Lidhje


Kush janë të bekuarit nën Abrahamin/ “Akordet Abrahamike”

Nga dr.Justinian Topulli
 
 
 
Këto ditë është bërë virale një video e senatorit amerikan Ted Cruz me gazetarin Tucker Carlson, ku, ndër të tjera, senatori thotë: “Duke u rritur në shkollën e së dielës, kam mësuar nga Bibla se ata që bekojnë Izraelin do të bekohen dhe ata që mallkojnë Izraelin do të mallkohen. Dhe nga perspektiva ime, unë dua të jem në krahun e bekuar.”
 
 
 
Në fakt, ky është thelbi i doktrinës së të krishterëve sionistë, që janë një pjesë e madhe e evangjelistëve amerikanë, të cilët janë nga mbështetësit kryesorë të sionistëve izraelitë dhe politikës së tyre shtetërore ndaj palestinezëve. Ata mbështesin në mënyrë të pakushtëzuar shtetin sionist, duke e identifikuar në mënyrë absurde dhe të padrejtë këtë strukturë moderne politike me bekimin që Zoti i ka dhënë në fakt Abrahamit dhe pasardhësve të tij!
 
 
Me të drejtë, gazetari i habitur e pyet se ku gjendet ky citim biblik, dhe senatori i shmanget duke iu përgjigjur se ai mund ta gjejë atë lehtësisht në Google! Më pas, gazetari, që duket se e njeh më mirë Biblën, e orienton atë se ku ndodhet, duke debatuar me senatorin për keqkuptimin e këtij citimi biblik.
 
 
Por çfarë thotë tekstualisht vargu të cilit i referohet senatori?
 
 
Në librin e parë, tek Zanafilla (Bereshit), kapitulli 12 (1-3), thuhet:
 
 
“Dhe Zoti i tha Abramit: ‘Dil nga vendi yt, nga vendlindja jote dhe nga shtëpia e babait tënd, në vendin që Unë do të të tregoj. Dhe Unë do të të bëj një komb të madh, dhe do të të bekoj, dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Unë do t’i bekoj ata që të bekojnë ty dhe do ta mallkoj atë që të mallkon ty, dhe të gjitha familjet e tokës do të bekohen në ty.’”
 
 
Siç shihet, askund nuk përmendet Izraeli në këtë pasazh biblik. Emri Izrael (Israil) është emri i Jakobit (Jakubit), djalit të Is’hakut dhe nipit të Ibrahimit (Abrahamit); ai as nuk ekzistonte kur Zoti i tha këto fjalë Abrahamit (alejhi selam), e aq më tepër pasardhësit e tij që morën këtë emër. Bekimi këtu është për Abrahamin dhe ata që do të bekojnë Abrahamin, dhe aspak drejtpërdrejt për Izraelin (edhe pse ai përfshihet indirekt), e aq më pak për qeverinë apo shtetin e sotëm kriminal sionist.
 
 
Ndërkohë, Israili (alejhi selam) është bekuar si pasardhës i Abrahamit (alejhi selam) që është, dhe pasardhësit e tij, Beni Israil, izraelitët, janë të bekuar përmes Abrahamit. Por pasardhës të Abrahamit (alejhi selam) janë edhe arabët, që janë pasardhësit e djalit të parë të Abrahamit, Ismailit. Nisur nga ky fakt, edhe marrëveshjet e paqes të iniciuara nga Presidenti Trump mes shteteve arabe dhe shtetit izraelit janë quajtur “Akordet Abrahamike”.
 
 
Arabët ndahen në dy grupime të mëdha: kahtanitët dhe adnanitët. Këta të dytët janë pasardhësit e drejtëpërdrejtë të Ismailit (alejhi selam), pra edhe të Ibrahimit (alejhi selam). Ndaj dhe ata, si pasardhës të Abrahamit (alejhi selam), janë padyshim pjesë e bekimit të Zotit. Por Zoti nuk operon mbi baza raciste dhe bekimin e Tij e shtrin mbi të gjithë ata që ndjekin Ibrahimin (alejhi selam) dhe identifikohen si pasues dhe pasardhës të besimit dhe fesë së tij. Ndaj dhe mbarë arabët dhe joarabët që ndjekin fenë e Abrahamit (alejhi selam) janë të bekuar.
 
