Nazionistë, zëri i Hind Rajabit ju akuzon
Monday, 08 September 2025 14:39

Nga Kastriot Çipi
Shkak për këtë shkrim u bë një shkrim i ambasadores së Izraelit në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë, Galit Peleg, botuar në mediat shqiptare.
Zonja ambasadore e nis shkrimin me pretendimin se protestat në mbështetje të Gazës (në Shqipëri) nuk janë as për Gazën, as për palestinezët, por për antisemitizmin, që ajo e përkufizon si “refuzimin për të pranuar ekzistencën e një shteti hebre.” Argumenti (nëse mund të quhet i tillë) për këtë akuzë, është se ne (shqiptarët) nuk kemi protestuar njësoj për diskriminimin e ujgurëve në Kinë, persekutimin e grave në Iran apo vrasjet e druzëve në Siri.
Duke barazuar krimet në Kinë, Iran, Siri dhe Gaza, ambasadorja arrin në përfundimin, se Izraeli “po vëzhgohet me lupë... sepse është hebre”.
Tërthorazi, ambasadorja pranon se Izraeli po kryen krime në Gaza, por pretendon se ato nuk janë më të rënda se krimet, që po kryhen në vende të tjera. Kësisoj nuk ka pse protestojmë kundër Izraelit.
Por nëse Izraeli është “e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme”, pse ka nevojë të mjerueshme të krahasohet me diktatura apo vende në luftë?! Në cilin prej këtyre vendeve janë vrarë mbi 20 mijë fëmijë, janë shkatërruar 93% e ndërtesave, përfshi shkollat dhe spitalet, kishat dhe xhamitë? Cila prej tyre është fuqi e huaj pushtuese dhe sidomos cila prej këtyre qeverive mbështetet pa rezerva nga Qeveria Shqiptare? Sepse ne që protestojmë në Tiranë, ashtu si ata që protestojnë nga Londra në Tokio e Nju Jork, protestojmë në fakt kundër qeverive tona respektive, për mbështetjen që ato i japin qeverisë së Netaniahut.
Ashtu si në komunizëm, çdo kritikë, sado dashamirëse dhe e sinqertë, shpallej menjëherë “shfaqje e huaj”, “ndikim borgjezo-revizionist” e deri “agjitacion e propagandë për rrëzimin e pushtetit popullor”, ambasadorja e “demokracisë së vetme të Lindjes së Mesme” na shpall të gjithëve anti-semitë, por sipas versionit zionist, nënkupto anti-zionist. Sepse ambasadorja e di, se të jesh anti-semit, duhet të urresh popujt semitikë. Kësisoj nuk mund të jesh anti-semit, nëse urren izraelitetët dhe do palestinezët, sepse të dy janë popuj semitikë. Do të ishte njësoj sikur ne, shqiptarët, të akuzojmë serbët se janë anti-ballkanikë!
Ne që e “pështyjmë si helm fjalën zionizëm”, e dimë mirë ndryshimin mes një çifuti dhe një zionisti, prandaj nuk kemi asgjë kundër të parit, por kemi urrejtje të thellë për të dytin! Sepse çifuti është një besimtar, si çdo musliman apo i krishterë, ndërsa zionisti është një ushtar i gatshëm për të vrarë, në emër të projektit të Izraelit të Madh, që përfshin jo vetëm krejt Palestinën, por edhe Libanin, Sirinë, Jordaninë dhe pjesë të Egjiptit, Irakut e Turqisë.
Në këtë përpjekje të mundimshme për t’i spërdredhur fjalët sipas interesit zionist, ambasadorja e quan “anti-semite” thirrjen “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”, sepse sipas saj “... nga Lumi i Jordanisë tek Deti Mesdhe. Me fjalë të tjera, i gjithë Izraeli.” Po Palestina ku është, zonja ambasadore?! A nuk është sot ajo, që ka mbetur nga Bregu Perëndimor, pranë Lumit Jordan dhe ajo, që ka mbetur nga Gaza, pranë Detit Mesdhe? A nuk është kjo një deklaratë kolonialiste? Ju shpallni se Bregu Perëndimor dhe Gaza janë Izrael, megjithëse e gjithë bota ka 58 vjet, që i quan këto “TERRITORE TË PUSHTUARA PALESTINEZE”. Të kërkosh çlirimin e këtyre territoreve qenka anti-semitizëm?! Jo zonja ambasadore! Anti-semitizëm është të vijnë ashkenazët me mbiemra sllave e gjermanikë, që nuk dinë asnjë fjalë hebraisht, nga Rusia dhe Europa Lindore, nga Meksika dhe Argjentina, të pushtojnë tokat e Palestinës dhe të vrasin e të dëbojnë popullin semit palestinez!
