Lidhje


A po bëhet xhamia dhe Kurani streha e fundit e çdo devijanti manipulues, e çdo mendjelehti të paaftë apo e ndonjë maskarai përfitues?

Nga Alban Gorishti

 

Një mori ndodhish kanë marrë vëmendje këto kohët e fundit, feneomene që edhe pse problematike nuk janë pjesë e befasive të cilat as nuk i paramendonim dot dhe as nuk prisnim që të shfaqeshin si shëmbëlltyrë e shenjave negative të një shoqërie regresiste (moralisht flas). Filozofi i njohur Frensis Bejkon pati pohuar dikur një realitet intelektiv nëpërmjet të cilit kuptojmë shumëçka, dimensionet e të cilave para se të manifestohen në botën e dukshme intensifikohen fillimisht në atë të brendëshmen, ai pati thënë: “Idetë  e lindura janë të brendashkruara në vetë natyrën e intelektit, i cili është shumë më i prirë drejt gabimit sesa ç’është arsyeja....ashtu sikurse një pasqyrë e pasheshuar shpërfytyron rrezet e objekteve sipas prerjes së saj, kështu edhe mendja, kur merr mbresat e objekteve përmes shqisave, nuk mund të besohet se i raporton ato besnikërisht, por në formimin e nocioneve përzien natyrën e saj me natyrën e gjërave”.

  

Prej maskaradave maniulative që janë zhvilluar këto ditë është edhe diplomimi i brezit të tretë të studentëve të Institutit të Studimeve Islame “Hafiz Sabri Koçi”, një institut në dorën e sektit devijant gylenist (sikurse edhe institucione të tjera nxitëse të “shenjave të ditës së fundit”) që ka uzurpuar KMSH-në. Një fabrikë që “pret” valutë të personalizuar e cila tenton të zvendësojë “valutën zyrtare” të identifikuar nga dyshja e cila iu dhurua profetit tonë, Kurani (libri i Allahut) dhe suneti i pejgamberit a.s (rruga tradita e tij). Këtë e sheh qartë në fabrikimin e të dhënave dhe manipulimin e njerëzve nëpërmjet titujve fetarë, sado të minimizuar nën petkun e instituteve 1-vjeçarë. Shenjë shtesë është edhe ajo që Bejkoni pohon më sipër kur thotë se kur idetë e brendashkruara bazohen në pasqyrimin e një pasqyre jo të drejtë atëherë nocionet përziejnë natyrën e tyre me natyrën e gjërave, sendeve, fenomeneve. E kur kjo ndodh edhe fizionomitë ndryshojnë por edhe pronësitë të cilat sipas islamit burimor nuk i kthehen njerëzve por Allahut, këtë fenomen pejgamberi e ka komentuar si shenjë prej shenjave të ditës së fundit. Ai, a.s pati thënë: Nuk ka për të ndodhur kiameti derisa të mburren njerëzit me xhamitë e “tyre”(pra të thonë kjo është xhamia ime apo xhamia që unë e administroj është më e mirë se e jotja)” Sahih Ebu Daud 449.

 

Pra kjo llogjikë përvetësuese e asaj që është kolektive ka për ti shndërruar xhamitë në vende tifozllëku dhe marketingu e gjithçkaje që është gjësend duke i bërë që të anashkalojnë atë që peshon më shumë se ari apo argjenti, thelbi , shpirtërorja, drejtësia . Po ashtu nga kjo llogjikë nuk përjashtohen as shoqatat, as disa hoxhallica dhe hoxhalluc të tjerë të cilët me “pashallëqet” e tyre 3D kanë krijuar diversion të madh të këtij thelbi besimor, shpirëtror, duke u strehuar përgjithësisht në universalen Kuranore nëpërmjet retorikave plot ambiguitet dhe arbitraritet.Të tillët bëjnë të mundur që intrigat të kamuflohen duke keqpërdorur traditën profetike madje nganjëherë duke e evituar tërësisht atë. Pozita artificiale që të tillët prodhojnë bashkon vetëm në emër të grupit apo interesit por fatkeqësisht më pas krijoi ndasi në “emër të islamit”. E sa e sa podiume dhe demagog kemi parë të ngihen duke përdorur “armët e shejtanit”, zërin melodioz dhe karakterin “pa fjalor” standart religjoz duke kamufluar shpesh udhën e vet me atë të gjithçkaje afetare. A nuk na tregon Allahu në Kuran për “armët” e shejtanit kundër njerëzve: “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime” Isra 64.

   

 

E gjithë kjo “performancë” i shtohet shpesh asaj që mundet ta quaja “sfilata e xhamive”, të cilat janë shndërruar shpesh në vende retorikash boshe, largësie dhe ftohjeje ndërmjet besimtarëve, në vend që ti shërbenin qëllimit për të cilin janë ndërtuar, atë të unitetit dhe ndihmës reciproke midis tyre. Kështu ka disa kohë që njerëzit e padenjë e kanë marrë pozitën e folësve dhe prijsave ilegjitim që flasin në emër të fesë, ndërsa njerëzit e paaftë me moral të dobët gëzojnë pozita të caktuara duke manipuluar masën, shtetin dhe duke shfrytëzuar atë që mundet ta quajmë “të mira” komunitare. Kështu autoriteti fetar nuk paraqitet në emër të njohësve të vërtetë të fesë dhe Kuranit (sunetit) por nga një kastë mendjelehtësh dhe devijantësh “pa profesion” të cilët e komentojnë islamin thjesht për të mbushur boshllëqet e tyre karakteriale që më pas ti japin kuptim jetës së tyre të dyjëzuar.

