Allahut
Duke shkuar edhe më tej në tejkalimin e kufijve me fjalimin që mbajti në xhaminë Hisar të Izmirit, me datë 09.07.1979, Gyleni kalon në delir kur thotë se flet në emër të Allahut dhe se Allahu i Lartmadhëruar është pasqyruar pranë vartësve të tij: “Unë tani jam përqendruar nga koka te këmbët dhe flas drejtpërdrejt në emër të mëshirës së Tij. Sikur në këtë çast pothuajse e kam harruar dënimin e tij. Rahmani dhe Rahimi m’u shfaqën para syve. Fjala Bismil-lahirrahmanirrahim gati më rrethoi mua në çdo anë. Allahu, Rahmani dhe Rahimi u pasqyrua në praninë tuaj...” (1979-07-09_Gonul Dunyamizdan-02-Muhabbet fedailerinin özellikleri-Beraat Gecesi (İzmir-Hisar Camii), min. 38 etj.).
Si rrjedhojë, kur Gyleni thotë: “Po flas në emër të mëshirës së tij”, u jep mesazh vartësve se autoriteti i tij është i padiskutueshëm. Shprehja “Rahmani dhe Rahimi më mbushën shikimin”, e cila të çon në rezultatin se Allahu mund të perceptohet nëpërmjet shqisave, nënkupton edhe mundësinë e aludimit mbi cilësitë fizike të Allahut, përngjasimin ose shëmbëllimin e tij me krijesa të tjera, si dhe cilësimin e një vendi për Të. Asnjëri prej këtyre pretendimeve nuk ka vend në Islam.
Si rrjedhojë, grupe si Mushebbihe dhe Muxhessime, të cilat i mbrojnë këto mendime, gjatë gjithë historisë janë cilësuar si grupe heretike. Nga ana tjetër, sipas besimit islam, vetë personaliteti i Allahut është mbi të gjitha perceptimet. Sepse në ajetin Kur’anor Allahu urdhëron në trajtën: “Ai e di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre, kurse ata nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Allahut.” (Taha, 20/110).
Ndërsa kur thotë se Allahu është pasqyruar përpara xhemaatit të tij, ai dëshiron ti mashtrojë mendjet e pasuesve të tij me ndjeshmëri manipuluese dhe retorika devijuese që nuk kanë aspak lidhje me islamin. Po ashtu këtë e bën rëndom në fjalimin që mbajti me datë 15 korrik 1990 në xhaminë Sulejmanije, kur pretendon afërsi më të madhe sesa edhe afërsia që kishin profetët (për shembull profetit Musa i cili fliste me Allahun) me Allahun.
“Vallahi, në çdo etapë të jetës sime unë nuk kam parë të më ketë braktisur (Allahu). Nëse ai nuk më braktis mua, atëherë si mund të braktiseni ju (...) Vallahi nuk kam parë në asnjë etapë të jetës sime që ai të më ketë braktisur... Vallahi nuk më ka braktisur, bil-lahi nuk më ka braktisur... Allahu nuk më ka braktisur, mos më bëni të tregoj sekretin mes meje dhe Allahut. Unë kam kryer shumë prapësi në një kohë sa hap e mbyll sytë. Kam kryer shumë prapësi. Madje edhe kur u ktheva pas dhe po ikja më thirri duke më thënë ‘Ku po shkoni?’ (Ejne tedh’hebun-نوبهذت نيأ) (Tek’uir, 81/26)” (Ümitle Şahlanış, min. 12:12-14:48)
Gyleni, duke thënë se ka një ‘sekret’ ndërmjet tij dhe Allahut, në sy të masës së cilës i drejtohet, paraqet imazhin sikur zotëron një vend shumë të rëndësishëm pranë Allahut. Nuk dihet përse sillet mjaft bujar në zbulimin e sekreteve mes tij dhe Allahut. Në fakt, masa ndaj së cilës drejtohet në këtë mënyrë, do të besojë se ai ka një pozitë mjaft të lartë pranë Allahut. Me një psikologji të tillë, arrin në një pikë të tillë që çdo gjë që thotë, ta besojë pa hetuar. Si rrjedhojë, ashtu siç pamë edhe në ngjarjen e tradhtisë së 15 korrikut dhe në tentativën për grusht shteti, vartësit e Gylenit i janë dorëzuar plotësisht vullnetit të kreut të organizatës dhe direktivat e tij i kanë plotësuar pa hezituar aspak, duke menduar se “Me siguri te kjo ka një urtësi”.
Sipas Kur’anit, komunikimi ndërmjet Allahut dhe njeriut realizohet me anë të pejgamberëve dhe me rrugë të shpalljes hyjnore. (Shura, 51/42). Allahu i Lartmadhëruar u jep të dhëna mbi botën e panjohur vetëm pejgamberëve që ka zgjedhur. (Xhinn, 27-26/72). Përveç kësaj, fakti që disa persona përveç pejgamberëve, pretendojnë se zotërojnë dije në lidhje me gajbin, u ngjajnë parashikimeve të pabaza të parashikuesve të fatit dhe një person që i merr seriozisht këto pretendime, me shprehjen e Pejgamberit a.s (Ebu Dau’ud, Tib, 21), mohon parimet që i janë zbritur atij. Njerëz të tillë nuk janë varur nga Allahu, por nga shejtani, njerëz të cilët nuk braktisen asnjë sekondë nga shejtani.