Devijimet në besim të Organizatës famëkeqe okulte “Fetullah Gylen” - 9
Gyleni pretendon se takohet dhe bisedon ballë për ballë me Pejgamberin, a.s, ndërkohë që është zgjuar
Në një predikim fetar të mbajtur në datën 03.11.1978, Gyleni shprehet se është e mundur të flitet drejtpërdrejt me Rasulullahun, pas vdekjes së tij: “Ka shumë persona të tillë që nderohen me afrimitetin në praninë e Allahut, përgëzohen drejt për së drejti, marrin dhe japin përshëndetje, ulen dhe bisedojnë. O Zot, u gjendëm mes atyre që flasin me Rasulullahun, shtrohemi në bisedë me të. U gjendëm mes atyre që dhanë dhe morën përshëndetje!” (1978-11- 03 Hac- 3, min. 01:12:00 etj.).
Në veprën e tij me titullin Prizma 1, ndaj pretendimeve se takohet me Pejgamberin, shton edhe pretendimin se takohet me sahabet, evlijatë dhe me personat që kanë nivel të lartë në xhennet: “Allahu, mirësitë që na dhuron, i dhuron nëpërmjet ëndrrave ose i spërkat brenda nesh me anë të ‘zgjuarsisë’, në saje të disa zemrave të pastra; kryesisht na takon dhe na bashkon me Pejgamberin, pastaj me shumë sahabe, evlija dhe njerëz që kanë arritur në një nivel të lartë.” (Gülen, Prizma 1, Zaman Gazetesi Yayınları, İstanbul 1997, f. 205)
Në rreshtat e mësipërm Gyleni parashtron se herë në ëndërr e herë në gjendje të zgjuar, si një mirësi e Allahut për ndjekësit e tij, është i mundur takimi dhe biseda me Pejgamberin, sahabet, evlijatë dhe personat që janë në nivel të lartë në xhennet. Njësoj si të gjithë njerëzit, edhe Pejgamberi (s.a.s.) ka ardhur në botë në kuadër të një exheli të caktuar dhe ka ndërruar jetë kur është plotësuar afati i parashikuar. Allahu i Lartmadhëruar, për t’i përgatitur besimtarët ndaj këtij realiteti të pandryshuar, në Kur’anin Famëlartë urdhëron: “Sigurisht që ti (o Muhammed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin” (Zumer, 30/39) dhe “Muhammedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Al-u Imran, 144/3).
Në kundërshtim me këto deklarata të qarta të Kur’anit Famëlartë, të pretendosh se Pejgamberi ynë nuk ka vdekur, se vjen dhe shëtit mes xhemaatit, se merr disa urdhra nga ai, mbi të gjitha bie në kundërshtim me Kur’anin Famëlartë. Përveç kësaj, fjala e Ebu Bekrit (r.a.), në kohën kur Pejgamberi ynë u bashkua me Mikun e Tij më të Lartë, pra ndërroi jetë, e thënë në trajtën: “Kushdo që adhuron Muhammedin le ta dijë se Muhammedi ka vdekur. Ndërsa kushdo që adhuron Allahun le ta dijë se ai është gjallë dhe i pavdekshëm.” (Buhari, Xhenaiz, 3), është një shembull tjetër që e vërteton këtë realitet. Është e pamundur që pas vdekjes, Pejgamberi të ekzistojë në sipërfaqen e tokës, të ekzistojë fizikisht apo të flasë e të bisedojë me dikë. Po të ishte e mundur që Pejgamberi (s.a.s.) të shfaqej pas vdekjes, në një kohë kur personi është i zgjuar, pa dyshim që personat më të denjë për këtë do të ishin sahabet. Sepse shoqëria dhe miqësia e tyre me Hz. Pejgamberin do të vijojë deri në kiamet. Mirëpo asnjë sahabe nuk ka pretenduar se e ka parë Rasulullahun kur ka qenë zgjuar. (Ibn Haxher, Fet’hu’l, Bari, XII, 385). Me këto shprehje, nën petkun e lartësimit të Hz. Pejgamberit dhe sahabeve, Gyleni e vë veten në një pozitë të jashtëzakonshme, madje mundohet të forcojë vartësinë e tyre ndaj tij, duke i magjepsur pjesëtarët e organizatës. Kjo sipas islamit është një herezi e qartë.