Replikë me "Rahmanizmin" e Hysamedin Ferrajt
Nga Dr. Justinian Topulli
1-Politologu i majtë, neoliberal, laik e ateist Hysamendin Feraj, dhe njëkohësisht veprimtar politik i VV-së, i pakënaqur nga largimi i dy deputetëve muslimanë praktikantë nga kjo forcë politike, për shkak të kundërshtimit që ata i bëjnë projektit-ligjit për familjen, që kërkon të lejojë martesat brenda të njëjtit seks, i është kundërvënë këtij qëndrimi duke e stigmatizuar atë si përpjekje për “ndryshimin e përcaktimit kushtetues të shtetit të Kosovës, nga shtet laik në shtet teokratik”!
Së pari, profesor Feraj duhet ta dijë se shteti laik i Kosovës dhe jo vetëm, deri më sot nuk e ka lejuar këtë lloj martese, dhe vazhdon të mos e lejojë e megjithatë kjo nuk e ka zhbërë laicitetin e tij. Të duash që ky ligj të mos ndryshojë, pavarësisht motiveve fetare apo morale, por të mbetet edhe më tej moslejues i kësaj martese, a e ndryshon vallë përcaktimin kushtetues të shtetit të Kosovës nga laik në teokratik?!
Së dyti, ata që duan që ky ligj të mos ndryshojë janë besoj shumica e popullsisë shqiptare në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe ata që nuk janë muslimanë e besimtarë madje në ndonjë fe, mes tyre pa dyshim edhe ortodoksët, katolikët e protestantët, të cilët sigurisht as që mund të mendohet se do të donin ta kthenin Kosovën në një shtet ‘teokratik’ me Sheriatin si ligj të tij.
Së treti, njerëzit në një shtet demokratik janë të lirë të motivohen nga vlerat e besimit të tyre fetar dhe t’i mbrojnë ato edhe përmes ligjeve të këtij shteti. Forcat konservatore dhe të djathta në Perëndim janë qartësisht kundra këtyre ligjeve, e megjithatë ata nuk kërkojnë aspak përmbysjen e rendit laik demokratik të këtyre shteteve, edhe pse motivi i tyre për t’i kundërshtuar këto ligje mund të jetë fetar dhe konservator. Kështu që ta lidhësh kërkesën për mos miratimin e këtyre ligjeve me përmbysjen e rendit laik demokratik është absurditet që besoj Feraj e ka mjaft të qartë, pavarësisht akrobacisë retorike që bën.
Së katërti, meqë shteti i Kosovës është demokratik përse nuk e zgjidh këtë çështje përmes demokracisë së pastër popullore, duke e hedhur në referendum ligjin për martesat brenda të njëjtit seks, ashtu siç bëri Kroacia në 2013, prej së cilës përcaktoi me kushtetutë se martesa bëhet vetëm në mes një burri dhe një gruaje, duke ndaluar kështu martesat brenda të njëjtit seks? Kroacia është vend i BE-së, fqinj i ynë ballkanik dhe katolik në shumicën e tij, dhe nuk ka aspak ndër mend ta kthejë shtetin e saj laik në ‘teokratik islam’.
2-Feraj vazhdon më tej me një tjetër pretendim se “Historia e mendimit dhe veprimit politik e shtetformues shqiptar ka qenë e tëra për shtet laik shqiptar”, duke harruar se dokumenti i parë politik i shtetformimit shqiptar është Kararnameja e Lidhjes së Prizrenit, e cila që në nenin katër, i referohet pikërisht Sheriatit dhe jo ndonjë ligji laik, për mbrojtjen e jetës, pronës dhe nderit të shqiptarëve jomyslimanë.
Së pari, Feraj ndoshta nuk e di se gjykatat e Sheriatit kanë vazhduar punën e tyre në shtetin laik shqiptar deri në vitet 20’, e kjo jo vetëm nën shtetin e Ismail Qemalit, por edhe atë të Princ Vidit, edhe nën pushtimin Astro-Hungarez, por edhe pas qeverisë së dalë nga kongresi i Lushnjës, e deri kur ato u zëvendësuan gradualisht nga kodet e marra nga Perëndimi.
Sheriati shpesh shihet me syzet e errëta të orientalizmit si një ligj barbar mesjetar që vetëm pret koka kriminelësh dhe duar hajdutësh! Ndërkohë që për ta zhbërë këtë imazh fals do të mjaftonte si fillim, të reflektohej sadopak për ata shekuj të tërë të sundimit osman dhe shtetit pas osman, ku Sheriati ishte ligji kryesor, me të cilin gjykoheshin shqiptarët, krahas të drejtës zakonore që zbatohej në zona të caktuara, apo për ato norma lokale të cilat Sheriati i toleronte. Shqiptarët nuk kanë trashëguar në memorien e tyre historike ndonjë imazh “përbindëshi” të Sheriatit, i cili në fakt ka qenë akoma prezent edhe në vendimet e gjykatave që në fillimet e shtetit laik shqiptar.
