KMSH blen vakëf në Itali
Friday, 13 December 2024 19:47
Nga hoxhë Florian Leli
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) ka përfunduar me sukses blerjen e një vakëfi në qytetin e Parmës, Itali, i cili do të shërbejë për ndërtimin e një objekti multifunksional ... Ky vakëf do të shërbejë për ndërtimin e një objekti multifunksional që do të përfshijë një xhami moderne për lutje dhe aktivitete fetare, salla për takime dhe aktivitete komunitare, klasa, parking dhe ambiente të tjera. Ky kompleks synon të jetë një qendër gjithëpërfshirëse dhe e hapur, që promovon paqen, dashurinë, diversitetin dhe bashkëpunimin ndërfetar. Projekti reflekton vlerat e bashkëjetesës fetare shqiptare dhe angazhohet për t’i shërbyer jo vetëm besimtarëve shqiptarë, por edhe atyre të kombësive të tjera në Parma.” Kështu thuhej ndër të tjera në njoftimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Një gjë më bën përshtypje; çfarë nevoje kemi ne si besimtarë myslimanë të Shqipërisë për vakëfe në Itali, ndërkohë që ne nuk kemi xhami mjaftueshëm as në kryeqytetin tonë dhe as në shumicën e qyteteve të mëdha të vendit, pa folur për fshatrat dhe zonat rurale. Në Tiranë, lagje të tëra janë pa xhami. Nga Rruga Elbasanit, për të vazhduar me piramidën dhe stadiumin, ish-bllokun, Tiranën e Re, ish-Ekspozita, e për të vazhduar më tutje në bllokun Vasil Shanto, djathtas për nga 21 Dhjetori dhe Zogu i Zi, e po të ecim drejt për nga pallatet e Delijorgjit, për të vazhduar me fabrikën e miellit e më tutje, janë zona të tëra pa asnjë xhami të mirëfilltë, asnjë fare. Janë lagjet kryesore të kryeqytetit që nuk kanë asnjë xhami, asnjë xhami, përveç nja dy dhoma që janë hapur me përpjekjet e besimtarëve. Është një zonë me 200.000 - 300.000 banorë!
Nuk e di sa e drejtë dhe e ligjshme është që me fondet e besimtarëve shqiptarë të Shqipërisë të blehen vakëfe, për qendra multifunksionale, që mbase janë ndonjë projekt gylenist si House of the One, ndërkohë që besimtarët myslimanë në shumë xhami të kryeqytetit falen në lulishte xhamie, në trortuare, në rrugica, në shi, në breshër, në pikun e vapës dhe në kulmin e acarit. Është cinike. Përse duhet të investohet në Parma me paratë e një komuniteti që i takon besimtarëve myslimanë brenda Republikës së Shqipërisë të cilët heqin të zitë e ullirit për të falur xhumatë, pa folur për pesë namazet?! Shumë lagje në Tiranë nuk kanë xhami dhe besimtarëve u nevojitet mbase një gjysëm ore për të shkuar në xhami e një gjysëm ore për t’u kthyer! Është shumë cinike.
Sa legale është nxjerrja e fondeve për vakëfe jashtë vendit tonë, ndërkohë që ato fonde mund të shfrytëzohen për vakëfe që janë nevojë emergjente për shumë qytete. Vlora me 150.000 banorë afërsisht ka dy xhami të vogla ngjitur me njëra-tjetrën. 90% e qytetit të Vlorës nuk ka xhami.
Përse duhet financuar për projekte multifunksionale ndërkohë që Komuniteti ynë nuk e ve ujin në zjarr për besimtarët që marrin rrugën sa në Farkë e sa në Mullet (fshatra pranë Tiranës) për të falur xhumatë. Edhe këto nuk është se i ka ndërtuar Komuniteti. Namazgjaja vetëm ka lehtësuar pak ngjeshjet e tepruara në xhami si sardele dhe ka lehtësuar pak kallaballëkun e madh që bëhej gjithandej. Edhe këtë nuk është se e ka ndërtuar Komuniteti.
Komuniteti ynë me kaq dashuri që rrezaton kudo në botë, me kaq paqe që promovon, sikur ne myslimanëve të Shqipërisë të na ndante pak nga kjo dashuri, të na jepte pak prosperitet, pak dinjitet do të ishte shumë mirë.
Komunitetet e tjera fetare i kanë zgjidhur me kohë nevojat e anëtarëve të tyre. Merrni për shembull Kishën Katolike. Kisha Katolike në Tiranë ka kisha të mëdha dhe të mesme kudo, katedralja pranë Lanës, kisha në rrugën e Durrësit, Kisha e Don Boskos, kisha në rrugën Ali Pashë Gucia, etj. Këto janë brenda dhe pranë unazës së vogël. Ndërkohë, në të njëjtën shtrirje vetëm 4-5 xhami kemi, megjithëse bashkësia e besimtarëve mysliman është dhjetë herë më e madhe në numër.
Përse të mos punojë edhe Komuniteti Mysliman ashtu siç punojnë të tjerët. Përse të investojë fondet e myslimanëve shqiptarë jashtë, kur ne kemi nevoja emergjente këtu brenda vendit. Le të zgjidhin hallet tona njëherë pastaj të zgjidhin ato të Parmës.
Po mesa duket, ky projekti multifunksional që në një cep do ketë një xhami, duhet të njetë ndonjë projekt i tipit gylenist, për përhapjen e gylenizmit me paratë e myslimanëve shqiptarë, për të vënë në jetë projeksionet që janë projektuar për gylenizmin si një lëvizje alternative për myslimanët evropianë, të cilët pasi u konsoliduan në Shqipëri, po synojnë të përhapen edhe në vendet evropiane.
Prandaj këtu duhet të jemi të qartë: Jo në emrin tonë! Jo në emrin e Komunitetit tonë! Jo me fondet tona! Jo me të drejtat tona! Duam në krye të KMSH-së njerëz që shqetësohen për besimtarët dhe na përfaqësojnë, jo sektarë politikanë që nuk dinë ku shpenzojnë!