Lidhje


Reagim i ish punonjësit të KMSH-së, Haxhi Lika, për uljen e numrit të medreseve dhe mbylljen e tyre

Ish punonjësi i KMSH-së Haxhi Lika, ka ngritur një shqetësim në profilin e tij në facebook, lidhur me uljen apo edhe mbylljen e medreseve në rang vendi. Në këtë reagim Haxhiu ka etiketuar ish institucionin ku ai punonte si redaktor i revistës periodike "Drita Islame", si përgjegjës për këtë sektor si dhe për venitjen e tij. Haxhiu si njohës i mirë i këtij sektori (atij arsimor islam) vë në dukje se këto institucione arsimore janë të rëndësishme për farkëtimin e identitetit kombëtar dhe fetar. Haxhiu e konsideron si mjaft shqetësuese gjendjen e sotme të medreseve ku si pas tij u ndezën me vështirësi dritat e besimit prej të cilit edhe sot shoqëria jonë po benefiton. 
 
Ja edhe statusi i tij i plotë:
 
 
"Letër e hapur
 
Drejtuar Kryesisë së  Komuniteti Mysliman i Shqipërisë,
Myftinjve të vendit,
Anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm
 
 
Të nderuar vëllezër në fe,
 
 
Me përulësi dhe respekt, më lejoni t’ju drejtohem, jo vetëm si një qytetar që ndan me ju të njëjtën bindje, por edhe si një ish-koleg, që e njeh nga afër punën, sfidat dhe peripecitë me të cilat ju përballeni çdo ditë.
 
 
Në radhë të parë, dua t’ju përgëzoj për përkushtimin tuaj në shërbim të Islamit dhe të komunitetit mysliman shqiptar. Kontributi që jepni, shpesh i heshtur e i padukshëm në sy të publikut, është themeli i ruajtjes së identitetit tonë fetar e kombëtar.
 
 
Dëshiroj të ndaj me ju një shqetësim të kahershëm, por që po bëhet gjithnjë e më i mprehtë me kalimin e viteve: rënia e numrit të shkollave islame, veçanërisht e medreseve. Para vitit 2000, në hartën e Shqipërisë kishte më shumë medrese, ndonëse kushtet ishin më të vështira, infrastruktura modeste dhe financat të pakta. Shumica e shkollave ishin pa pagesë, por përkundër vështirësive, prej tyre dolën djem dhe vajza me dije, edukatë dhe shpirt shërbimi.
 
 
Sot jemi në vitin 2025. Mundësitë materiale janë më të mëdha, por numri i shkollave islame është më i vogël. Shumica janë kthyer në shkolla me pagesë dhe, për fat të keq, në vend që të shtohen, ato janë duke u mbyllur. Nga viti 2005 e këtej, më shumë janë shuar se sa janë themeluar. Shkaqet nuk i njoh të gjitha, por sinqerisht më dhembin këto mbyllje, sepse secila shkollë është një dritare shprese, një mundësi për rininë tonë dhe një institucion me vlerë për të ardhmen.
Kam një lutje të sinqertë për ju: mos i mbyllni ato që janë hapur me mund dhe sakrificë. Mos lejoni që dritat që u ndezën dikur me vështirësi, të shuhen sot nga neglizhenca ose mungesa e mbështetjes.
 
 
Nëse problemet janë financiare, mos ngurroni të kërkoni ndihmë. Mos u fërkoni me “dhjamin tuaj”, siç thotë populli ynë. Kërkoni, trokitni, bashkëpunoni. Ka akoma zemra bujare që duan të kontribuojnë për dije, për edukim, për fe. Mos i braktisni shkollat, se po i braktisëm sot, nuk do të kemi më mundësi t’i ringjallim nesër.
Përzemërsisht,
 
 
vëllai juaj në besim,
Haxhi Lika"
XS
SM
MD
LG