Së dyti, Sheriati, për ata që nuk e njohin, është e drejta Islame që rregullon jetën dhe marrëdhëniet e muslimanit me Zotin, me veten, me njerëzit dhe me botën përreth. Është një udhëzim tërësor normativ për një jetë të devotshme dhe në përputhje me parimet e Islamit, dhe nis që me mënyrën sesi duhet të kryhet falja e deri tek marrëdhëniet ndërkombëtare që duhet të kenë shtetet. Ai bazohet në themel të tij mbi drejtësinë dhe mbi parimet morale islame, të cilat i merr nga Kurani dhe Udhëzimi Profetik, i interpretuar dhe aplikuar nga shkolla të ndryshme juridike, duke lënë një hapësirë interpretimi dhe zbatimi nga gjykatësit dhe ligjvënësit, në varësi të rrethanave sociale, kulturore dhe historike, shpesh shumë më të madhe sesa lënë ligjet e sotme laike. Kështu që nga kjo pikëpamje ai nuk është modeli i ligjit të një shteti tipik teokratik, i qeverisjes nga Zoti, sipas pikëpamjes mesjetare kishtare të Perëndimit, por një udhërrëfyes hyjnor i interpretuar dhe zbatuar nga njerëzit. Sheriati jo domosdoshmërish bie ndesh me çdo ligj laik, të cilat në thelb duhet të bazohen edhe ato mbi logjikën e drejtësisë, por edhe mbi traditat e hershme të trashëguara, e sigurisht edhe përshtatjet e nevojave bashkëkohore. Dallimi thelbësor mes tyre qëndron tek burimi i frymëzimit, i cili për muslimanët është Shpallja Hyjnore, e jetësuar sipas realitetit tokësor në të cilin jetojmë, dhe që përmbush pesë objektiva madhore: 1) Ruajtjen e fesë dhe besimit, 2) Ruajtjen e jetës njerëzore, 3) Ruajtjen e pasurisë, 4) Ruajtjen e nderit dhe familjes, 5) Ruajtjen e intelektit.
Së treti, antipatia ndaj Sheriatit që kanë laikët e sotëm në thelb buron nga një histori e gjatë beteje për pushtet mes sovranitetit dhe interesit të mbretërve evropianë dhe sovranitetit dhe interesit të Kishës Katolike në Evropën e Mesjetës. Shekullarizimi që pësuan këto shoqëri, preku edhe të drejtën kanonike fetare të Kishës, duke i hequr asaj të drejtën juridike mbi shoqërinë dhe shtetin. Ky zhvillim historik, për vetë natyrën dualiste të pushtetit kishtar dhe laik në Evropë, nuk ka lidhje fare me historinë dhe realitetin në botën islame dhe karakterin unitar të pushtetit dhe ligjit në të. Ndërkohë antipatia e laikëve ndaj ligjeve me frymëzim fetar, buron edhe nga antipatia për vetë hyjnoren, të cilën ata e “shfronësuan” nga të qenit boshti i jetës sociale njerëzore, për ta zëvendësuar atë me tokësoren, ku burimi i frymëzimit mbeten vetëm dëshirat, tekat dhe nevojat njerëzore.
Kështu që fryma laike e atyre që pasuan Lidhjen e Prizrenit nuk buronte nga ndonjë ideal patriotik dhe kombëtar, por nga fryma dhe ideologjia moderne laike e kohës, përndryshe Feraj do të duhej të akuzonte për fyerje të gjakut të derdhur shqiptar, të gjithë ata burra patriotë që iu referuan besnikërisë ndaj Sheriatit që në preambulën e shtetit dhe kombit shqiptar, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
3-Më pas Feraj në mënyrë ironike kërkon të përligj ligjin për lejimin e martesave në të njëjtin seks duke e krahasuar atë me lejimin e martesës mes kushërinjve, që tolerohet nga Sheriati, të cilin ai e quan në mënyrë përbuzëse si “incest” që bie ndesh me traditën shqiptare.
Së pari, siç e edhe vetë Feraj e thotë Sheriati nuk obligon të tilla martesa, madje po themi se as nuk i nxit dhe motivon ato, ai thjesht nuk i ndalon. Kurani (4:23) përcakton kufijtë e ndaluar të martesave duke mos përmendur aty kushërinjtë, çka nënkupton lejim. Por Sheriati në të njëjtën kohë respekton “Urfi-n” apo ndryshe traditat dhe zakonet lokale të një vendi, të cilat nuk bien ndesh me të. Kështu që ironia e Ferajt që kërkon të përligj martesat e të njëjtit seks, çka bie ndesh kokë e këmbë me traditën dhe kulturën e shqiptare, me lejimin që Sheriati i bën martesave me kushërinjtë është e turpshme dhe jashtë çdo konteksti të asaj që kërkojnë ish deputetët e VV-së, që ai ironizon gjoja miqësisht.
