Kur jeta peshon më pak se 10 mijë euro: Një v.rasje, kanun apo histori e "trashgimisë pellazge"

Nga Alban Gorishti
Në Mat, një djalë u vra për 10 mijë euro (sipas infove paraprke). Jo për ndonjë konflikt mesjetar nderi, jo për vetëmbrojtje, as për ndonjë hakmarrje të trashëguar — por për një shumë të papërfillshme parash (në krahasim me vlerën e lekut dhe jetën njerëzore sot). Si në një treg të errët ku jeta e njeriut është bërë mall konsumi. Denis Dobra nuk është thjesht viktimë e një krimi, por dëshmi e një dekadence që po vazhdon të buçasë në histori nga thellësitë tona si shoqëri. Kjo histori vazhdon edhe në dimensione më të imëta sociale por që në thelb kanë të njejtën "emblemë", mangësi, mungesë, asgjesim të çdo vlere që tejkalon interesat vetjakë. Përditshmëria nuk e zhgënjen këtë ngjarje, pasi intensiteti me të cilin e urrejmë njëri tjetrin dhe padrejtësitë në dëm të shpirtëores dhe fizikes, janë dëshmi se ky "kanun" i mbrapshtë nuk është ngjarje e izoluar por fenomen i shtrirë në kohë dhe hapësirë, kuptohet atë shqiptare.
Kjo nuk është thjesht çështje krimi. Është çështje gjenetike, historike, shpirtërore. Jemi një popull që e kemi të gdhendur në kujtesën kolektive idenë se gjaku lahet me gjak. Kanuni i Lekë Dukagjinit, ky kod i trashëguar me shekuj, megjithëse shpesh i romantizuar si pjesë e identitetit shqiptar, në thelb përforcoi idenë se nderi mbrohet me armë, se hakmarrja është detyrë, dhe se jeta e tjetrit ka çmim, shpesh herë edhe banal. Në vend që të promovonte drejtësinë dhe pajtimin, ai kultivoi një ndjeshmëri të sëmurë ndaj nderit dhe një lehtësisë për të derdhur gjak.
Ky model i trashëguar i dhunës nuk është eleminuar nga kujtesa jonë e nënvetëdijshme, përkundrazi, ka marrë formën moderne të pagesës për krim, të mafies së vogël që për 10 mijë euro gjen njerëz që kryejnë vrasje pa iu dridhur qerpiku, madje shkon deri atje sa organizon tërë atë inskenim që duhet të ketë kushtuar ndoshta sa gjysma e shumës për të vrarë një të ri që është gjithashtu pjesë e një vorbulle të madhe. Nga hakmarrja e Kanunit kemi rrëshqitur në vrasje me pagesë — të dyja po aq makabre, po aq të padobishme, dhe mbi të gjitha, po aq të shkatërruese për shpirtin shqiptar.
Kurani i Shenjtë na paralajmëron: “Kush vret një njeri pa qenë ai fajtor për vrasje apo përhapje shkatërrimit në tokë, është sikur të kishte vrarë gjithë njerëzimin.”
(Surja El-Maide, ajeti 32)
Ky nuk është vetëm dënim për krimin, porfakt për atë sesa vlen jeta njerëzore në sytë tonë si shoqëri. Nëse kjo peshë humbet, ne s’jemi më njerëz — por kafshë që i kanë mprehur dhëmbët në errësirën e shpirtit.
Po jetojmë në një kohë kur e shenjta është zbehur, morali është prishur, ndërsa epshi për lekë është shndërruar në një Zot okult të sekteve mistike të mesjetës. Zoti është larguar nga perceptimet kolektive, ndërsa boshi shpirtëror është mbushur me urrejtje, zili, inat, dhe grykësi.
Nëse nuk i kthehemi Zotit, ligjit moral, dhe drejtësisë së vërtetë e jo asaj të armës dhe pagesës për krim, ky vend do mbushet me njerëz që e shohin jetën si pengesë, jo si dhuratë.