SPAK, Giovani Falcone dhe drejtësia hyjnore si nevojë universale për drejtësinë njerëzore

Nga Alban Gorishti
“Burrat vijnë e shkojnë, idetë mbeten. Po ashtu mbeten edhe tensionet e tyre morale teksa ato vazhdojnë të ecin me këmbët e burrave të tjerë”- J.Kenedy.
Hera e parë që kam dëgjuar për Falconen ka qenë shumë kohë më parë, kur lajmet kryesisht i merrnim nga mediat e vendit fqinj, Italisë. Nga ajo që përcillej përtej detit, kujtoj se ishte kohë që përballë Falcones lakohej një fenomen i krahasueshëm me legjendat me bajloz, ato legjenda ku i keqi shihej si një përbindësh i llahtarshëm që vetëm një hero i guximshëm mundet ta mposhte.
Po ashtu këto kohë një strukturë e mbarë votuar nga forcat politike, SPAK, ka filluar një punë të ngjashme për nga motivacioni dhe mënyrat me atë të Falcones edhe pse pikënisja kryesore e kësaj strukture janë politikanët e korruptuar. Ndërsa Falcone ishte simboli i luftës ndaj bosëve të mafias. Në këtë artikull nuk kam për qëllim metodën krahasuse por misionin përbashkues të këtyre dy paraleleve me emërues të përbashkët, drejtësinë. Kështu si misioni i Falcones dhe ai i SPAK-ut në Shqipëri është të luftojnë krimin e organizuar dhe korupsionin me strukturat e tyre të pavarura, e gjitha kjo në funksion të drejtësisë sociale dhe paanshmërisë institucionale.
Falcone, lindi në vitin 1939, teksa SPAK është shumë më e re ajo u themelua në nëntor të 2019-ës. Falcone u bë prokurori simbol i luftës kundër mafies në Itali dhe në mbarë botën. Metoda "ndiq paratë" e Falcones është ende baza e të gjitha hetimeve antimafia, edhe sot, 32 vjet më vonë. Giovanni Falcone ishte një nga gjyqtarët më me ndikim dhe më të njohur në historinë italiane madje në atë mbarë botërore. Angazhimi i tij i vazhdueshëm ndaj drejtësisë dhe lufta e tij kundër mafies në Siçili, e realizuar me vendosmëri dhe guxim, mbahet mend dhe festohet edhe sot e kësaj dite. Cilat ishin arritjet e tij më të mëdha:
-Gjyqi i madh: Fitorja më e madhe e gjyqtarit Falcone.
-Metoda Falcone është tashmë e njohur ndërkombëtarisht.
-Vdekja e tij ishte pikënisje dhe frymëzim për drejtësinë e mëpasshme.
Por a ishte ai i pari që zbuloi çelësin për ta mundur mafian (padrejtësinë/të keqen)?
Faktikisht të luftosh mafian do të thotë të luftosh të keqen, e të luftosh të keqen do të thotë të luftosh padrejtësinë, kaosin, pabesinë, pasigurinë, kriminalitetin etj, të gjitha koncepte që “cënojnë” çdo kushtetutë hyjnore apo tokësore. Në shoqëritë moderne, njerëzit tashmë i parashtrojnë pretendimet e tyre politike, jetësore në bazë të të drejtave që ata supozojnë se zotërojnë. Nocioni i dinjitetit njerëzor është thebësor në filozofinë morale të Kantit por po ashtu edhe në kodet etike religjoze. Drejtësia Hyjnore është shtylla kurrizore e gjithë aktit të krijimit. Ekuilibri dhe proporcioni i duhur i dukshëm në qiej dhe në tokë janë një shfaqje e drejtësisë së Zotit. Me to mbahet ekuilibri në kozmos, po nëpërmjet saj garantohet rendi dhe të drejtat e njerëzve në tokë. Në mungesë të theksuar të saj, çdo produkt i tokës dhe i qiellit e humbet shijen dhe funksionin normal.Në Kuran urdhërohet dhe thuhet: “O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju. (4:135)”
Drejtësia sociale është një parakusht i rëndësishëm për paqen në botë pasi një sistem shoqëror i padrejtë është një vullkan i fjetur përkohësisht, shpërthimi i të cilit mund të pritet në çdo moment.Në këtë sens edhe padrejtësitë e panumërta, të cilat kishin kohë që “flinin” nën pushtetin e të paprekëshmve ishin shndërruar në një gangrenë për shoqërinë dhe një rrugë drejt modeleve autokratike në të cilat vet bota e mafies ishte duke kapur strukturat më të larta të shtetit.