Së dyti, çështja e martesave brenda kushërinjve është pjesë e një kulture dhe zakonesh të shtrirë në mbarë botën dhe mjaft e hershme. Mjafton t’i hedhësh një sy Biblës hebreo-kristiane (Levit:18) për të parë se ndalesat e martesave me kushërinjtë nuk përfshihen në të, i njëjti gjykim si në Kuran. Edhe në Greqinë e lashtë martesat mes kushërinjve lejoheshin. Nëse i hedhim një vështrim historik ligjeve të Perandorisë Romake, pjesë e së cilës kanë qenë trojet shqiptare, do të vëmë re se martesa mes kushërinjve ka qenë e lejuar ligjërisht deri në fundin e shekullit të katërt në perëndim dhe deri në shekullin e gjashtë në lindje. Ndalesat që erdhën më pas me sa duket nuk lidheshin me çështje morali apo feje, por për shkak të implikimeve ligjore që kishte çështja e trashëgimisë. Kisha Katolike u ndikua nga këto ligje dhe nga këto implikime dhe nuk ka pas një qëndrim të njëjtë për këtë çështje, por ajo ka evoluuar në kohë nga lejimi në ndalim, fillimisht deri në kushërinjtë e katërt pastaj deri tek i gjashti e i shtati në shekullin e nëntë, për t’u kthyer në shekullin e trembëdhjetë përsëri tek i katërti. Kështu që për çfarë tradite shqiptare e ka fjalën Feraj, kur ajo nuk mund të ketë qenë aspak e qëndrueshme në këtë drejtim?
Së treti, nëse i referohemi Kanunit të Lekë Dukagjinit, si një referencë e traditës së vonshme shqiptare, aty jashtë çdo logjike thuhet se martesa e krushqia nuk lejohet deri në brezin e katërqind (neni 39 dhe 697)! A është kjo figurative, ndërkohë që ndalesa shkon më pak se kaq? Megjithatë e përhapur si traditë gojore e ruajtur deri më sot është edhe tradita që thotë se ndalesa e martesës shkon deri në kushëririn e shtatë, që mesa duket nuk është gjë tjetër veçse ndikim mesjetar i Kishës Romane Katolike. Në një popull të vogël si ne shqiptarët, përcillet në fakt edhe një tjetër traditë e mbetur e cila thotë që, të mos e gricësh shumë gruan se nga është se ndoshta del kushëri me të. Të gjitha këto tradita janë të ndikuara nga rrethanat historike përmes të cilave kanë kaluar shqiptarët, kështu që si laik dhe ateist t’i marrësh këto tradita të epshme për të shenjta si të ishin fjalë hyjnore dhe përmes tyre të gjykosh se çfarë është incest e çfarë jo, ndërkohë që përligj në kundërshtim po me këto tradita, martesat brenda të njëjtit seks, është një logjikë që kërcet zhurmshëm.
Së katërti, as tradita jonë kanunore e zakonore shqiptare -meqë Feraj i referohet asaj - nuk e lejon martesën brenda të njëjtit seks, për të mos thënë që vetë kjo sjellje është e dënueshme moralisht dhe shoqërisht nga doket dhe zakonet shqiptare brez pas brezi. Kështu që lejimi i saj “i bie ndesh gjithë historisë dhe traditës shqiptare” në këtë drejtim.
Së pesti, as Kurani dhe as ndonjë burim tjetër i Sheriatit Islam nuk përcakton vlerën shëndetësore ose jo të martesave mes kushërinjve, që Feraj duhet ta trumbetojë si triumf të shkencës ndaj Kuranit! Fakti se ato janë biologjikisht të dëmshme është një e vërtetë e cunguar, e cila ka nevojë të sqarohet. Ajo që studimet pohojnë është se martesat mes kushërinjve mund të sjellin disa probleme gjenetike që përfshijnë çrregullime autosomale recesive si fibroza cistike, anemia dhe talasemia. Këto çrregullime zakonisht kërkojnë që të dy prindërit të mbajnë të njëjtin gjen të gabuar që çrregullimi të jetë i pranishëm tek fëmijët e tyre. Studimet kanë treguar se fëmijët e lindur nga tilla martesa përballen me një rrezik të shtuar për të trashëguar të tilla çrregullime gjenetike. Kështu që shanset për të pasur një fëmijë të prekur nga këto çrregullime janë më të larta në martesat mes kushërinjve sesa nga ato me njerëz më të largët. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se jo të gjithë pasardhësit nga të tilla martesa kanë domosdoshmërisht probleme gjenetike. Kështu që absolutizimi i këtij fakti është kthyer në një mit urban, që e përgënjeshtron në fakt realiteti i atyre kulturave që e praktikojnë këtë lloj martese. Ndërkohë martesat brenda të njëjtit seks janë bartëset më të mëdha të problemeve shëndetësore dhe sociale, që dëmtojnë rëndë traditën e familjes shqiptare.
