Lidhje


Një tabelë bie mijra ngrihen

Nga hoxhë Florian Leli
 
 
Ngjarja e ndodhur dje në Shkodër riktheu edhe njëherë në vëmendje plagën e pambyllur të uzurpimit të vakëfeve. Ajo nuk duhet të kalojë vetëm me një indinjatë të çastit, por duhet të ketë një reagim konkret dhe mbështetje të plotë nga imamët dhe xhemati. Do të ishte mirë që kjo tabelë e shkulur në mënyrën më flagrante dhe të pahijshme nga Benet Beci të ngrihej në oborrin e çdo xhamie anekënd Shqipërisë. Le të vendoset kudo ku mund të vendoset edhe në skajin më të largët të Shqipërisë.
 
 
Ngjarja në fjalë dëshmoi që problemi i Benet Becit herën e parë nuk ishte me “paligjshmërinë” e tabelës që kishte kaluar dy-tre metra kufirin e xhamisë dhe sipas tij shqetësonte kalimtarët në trotuar. Në të vërtetë ajo shqetësonte vetëm Benetin dhe shpurën tij, që e kanë mizën nën kësulë. Nuk ishte paligjshmëria ajo që e shtyu Benetin ta hiqte tabelën herën e parë, por përmbajtja e këtij hadithi madhështor mbi të cilin ngrihen të palëkundura parimet e shoqërisë së drejtë, që janë respektimi i të drejtave dhe ruajtja e pronës private.
 
 
Benetin e mundonte përmbajtja e këtij hadithi sepse çdo zullumqar e di mirë që është zullumqar dhe e vërteta e përplasur në sy e mundon. Prandaj, ai shkeli paturpësisht oborrin e Xhamisë së Madhe dhe dhunoi një nga objektet më të njohura fetare të vendit, duke tejkaluar çdo kompetencë ligjore e morale dhe duke shkelur edhe traditën dhe vlerat shoqërore me të cilat Shkodra ka qenë përherë e pasuruar.
 
 
A mos kujton Benet Beci se po e shkuli këtë tabelë sot do të mundë të heqë nga librat e islamit; nga Kurani Famëlartë dhe nga burimet profetike të gjithë ato ajete e hadithe që dënojnë grabitjen dhe zullumin?! Çfarë kujton Benet Beci, se nesër do të shkelë brenda xhamisë Ebu Bekër me këpucët e tij për të fshirë ajetet dhe për të grisur faqet e librave në të cilat është shkruar ky hadith madhështor?! Çfarë i duket vetja Benet Becit? Islami është feja e Zotit dhe vetë Zoti e mbron. Ndërsa Beneti që përplas kokën në mur vetëm kokën e tij thyen se murin aspak s’e dëmton.
 
 
Heqja e tabelës nga ambientet private të Xhamisë së Madhe është tregues i qartë që problemi i tyre është me të vërtetën. Ata nuk e durojnë dot atë, nuk e durojnë dot t’u thuhet mos bëni zullum në tokë! Nuk e durojnë dot t’u thuhet mos bëni keq në tokë!
 
 
Politeistët e Mekës përpara shpalljes së islamit e thërrisnin Muhamedin me epitetin e bukur “Besniku”. Erdhi Besniku, dëshmoi Besniku, dëgjoni Besnikun – thoshin dhe rrallëherë e thërrisnin me emrin e tij të lindjes Muhamed.
 
 
Por, atëherë kur e vërteta zbriti nga qielli në tokë dhe zullumqarët u vunë përballë saj, ata e përbaltën Besnikun me çdo akuzë që mund të imagjinonin edhe pse kurrë në jetën e tyre nuk kishin parë prej tij as keq e as gënjeshtër. E gjithë kjo sepse nuk e duronin dot të vërtetën. Prandaj Allahu zbriti në suren Enam këtë ajet që shpalos një realitet të prekshëm:
 
 
{Ne e dimë që ty të brengos ajo që ata thonë. Ata në të vërtetë nuk të përgënjeshtrojnë ty, por zullumqarët ajetet e Allahut mohojnë}
 
 
Ne si myslimanë të Shqipërisë na del për detyrë të mbështesim këdo që bën përpjekje serioze për rikthimin e vakëfeve të grabitura. Njerëz si Beneti mbajnë mbi supe mëkatin dy herë. Një herë sepse u mohojnë të drejtën besimtarëve të shfrytëzojnë vakëfet e tyre dhe herën e dytë sepse ata përligjin grabitjet e regjimit komunist ndaj komuniteteve fetare në përgjithësi dhe ndaj myslimanëve në veçanti. Mohimi i rikthimit të pronës së vakëfeve është përligjje e padrejtësisë komuniste ndaj myslimanëve dhe pengesë e saktësimit të një gabimi historik që komunistët ndërmorën ndaj pasuesve të besimit islam.
 
 
Unë, në rastin konkret, mbështes pa rezerva përpjekjet e Myftinisë Shkodër dhe përpjekjet e besimtarëve shkodranë për rikthimin e të drejtave të tyre. Gjithashtu mbështes çdo përpjekje serioze për rikthimin e pronave të vakëfit nga çdo myftini ose institucion mysliman, pavarësisht diferencave dhe mendimeve ndryshe. Islami është i yni dhe interesat e islamit janë interesa të të gjithë bashkësisë islame.
 
 
Gjithashtu çdo mysliman shqiptar duhet të mbështesë këto përpjekje të vazhdueshme për rikthimin e pronave të vakëfeve të grabitura padrejtësisht, me çdo formë të lejuar që kërkohet. Nëse është nevoja hadithin që Beneti e shkuli mund t’ia tregojmë atij me pankarta në duar aty para zyrës së tij, nëse e kërkon puna edhe dhjetra mijra besimtarë bëhemi.
 
 
Njëherë e një kohë një mbret zullumqar vrau një djalosh që të shkulte besimin, por besimi i tij jo vetëm jetoi, por u bë shkak që të përhapej te mijra të tjerë. Prandaj Benet Beci i gjuan fort murit por vetëm kokën e vet thyen se murit asgjë s’i bën.
XS
SM
MD
LG