 

Por problemi është më kompleks se kaq, kjo pasi e keqja morale në islam sjell të keqe administrative, juridike, ekonomike etj. Për të kuptuar shtrirjen e këtij tjetërisimi kujtojmë hadithin ku transmetohet se pejgamberi a.s ka thënë  : “Frikësohem për ju nga gjashtë shenja: “Pushtetit të mendjelehtëve dhe të prishurve, shtimi i numrit të policëve, derdhja e gjakut të pafajshëm, shitblerja e pozitës, ndërprerja e lidhjeve familjare, kthimi i leximit të Kuranit në këngë, kështu e nxjerrin dikë (të rinjë me zë joshës) si imam ose i japin përparësi në ndejet apo çeshtjet e tyre por duke mos qenë as më të diturit dhe as më të pjekurit nga mesi i tyre” Sahih, e transmeton Albani në silsiletu sahihah me nr 979.

 

Të parën prej këtyre shenjave pejgamberi a.s rreshton pushtetin e mendjelehtëve dhe të paditurve (sufeha) kjo për shkak të pakujdesisë, mungesës së meritokracisë dhe kaosit legjislativ dhe moral që ata prodhojnë kur marrin në dorë administrimin e punëve të përgjithëshme. Ndërsa në një hadith tjetër ai , alejhi selam, e shtjellon se kë ka për qëllim me termin (sufeha) mendjelehtë, të paaftë (etj). Ai, alejhi selam, është pyetur: “Kush është pushteti i mendjelehtëve o i dërguari i Allahut? Ai tha: “Prijës që do të vijnë pas meje, të cilët nuk do të ndejkin udhëzimin tim dhe as nuk do ti përmbahen sunetit tim, ndaj ai i cili i aprovon gënjeshtrat e tyre dhe i ndihmon (në padrejtësitë e tyre), të tillët nuk janë prej meje (pra nuk i përmbahen sunetit edhe pse e pretendojnë një gjë të tillë) dhe as nuk do të afrohen tek Haudi im (ditën e gjykimit).Ndërsa ai i cili i përgënjeshtron gënjeshtrat e tyre dhe nuk i ndihmon në padrejtësitë e tyre, të tillët janë prej meje ( i përmbahen rrugës time) dhe unë jam prej tyre, të tillët do të grumbullohen tek haudi im (ditën e kiametit)”. Transmeton Ahmedi 14481, I gradës sahih li gajrihi sipas shejh Albanit. Ky hadith është kriteri për të dalluar rrugën dhe qëndrimet çdokujt prej nesh, a jemi duke e ndihmuar fenë dhe shoqërinë apo po e dëmtojmë, a i pëlqen Zoti qëndrimet tona apo i urren ato? Pyetje të brendëshme për të cilat realisht gjithsecili ftohet të sheshojë pasqyrat e koncepteve dhe përjetimeve në mënyrë që ti japë një përgjigje sa më afër drejtësisë universale, kurrsesi asaj “personale”.

 

Pra, ajo që është e qartë nga i gjithë ky përshkrim është pikërisht denoncimi i pejgamberit a.s ndaj prijësave devijantë dhe përkrahësve të tyre “mendjelehtë”, duke na treguar madje edhe me detaje karakteristikat e të gjithëve,kjo në një binom fakultativ që tek e fundit na tregon sesa e shtrembër është pasqyra tek e cila këta manipulues koncepesh e shohin veten e tyre. Akoma më e shtrembër, sipas kësaj llogjike duhet të jetë pasqyra e përkrahësve të tyre, ata të cilët i besojnë (apo shesin) gënjeshtrat e eprorëve të vet si “fjalë të shenjta” ndërkohë që falsiteti dhe meskiniteti është bërë i vetmi “udhëzim” për këta “tregtarë pakice”. I quaj “tregtarë pakice” pasi ajo që ata shesin nëpër xhamia (sikurse në hadithin mësipër) nuk është shpirt (Allahu e quan Kuranin shpirt ) dhe as drejtësi e maturuar nëpërmjet suksesionit legjitim  por melodi djelmoshash të cilët me këtë risi e ndërprenë traditën shekullore të islamit që farkëton maturimin e të riut nën kujdesin e të vjetrit apo e atij me më eksperiencë dhe njohje të thuktë të fesë.

 

Por pas gjithë kësaj është pyetja e titullit ajo që më kumbon vazhdimisht në kokë, a po bëhet pra xhamia dhe Kurani streha e fundit e çdo devijanti manipulues, e çdo mendjelehti të paaftë apo e ndonjë maskarai përfitues?

 

XS
SM
MD
LG