Lidhje


Nuk ka recetë për shpirtin, pilula mjafton për trupin, fjala e Zotit qetëson mendjen/ Pse çrregullimet psikosomatike vështirë të shërohen, por menaxhohen

 

Nga Alban Gorishti

 

Në mjekësinë klasike, “shërim” shpesh do të thotë eliminim i shkakut: një operacion që heq apendicitin, një antibiotik që zhduk bakterin. Por në psikiatri, çrregullimet psikosomatike (kur mendja e stresi pasqyrohen në trup), realiteti është ndryshe: synimi nuk është gjithmonë shërim përfundimtar, por trajtim, përmirësim dhe menaxhim afatgjatë. Çrregullime si depresioni, bipolariteti apo skizofrenia shpesh janë kronike; ato mund të kontrollohen, por jo të zhduken me një hap të vetëm. Njësoj si tensioni i lartë i gjakut: një tabletë e mban nën kontroll, por gjithsesi edhe në këtë rast menxhimi kërkon dietë, lëvizje e disiplinë.

 

Arsyeja është e thjeshtë dhe e dhimbshme: veset mendore janë më të forta se veset trupore. Një njeri që ka pirë duhan 20 vjet e ka të vështirë ta lërë; por më e vështirë është të ndalësh një mendje që është ushqyer 20 vjet me frikë, dyshim, pasiguri, mendime negative. Truri krijon shtigje që i përsërit automatikisht, si rrugët e shkelura vazhdimisht të fshatit. Për ta ndryshuar, duhet shumë kohë, shumë përpjekje, dhe mbi të gjitha shpresë.

 

Natyra e mendjes dhe shpirtit e bën shërimin edhe më kompleks: Veset dhe shprehitë mendore krijojnë shtigje nervore që përsëriten. Fluksi i mendimeve (stresi, frika, dyshimi) ushqehet nga vetë simptomat, duke krijuar qark të mbyllur. Shkaktarët socialë (stresi i jetës, trauma, presionet e përditshme) nuk zhduken, por menaxhohen.


Ndaj shçesh edhe përqafimi i fesë nuk e kthen sëmundjen në “zero”, por e bën atë të përballueshme dhe kuptimplote. Zoti e përshkruan Kuranin si shërim dhe mëshirë për besimtarët:  “Dhe Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” Isra, 17:82

 

Po ashtu: “O ju njerëz! Ju ka ardhur këshillë nga Zoti juaj, shërim për atë që është në gjokse, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” Junus, 10:57

 

Dijetarët (si Ibnul-Kajjim) e shpjegojnë këtë “shërim” si qetësim të sëmundjeve të zemrës: dyshimit, smirës, frikës, por edhe si forcim shpirtëror që ndikon në trup.

 

Profeti a.s  lejoi rukien (lexim i Kuranit dhe duave për të sëmurët) me kusht që të jetë e pastër nga idhujtaria. Në hadithe tregohet se surja Fatiha u recitua mbi një të sëmurë dhe ai u shërua, duke dëshmuar se fjala e Allahut ka efekt kur lejohet për dikë që vuan qoftë nga sëmundje psikosomatike por edhe trupore. Por shërimi afatgjatë, sikurse shërimi trupor, kërkon ushtrime, dietë shpirtërore, largim nga gjithçka që e trazon shpirtin së bashku me recetën universale, leximin dhe dëgjimin e Kuranit.

 

Shkenca e sotme po konfirmon atë që për shekuj besimtarët e kanë përjetuar: Dëgjimi i Kuranit ul ankthin dhe stresin, veçanërisht te pacientët në spital, gratë shtatzëna, ose ata që kalojnë procedura kirurgjikale.

 

Terapitë e kombinuara me elemente islame (du’a, dhikr, etj) kanë treguar përmirësime më të mëdha në depresion dhe ankth krahasuar me terapitë standarde.

 


Pra, shërimi me Kuran nuk është “mrekulli” që zhduk çdo simptomë, por një forcim shpirtëror e psikologjik që, bashkë me terapinë mjekësore, i jep pacientit aftësinë të menaxhojë më mirë gjendjen e tij.

 

As mjekësia moderne, as Islami nuk premtojnë shërim të plotë për çdo rast. Psikiatria synon kontroll dhe cilësi më të mirë jete, jo zhdukje të menjëhershme të simptomave.

 

Islami e sheh sëmundjen si sprovë; durimi dhe besimi janë pjesë e devocionit. Profeti a.s ka thënë: “Lidhe devenë, pastaj mbështetu te Allahu.” Pra, merr mjekimin, përdor mjetet, pastaj vendose shpresën tek Zoti.

 

 

Çrregullimet psikosomatike janë prova e ndërthurjes së trupit dhe shpirtit. As mjekësia, as feja nuk i japin gjithmonë një fund absolut, por të dyja bashkë ofrojnë një rrugë menaxhimi. Ashtu si tensioni i lartë mbahet nën kontroll me pilulë, ushqim dhe disiplinë, edhe shëndeti mendor mbahet nën kontroll me mjekim profesional, mbështetje shpirtërore, zakone të shëndetshme dhe një lidhje të fortë me Zotin.

 

Kjo është rruga drejt një shërimi të brendshëm, ku edhe nëse simptomat mbeten, shpirti dhe zemra gjejnë paqen.

 

XS
SM
MD
LG