“Nëse nuk ka qenie njerëzore, nuk mund të ketë as të drejta njerëzore”-thoshte dikur një filozof. Ajo që më rikujtoi kjo thënie ishte ndjesia se pas kaq e kaq zullumesh shtetërore të drejtat njerëzore ishin në pikën më kritike të rënies, ajo që më rikujtoi po ashtu ishte ndjesia se në këtë vend “nuk kishte më” qenie njerëzore por thjesht njerëz të dorëzuar dhe të privuar, njerëz skeptikë dhe inekzistent (politikisht/socialisht). Kjo ka një tangente ngjshmërie me ndjesinë mbarëpopullore të kohës para Falcones.Kohë ku bandat mafioze ndanin teritorin sikurse ngrënësit ndajnë një tortë evenimentesh.
Supozojmë jetën, pra si do të jetë ajo në një shoqëri në të cilën nuk është ligjërisht e ndaluar të lëndosh, të vjedhësh apo vrasësh dikë tjetër. A do të thotë kjo se është e ligjshme të lëndojmë apo të vrasim? Besoj se askush nuk e mendon këtë. E drejta për të mos lënduar, vjedhur apo vrarë në rrethana normale mund të mos jetë një e drejtë ligjore për disa që në mendje kanë justifikimn e vjedhjes apo forcës brutale (institucionale) , por ajo ende është një e drejtë morale. Pa ndonjë rregull për sjelljen, nuk do të kishte shoqëri, por vetëm anarki. Për shkak se rregullat e sjelljes nënkuptojnë të drejta, nuk ka shoqëri pa të drejta, të drejta ligjore apo të drejta morale. Kështu pra kur të bëhet padrejtësi, shkelet një e drejtë e jotja, imja, tjetrit madje edhe e atyre gjallesave pa intelekt që sipas koncepteve religjoze gëzojnë po aq shenjtëri sa edhe njerëzit (Transmetimi profetik i gruas që lidhi macen derisa ajo ngordhi dhe përfundoi në ferr) .
Këtu supozoj se të drejtat morale të njeriut përfshijnë të drejtën për të jetuar, lirinë e ndërgjegjes, lirinë e fjalës dhe lirinë e fesë, kush më mirë se drejtësia mundet ti garantojë këto të drejta. Kush më mirë sesa drejtësia sado e çalë të jetë ajo, sado e kufizuar apo klienteliste, përsëri në një “Palermo” moderne ajo ngelet një alternativë, një aset që nuk duhet “linçuar”. Padyshim nuk mjaftohemi me një apo disa pjesë të saj por atë të cilën nuk e gëzon në tërësinë e saj nuk do të thotë që ta “braktisësh” në rastin kur gëzon vetëm pak apo një pjesë prej saj.