Akuza për gjenocid, zonja ambasadore, nuk buron nga shekujt e persekutimit të çifutëve në Europë, por nga fjalët dhe veprat e qeverisë sate sot. Kryeministri yt tha në tetor 2023 se “po lufton amalekët”, duke evokuar gjenocidin e parë në histori, gjatë të cilit çifutët shfarosën jo vetëm burrat, gratë dhe fëmijët, por edhe kafshët shtëpiake të amalekëve. Ministri yt i Sigurisë, Gallant, tha se “Gaza do të kthehet në epokën e gurit, pa ujë, pa energji, pa ushqim, pa asgjë që mund të mbështesë jetën, sepse po luftojmë me qenie inferiore (sub-humane), me njerëz-kafshë.”
Ti s’ke turp zonja ambasadore! Në 22 tetor 2023, kur boshnjakët, me në krye kryebashkiaken e Sarajevës, Benjamina Kariç, dolën në protestë me sloganin “Dje Srebrenica, sot Gaza”, ti u kërkove të X të dënonin sulmin e Hamasit. Më 23 nëntor ti i the gazetës izraelite Haaretz: "Supozimi im ishte që njerëzit që përjetuan Srebrenicën do të tregoheshin më empatikë ndaj Izraelit pas 7 Tetorit." Pra ti hoqe një paralele mes gjenocidit të Srebrenicës, të njohur si të tillë nga e gjithë bota, sepse 8.000 civilë të paarmatosur, u vranë nga një ushtri pushtuese, me një sulm të një organizate, po të duash edhe terroriste, por që vrau në shumicë ushtarë, policë dhe kolonë të armatosur, të një shteti pushtues. E bëre sepse të leverdiste.
Por 6 muaj më pas, kur ambasadori i Izraelit në Serbi, Yahel Vilan, i tha redaksisë serbe të medias ruse Sputnik, se Srebrenica nuk ishte gjenocid dhe Izraeli nuk do ta njihte kurrë si të tillë, ti heshte dhe kush hesht është dakord.
Më 23 maj 2024, OKB miratoi rezolutën për shpalljen e 11 korrikut Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Izraeli nuk e votoi këtë rezolutë, sepse për Shtetin Zionist të Izraelit ka vetëm një gjenocid: ai i kryer kundër çifutëve nga nazistët. Dhe çdo armik i muslimanëve është mik i zionistëve.
Për këtë arsye, ti zonjë takove Millorad Dodikun dhe deklarove, më 6 dhjetor 2024, për Agjencinë e Lajmeve të Republikës Serbe SRNA: Ne e shohim Dodikun dhe Republikën Serbe si miq shumë të mirë dhe po punojmë së bashku, për të forcuar marrëdhëniet në çdo aspekt.
Ja pse Izraeli e trajton Bosnjë-Hercegovinën si shtet inferior, duke ia lënë marrëdhënien me të një ambasadori jo-rezident, që është rezident në Shqipëri dhe ja pse Kosova, që e pagoi aq shtrenjtë njohjen nga Izraeli, nuk ka sot as ambasador jo-rezident! Sepse ju zionistët vazhdoni dashurinë me shovinistët serbë dhe në rast lufte, në Bosnjë apo Kosovë, ata do të vrasin me armë të prodhuara në Izrael, siç po vrisni ju sot në Gaza, me armë të prodhuara në Serbi.