Së gjashti, askush nuk ka ndërmend të promovojë martesa të tilla, në emër të Sheriatit, sepse edhe atje ku ato tolerohen nga tradita dhe kultura përkatëse, mbeten të pakta, ndërkohë që martesat homoseksuale dhe përdorimi i metodave bashkëkohore të fertilitetit që u jep fëmijë këtyre çifteve, apo formave aspak natyrore të mëmësisë, janë një problem shumë më madhor i riskut shëndetësor dhe social që ato sjellin.
4-Ligji mbron atë që është e shenjtë për njerëzit duke rregulluar ligjërisht të drejtat dhe detyrime që lindin nga kjo lidhje. Dhe familje historikisht, si ajo shqiptare dhe jo vetëm, është quajtur pikërisht ajo që lind nga martesa e përbërë nga burri (mashkull) dhe gruaja (femër), që janë edhe origjina e bërthama e çdo lidhje sociale, që është quajtur deri më sot familje, pavarësisht se çfarë mund t’i ndodh më pas aksidentalisht këtyre individëve të lidhur në martesë, siç është vdekja apo divorci. Ligji nuk garanton vetëm të drejtat dhe detyrimet individuale të pjesëtarëve të një familje, por ka frymë dhe mbron konceptin e familjes edhe në parim, duke mos lejuar të quhet familje dhe të marrin të njëjtin status ligjor lidhjet seksuale mes individëve të të njëjtit seks. Është më se e qartë se pas lejimit me ligj të martesave homoseksuale vjen e drejta për të pasur fëmijë, e më pas ndryshimi i konceptit -bazik biologjik- se fëmija nuk mund të ketë vetëm se një baba dhe një nënë, por edhe dy nëna, edhe dy baballarë etj. duke thyer kështu ekskluzivitetin konceptual historik të traditës shqiptare dhe jo vetëm. Dëmi që i sjellin familjes në parim dhe në frymë ligje të tilla qëndron në faktin se ato përligjin edhe moralisht, pas përligjjes legale të panatyrshmen, atë që jetë e mot si feja ashtu edhe tradita shqiptare dhe jo vetëm e ka konsideruar si imorale. Ky imoralitet është ai që zhbën dhe relativizon konceptin unik të trashëguar të familjes, nga i cili ka lindur fisi dhe kombi. Me një ligj të tillë dhe me kulturën e promovimit të agjendave ylberiste që i shoqërojnë këtë ligje, shqiptarët do të shpërbëhen edhe më tepër duke shkatërruar edhe atë imunitet që e ruan edhe sot nga sëmundjet sociale të Perëndimit.
5-Së fundmi, nuk mund të lëmë pa përmendur se ajo që ka ndodhur mes deputetëve me identitet të fortë konservator e myslimanë në VV,është diçka që pritej dhe qe e paralajmëruar. Ndarjet e forta ideologjike mes një partie me tipare neomarksiste -paçka se ka ngritur flamurin e nacionalizmit- dhe anëtarëve të saj me bindje religjioze, ishin rezultat i pashmangshëm i kësaj aleance politike aspak të natyrshme dhe jetëshkurtër. Kështu që gabimi i një përfshirje të tillë partiake, në vend që mund të kishte qenë p.sh. një aleancë e kushtëzuar, nis që nga një përfshirje e tillë. Edhe pse sipas mendimit personal besimtarët duhet t’i rrinë larg marksistëve të të gjitha ngjyrimeve, përndryshe është afërmendsh që një ditë adhuruesit e Zotit do të përplasen me ithtarët ateistë të Marksit, për arsye parimore e ideologjike.
_________
1. http://albanianhistory.net/1878_League-of-Prizren/index.html
2. https://www.zaninalte.al/2013/09/mexheleja-kodi-civil-osman-dhe-trashegimia-juridike-osmane-ne-shqiperine-e-viteve-1912-1929/
3. https://en.wikipedia.org/wiki/Cousin_marriage#
4. https://scienceofbiogenetics.com/articles/understanding-the-potential-genetic-problems-associated-with-cousin-marriages-and-their-implications