Kështu drejtësia Hyjnore është shtylla kurrizore e gjithë aktit të krijimit. Ekuilibri dhe proporcioni i duhur i dukshëm në qiej dhe në tokë janë një shfaqje e drejtësisë së Allahut. Shëmbëllimet e kësaj drejtësie në një tokë kaq të zhytur në padrejtësi, sado të zbehta, janë më të vyeshme sesa labirintet e errëta të pushtetit të të paprekshmëve! Veprimi i parë hyjnor që vjen në mendje si një veprim i Zotit me të cilin u jepen të drejta qenieve njerëzore, është akti i krijimit. Duke i krijuar ato, Zoti u ka dhënë krijesave të tij të drejtën për të jetuar. Zoti ndalon të vrasësh, të kryesh kurorëshkelje, të vjedhësh, të japësh dëshmi të rreme. Këto ndalesa hyjnore nënkuptojnë detyrime ndaj qenieve të tjera njerëzore. Nëse askush nuk duhet të të vrasë, atëherë ke të drejtë të mos të vrasin, domethënë, ke të drejtë të jetosh. Nëse askush nuk duhet të të vjedhë, atëherë ke të drejtë të mos të të vjedhin, domethënë, ke të drejtë të zotërosh, etj. Këto ishin të drejta që si popull i kishim humbur me kohë, të vjedhur, të përndjekur në mërgim, të privuar nga pasuritë e tokës amë, të vrarë padrejtësisht nga neglizhenca e shkaktuar pikërisht nga mungesa e drejtësisë. Ndaj sikurse nevoja për drejtësi është e madhe ngjashëm edhe organet që e sigurojnë këtë drejtësi (sado e pjesëshme qoftë) duket sikur janë pjesë e garancisë hyjnore, asaj garancie për shkak të së cilës qëndrojnë në këmbë qiejt e toka (drejtësisë). E kjo e fundit më kujton hadithin profetik ku thuhet se :... nëse njerëzit e shohin të korruptuarin, "të paprekshmin", hajdutin, zullumqarin duke bërë padrejtësi dhe nuk e ndalojnë/pengojnë atë atëherë ka për ti përfshirë të gjithë bashkë ndëshkimi” Buhariu.
“Qyteti thurte ligësi, zilia merrte formë, komentet helmuese po bëheshin sporti i preferuar i juristëve të minutës së fundit. Jo, dashuria e Palermos për Falcone-n nuk ekzistonte.” -do të shkruante Francesco La Licata në librin e tij rreth Falcones. Fakti që sot SPAK po sulmohet nga të gjitha krahët, kam për qëllim ato që janë shkaku kryesor i problemit të korrupsionit dhe makutërisë , tregon se diçka pozitive po bëhet. Sikurse edhe Çurçilli do të pohonte se : Nëse ke armiq të shumtë që të sulmojnë, kjo është një gjë e mirë pasi dëshmon se je duke bërë diçka (të mirë)” . Gjithsesi shpesh vizioni religjoz (islam) dhe ai laik për drejtësinë pëputhen në shumëçka nga postulatet e tyre, vizioni islam i njeriut është ai i një krijesë të fisnikëruar nga Zoti , që zotëron vetëvlerësim , përndjek fuqinë, njeh interesin vetjak, kurorëzohet nga intelekti dhe përkujtohet (nga Zoti) që të mos harrohet hisja e kësaj bote . Megjithatë, këto cilësi balancohen nga përulësia, dhembshuria për të dobëtit dhe njohja e të drejtave të të tjerëve. Këto janë edhe principet e drejtësisë sociale të cilat maksimizohen në shtetin e së drejtës dhe minimizohen deri në padrejtësi kaotike në shtetin e pushtuar nga mafia dhe krimi i organizuar.
Këto në këndvështrimin tim janë disa arsye se përse reformën në drejtësi duhet ta shohim me sytë e shpresës, por pa harruar se në bazë të drejtësisë universale qëndron ajo socialja, e cila nuk mundet të manifestohet e tëra në formatin e shumëdëshiruar nëse mungon respekti dhe vlerësimi i dinjitetit reciprok, ruajtja e kufijve që ka vendosur "moralja", Zoti ndaj njëri tjetrit . Kjo pasi baza e çdo morali është lumturia e çdo kujt, teksa një popull nuk mundet të jetë i lirë nëse më parë nuk është i mirëpërfaqësuar dhe i siguruar prej frikës që buron nga mungesa e drejtësisë.