Bashkohem me shqetësimin tuaj, zonja ambasadore, për aktet kriminale kundër çifutëve të thjeshtë në mbarë botën. Njerëzit duhet të mësohen të bëjnë dallimin mes çifutëve si Albert Ajnshtajn dhe zionistëve si Menahem Begin, duke mësuar se 28 çifutë të famshëm, më 4 dhjetor 1948, botuan një letër të hapur në gazetën New York Times, për të paralajmëruar SHBA dhe botën, që të mos mbështesnin një terrorist FASHIST si Begin. Por bota nuk i dëgjoi. Terroristi Begin, fillimisht i kërkuar nga britanikët, u bë kryeministër nazionist (dmth nazist dhe zionist), i Izraelit.
Do të protestoj edhe unë, zonja ambasadore, për fëmijët çifutë, që kanë nevojë për roje të armatosura në shkolla, por pasi ti të protestosh për fëmijët e Gazës, që nuk kanë nevojë për roje të armatosura në shkolla, sepse kanë dy vjet që nuk kanë shkolla, sepse qeveria jote i ka hedhur në erë, me raketa, bomba avioni e madje edhe me eksploziv, të vendosur nga ushtarët tuaj, ndërkohë që e shfaqnin procesin me video në TikTok.
Zonja ambasadore, Shqipëria nuk është as Edi Rama, që dekorohet nga presidenti zionist Hercog, as Baba Mondi, që të fton ty për iftar, ndërkohë që fëmijët e Gazës po vdesin nga uria. Shqipëria është ajo, ku edhe ministrat e qeverisë bashkëpunëtore të nazizmit, gjatë L2B, bënë çmos për t’i shpëtuar çifutët, duke rrezikuar edhe jetët e tyre. Shqiptarët, muslimanë, të krishterë apo sekularistë, i bashkon institucioni i BESËS! Shqiptarët i mbrojtën çifutët atëherë, sepse rreziku ishte real.
Shqiptarët sot nuk mund të solidarizohen me çifuten nga Meksika, me mbiemër sllav: Ilana Gritzewsky, sepse nuk i besojnë historisë së saj. Më 27 gushtin e kaluar, ajo deklaroi para Këshillit të Sigurimit në OKB, se kishte qenë 55 ditë peng i Hamasit, por vetëm pas lirimit zbuloi se kishte nofullën të thyer (?!). Një vit më pas, ajo zbuloi se kishte thyer edhe legenin (?!) dhe se gazet e djegies së motoçikletës, me të cilën e transportuan në Gaza, i kishin djegur këmbën (?!). Si mund të besojnë shqiptarët apo çdo individ me dy fije mend, kudo në botë, se dy fraktura dhe një djegie, pa trajtim shëndetësor, jo vetëm shërohen vetë, por nuk shkaktojnë asnjë dhimbje?! Apo duhet të besojmë se në tunelet e Hamasit ka klinika të specializuara, të pajisura me teknologjitë e fundit, ku shërohen frakturat dhe djegiet, pa dhimbje dhe brenda ditës?
Shqiptarët dhe çdo individ në botë me dy fije mend dhe shpirt, i besojnë zërit autentik të 5-vjeçares Hind Rajab, të regjistruar nga telefonata për Gjysmëhënën e Kuqe, më 29 janarin e kaluar. Një tank goditi makinën, me të cilën udhëtonte familja e saj, duke i vrarë ose plagosur rëndë të gjithë. Hindi i shpëtoi mrekullisht sulmit të parë dhe me celular i kërkoi ndihmë Gjysmëhënës së Kuqe. Por ndihma nuk mbërriti kurrë. Sepse ushtarët nazionistë hapën zjarr edhe ndaj autoambulancës dhe i vranë të gjithë mjekët dhe infermierët. Nuk ka mrekulli, që të shpëton nga kafshët nazioniste. Tre ditë më pas, njerëzit mblodhën një duzinë me kufoma, përfshi edhe atë të 5-vjeçares Hind Rajab.
Parmbrëmë filmi “Zëri i Hind Rajabit” u shfaq në Festivalin e Venecias. Publiku e nderoi me një rekord prej 24 minutash duartrokitje në këmbë, përmes lotësh. Unë në vendin tënd, do t’i ndjeja ato duartrokitje si akuzë për mua dhe qeverinë, së cilës i shërbej. Dhe do të urreja veten!