 
Çdo mysliman që falet, e ka obligim që pesë herë në ditë, para se të përfundojë adhurimin më të madh në Islam, të kërkojë nga Zoti bekimin që Ai i dha Ibrahimit (alejhi selam), duke thënë këtë lutje:
 
 
اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَى مُحَمَّدٍ، وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا صَلَّيْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ، وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ، وَبَارِكْ عَلَى مُحَمَّدٍ، وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا بَارَكْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ، وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ
‘O Zot! Lëvdoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç lëvdove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit! Ti përnjëmend je i lëvduar dhe i madhëruar! Bekoje (barik) Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit! Ti përnjëmend je i lëvduar dhe i madhëruar!’
 
 
Dhe jo vetëm kaq, por myslimanët kanë respekt dhe dashuri të veçantë për Ibrahimin (alejhi selam), si askush tjetër në botë. Ata ua vendosin emrin e tij fëmijëve të tyre më shumë se kushdo tjetër, më shumë se hebrenjtë dhe të krishterët, dhe sa herë përmendet emri i tij, e shoqërojnë atë me lavde dhe bekim.
Keni dëgjuar dikë tjetër, veç myslimanëve, të bekojë (barik) Abrahamin (alejhi selam) si ata?
 
 
Por bekimi i Allahut për Ibrahimin (alejhi selam) nuk është i pakushtëzuar për çdo pasardhës të tij, i mirë apo i lig qoftë ai. “Dhe Ne e bekuam atë (Ibrahimin) dhe Is’hakun; dhe nga pasardhësit e tyre pati që bënë mirë, por edhe që ishin haptazi të padrejtë ndaj vetes.” (es-Saffat:113)
 
 
“Ibrahimi nuk ishte as hebre, as i krishterë, por ishte besimtar i pastër (hanif), musliman, dhe nuk ishte prej idhujtarëve. Me të vërtetë, më të afërmit e njerëzve tek Ibrahimi janë ata që e ndoqën atë, ky Profet dhe ata që besuan. Allahu është mbrojtësi i besimtarëve.” (Ali Imran: 67-68)
 
 
Ndërkohë, sipas interpretimit të çuditshëm të Palit (themeluesi real i Krishterimit trinitarian), të cilit supozohet t’i besojnë të krishterët, premtimet e Abrahamit nuk iu dhanë atij në shumës për farërat (pasardhësit) e tij, por për farën (pasardhësin) e tij në njëjës, dhe ky pasardhës, sipas Palit, qe (vetëm) Krishti! Ndaj të krishterët që i përkasin Krishtit janë fara (pasardhësit) e Abrahamit që u dedikohet premtimi. (Galatasve, 3:16, 29)
 
 
Dhiata e Re është e mbushur me citime që zhbëjnë bindjen e të krishterëve sionistë, duke e lidhur bekimin me besimin te Krishti dhe duke zhbërë konceptin racor dhe trashëgiminë gjenetike si subjekt të bekimit të Zotit.
 
 
Problemi me të krishterët sionistë është se ata kanë përmbysur besimin dymijë-vjeçar të Krishterimit, duke stisur kështu një teologji të re që bekon ata që mohojnë dhe përgënjeshtrojnë Krishtin, dhe jo vetëm kaq, por e lidhin bekimin e Zotit për Abrahamin (alejhi selam) me një entitet politik modern nacionalist, që në themel të ideologjisë së tij është laik, i themeluar nga një ateist!
 
 
Është ironik fakti kur sheh, p.sh., sesi të krishterët sionistë mbështesin një shtet të tillë kriminal, që nuk heziton të propozojë ligje antikrishtere! Në parlamentin izraelit (Knesset), në vitin 2023, dy deputetë, Moshe Gafni dhe Yaakov Asher, haredi ultra-ortodoks, në aleancë me Netanjahun, patën propozuar një ligj që penalizonte me burg predikuesit e krishterë që tentonin të konvertonin një hebre në të krishterë.
 
 
Edhe pas kësaj, a do të thoshte një i krishterë sionist: “E megjithatë ata janë të bekuar?!”
 
 
E të bekuarit e vërtetë janë pikërisht ata besimtarë të mirë monoteistë që bekojnë dhe ndjekin me vërtetësi Abrahamin (alejhi selam). E kush më shumë se myslimanët e meritojnë këtë bekim?!
XS
SM
MD
LG